Faleminderit
Prend Buzhala: Homazh për Sejdi Berishën
E marte, 03.12.2024, 07:00 PM
HOMAZH PËR SEJDI BERISHËN
NGA
PREND BUZHALA
Sot
(01.12.2024), lajmi i shkuarjes në amshim të Sejdi Berishës, e preku thellë
komunitetin e krijuesve dhe të kulturës.
Janë
dekada të tëra njohjeje, bashkëpunimi,
bashkëveprimi që shumë njerëz të arteve e të kulturës i kanë pasur me Sejdiun.
Janë qytetet e qendra kulture në Dukagjin, në Tropojë, në Sarandë, anembanë
Kosovës, Shqipërisë e trojeve tjera etnike, që e kanë shijuar Fjalën Poetike të
Sejdiut. Janë rreth 50 vëllime me poezi, ese, prozë, vepra dokumentare e
publicistike që ky autor ia ka dhuruar letrave shqipe.
Të
flasësh në këto momente për Sejdiun që shkoi në amshim, do të thotë të flasësh
për Shkrimtarin, Publicistin, gazetarin, redaktorin e reporterin, Mësuesin e
edukatorin, e, mbi të gjitha, për Shëmbëlltyrën e Njeriut KRIJUES. Dëshmi për
këtë janë rreth 50 tituj veprash të botuara, si dhe një bibliografi mbase
mijëra njësish, të botuara e të emetuara në mediet elektronike për kaq e kaq
dekada... dhe, kështu, së bashku, të gjendesh në këso rolesh, do të thotë të
organizosh përhapjen e librit, të urtisë së fjalës e të gjestit kulturor, duke
krijuar e përhapur rrathë gjithnjë të rinj fjale, rrathë të energjisë shpirtërore
e të gjestit të lartë kulturor, mu ashtu si i krijon ata rrathë guri i hedhur
në syprinën e qetë të lumit. E po, ky është ai gjakimi krijues: i krijuesit si
një gur i hedhur diku në qetësinë e amullt, të fjetur e të palëvizshme të jetës
shoqërore.
1.
Personalisht,
këtë bashkëpunim me Sejdiun, e kemi që nga vitet '90, qe tri dekada e sa: me
redaktime e recensime të ndërsjella, me pjesëmarrje në promovime të përbashkëta
me kumtesa, në orë letrare e ngjarje të ndryshme kulturore të panumërta... Sejdi
Berisha është personifikim i qytetit ë Pejës.
Ai
ishte një shenjë e gjallë e qytetit, një njeri i shndërruar në sinonim të tij.
Nuk
ishte vetëm puna e tij, kontributet e tij në letërsi, gazetari, teatër apo
dokumentim historik, por ishte thellësia dhe përkushtimi me të cilin ai e ka
jetuar jetën e tij, që e bëri të pazëvendësueshëm për qytetin. Te poema e tij
për Pejën, ai këndon:
Pejë
Me
ty rashë dhe u zgjova
Me
ëndrrat e ndrydhura
Më
ty kudo që shkova
Në
zemër të mora
Pasi
theksohen e këndohen emra historikë, ngjarje, toponime, shpalime të jetës e
ekzistencës urbane, shënjime kulture etj., përfundon me vargjet e memorizimit
lirik:
Pejë
A
i mban mend të gjitha këto fjalë
Që
ndoshta duken pa vlerë e fantazi
Por
kjo nuk është me rëndësi
Peshë
ka ajo
Që
duhemi e përqafohemi unë e ti
Ti
Pejë dhembja dhe krenaria ime...
Poeti
është aktor e aktant i kësaj hapësire urbane e ekzistenciale. Jeta e vepra e
artistit janë të mbushura me përjetime sa krenare aq edhe të hidhura, shpesh me
vuajtje e lëndime të fatit jetësor. Gjithçka e intrigon krijuesin për të
kënduar për këtë ambient sa spiritual e real, aq edhe imagjinar dhe mitik.
Sa
ishte i Pejës, po aq ishte edhe mik i
Klinës dhe i shul qendrave të tjera.
Te
: “Fjala e gjakut” (2006), tri poema për Prekazin, Gllogjanin dhe Kosharen,
poeti Sejdi Berisha vë një raport aktiv me historinë e me aktualitetin. Aty
ligjërojnë dy zëra: zëri i folësit lirik, pra ai i poetit, dhe zëri
liriko-epik. Posi në luftërat e përparshme, edhe lufta e fundit, e kënduar nga
Sejdi Berisha në të tri poemat e tij, e ka romantikën e vet. Domethënë: e ka
heroikën e vet.
Meqë
autori e papapëlqen, në këso rastesh, frymën popullore të rapsodisë
epiko-lirike të këtyre poemave, atëherë posi tek këngët e kryengritësve
popullorë për drejtësi e çlirim kombëtar deri te lufta e fundit e UÇK-së, edhe
te poemat e tij mbizotëron etosi i heroizmit e i trimërisë shqiptare. Ky
heroizëm nuk është vetëm individual, po masiv, gjithëpopullor.
Te
libri i eseve “Shpërputhje kohe” ai shkruan për kohën e çrregullmit të vlerave
e të anarkisë së kritereve, të lakmisë së pafund për pasuri, për pushtet e për
monopolizim të jetës publike e shoqërore për të përfituar privilegje të
ndryshme, por Sejdi Berisha zgjedh edhe një rrugë tjetër, atë më fisniken, i
sintetizon gjerësisht e thellësisht këto përmasa, këtë kohë e anarki kriteresh;
por gjithnjë duke qëndruar në anën e vlerës, në anën e të mirës, të ecjes
përpara, në anën e artit e të personaliteteve që lanë gjurmë. Aty shquhet edhe
zëri i kritikut letrar për autorë e vepra të letërsisë sonë. Te “Piramida e
ironisë” ai e vë gishtin te morali krijues: ç’po ndodh me denigrimin e vlerave
tona a me shtypjen e talenteve të reja; ku qëndron shkalla e përgjegjësisë
krijuese; pse krijuesit e mirëfilltë ngulfaten nga vërshimi i jovlerave; deri
ku arrin dëmi që e shkakton miopia e krijuesve të mëdhenj ndaj krijuesve të
rinj; ku shpie vetëlavdërimi i krerëve të kulturës karshi përdhosjes që ua
bëjnë të tjerëve; çfarë janë pasojat e asaj dore njerëzish të kulturës, të
cilët në plan të parë e vënë interesin material; cilat, vërtet, do të jenë
pasojat e lëngatat tona, kur në poste të institucioneve kulturore zgjidhen
njerëz që nuk kanë asnjë veprim në kulturë; pse dështojnë shfaqjet e koncertet,
në të cilat nuk vjen publiku? Ja, këto janë disa punkte përsiatjesh, në të
cilat mediton e dialogon Folësi eseistik i Berishës në shkrimin e parë “Morali
krijues”. Ky Folës dëshiron ta bëjë publikisht, para nesh, autopsinë e këtij
morali të kohës, i cili gjendet në katandisje; dëshiron t'i nxjerrë përfushë
përbërësit pengues të vlerave.
2.
Kur
ndahet nga jeta një njeri që ka dhënë shumë kulturës, në letërsi, gazetari,
teatër dhe në dokumentimin e historisë së qytetit e ngritjen e vlerave të tij,
humbja është e thellë dhe mbetet një boshllëk që vështirë të plotësohet. Kjo
humbje e thellë nuk është vetëm personale as vetëm familjare, për ata që e kanë
njohur e bashkëpunuar me të, por gjithashtu për shoqërinë dhe kulturën e tërë.
Ai ka kontribuar në rritjen e ndërgjegjësimit qytetar, duke sjellë një pasuri
që kalon brezat. Ai ka qenë dëshmitar i kohëve që i jetuam e përjetuam deri më
tash, emblemë e vlerave të qytetit dhe i identitetit të tij, mbrojtës i
kujtesës kolektive dhe orientues i qytetarëve për t'u përballur me sfidat e
kohëve.
