Faleminderit
Enver Bytyçi: Sfidat, arritjet dhe dështimet e Sali Berishës! (I)
E premte, 18.10.2024, 07:33 PM
Sfidat, arritjet dhe dështimet e Sali Berishës! - I
Nga
Prof. Dr. Enver Bytyçi
Më
15 tetor Sali Berisha bëhet 80 vjeç. Në këtë 80 vjetor regjimi mizor i Tiranës
e ka ngujuar në arrest shtëpiak pa akuzë deri para pak kohe, pa fakte, pa
prova, pa dëshmi e pa dëshmitarë. Por thjesht për vendime kolektive, të cilat
nuk janë specifike, ishin dhe janë në interest ë mijëra shqiptarëve. Për
ndryshe ky regjim ka patur gjithë kohën e nevojshme në tri mandate ta revokonte
ligjin në fjalë. Pra, më 15 tetor lideri demokrat dhe i opozitës shqiptare
shënon ditëlindjen e tetëdhjetë të tij në izolim, për shkak se regjimi që
sundon sot Shqipërinë dëshiron një vend pa opozitë.
Berisha
lindi më 15 tetor të vitit 1944 në Vuçidol të Tropojës. Vjen nga fisi i njohur
Berishajve në veri të Shqipëris. Ky fis është pjesë e Malësisë së Gjakovës në
anën veriore të Drinit. Ai ndan Hasin nga Tropoja. Prandaj dhe karakterizohet
nga një përzierje e traditës tropojane e hasjane. Kur lindi Sali Berisha
brigadat partizane po operonin në trevat e Malësisë. Në Kelmend kundër Prek
Calit. Në Tropojë kundër Halil Hoxhës. Dhe në Kukës kundër Muharrem
Bajraktarit. Gjermanë nuk kishte asokohe në veri të vendit, përveçse në
Shkodër, Lezhë e linjën veriperendimore të Shqipërisë. Shkurt, ishte koha e
luftës civile midis malësorëve anti-komunistë dhe shtabeve të zonës operative
Vlorë-Gjirokastër.
Simbolika
e fatet e përbashkëta të dyshes Berisha - Rugova
Sali
Berisha lindi vetëm 48 ditë para se të lindëte një lider tjetër i përmasave të
mëdha të kombit shqiptar, Ibrahim Rugova (2 dhjetor 1944). Si për çudi, të dy
këta do të bëheshin të njohur 45 vite më vonë pas lindjes, kur guxuan të marrin
në dorë fatet e kombit shqiptar, Berisha atë të demokracisë në Shqipëri dhe
Rugova fatin e Kosovës së martirizuar nga politikat shoviniste të Serbisë. Por
edhe pse lindën në një motmot, Berisha dhe Rugova patën fate të ndryshme në
fëmijërinë, rininë dhe jetën e tyre. Berisha u rrit me prindër, me motër e më
vëlla. Rugovës regjimi serb i Beogradit ia ekzekutoi gjyshin dhe babain, duke e
lënë atë gjithë jetën e vet në kujdesin e nënës dhe xhaxhait.
Sali
Berisha lindi në një familje me traditë e të kamun dhe u rrit me traditën e
kësaj familjeje. Tradita ishte dhe mbeti themeli I karakterit të tij. Edhe
Ibrahim Rugova u rrit në traditën e familjes dukagjinase të Istogut dhe ndoshta
më mirë se Berisha e përdori filozofinë e popullit të tij për sendërtimin e
politikës së tij paqësore për çlirimin e vendit e të popullit nga pushtuesit
dhe sunduesit mizorë serbë. Por ama të dy u rritën me frymën e dashurisë për
Kosovën, me tregimet e shumta për historitë e saj. Berisha në odën e ndarë për
miqtë kishte fatin të dëgjonte bisedat e gjata të mysafirëve të shumtë të
familjes me babain e xhaxhain e tij për ngjarjet në Kosovë e në Malësinë e
Gjakovës gjatë fundit të shekullit XIX dhe fillimit të shekullit XX. Arriti të
dëgjojë me veshët e tij historitë e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, për famën e
Binak Alisë e të Mic Sokolit, për luftërat kundër ushtrive të komanduara nga
Turgut e Shemsedin Pasha, për kryengritjet e Kosovës e të Malësisë së Gjalovës
kundër pushtimit Osman.
