E merkure, 11.12.2024, 01:15 AM (GMT)

Faleminderit

Sabri Hamiti: Një Lotore për Gjeçovin

E hene, 14.10.2024, 05:55 PM


NJË LOTORE PËR GJEÇOVIN (1874-1929)

NGA SABRI HAMITI

Shtjefën Gjeçovi lindi në Janjevë më 12 korrik 1874. Mësimet fillore i kreu në vendin e vet, kurse mësimet gjimnazore në Kolegjin Françeskan në Troshan. Më 1888 shkon në Bosnjë, nën Urdhnin Françeskan, në Kuvendin e Fojnicës dhe pas vitit të provës, mësimet filozofike i bëri në Kuvende të Derventës dhe të Banjallukës, ndërsa mësimet teologjike i kreu në Kuvendin e Kreshevës.

Meshën e parë e tha në Troshan më 2 gusht 1896, në moshën 22 vjeçare. Gjatë studiumeve u njoh dhe pati bashkëpunim me A. Gërga Martiq, askohe 77 vjeçar, tashmë i quajtur Homeri i Kroacisë.

Gjeçovi shërbeu si famullitar në Pejë, në Laç të Kurbinit dhe në Gomsiqe të Mirditës dhe qe mësues në Kolegjin Françeskan. Át Pashk Bardhi, shok i tij i klasës dëshmon si Gjeçovi u dha me zell mësime fetare dhe patriotike njerëzve, të cilët i mbrojti në kohën e Luftës Ballkanike.

Puna e tij për gjuhën dhe literaturën shqipe, e bërë me pasion, ishte e mbështetur në idiomën e popullit, të cilën e mblodhi dhe e bëri vepër në botimet e veta, që dolën me këtë radhë:

1. Jeta e Shë Luçís, pajtores s’arkidieçezit të Durrësit (biografi), 1904

2. Agimi i qytetnís, (traktat etnologjie), 1910

3. Shna Ndou i Padues, simbas A. N. Dal Gal, 1912

4. Atil Reguli, përkthim i dramës së Pjeter Metastasit, 1912

5. Vajza e Orleans-it ase Joane d’Ark, simbas A. F. Bergamos, 1915

6. Kanuni i Lekë Dukagjinit, mbledhur prej goje të popullit e botuar te “Hylli i Dritës”, kryevepra që e bëri Gjeçovin të famshëm ndër shqiptarë dhe të huaj, 1933.

Gjeçovi është çmuar lart nga arkeologë të huaj, dijetarë shqiptarë dhe të tjerë për zbulimet arkeologjike në tokën shqiptare, që përbëjnë koleksionin e tij të famshëm, i cili ruhet në Shkodër. Gjeçovi pati marrëdhënie me dijetarë të kohës së vet, të dëshmuara me letërkëmbimin e tij të vlefshëm për historinë e Shqipërisë.

Mbas Luftës Evropiane, Provinca Françeskane e Shqipërisë u detyrua t’ia lëshojë famullitë e Kosovës Provincës Françeskane të Bosnjës. Shtjefën Gjeçovi u kthye ndër të parët për t’i shërbyer popullit shqiptar në Kosovë, duke punuar famullitar në Zym. Shërbimi i tij qe fetar, kulturor e atdhetar. Át Shtjefni e pagoi me jetë këtë veprimtari: u vra në pritë nga atentatorë të veshur si ushtarakë, derisa kthehej nga Prizreni në Has, më 14 tetor 1929, në orën 3 pasdite.

Át Shtjefën Gjeçovi, hero i kulturës sonë, martiri i lirisë, u vlerësua lart e u qajtë me lot në botën shqiptare. Dhe ne që e kujtojmë sot në 150-vjetorin e lindjes së tij, me nderim e dhimbje e kërkojmë “Një lotore për Gjeçovin”.

Edhe më fort duke kujtuar portretin e pakalueshëm që ia bëri i papërsëritshmi Faik Konica, në gazetën “Dielli” (18 mars 1930, nr. 5156, fq. 2). Konica, që e kishte bashkëpunëtor të përhershëm te “Albania”; Konica që u mallëngjye më 1913 kur bashkë me Gjergj Fishtën i shkuan në vizitë për ta parë në famullinë e vet, njohësin më të madhe të instituteve të vjetra të Shqipërisë: Kanunin e Lekë Dukagjinit, dorëshkrimet 2000 faqesh dhe koleksionin e zbulimeve arkeologjike. Në mesin e zbulimeve: ena e vogël “lacrumatorium” – “lotore”, që i vihej të vdekurit në varr.

