Faleminderit
Enver Bytyçi: Sfidat, arritjet dhe dështimet e Sali Berishës! (V)
E marte, 22.10.2024, 07:00 PM
Sfidat, arritjet dhe dështimet e Sali Berishës! - V
Nga
Prof. Dr. Enver Bytyçi
Faza
e dytë e qeverisjes së Berishës (2005-2013) ishte periudha më e suksesshme në
karrierën politike të tij. Sidomos mandati i parë i tij, 2005-2009, kur ai dhe
PD qeverisën të vetëm Shqipërinë. Periudha prej 2005-2009 është koha kur
Shqipëria firmosi Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit me Bashkimin Evropian,
marrëveshje të cilën në tetë vite në pushtet nuk arritën ta finalizon
socialistët. Kryesisht për shkak të korrupsionit të shfrenuar në administrimin
e vendit. Kjo periudhë shënoi gjithashtu ngjarjen më madhore historike të
vendit, marrjen e ftesës (prill 2008) dhe pranimin e Shqipërisë në NATO (5
prill 2009). Para pranimit në NATO ndodhi një ngjarje tjetër historike: - Për
herë të parë në historinë e marrëdhënieve midis SHBA-ve dhe Shqipërisë erdhi
për vizitë në Tiranë një president në detyrë i SHBA-ve, George W. Bush. Ishte
data e dhjetë qershorit 2007, kur dita kur shqiptarët u ndjenë aq krenarë dhe
bota u befasua me këtë vizitë.
George
W. Bush e vizitoi Shqipërinë me ftesë të kryeministrit Sali Berisha dhe u prit
me ceremoni madhështore prej tij. Në konferencën për shtyp me Berishën
presidenti amerikan lëshoi dhe fjalinë e famshme, të skalitur tashmë në
historinë e Kosovës e të shqiptarëve: “Mjaft është mjaft. Tashmë Kosova është e
pavarur”! Ishte ndikimi direkt i Doktorit shkaku kryesor i kësaj deklarate,
sepse Bush e parapriu atë me thënien: “Tani unë e di se çfarë dëshiron Berisha
të them”! Dy ditë para kësaj vizite ishin mbledhur në Gjermani liderët e
shteteve të G7+Rusia, në të cilën u vendos që të zhvilloheshin bisedime shtesë midis
Kosovës dhe Serbisë për statusin e Kosovës. Deklarata e presidentit Bush
zhvleftësoi drejtpërdrejt edhe atë vendim, që me sa duket u mor në trysninë e
aleatëve të tjerë, sidomos të presidentit francez, Sarkosy. Bisedimet shtesë
përfunduan në dhjetor 2007 pa rezultat dhe kësisoj mbeti në fuqi Plani
Ahtisaari.
Kundërshtarët
politikë të Berishës, socialistët e Edi Ramës, e panë viizitën e presidentit
amerikan George W. Bush, me shume xhelozi dhe u përpoqën që ta sfumojnë atë me
një lajm të rremë, sikur gjatë takimit të tij me banorët e Fushë-Krujës atij iu
vodh ora. Ishte një shpikje dhe shpifje, të cilën do ta shihnim më vonë si
manipulim në rastin e Griseldës së Roshit të Kavajës, për të cilën Erion Veliaj
gënjeu opinionin ndërkombëtar kur tha se “regjimi i Berishës kishte dhunuar
gruan shtatzënë të kryetarit të Bashkisë së Kavajës”. Duke përsëritur kështu
ngjarjen me Marigonë në komedinë “14 vjeç dhëndër”!
Megjithatë
vizita e George W. Bush ishte rezultat jo vetëm i qeverisjes së mirë në atë
periudhë në vendin tonë. Por edhe e angazhimit serioz në partneritetin dhe
aleancën e qeverisë së Sali Berishës me SHBA-të, me NATO-n dhe me Bashkimin
Europian. Nuk ka shans të besohet se një president amerikan mund ta vizitonte
një vend të vogël si Shqipëria pa kushtin e domozdoshëm që liderët e saj të
ishin aq të dinjitetshëm dhe me integritet, sa ta meritonin këtë vizitë. Kjo
duket në kohët e sotme. Po jap vetëm një shembull: - Prej kur kryeministri i
Shqipërisë, Edi Rama, përmendet në proceset gjyqësore të shefit të FBI-së
amerikane, McGonigal, si bashkëpunëtor në korruptimin e tij, ai është i lirë të
shkojë në SHBA vetëm kur mblidhet Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të
Bashkuara, ose për vizita private. Edhe në këto raste mungojnë fotot dhe
takimet me politikanët e lartë amerikanë, përveç atyre protokollare. Çka do të
thotë se amerikanët i ndërtojnë marrëdhëniet dhe aleancat bazuar në koncepte e
parime që lidhen me integritetin e liderëve politikë.