Por
mbi të gjitha, veshi i një fëmije në odën e burrave u mësua me historitë e
dhunës e të terrorit serb kundër shqiptarëve, sidomos në Kosovë e në viset e
tjera shqiptare të ish-Jugosllavisë. Kur u rrit, natyrshëm që e tërhiqte
literatura për ngjarjet e hershme në Kosovë dhe përditësonte zhvillimin e
ngjarjeve të tjera të ditës në krahasueshmëri me të shkuarat. Ndërsa Ibrahim
Rugova u bë vetë protagonist iI ngjajeve të Kosovës në gjysmën e dytë e sidomos
çerekun e fundit të shekullit të XX, derisa vdiq.
Shkenca
provon se karakteri i njeriut formohet në fëmijërinë e hershme të tij. Formimi
i karakterit të Sali Berishës nuk bën përjashtim nga ky rregull. Ai u formua në
fshatin e lindjes, në një familje malësorësh, me një karakter të një burri
serioz, krenar, të patrembur që i duket vetja se botën e sundon me veçoritë e
tij të dinjitetit dhe personalitetit që ka krijuar në jetë. Por edhe ambicioz,
sfidues. U formua si një peronalitet që mundet ta realizojë të pamundurën, që
mundet të përballet edhe “Balozin e Detit”. U rrit me mitin e Mujit dhe të
Halilit, me përballjen me gjoks të Mic Sokolit në grykën e topit. Ndoshta të
gjitha ishin mite. Por mitet shërbejnë shpesh herë si brumi i formimit të
karakterit. Njëjtë dhe Ibrahim Rugova. Edhe ai u rrit si sfiduesi më i madh i
epokave historike të shqiptarëve. Madje me një mënyrë e model krejt të ndryshëm
nga metodat e të tjerëve. Me modelin e urtësisë dhe të predikimit të paqes!
Në
odën e burrave, ku Sali Berisha thirrej për të bërë shërbimin e mysafirëve dhe
më të rriturve, ai dëgjoi biseda jo vetëm për Kosovën. Aty vinin pleq e burra
të mençur të pacensurë, edhe pse ishte vendosur regjimi i diktaturës komuniste.
Disa guxonin të krahasonin kohën që jetonin me kohën e mbretërimit të Ahmet
Zogut dhe lavdëronin këtë të fundit. Disa nuk pajtoheshin me krijimin e
kooperativës dhe kujtonin me nostalgji politikat e Mbretit Zog I, sidomos në
ekonomi. Të tjerë flisnin për vrasjen e Bajram Currit (mars 1925) dhe secili
jepte versionin e tij. Të gjitha këto biseda “të ndaluara” shkuan original, pa
censurë dhe të veshur me petkun e ideologjisë në veshin e Sali Berishës.
Por
ai nuk zgjodhi të rebelohej. Zgjodhi të sfidonte. Sfida e tij e parë ishte të
bëhej modeli i sjelljes njerëzore dhe humanizmit. Për kritikët e tij krenaria e
humanizmi nuk shkojnë bashkë. Por shembulli i Sali Berishës provon të
kundërtën. Mos pajtimin me mizorin dhe mëshirën e humanizmin me të dobëtin, të
vobegtin, të sëmurin e të pamundurin. Megjithatë ai punoi gjithnjë të ishte “më
i miri” ose së paku ndër të mirët në
mësime e në profesionin që do të zgjidhte. Nuk kishte rrugë tjetër, nuk kishte
as armë më të mirë, sesa aftësitë e tij. Sepse nuk kishte miq, të cilët do ia
jepnin jetën në tavë. Dhe ia arriti. U bë modeli i të gjithë bashkëmoshatarëve
që nga klasa e parë e deri në ditën e fundit kur mori diplomën e kirurgut si
mjek. Imagjino sa përpjekje, durim dhe sakrifica duhen që dy dekada të synosh
më të mirin e t’ia arrish kësaj.
