Faleminderit
Meti Rexhepi: Profili njerëzor i Irfan Shaqirit
E enjte, 03.10.2024, 07:47 PM
PROFILI NJERËZOR I IRFAN SHAQIRIT
(Më
29 prill 1950 – më 30 shtator 2024)
DISA TË DHËNA PËR JETËSHKRIMIN E IRFAN SHAQIRIT
Nga
Meti REXHEPI
Familjarë, bashkëveprimtarë, miq e qytetarë të Gjilanit e
të Pellgut të Moravës! Zonja shumë e çmuar dhe bashkë-udhëtare besnike e të
ndjerit Irfan, doktoresha Maxhide! Vajza të Irfanit: Albiona, Argjiro dhe Emine
ngushëllime të sinqerta për burrin dhe babain tuaj!
Irfan Shaqiri lindi në Përlepnicë nga babai Arifi dhe nënë
Binazja, më 29 prill 1950. Dy klasat e para të shkollës fillore i kreu në
fshatin e lindjes, ndërsa gjashtë klasat e tjera i kreu në Gjilan, në shkollën
fillore “Musa Zajmi.” Për shkak të pjesëmarrjes në Demonstratën e 27 nëntorit e
vitit 1968 në Gjilan, u përjashtua nga shkolla Normale, më 14 kallnor 1969. Pas
përjashtimit nga Normalja u detyrua të vazhdonte shkollimin në gjimnazin e
Preshevës dhe diplomoi në shtator të vitit 1969.
Irfani studimet i ndoqi në Universitetin e Prishtinës, në
Fakultetin Filozofik, në degën Gjuhë dhe Letërsi Shqipe. Për shkak të dënimit
me burg mbeti pa i përfunduar studimet në këtë drejtim. Pas daljes nga burgu
vijoi studimet në Fakultetin Filozofik në degën për Gjuhë dhe Letërsi Frënge.
Më 7 shkurt 1974 filloi të punojë në cilësi të profesorit
të Gjuhës Frënge në gjimnazin “Zenel Hajdini.” në Gjilan. Mirëpo, pas afro tre
muaj mësimdhënie, nga strukturat politike të Gjilanit u pushua nga puna
edukative arsimore si person i etiketuar sipas etiketës politike komprometuese
“i papërshtatshëm ideopolitikisht”.
Më 1 shtator 1974 Irfani arriti përsëri t`i kthehej
profesionit të tij të çmuar si profesor i Gjuhës frënge në gjimnazin “Sezai
Surroi” në Bujanoc. Aty punoi deri më 29 korrik të vitit 1975. Por, po në këtë
vit u arrestua nga UDB-ja duke u përfshirë me grupin e veprimtarit Adem Demaçi.
SHËNIME PËR BURGOSJET E IRFAN
SHAQIRIT
Ç`prej lirimit të Irfanit
nga burgu i Nishit, më 20 korrik 1970 e deri më 29 korrik të 1975-s, kur u arrestua me
grupin e Adem Demaçit, Irfani është arrestuar edhe 14 herë, duke e mbajtur nga 2 deri në 72 orë në lokalet e organeve të
hetuesisë të UDB-s së Gjilanit.
Gjykimi i grupit të Adem Demaçit zgjati disa ditë dhe, u
shpall më 7 shkurt 1976. Dënimet ndaj të burgosurve të rinj shqiptarë, në mesin
e tyre edhe për Irfan Shaqirin, ishin drakonike! Gjykata e dënoi me 7 vite
burgim të rëndë. Pastaj Irfanin e transferuan në burgun e Prizrenit, mandej në
burgun “Zabela” të Pozharevacit. Aty qëndroi deri më 13 gusht të vitit 1977,
pikërisht kur ndodhi njëri nga rebelimet e të burgosurve shqiptarë. Më tej u dërgua
në Burgun e Qarkut të Pozharevacit ku qëndroi vetëm dy ditë, për ta dërguar në
burgun namkeq CZ të Beogradit deri në fund të mbajtjes së dënimit. Aty qëndroi
i burgosur për 26 muaj me të burgosurin Selatin Novosella.
Sikurse shumë veprimtarë të tjerë kryengritës edhe Irfan
Shaqiri u arrestua, më 2 prill të Pranverës Studentore të vitit 1981, që lëkundi
themelet e krijesës Federatë e Jugosllavisë. U dërgua në izolim të plotë në
Burgun e Qarkut në Gjilan. Po në këtë kohë ishte arrestuar dhe veprimtari
Fatmir Salihu, që u dërgua për izolim në Burgun e Gjilanit.
Irfan Shaqiri shfaqet në jetën e brezit të vet si një i
ri i vetëdijes së zgjuar i hershëm i idesë dhe i veprimit kombëtar. Veprimtaria
atdhetare e personazhit tonë, që po i japim lamtumirën me dhimbje e krenari të
ligjshme, kap shtrirje të gjatë kthesash dramatike në historinë më të re të gjysmës së ndarë të atdheut, “të Shqipërisë
së këtej Drinit”, si e quante gjysmën tjetër të kombit shqiptar shkrimtari Dritëro
Agolli.
