Faleminderit
Bedri Tahiri: Luftëtari që përtëriu historinë e Galicës
E merkure, 20.11.2024, 06:59 PM
Përvjetor: 17 vjet pa Ismail Hazir Galicën
LUFTËTARI
QË PËRTËRIU HISTORINË E GALICËS
Nga
Bedri TAHIRI
Drenica, përherë
vatër e rezistencës dhe e luftërave çlirimtare. Dhe, strumbullar i gjithë kësaj
madhështie qëndron Galica. E djeshmja dhe e sotmja. Që nga luftërat antiturke e
deri tek lufta fitimtare e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, trimat dhe veprimtarët
e Galicës zunë vende nderi në Altarin e Pavdekësisë. Padyshim, aty do ta këtë
vendin dhe do të prehet i qetë edhe Ismail
Fetah Haziri (1953-2007).
Fëmijëria
Ismail
Haziri u lind më 24 mars 1953 në Galicën e Drenicës heroike. Ishte djali i parë
i babë Fetahut e nënë Sofijes. Rridhte nga një familje e një truall që
denbabaden e pati zanat pushkën çlirimtare. Galica e tij kishte bërë emër në
histori. Azem Galica nderoi historinë tonë dhe i dha vulë përpjekjeve tona për
çlirim dhe ribashkim kombëtar.
Për
të qenë, edhe trungu i tij familjar e kishte traditë trimërinë. I gjyshi,
Haziri, ishte vrarë në betejën e Arbërisë së Vogël të Azem Bejtë Galicës, më 15
korrik 1924.
As
i ati, Fetahu, nuk qe burrë që mund t’ia hante pula kapsollin. Ai gjatë Luftës
së Dytë Botërore u dallua nëpër luftëra e beteja të ndryshme. Që kur bandat
çetnike u vërsulën mbi trojet shqiptare, gjegjësisht mbi shqiptarët dhe
myslimanët e shkretë të Pazarit të Ri, Sanxhakut e Rozhajes, Fetah Haziri u
gjend në ato anë, për t’u dalë në ndihmë. Në fakt, ai edhe ishte i mobilizuar
në radhët e forcave të ruajtjes së kufirit dhe të rendit për disa vjet rresht,
gjatë kohës së gjermanit. Bile, pas një incidenti, kishte qëlluar me mitralozin
që ia kishin dhënë gjermanët, mbi një grup çetnikësh, të cilët kishin tentuar
të sulmonin centralin ku ky bënte roje, për çka, po mos të intervenonte Xhafer
Deva, do të dënohej rëndë nga vetë organet gjermane. Pra, ishte xhandar i
Mehmet Gradicës, e paskltaj iu bashkua Brigadës së Shaban Polluzhës dhe mori
pjesë gjithandej nëpër beteja, si: në Kollë, në Qyqavicë, në Krasmirofc, në
Rezallë, në Abri, në Likofc, në Llaushë, në Kotorr, në Tërnafc etj.
Edhe
pas përfundimit të luftës, pas rënies së Shaban Polluzhës dhe Mehmet Gradicës,
ai ngeli në male më së gjashtë muaj ditë. Kur u bë amnistia e përgjithshme,
lajmërohet në Skënderaj, por u mashtrua keq. Të pabesët e arrestojnë dhe plot
tri vjet e gjysmë i vuan në burgun famëkeq të Nishit...Për çudi, as më vonë nuk
pa ditë të bardhë dhe gjithmonë ishte halë në sy për pushtetin e kohës
zezonë...
Në
këtë frymë atdhetarie u formua edhe djaloshi i ri, i cili më vonë, edhe
vetë do të ecën asaj rruge të lavdishme.
Ismaili,
që nga bankat shkollore, u përballë me “kujdesin” e shtuar të organeve
shtetërore antipopullore. Kështu dora e zgjatur e tyre arriti edhe në Cele të
Sllovenisë, ku ai kishte vajtur për të mbaruar shërbimin në ushtrinë
jugosllave. Pasi ishte rreshtuar në Policinë Ushtarake, me sugjerimet që u
erdhën nga pushtetarët vendorë, ai kthehet në ushtar të thjeshtë dhe përherë do
të mbahet nën mbikëqyrjen më të rreptë hetimore. Ama, as ai kurrë nuk do t’u
shkojë për qejfi e nuk do gjunjëzohet. Përkundrazi, më shumë do të qëndrojë i
mbyllur nëpër burgje se sa në kazermë.