Ndërkaq,
në odat e burrave e të mysafirëve kishte mësuar edhe diçka tjetër, përveç të
qenit krenar, i fisëm dhe sfidues. Në ato oda kur burrat e malësisë mblidheshin
shprehnin jo vetëm histori lufte, por edhe histori mizorish, sidomos të Serbisë
kundër shqiptarëve. Këto histori shoqëroheshin gjithashtu me një ndjenjë
keqardhjeje, ku shfaqet ana humane si elementi bazë i formimit të karakterit.
Në këtë pikëpamje mund të themi se malësori i formuar në odën e miqve e të
burrave të shtëpisë së tij formohet si karakter përmes dy linjave, linjës së
krenarisë dhe papërkulshmërisë ndaj të padrejtës dhe linjës humane, të mëshirës
dhe ndihmës ndaj të vobegtëve dhe të pamundurve, të sëmurëve dhe njerëzve me
mundësi të kufizuara. Dikush mund të thotë se këto dy tipare karakteristike të
njeriut vijnë në kundërshtim me njëra-tjetrën. Në fakt ato janë komplementare.
Rreptësia e luftës kundër të padrejtës, edhe kur kjo e padrejtë të bëhet nga më
i fushqishmi dhe më i forti është përkrahje e sfidë për të drejtën.
Por
kishte dhe cilësi të tjera që fitoheshin nga jeta familjare në Malësi.
Mikpritja e bujaria është thelbi i mësimit dhe mesazhit që secili merr. Shtëpia
e Sali Berishës ishte në anë të rrugës kryesore, nëpër të cilën kalonin banorët
e zonës për të shkuar në pazarin e Tropojës ose për punë të ndryshme
administrative atje. Ishte kryqëzimi i dy trevave, Hasit dhe Tropojës, të dyja
të pagëzuara si Malësia e Gjakovës. Këta njerëz evitonin për arsye të ndryshme
të udhëtonin natën dhe nata shpesh herë i zinte në Vuçidol. Ndaleshin dhe
thërrisnin të zotin e shtëpisë, tek i cili gjenin gjithmonë mikpritje e
ngrohtësi. Me kuaj të ngarkuar, me kafshë të ndryshme për pazar, shpesh herë të
lagur nga shiu e bora e në ethet e të ftohtit. Dera e shtëpisë bujare ishte e
hapur. Dhe ndikimi te një fëmijë ose të riu në këto rite e tradita familjare
është doktrinar, i papërsëritshëm. Kjo përjetohet si ndjenjë e jashtëzakonshme,
me krenari dhe ngazëllim që familja dhe ai vetë bëhet hisetar i një akti bujar.
Sali
Berisha u rrit në një ambjent si ky. Ndaj dhe u formua me një lloj prestigji
dhe krenarie si kontribues për të tjerët, si person dhe si familje që “rinohet”
prej asaj që jep dhe asaj që merr. Të njëjtën gjë, thonë dëshmitarët” bëri
familja e Sali Berishës në Vuçidol të Tropojës edhe me fillimin e Luftës
Çlirimtare në Kosovë, sidomos gjatë vitit 1998-1999. Disa miq të mitë,
dëshmitarë të kësaj situate, edhe pse kishin rezerva ideologjike për politikën
e Sali Berishës tashmë lider politik, më janë shprehur se në familjen e tij çdo
ditë gjendeshin më shumë se 30 refugjatë të Kosovës. Aty u shërbehej edhe të
plagosurve në luftë. Angazhimi dhe kujdesi për ta ishte i paimagjinueshëm.
Tradita pra është ajo që e bën njeriun të jetë vetëvetja, me integritet dhe
dinjitet të pacënuar, sfidues ndaj çdo padrejtësie dhe përçudnimi.