Me
dhimbje e me respekt të thellë, sot përcjellim njeriun që ka lënë gjurmë të
pashlyeshme në historinë dhe kulturën e qytetit të Pejës, por edhe në mbarë
letrat shqipe. Sejdiu ka qenë shkrimtar, gazetar, artist; por ka qenë edhe një
udhëheqës shpirtëror dhe intelektual që ka ndihmuar në formësimin e identitetit
të këtyre hapësirave. Nëpërmjet penës së tij, ai ka ndriçuar rrugën e së
vërtetës dhe ka dokumentuar ngjarje të rëndësishme të jetës qytetare dhe
historike. Nëpërmjet veprave të tij, ka sjellë mesazhe të fuqishme, duke
ndihmuar që historia dhe kultura e qytetit të ruhet dhe të transmetohet për
brezat që vijnë. Si gazetar, ai ka përjetuar dhe ka reflektuar mbi sfidat dhe
triumfet e kohës, duke sjellë një pasqyrë të vërtetë të realitetit. Si dramaturg,
ai ka pasuruar skenën e teatrit me veprat e tij, duke e bërë artin më të gjallë
dhe më të rëndësishëm se kurrë.
Por
kontributi i tij nuk ka qenë vetëm në fushën e kulturës. Ai ka qenë gjithashtu
një njeri i angazhuar, i cili ka kontribuar në rritjen e ndërgjegjësimit
qytetar. Nuk ka pasur asnjëherë dyshim për dashurinë që ai ka pasur për qytetin
e tij dhe për atdheun dhe kjo dashuri ka
qenë e pranishme në çdo veprim që ka ndërmarrë gjatë gjithë jetës së tij.
Homazhi
për të është akt i domosdoshëm nderimi dhe mirënjohjeje për trashëgiminë e tij
të pasur. Ky është një moment i veçantë, jo vetëm për të reflektuar mbi veprën
e tij, por edhe për të theksuar se sa e pasur dhe e paharruar është trashëgimia
që ai ka lënë pas.
Për
ata që e kanë njohur dhe bashkëpunuar me të, emri i tij është i lidhur ngushtë
me forcën e fjalës, me pasionin për dokumentimin e historisë dhe me angazhimin
e palodhur për ruajtjen e vlerave kulturore të qytetit dhe të atdheut.
Si
gazetar, ka regjistruar ngjarjet e ditës me një shikim të thellë prej eseisti
dhe me një përkushtim të patundur për të zbuluar të vërtetën. Si dramaturg dhe
artist, ka ngjallur emocione dhe ka frymëzuar mendime të thella, duke i dhënë
teatrit dhe artit forcë shprehëse që ka tejkaluar kohën dhe hapësirën. Si dokumentues
i historisë, ka ruajtur kujtimet e qytetit në trashëgiminë e kulturës, teatrit
dhe zejtarisë së qytetit të Pejës dhe ka përçuar mesazhe për brezat e ardhshëm,
duke i kujtuar se sa e rëndësishme është ta njohim dhe ta vlerësojmë rrugën që
kemi kaluar.
Sot,
përpara kësaj humbjeje, ne po ndahemi nga një njeri që la gjurmë të shumta,
duke na e përkujtuar gjithçka ai ka përfaqësuar për ne: përkushtimin ndaj
kulturës, ndaj historisë dhe ndaj qytetit që e ka dashur dhe që ka shërbyer me
gjithë shpirtin e tij. Ai i ka mësuar të tjerlt se çdo hap që hedhim në jetë
është i lidhur ngushtë me të kaluarën tonë, dhe që historia nuk është një
ngjarje e kaluar, por një vazhdimësi që jeton në çdo veprim që bëjmë.
Për
më tepër, ai ka qenë një model për të gjithë,
një njeri që e ka jetuar jetën e tij në harmoni me qytetin, me kohën, me
të tjerët. Ai ka dhënë gjithçka që kishte për ta bërë qytetin më të mirë, më të
mençur, më të pasur me ide dhe mundësi. Nuk ishte thjesht njeri që shkruante
apo fliste; ai ishte një njeri që e jetonte qytetin, kohën, kombin... Peja nuk
mund të ndahet nga ai, ashtu si dhe ai nuk mund të ndahet nga qyteti. Ai ishte
thelbi i tij, është ende thelbi i tij, dhe do të mbetet i tillë për gjithmonë.
Emri i tij do të vazhdojë të jetë i lidhur ngushtë me çdo rrugë, çdo shesh, çdo
monument që mbajnë kujtimet e qytetit, ashtu si dhe me çdo veprim, fjalë apo
ide që ai ka lënë pas.
Pushofsh
në paqe, dhe faleminderit për gjithçka!