Në grupet ilegale
Gjatë
viteve 1991/92, në Kosovë, krahas aktiviteteve të tjera, u formuan edhe celulat
e para të grupeve ilegale atdhetare, me qëllim të përshpejtimit të çlirimit të
trojeve të robëruara shqiptare, gjegjësisht të Bashkimit Kombëtar. Dhe, që nga
fillimi, aty u gjend edhe djaloshi galicas, Ismail Haziri.
“Ishim në Mitrovicë me qerre kuajsh, kur baci
(Ismaili- vërejtja e autorit) me shokë më ngarkuan disa gjëra të mbuluara dhe
më porositën t’i dërgoja deri në Lubovec, në shtëpinë e Enver Halitit. Unë
veprova siç më thanë dhe tek më vonë kuptova se sa e rëndësishme, besa edhe e
rezikshme, kishte qenë ajo punë,- rrëfen sot i vëllai, Muharremi.
Se
ai, që herët ishte lidhur me ilegalen dhe me grupet militante, dëshmon
arrestimi dhe burgosja e tij më 1995 dhe më 1997, ngjarje që i kam parë me sytë
e mi nga afër dhe të cilat, siç u vërtetua më vonë në gjyq kishin të bënin
pikërisht me veprimtarinë e tij atdhetare.
Ditën
që komandanti ynë legjendar, Adem Jashari, dhe kushtrimin: Liri a vdekje!, edhe
djemtë galicas dhanë betimin para varrit të Azem Galicës dhe formuan bërthamën
e tyre luftarake, e cila do të tregohet e suksesshme gjatë gjithë luftës sonë
çlirimtare. Edhe pse paksa i moshuar, kur u paraqit nevoja për armatim, Ismaili
u lajmërua vullnetar dhe i priu grupit të galicasve drejt Alpeve Shqiptare.
Kështu, më 1 korik 1998, Ismail Haziri, Adem R. Ademi, Emin Sahiti, Bekim
Sahiti, Brahim Haziri, Fidaim Ademi dhe Zenel Shabani ia mësynë kufirit të
mallkuar shqiptaro-shqiptar. Atje, në Tropojën heroike të Bajram Currit
qëndruan plot dy javë dhe, pasi u stërvitën dhe u armatosën mirë e mirë, u
nisën këndej.
Dhe,
në të kthyer, më 17 korrik 1998, tek Rrasa e Zogut, në Grykë të Padeshit,
kolona e gjatë prej luftëtarësh vullnetarë ra në pritat serbe. Edhe këtu
Ismaili, i fundit u nda nga dëshmori i Galicës, nga Adem Ramadan Ademi, i cili
me gjakun e vet të pastër shkriu gurët e kufirit ndarës dhe u bë simbol i
Bashkimit tonë Kombëtar. Siç kanë shpjeguar më vonë luftëtarët e Junikut, ky
luftëtar i njohur me nofkën PLAKU kishte treguar heroizëm të vërtetë gjatë atij
depërtimi kufitar, duke bërë kërdi me mitralozin e tij mbi barbarët serbë.
Nga beteja në betejë
Edhe
më vonë, si zëvendëskomandant Togu, në Batalionin III të Brigadës 114 “Fehmi
Lladrovci”, Ismail Haziri u tregua i suksesshëm nëpër beteja të ndryshme, deri
në çlirimin e vendit. Këtë e dëshmojnë sot bashkëluftëtarët e tij, e dëshmon
edhe vetë komandanti, Enver Sylë Haliti.
Galica,
e gjendur midis dy zonave të rëndësishme e shumë të nxehta luftarake, Zonës Operative
të Drenicës dhe Zonës Operative të Shalës, u përballë me ofensiva të shumta
serbe, andaj edhe i ra hise të përjetojë sulme dhe beteja të panumërta. Ne do
të ndalemi vetëm tek disa prej tyre...
Pushkët
e luftëtarëve galicas së pari u provuan në dy aksione të suksesshme: në betejën
te Mariçanët e Klinës së Skënderajt, kur u vajtën në ndihmë luftëtarëve të
Prekazit të Epërm dhe në Vojtesh, duke u ndihmuar luftëtarëve të Lubovecit.
Ofensiava
e 22, 23 dhe 24 shtatorit të vitit 1998, e njohur me emrin e koduar ushtarak
Operacioni “QYQAVICA”, e cila konsiderohet si një ndër më të vështirat për
Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, qe kobtare edhe për Galicën, edhe për luftëtarët e saj. Ato ditë, në maje
të Qyqavicës plakë, tek “Pusat e thive”,
barbaria serbe shfreu dufin mbi stërnipat e Azem Galicës. Ditën e premte, të 25
shtatorit 1998, i përcollëm për në atë botë: Shashivar Ademin, Fatmir Ademin,
Gani Ademin, Burim Ademin, Bajram Sahitin, Agim Ademin, Hetem Halilin, Bujar
Halilin, Bekim Halilin, Nazmi Halilin, Nexhat Halilin, Hajredin Lahun...
Edhe
më vonë, kur soldateska serbe mendoi se e hoqi qafësh forcën tonë çlirimtare,
luftëtarët e Galicës, si gjithë të tjerët, anë e kënd trojeve shqiptare, dolën
më të fortë e më të organizuar.
Gjatë
ofensivës tjetër serbe të fillimvitit 1999, e cila nisi në Artakoll, me synim
për të depërtuar në Drenicë, trimat tanë zunë pozicionet që nga shtëpia e Ilaz
Kollës e deri në Vojtesh. Dhe, për çdo ditë luftime, kacafytje e beteja.
Dhe,
kurdoherë në ballë të tyre edhe Ismajl Haziri. Ata, për ditë të tëra u qëndruan
sulmeve me tanke e topa të ushtrisë dhe paramilitarëve serbo- çetnikë. Edhe kur
ata depërtuan në Galicë dhe dogjën çdo gjë mbi tokë, edhe Pllakën e Azem
Galicës e bënë copë e grimë, luftëtarët tanë nuk i lanë të qetë. Tashmë, ata,
bashkë me trimat e Ashlanit, udhëhequr nga sypatremburi Bekim Shyti, mbronin
Sukën e Galicës dhe për çdo ditë ndërronin plumbat me gjakatarët. Mjafton të
përmendet dita e 8 majit 1999, kur një grup prej njëzet e një paramilitarësh serbë
morën guxim dhe nga Balinci mësynë drejt istikameve tona. Dhe, kur arrijnë në Qafëmalin midis Lugut të Behramit dhe
Sordovit, breshëria e grykëhollave çlirimtare të galicasve ua ndalin hovin. Dy
prej tyre, njëri ishte rus, ngelën në vend e të tjerët, të plagosur e të
shastisur, i shpëtoi tanku zingjiror...
Duke
qenë edhe vetë në mesin e luftëtarëve, çdo veprim të tyre luftarak e kam
spikatur në ditarin që e mbajta besnikërisht gjatë luftës e që e botova fill
pas çlirimit me titull “Agu i lirisë”,
andaj kësaj here nuk po e ngarkoj më tepër këtë shkrim.
Ndarje e dhimbshme
Kontributi
i Smajl Hazirit vazhdoi edhe në paqe, në sendërtimin e fryteve të luftës, në
Trupat Mbrojtëse të Kosovës. Mirëpo, shtatin
e tij që nuk e zuri dot plumbi i dushmanit e përkuli sëmundja tinëzare.
Më 20 nëntor 2007,
në moshën pesëdhjetë e katër vjeçare, iku në atë botë dhe na e la shëndenë. E
kemi mjaft të vështirë të pajtohemi me realitetin e hidhur, me ndarjen fizike
prej tij, në çastin më vendimtar të historisë sonë, në momentin kur ëndrra e
tij dhe e luftëtarëve të lirisë po kurorëzohet me Pavarësinë e Kosovës,
gjegjësisht me Bashkimin Kombëtar...
Kështu u tha në varrimin e tij në Galicë, ku morën pjesë
qindra bashkëvendasë, bashkëluftëtarë, miq e familjarë, në mesin e të cilëve e
shumë kolegë të tij, ushtarë e oficerë të TMK-së.
Megjithatë, luftëtarët e lirisë nuk vdesin kurrë. Vepra e
tyre rron për jetë të jetëve. Ajo është udhërrëfyese për brezat e ardhmërisë. I
tillë ishte edhe Ismajli ynë.
Lavdi Ismajl Hazirit dhe të gjithë dëshmorëve e
luftëtarëve të lirisë, të cilët, me luftën dhe gjakun e tyre, sollën Ditën e
Bardhë, sollën LIRINË!