Këto
që po shkruaj janë realitete që një pinjoll i bllokmenëve, i rritur pra në
bllokun e izoluar të byroistëve, nuk mund t’i imagjinojë, jo më t’i përjetojë
se vlera pozitive të shoqërisë. Përkundrazi,
i quajnë “arkaizma”, “gjëra pa vlerë”, “dogma’ që “pasqyrojnë jetën
primitive të “malokëve””! Ndaj “maloku” Sali Berisha për ta përbën simbolin e
“të vjetrës”, “të burrit jashtë kohe”! Sepse për ideologët e perversitetit
ultraliberal, nuk është tradita ajo që e përcakton dhe e zhvillon fatin e një
shoqërie. Për ta shërbejnë si vlera nudizmi, sjellja poshtëruese e denigruese
në shoqëri. Ideologjia perverse predikon kësisoj tjetër gjë. Shkatërrimin e
familjes në radhë të parë, si institucioni që lidh brezat dhe mban gjallë një
komb. Shkatërron pronën dhe iniciativën private dhe i zevendëson këto me
korrupsionin, krijimin e oligarkive të tipit feudal, miratimin e ligjeve
favoruzese për disa e diskriminimin në shpërndarjen e të mirave material sipas
preferencave politike e krahinore etj. E më në fund, shkatërron ndjenjën
kombëtare, zbeh dashurinë për atdheun dhe çon në vendimmarrje që e shkatërrojnë
qenien kombëtare dhe integritetin e sovranitetin shtetëror.
Përjetimet
e fëmijërisë shërbejnë gjithnjë si cak i mbërritjes. Mund të të duket se në
ndërgjegjen e njeriut ato nuk kanë ndikim determinues. Por në fakt ato
përjetime qëndrojnë gjatë gjithë jetës në subkoshiencë dhe dominojnë jo vetëm
karakterin, por edhe sjelljen e njeriut gjatë gjithë jetës së tij. Sali
Berishën e udhëheqin ato edhe sot. Endërra e fituar në fëmijërinë e hershme të
tij u shndërrua në motiv për të ndërtuar një personalitet të fortë e për të
përballuar me sukses sfidat e jetës. E pyetën Jorida Tabakun se cila ishte
karakteristika “më e frikshme” e Sali Berishës dhe ajo u përgjigj shkurt: -
Vendosmëria e tij! Kjo i shpjegon të gjitha.
Me
këmbngulje dhe me vendosmëri Berisha e nisi jetën e tij si nxënës i shkollës së
mesme e student në universitetin e Tiranës. Kishte në dorë vetëm një valixhe
druri kur u nis nga Vuçidoli në Tiranë. Me pak rroba, një ndërresë dhe me disa
gjëra personale të tij. Vinte nga kulla rrëzë një kodre të vogël, me një arë
përpara saj. Kishte lënë pas jo vetëm kullën e njerëzit e tij të afërt e të
dashur, por edhe lumin, përroin, çezmet ku shuanin etjen bagëtitë e gratë
mbushnin buritë e kusitë me ujë. Kishte lënë pas freskinë e jetës në fshat e
mund të thuhet edhe një lloj mirëqenie që nuk do ta gjente aq lehtë në
kryeqytet.
Por
mori me vete principin për t’i dalë zot vetes pa ndihmën e askujt. Madje për
t’i përballuar sfidat pa menduar asnjëherë për dështimin. Në jetën e tij Sali
Berisha ka arritur maja, por edhe ka përjetuar dështime. Madje dështime
spektakolare si ajo e vitit 1997, kur u rrëzua nga pushteti për shkak të
“revolucionit të armatosur” në jug të Shqipërisë. Ka dështuar disa raste gjatë
qeverisjes së tij, siç ishte parandalimi i ngjarjes së Gërdecit apo
parandalimin e dhunës në protestën e opozitës së Edi Ramës më 21 janar 2011.
Megjithatë Berisha mësoi dhe provoi si askush tjetër që sa herë rrëzohej të
ringrihej, madje me një forcë ende më të madhe.
E
njëjta gjë ndodhi gjithashtu me liderin historik të Kosovës, Ibrahim Rugova.
Por në një platformë tjetër, në sfidën kundër sundimit, okupimit dhe dhunës
mizore të shtetit serb ndaj bashkëkombasve të tij në Kosovë e treva të tjera
shqiptarë në ish-Jugosllavi.
Vijon