Në
periudhën e parë të qeverisjes së dytë Berisha dhe qeveria e tij realizuan
reforma të mëdha dhe shumë të rëndësishme. Por gjatë kësaj periudhe një ngjarje
e rëndë, ajo e Gërdecit, e dobësoi autoritetin dhe rolin e tij politik. Më 15
mars 2008, vetëm 15-20 ditë para se Shqipëria të merrte ftesën për t’u pranuar
në NATO, ndodhi shpërthimi në impiantin e demontimit të armëve në Gërdec, ku
humbën jetën 26 persona dhe u shkatërruan ose dëmtuan dhjetëra shtëpi banimi.
Ishte një shpërthim tektonik, nëse kemi parasysh atë ditë. Bota u mbush me
lajmin e zi të kësaj ngjarjeje dhe qeveria u vu në panik. Ishte një goditje e
rëndë për qeverisjen e Sali Berishës, por edhe për Shqipërinë. Ajo ngjarje
shënohet si një nga aktet më makabre në historinë tonë të re.
Janë
dhënë shumë versione dhe janë bërë analiza, komente, opinione të panumërta për
këtë ngjarje. Shumica dërmuese prej tyre fajësojnë ish-kryeministrin Berisha.
Mediet pranë ish-opozitës së Edi Ramës akuzuan atëherë se në këtë ngjarje ishte
përfshirë edhe djali i kryeministrit. Zgjodhën gjithashtu të komprementonin një
tregtar municionesh në SHBA, i cili kishte lidhje me tregtinë e tyre në
Shqipëri me vende të ndryshme të botës. Me këtë episod u mbushën gazetat dhe
mediet shqiptare e të huaja. Akuza mbeti, edhe pse në gjyqin kundër amerikanit
që tregtoi municione në Shqipëri, i cili u zhvillua në SHBA, i akuzuari pohoi
se gjithçka kishte thënë kundër djalit të kryeministrit shqiptar ishte sajesë e
lansuar nga kundërshtarët politikë të Berishës. Por kjo nuk pati jehonë aq të
madhe.
Gjithçka
i stërzmadhua dhe u hiperbolizua. Sigurisht që qeveria kishte përgjegjësi për
ngjarjen e Gërdecit. Ai që qeveris një vend apo një familje, është përgjegjës
për sigurinë e tij/saj. Qeveria ishte përgjegjëse, kishte gabimet e saj të
padiskutueshme së paku në kontrollin dhe përzgjedhjen e atyre që merreshin me
demontimin e armëve në Gërdec. Duhej përzgjedhur dikush që ishte patriot dhe e
donte Shqipërinë. Jo një sipërmarrës që nuk kishte asnjë lidhje me dashurinë
për atdheun e shqiptarëve. Unë besoj se në dështimin e qeverisë së Berishës në
këtë rast ka patur ndikim euforia, sidomos në ministrinë e Mbrojtjes, e cila
ishte përgjegjëse për këtë aktivitet. Por në fund të ditës gjithkush e kupton
se qeveria e kryeministri nuk kishin asnjë interes të ndodhte Gërdeci dhe
ngjarja e tij e tmerrshme. Asnjë qeveri në botë, e çfarëdolloj qoftë, nuk do të
dëshironte të vetëvritej me akte të tilla.
Kjo
sepse të gjithë koston politike do ta kishte mbi supe pikërisht kjo qeveri. Dhe
kostoja u shfaq në zgjedhjet e vitit 2009, kur Partia Demokratike për shkak të
numrave u detyrua ta ndajë pushtetin me LSI-në. Kjo sepse rrezikonte marrjen e
ftesës për t’u pranuar në Aleancën Atlantike dhe ky do të ishte dështimi më i
madh i qeverisë dhe i Shqipërisë. Nuk ka qeveri shqiptare, as në ndonjë vend
tjetër perendimor, që të jetë e interesuar të dështojë me akte të tilla.
Megjithatë qeveria dhe institucionet ligj zbatuese të vendit do të duhej t’i
sqaronin deri në detaje pse ndodhi Gërdeci? Kush e sponsorizoi dhe e kreu atë
akt terrorist të shëmtuar? A kishte të bënte kjo me dëshirën e shërbimeve të
vendeve armike që vendi ynë të mos bëhej anëtar i NATO-s? Asgjë nga këto nuk
është bërë e qartë. Ndërkohë që opozita socialiste e shfrytëzoi ngjarjen për
t’i dhënë një goditje të madhe qeverisë së Berishës dhe interesave të vendit në
përgjithësi. Edhe sot e kësaj dite vazhdon e tjerret çështja e Gërdecit.
Ndërkohë që askush nuk flet për të drejtën e detyrimin e drejtësisë shqiptare
për t’u thelluar deri te përgjigja rreth pyetjes një milion dollarësh “Kush
ishte i interesuar të ndodhte shpërthimi në Gërdec”? Qeveria, opozita apo
shtete dhe qarqe anti-shqiptare në rajon e më gjerë? Kush ishin ata faktorë të
brendshëm që bashkëpunuan me terroristët për të shkaktuar atë katastrofë, me
qëllim që Shqipëria të mos bëhej anëtare e NATO-s?
Qeverisja
e mandatit të parë të Partisë demokratike dhe të Sali Berishës pati një arritje
të jashtëzakonshme, ndërtimin e autostradës së Kombit, e cila lidhi Kosovën me
kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranën. Nuk është e nevojshme të shkruaj unë rreth
rolit të kryeministrit Berisha për ndërtimin e asaj që quhet “Rruga e Kombit”.
Por duhet thënë se investimi prej më shumë se një miliard dollarësh me buxhetin
e Shqipërisë për këtë rrugë nuk ishte imagjinuar as nga optimistët më të
mëdhenj. Ajo rrugë u bë kryesisht me fondet e buxhetit të shtetit. Nuk kishte
ndodhur kurrë më parë që një investim kaq i madh të bëhej pa kredi të
institucioneve financiare evropianë dhe botërore. Kjo rriti besimin se
“gjithçka është e mundur”, kur një qeveri është e përkushtuar për të zhvilluar
dhe realizuar interesat e vendit e të kombit.
Ndërkaq
sot diskutohet shumë rreth një pakti që ish-kryeministri Berisha bëri me kreun
e opozitës, Edi Ramën, në vitin 2008. Sipas marrëveshjes së asaj kohe u
ndryshua kushtetuta e vendit, ndryshime të cilat sollën procedura më të
thjeshta për zgjedhjen e presidentit të Republikës dhe sistemin proporcional me
lista të zgjedhjeve parlamentare. Kritikët e këtyre ndryshimeve kanë vënë në
dukje se ndryshimi i kodit zgjedhor dhe kushtetutës në lidhje me zgjedhjet
parlamentare kanë krijuar kushte për rritjen e autoritetit absolut të
kryetarëve të partive, sidomos partive të mëdha dhe kanë zvogëluar mundësinë e
konkurrimit të partive të vogla. Berisha është mbrojtur, duke thënë se ligjet
dhe kodi zgjedhor janë të njëjta për të gjitha partitë e për pasojë edhe në
kushtet e ndryshimeve të vitit 2008 ato nuk thellojnë pabarazinë. Në fakt kreu
i mazhorancës së asaj kohe, pra Sali Berisha, e kishte bërë këtë lëshim të
kërkuar nga kreu i opozitës, Edi Rama, një vit më parë, kur Rama kërcënoi se
“nuk do të merrte” pjesë në zgjedhjet lokale të vitit 2007. Ai e kishte
kushtëzuar pjesëmarrjen në zgjedhje me ndryshimet kushtetuese e në kodin
zgjedhor, me qëllim që të merrte kontrollin autoritar të tij në Partinë
Socialiste, ku asokohe nuk ndjehej i sigurt.