At Shjeftën Gjeçovit, birit të Shën Françeskut, shqiptarit të kthjelltë që kishte çdo mirësi, nuk i munguan as hidhërimet as shpifjet e mendjeve të klasës së katërt, që përmbysin të vërtetën dhe e kthejnë në të sharë, atë që është lavdi.

Le të rilexojmë sot përmbylljen kapitale të Konicës të portretit për Shtjefën Gjeçovin:

"Bir i përulët i Shën Franciskut, e ditur me një diturí pa tingëllìm, po dhe Shqipëtar i kthiellt, At Gjeçovit, që përkiste çdo mirësí, nuk i mungój asnje hidhërìm, asnje çpifje, mê e çudítshmia e të cílave ndoshta është të mohúarit. se ay? ish Shqipëtár. Sepsè ish lindur në një kufí gjúhërash, në një kufí ku, sot, mbaròn shqípia dhe nis një gjuhë tjatër, ca mëndje të klasës katërt, të pazonjat të kuptojnë se fólësit e shqipes në vijën me të përparuar janë stërnípërit e atýreve që me qëndrimin e tyre në Kohën e Mesme dhe pastaj ndaluan të mprápsurit e vijës mê tëhû, ca mëndje të klasës katërt e përmbysin të vërtetën dhe e kthejnë në të sharë atë që është një lavdí."

Át Zef Pllumi, ligjërimin e vet për Shtjefën Gjeçovin në Nju Jork, më 1999, në 70-vjetorin e vdekjes së tij e nis kështu:

"Sot kombi shiptár përkujton martirizimin e nji ndër bijve mâ te shquem, Át Shtjefën Gjeçovit, të vramë barbarisht nga kriminelët serbomëdhaj. Kur permendim emnin e Át Shtjefen Gjeçovit përnjiherë na shkon mendja te “Kanuni i Lekë Dukagjinit” që, pa dyshim, perfaqëson “kartën e identitetit shiptár”."

https://www.facebook.com/sabrihamitiwriter



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Florim Zeqa: Sadri Berisha, sypatremburi i rezistencës paqësore dhe hero i luftës çlirimtare! Meti Rexhepi: Profili njerëzor i Irfan Shaqirit Albert Zholi: Tafil Buzi, patrioti që hoqi vallen e jetës në buzë të greminës Kujtojmë sot ditëlindjen e shkencëtares së parë shqiptare, Sabiha Kasimati, Nderi i Kombit Gjekë Gjonaj: Dr. Fran Ivezaj, pedagogu malësor që ligjëroi në tri kontinente Albert Vataj: Pashko Gjeçi, shqipëruesi i monumenteve të letërsisë Themi J. Tushe: Thoma Aleks Ristani, patrioti myzeqar që qepi flamurin Kuq e Zi Zef Pergegaj: Gjekë Gjonaj, një zë shqip prej të naltit vend, prej fjalës e ngriti një kuvend Agron Gjekmarkaj: At Zef Pllumi 100 vjeç! Rudolf Marku: Fisnikëria e heshtjes Enver Bytyçi: Ta nderojmë me një javë kulturore Nënë Terezën! Gjekë Gjonaj: Lindon Camaj, përjetësisht i gjallë me zërin dhe këngën e tij Bedri Tahiri: Ra që të mos binte Juniku Albert Vataj: Tano Banushi, gjithçka që mëkoi ishte dielli i të qeshurave me gjithë shpirt që ai na dhuroi Xhavit Çitaku: Veprimtari Xhavit Çitaku me aktivitetin përmbajtësor shpirtëzoi legjendën e krenarisë së mërgatës shqiptare në Suedi Sadik Bejko: Musine Kokalari, ikonë e opozitës antikomuniste, shkrimtarja e parë e letrave shqipe Kolec Traboini: E kam takuar Skënder Dajën Ndue Dedaj: Imzot Oroshi, Abati i shqiptarëve të Amerikës Agron Tufa: Havzi Nela apo vrasësit e tij Albert Vataj: Arshi Pipa, disident në jetë dhe në vepër

Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora