Faleminderit
Enver Bytyçi: Sfidat, arritjet dhe dështimet e Sali Berishës! (VII)
E enjte, 24.10.2024, 06:57 PM
Sfidat, arritjet dhe dështimet e Sali Berishës! - VII
Nga
Prof. Dr. Enver Bytyçi
Pas
ngjarjeve të 21 janarit 2011 dhe pas zgjedhjeve për pushtetin lokal të majit të
atij viti Shqipëria e qeverisur nga demokratët dhe Sali Berisha ranë një farë
qetësie. Më 28 nëntor 2012 do të festohej 100 vjetori i pavarësisë së
Shqipërisë dhe ky ishte një rast i mirë për t’i dhënë një impuls të ri
zhvillimi vendit tonë. U përmend rasti i Malajzisë, e cila në 50 vjetorin e
pavarësisë e kishte shfrytëzuar momentin që ta promovonte fuqishëm vendin për
rritjen e turizmit. Të njëjtën gjë tentuan e punuan ta bëjnë edhe institucionet
e shtetit shqiptar me rastin e 100 vjetorit. Deri diku ia arritën. Numri i
turistëve atë vit u rrit ndjeshëm. Veçmas pjesmarrja në ditën e jubileut të
pavarësisë në Shqipëri, ku morën pjesë mbi një million të huaj, kryesisht
shqiptarë nga Kosova, Maqedonia dhe diaspora ishte domethënëse.
Përveç
një incidenti me tortën e famshme të kreut të bashkisë së Tiranës, gjithçka
tjetër në atë festë gjigande me veprimtari të shumta gjatë gjithë vitit shkoi
gati perfekt. Incidentet, ngjarjet kriminale dhe ato penale u zvogluan në
minimum. Forcat e rendit treguan jo vetëm përkushtim, por edhe profesionalizëm
të jashtëzakonshëm. Njerëzit rritën përgjegjësinë e sjelljes së tyre dhe
respektuan në maksimum rregullat e raportet e tyre me shtetin dhe me
njëri-tjetrin. Entusiazmi ishte shumë i madh. Madje u ngjiz fort ndjenja se
Shqipëria bëhet. Ndërkohë u duk se forcat politike kishin pushuar konfliktin e
luftën e paprinciptë midis tyre. Në fillim të nëntorit të atij viti Shqipërinë
e vizitoi sekretarja e Shtetit Amerikan, Hillari Clinton, e cila mbajti një
fjalim në parlamentin e Shqipërisë. Në atë fjalim Clinton e konsideroi
Shqipërinë si “modelin e demokracisë” për rajonin. Ndërkohë vendi kishte hyrë
në vitin e fundit të mandatit të dytë të qeverisjes së Partisë Demokratike dhe
zotit Berisha. Aq rozë dukeshin zhvillimet e kohës, sa rrallëkush besonte se do
të kishim një rrotacion në zgjedhjet e pranverës së vitit 2013.
Megjithatë
konflikti në parlamentin e Shqipërisë nuk u shua. Partia Socialistë dhe Edi
Rama bllokuan tri ligjet themelore, me të cilat u kushtëzua marrja e statusit
kandidat për pranim në Bashkimin Europian. Këto ligje duheshin votuar me
shumicë të cilësuar prej 84 votash në parlamentin e Shqipërisë dhe duhej që për
to të votone edhe opozita e Partisë Socialiste. Por zoti Rama shfrytëzoi një
moment në zgjedhjen e kreut të qarkut të Fierit pas zgjedhjeve të majit 2011
dhe vendosi veton. Në qarkun e Fierit shumicën e votave e kishin socialistët.
Por demokratët mesa duket u morën vesh ose bënë pazare me ndonjë socialist dhe
për kryetar të qarkut ata votuan kandidatin e dPartisë Demokratike.
Zgjedhja
e një demokrati në krye të qarkut të Fierit u shfrytëzua për të bllokuar
integrimin europian nga ana e Partisë Socialiste. Moralisht është e
papranueshme të peshkosh përfaqësuesit e opozitës për të ndryshuar ekuilibrat
në këto raste. Por peshkimi i deputetëve në parlementin e Shqipërisë nga ana e
mazhorancës socialiste ka ndryshuar kushtetutën në kundërshtim me vullnetin e
opozitës së demokratëve dhe demokratët opozitarë asnjëherë nuk iu kundërvunë
integrimit europian. Peshkimi i demokratëve në këshillat bashkiakë e të qarqeve
ishte më parë dhe mbeti pas vitit 2013 një strategji e pandryshuar e
socialistëve dhe rilindjes, por askush nuk bllokoi integrimin e vendit për këtë
arsye.
Kjo
do të thotë se Partia Socialiste dhe sidomos liderët e saj e kanë parë me shumë
xhelozi përparimin e Shqipërisë në integrimet euro-atlantike gjatë periudhës së
qeverisjes së Partisë Demokratike dhe të kryeministrit Sali Berisha. Kjo çon në
arsyetimin se lufta kundër Berishës ishte luftë për të promovuar opozitën ose
mazhorancën e socialistëve duke “rrënuar” sukseset e Berishës. Edhe shpallja
non-grata e tij me investimin politik e financiar të Edi Ramës është pjesë e
kësaj strategjie. Pra, lartësimi i Edi Ramës përmes rrënimit të sukseseve të
paraardhësit të tij.
Në
vjeshtën e vitit 2013, kur në pushtet erdhi Rilindja me koalicionin Rama-Meta,
demokratët votuan tri ligjet e domozdoshme për marrjesn e statusit kandidat dhe
kësisoj shefat e shteteve dhe kryeministrat e vendeve të BE-së do të miratonin
në dhjetor të atij viti dhënien e këtij statusi për Shqipërinë. Por për çudi
ndodhi që David Kamerun, kryeministër i Britanisë së Madhe, të vinte veton
kundër. Britania e Madhe ishte gjithnjë mbështetësja kryesore e integrimit të
Shqipërisë. Pse ndodhi që kryeministri i saj vendosi veto kundër marrjes së
statusit të vendit kandifat nga ana e Shqipërisë? Këtë rast e shpjegon
ambasadori i kësaj kohe në Londër, Mal Berisha. Ai ka shkruar se para marrjes
së vendimit zoti Rama erdhi në Londër dhe takoi këshilltarin kryesor të
Kamerun. Nuk kishte pranuar prezencën e ambasadorit në atë takim. Disa muaj më
vonë, këshilltari i kryeministrit britanik i kishte pohuar ambadsadorit se
“Rama erdhi në fund të vitit 2013 këtu në Londër dhe më kërkoi që Britania e
Madhe të votojë kundër marrjes së statusit kandidat për në BE të Shqipërisë.
Kjo sepse nëse ky status jepet vetëm tre muaj pas ardhjes në pushtet të socialistëve
do të vlerësohet në publikun shqiptar si fitore dhe sukses i kryeministrit Sali
Berisha”!
Eshtë
i mjaftueshëm ky fakt për të provuar sesa të ngushtë janë politikanët
shqiptarë, sidomos të së majtës xheloze dhe të pandreqshme. Ndërkohë komunistët,
para se të vinin në pushtet, në Kongresin e Përmetit të majit 1944, e shpallën
Ahmet Zogun “armik dhe tradhtar” të Shqipërisë, me qëllim eliminimin e çdo
mundësie për rikthimin e tij në pushtet e në Shqipëri. Është kjo një filozofi e
ndjekur që kur Noli erdhi në pushtet dhe sidomos gjatë periudhës së diktaturës
komuniste. Koncepti sipas të cilit “historia fillon me mua” i ngjizur në
lidershipin e Partisë Socialiste të së majtës është një nga arsyet kryesore të
konfliktit politik në Shqipëri dhe prapambetjes së vendit tonë. Ndërkaq duhet
thënë se konflikti politik është i vetmi problem dhe e vetmja pengesë e
zhvillimit, progresit, rritjes së mirëqenies, kohezionit dhe integrimit të
Shqipërisë në Bashkimin Europian. Pikë-goditja kryesore e këtij konflikti politik
ka qenë gjithmonë Sali Berisha. Dhe për ta goditur atë politikisht e moralisht,
por edhe fiizikisht, janë shfrytëzuar të gjitha mundësitë. Një analist që i
bëhet Ramës bisht nga pas deri në Moskë e gjetkë, thoshte se “Kemi lënë lesht
duke paguar për ta rrënuar Sali Berishën dhe prapë nuk po funksionon”! Kjo
deklaratë erdhi në kohën kur Berisha iu kundërvu projekteve të denigrimit të
tij përmes foltores.
Prej
kohës kur u shfaq në publik Sali Berisha (pra prej vitit 1989) e sidomos pas
ardhjes së tij në krye të Partisë Demokratike, ai ka qenë objekt sulmesh,
denigrimesh dhe akuzash pa fund. Asnjë lider tjetër në historinë e shtetit
shqiptar nuk është goditur me aq shumë shpifje dhe trillime të gatuara në
kuzhinën e socialistëve dhe ish-sigurimit të shtetit sa Sali Berisha.
Mospajtimi me Berishën kishte shumë arsye:
Së
pari, duhet thënë se jo pak komunistë nga zona e parë operative e luftës
partizane e shihnin edhe Ramiz Alinë si kërcënim, thjesht për faktin se ai
vinte nga veriu (Shkodra). Ndërsa rrëzimi i pushtetit të komunistëve të kësaj
zone nga një mjek tropojan dhe partia që ai drejtoi u pa si një sfidë e
papranueshme. U kundërshtua me mjete dhe logjikën militariste. Nëse do të
marrim dhe lexojmë komentet, analizat, lajmet me shpifje dhe trillime në median
e shkruar dhe televizive të së majtës në këto 34 vite, do të shohim se çdo javë
e çdo muaj është fabrikuar një akuzë plus kundër Sali Berishës. Jo vetëm kur ai
ishte në pushtet, por edhe kur udhëhoqi opozitën. Fakti që sulmet ndaj tij kanë
të njëjtën gradë itensiteti si kur ai është në pushtet, edhe kur është në
opozitë, dëshmon se kundërshtitë nuk janë me politikat e tij të qeverisjes, por
kanë të bëjnë me luftën kundër Berishës si personalitet dhe politikan, pra me
indiviidin Sali Berisha.
Ndërkaq
socialistët nuk e pranuan kurrë reformën politike, juridike, në ekonomi e në
institucionet e shtetit, edhe pse ato reforma nuk e goditën regjimin e kaluar
komunist në themelet e veta. Fillimisht u ndje njëlloj frike nga ndryshimet.
Por kur frika kaloi, vendin e saj e zuri “guximi” për të udhëhequr e realizuar
rebelimin komunist të vitit 1997, thjesht se vendin po e drejtonte një
kundërshtar politik I pakompromis. Se Berisha pati kusuret e veta, e kam
shkruar në një pjesë tjetër të këtij elaborimi. Por se hakmarrja e
ish-komunistëve ishte e egër dhe shkatërruese edhe për Shqipërinë, kjo ishte
dhe është shumë e qartë. Nëse dikush do t’i marrë një për një emrat e atyre që
u aktivizuan në aktet e dhunës kundër shtetit gjatë trazirave të vitit 1997, do
të zbulojë se mbi 80 përqind e tyre ishin kontingjent i ish-sigurimit të
shtetit dhe të ushtrisë së diktaturës. Dhe të gjithë ishin nga zona e parë
operative e luftës partizane Vlorë-Gjirokastër plus Saranda.
Karakteristikë
e gjithë asaj veprimtarie shkatërruese e asaj kohe dhe në vazhdimësi ishte
injektimi i urrejtjes për liderin e demokratëve, Sali Berisha. Dhe kësaj ia
arritën në masë të madhe socialistët. Ia arritën edhe përmes rekrutimit dhe
angazhimit të ish-bashkëpunëtorëve të vetë Sali Berishës. Kjo kategori
analistësh e politikanësh që kishin bashkëpunuar me Berishën dhe iu kundërvunë
atij, panë te ky qëndrim mundësinë e shpërblimeve të mëdha nga kundërshtarët e
kreut të demokratëve. Por nuk kanë mundur ta gënjejnë gjithë popullsinë. Derisa
Partia Demokratike e Shqipërisë votohet qoftë dhe në masën 20-30 përqind në
bastionet më besnike të Partisë Socialistë, kjo do të thotë se PS dhe
lidershipi i saj, sidomos Edi Rama, nuk kanë mundur të arrijnë një sukses të
plotë për ta asgjësuar kontributin dhe lidershipin e Sali Berishës.
Në
fakt Edi Rama erdhi në krye të Partisë Socialiste në vitin 2005 si njeriu i
duhur për ta “mundur” Sali Berishën. Ish-ideologu i Partisë së Punës në kohën e
diktaturës, Sofokli Laze, kishte rekomanduar me kohë vënien e “djalit të Anetës”
në krye të Partisë Socialiste si kusht për ta sfiduar Sali Berishën. Motivi
kryesor pse socialistët e votuan Ramën për kryetar ishte pikërisht përballja me
Berishën. Ai e ka premtuar publiksiht se do ta luftojë liderin e demokratëve me
të gjitha mjetet e format. Prej ardhjes në pushtet në vitin 2013, Rama
grumbulloi në duart e veta jo vetëm të gjitha pushtetet, por edhe shumë pasuri
nga grabitja e aseteve tona kombëtare. Pushtetin dhe pasurinë e investoi pa
asnjë mëdyshje dhe pa rezerva në luftën kundër Sali Berishës. Nuk e investoi as
kundër Lulzim Bashës, as kundër ndonjë opozitari tjetër në këtë vend, por
thjesht dhe vetëm kundër Sali Berishës. Kush dyshon në këtë fakt, ai gabon,
sepse e vërteta është sheshit.
Sali
Berisha nga ana e tij qëndroi. Sfidoi. Ai e sfidoi jo vetëm Edi Ramën, duke
denoncuar në vazhdimësi politikat e tij të krijimit të narco-shtetit dhe aferat
e shumta për të shtënë në dorë pasuritë dhe taksat e shqiptarëve. Sfidoi edhe
miqtë e Edi Ramës në strukturat politike dhe ideologjike në Europë dhe SHBA,
sidomos Sorosin. Të përballesh me perandorinë e Sorosit, të përkushtuar
maksimalisht në mbështetje të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, të
përballesh me investimin e tyre ideologjik, politik e financiar, ishte dhe
mbetet për Sali Berishën një sfidë e paimagjinueshme.
Sa
herë që liderët politikë janë përballur me vështirësi të llojit më pak të
sofistikuar e të fuqishëm, ata kanë dhënë dorëheqjen dhe janë larguar nga
skena. Unë nuk njoh një lider politik tjetër, veç Sali Berishës, që sa më shumë
e kërcënojnë, sa më shumë e lëndojnë, sa më shumë e luftojnë, aq më shumë bëhet
i vendosur dhe I përkushtuar për t’i sfiduar dhe për t’i përballuar sfidat e
kundërshtarëve. Aq më pak në moshën biologjike të Berishës! Nuk ka asnjë rast
në botë, me të cilin të jem njohur, si rasti i Doktorit!
Prandaj,
edhe sikur ai të mos i kishte sjellë asgjë Shqipërisë e shqiptarëve, ai do të
mbetet në historinë e tyre. Si njeriu që mbron me guxim të jashtëzakonshëm
dinjitetin e integritetin e tij moral e politik. Por edhe si njeriu që luftoi
dhe ndikoi fuqishëm për ndryshimin e sistemit, rrëzimin e komunizmit dhe
vendosjen e sistemit demokratik në Shqipëri. Do të mbetet lideri që ndryshoi
sistemin juridik, politik dhe ekonomik në Shqipëri. Si personaliteti që u përball
me një revolucion bolshevik kundër tij dhe u rikthye me dinjitet në pushtet. Do
të mbetet si aktori kryesor i pranimit të Shqipërisë në NATO dhe liberalizimit
të vizave për qytetarët shqiptarë. Si nënshkruesi I Marrëveshjes së
Stabilizim-Asocimit në BE. Do të shënohet si autor i ndryshimeve të mëdha në
infrastrukturën e Shqipërisë, sidomo për Rrugën e Kombit që lidh shqiptarët
midis tyre. Është merita e tij e padiskutueshme për kontribute për lirinë dhe
pavarësinë e Kosovës. Me kërkesën e Sali Berishës presidenti amerikan George S.
Bush në vitin 1992 vuri vijën e kuqe për Milosheviçin, me qëllim mbrojtjen e
Kosovës. Me kërkesën e Sali Berishës, presidenti tjetër i SHBA-ve George Ë.
Bush, shpalli më 10 qershor 2007 nga Tirana pavarësinë e Kosovës.
Me
kontributin e Sali Berishës lidershipi i Kosovës u vetëdijësua në vitin 2018
për rrezikun e ndarjes së Kosovës nga treshja Vuçiq-Rama-Thaçi. Me denoncimet e
Sali Berishës prej vitit 2014 e këtej është mbushur axhenda e hetimeve dhe
gjykimeve të SPAK dhe GJKKO. Pavarësisht faktit se SPAK mori në përgjegjësi
penale edhe vetë Berishën, kjo mbetet një sfidë tjetër e luftës politike për
liderin demokrat.