Më 1968 Irfani ishte njëri nga organizatorët e
Demonstratave të jashtëzakonshme në Gjilan, së bashku me shokët e tij fare të
rinj: Rexhep Malën, Fatmir Salihun, Ahmet Hotin, Ismail Shehun, Mehmet Eminin
dhe, të tjerë që do t`iu bashkëngjiteshin. Kjo Demonstratë vinte fill pas dhunës
e shpërnguljeve shumëvjeçare të popullatës shqiptare për në Turqi; dhunë
sistematike perfide nga politika titiste-rankoviçiste. Demonstratat e shkallës
së gjerë me kohë-nisje të menjëhershme, çfarë mrekullie organizative(!) shpërthyen
në qytetet kryesorë të Kosovës, te shqiptarët e ndarë me kufij mes tyre në
Maqedoninë Perëndimore dhe, në trojet e shqiptarëve në Malin e Zi!
Familjarë e miq të Irfan Shaqirit!
Nga kjo kronologji tejet e shkurtë, me këtë rast përkujtimi
e ndarjeje, nderimi, dhimbje dhe krenarie për Irfan Shaqirin, familjen
atdhetare dhe bashkëveprimtarët e tij, tashmë Irfanin e kemi model tipik për
mjedisin ku jetoi, ku sakrifikoi rininë, por dhe ku përjetoi kthesa dramatike
deri te Lufta Çlirimtare e UÇK-së, vazhdimësinë e së cilës në trajtën e TMK-së,
Irfani e ndihmoi me solidaritetin e donatorëve vullnetmirë, “me miqtë” e përkushtuar
të TMK-s, si Hajdar Dumoshi e Mustaf Shala, për institucionalizimin e mëkëmbjen
e ushtrisë sonë.
Në një varg veprimtarish të pandalshme do ta hasim
Irfanin, me gjithë plagët e tij të parrëfyera, gjithnjë me mëtimin për shtet-bërjen
e krijesës së përgjakur, që ende mbeti të mos quhej Dardani, ose “Shqipëria këndej
Drinit”.
PROFILI NJERËZOR I IRFAN
SHAQIRIT
Kushdo që e ka takuar Irfanin në ndejë, në tribuna ose
rrugës, rrallë të ndodhte të dëgjosh të fliste për katrahurat personale e
familjare. Ishte natyrë e përmbajtur dhe, si i tillë u karakterizua me një qetësi
zotëruese, karakteristikë e veprimtarëve të devotshëm. Ashtu dhe i atillë mbeti
Irfani deri në gatitjen për amshim.
I dashuri Irfan! Në këtë çast lamtumire e dimë se në botën
e amshuar do t`iu bashkohesh mësuesve dhe udhërrëfyesve tuaj të admiruar: bacë
Metush Krasniqit, Kadri Halimit, Adem Demaçit, Rexhep Elmazit dhe, bashkëveprimtarëve,
që drejtpërsëdrejti ose tërthoras përpiqeshe me ta, si Zija Shemsiu, Rexhep
Mala, Kadri Zeka, Nazmi Hoxha, Fazli Abdullahu, Nijazi Korça dhe të rënët e
shumtë për etninë dhe gjeografinë shqiptare.
Vëlla Irfan! Ishe vullnet-plotë edhe kur të mohonin, edhe
kur të ndiqnin, edhe kur të torturonin mizorisht, edhe kur të mbanin larg më të
dashurve tuaj, larg vendlindjes, sërish ruaje vullnetin për mësymje të mëtejme,
gjithnjë aty ku duhej dhe mendoje se pashmangshëm e kishe vendin me fjalët dhe qenien tënde të urtë. Asnjë
goditje e armikut nuk të zmbrapsi nga mësimet e mësuesve të adhuruar, andaj
jeta jote nuk ra në letargji nga dëshpërimi dhe thyerjet shpirtërore. Asnjëherë
nuk të pamë të tërhequr nga betejat e jetës së këtij populli, që shumë më vonë
se të tjerët, në saje të shëmbëllesave tua dhe të bashkëveprimtarëve po mëtonte
mëkëmbjen shtetërore e qytetëruese të këtij populli të ndarë aq mizorisht...
Irfani ynë i dashur!
Si nuk t’i pamë lotët të rridhnin faqeve asnjëherë?! Burrëria
jote ishte në kundërthënie me fiziologjinë e dhimbjes... Gjithnjë mëtoje sipas
modelit të veprimtarëve kombëtarë t’i fshihje lotët, por te shëmbëlltyra jote
ata nuk rrodhën jashtë syve, por në brendinë e shpirtit tënd të heshtur.
Natyrisht kjo ishte djegëse për ty!
Erdhi çasti t`i themi karakterit tënd, atij karakteri për
bërje të modelit për brezat: lamtumirë!
Në emër të Shoqatës së të Burgosurve Politikë të Kosovës
- dega në Gjilan, iu shprehë ngushëllimet më të sinqerta familjes Shaqiri dhe
miqve e shokëve që e deshën dhe i deshi Irfani!
Shoku e miku ynë i çmuar Irfan: prehu në paqen e pasosur
të amshimit! E meritoje një paqe të tillë!
Gjilan, më 2 tetor 2024