(1
dhjetor 2024)
_____________
PEJË,
AKADEMI KOMEMORATIVE PËR KRIJUESIN E PUBLICISTIN SEJDI BERISHA
NGA
PREND BUZHALA
Sot
(02.12.2024), për në varrezat e Pejës, me nderime qytetare, u përcoll krijuesi
letrar, publicisti e gazetari Sejdi Berisha (1947 - 2024) që vdiq dje, në
moshën 77-vjeçare.
1.
Sejdi
Berisha ka lënë gjurmët e tij në disa fusha, si poet, gazetar, mësues, redaktor
e reporter, e, mbi të gjitha, shquhet Shëmbëlltyra e Njeriut KRIJUES, së
bashku me një trashëgimi të pasur prej
afro 50 veprash në poezi, prozë,
dramaturgji, publicistikë, eseistikë, kritikë letrare etj.
Në
sallën e Kuvendit Komunal, AKADEMI KOMEMORATIVE për krijuesin e publicistin
SEJDI BERISHA. Merrnin pjesë krerë komunalë, familjarë të Sejdiut, të afërm,
miq e krijues letrarë nga shumë qendra të Kosovës e nga Shqipëria.
Komemoracionit i priu krijuesi letrar Agim Desku. Me fjalë komemorative u
paraqitën: drejtoresha e DKRS, Xhenet Syka, përfaqësues të asociacioneve
letrare: Lulzim Logu nga Tropoja, Muharrem Kurti, Tahir Bezhani e Mevlyde
Mezini Saraçi nga Gjakova, Prend Buzhala nga Klina dhe Halil Tetaj, aktor, në
emër të aktorëve e krijuesve nga Deçani. Në emër të familjes i falënderoi për
pjsëmarrje i biri i Sejdiut, Bajrami.
2.
Ai
ishte një shenjë e gjallë e qytetit të Pejës, emri i tij është sinonim i këtij
qyteti. Nuk ishte vetëm puna e tij, kontributet e tij në letërsi, gazetari,
teatër, arsim apo dokumentim historik, por ishte thellësia dhe përkushtimi me
të cilin ai e ka jetuar jetën e tij, që e bëri të pazëvendësueshëm për qytetin.
Te poema e tij për Pejën, ai këndon:
Pejë
Me
ty rashë dhe u zgjova
Me
ëndrrat e ndrydhura
Më
ty kudo që shkova
Në
zemër të mora...
Peshë
ka ajo
Që
duhemi e përqafohemi unë e ti
Ti
Pejë dhembja dhe krenaria ime...
Poeti
është aktor e aktant i kësaj hapësire urbane e ekzistenciale. Jeta e vepra e
artistit janë të mbushura me përjetime sa krenare aq edhe të hidhura, shpesh me
vuajtje e lëndime të fatit jetësor. Pejën ai e ka përjetësuar edhe në vepra
dokumentare si "Zejtarët e Pejës" apo "Teatri i Pejës".
3.
Sa
ishte i Pejës, po aq ishte edhe mik i Klinës dhe i shumë qendrave të tjera.
Janë dekada të tëra njohjeje,
bashkëpunimi, bashkëveprimi që shumë njerëz të arteve e të kulturës i
kanë pasur me Sejdiun. Janë qytetet e qendra kulture në Dukagjin, në Tropojë,
në Sarandë, anembanë Kosovës, Shqipërisë e trojeve tjera etnike, që e kanë
shijuar Fjalën Poetike të Sejdiut.
Te
libri poetik “Fjala e gjakut” (2006),
tri poemat për Prekazin, Gllogjanin dhe Kosharen, vijnë si amanet brezash.
Poeti Sejdi Berisha vë një raport aktiv me historinë e me aktualitetin.
Janë
do kulla në Gllogjan,
Që
tregojnë për historinë,
Rezistencën
dhe trimërinë,
Për
çfarë tjetër pos për lirinë.
Ose
për Prekazin:
Toka
as qielli s’janë memece,
Përqafohen
bar’ e pemë,
Betohet
rrapi dhe qershia,
Kurrë
s’do të mbetet pa emër.
Luftën
e tragjiken e saj ai e përjetëson te monodrama “Obelisku pa adresë” e luajtur
në shumë teatro të Kosovës dhe Shqipërisë.
Po
kaq të rëndësishme janë edhe librat eseistikë, si “Shpërputhje kohe” apo
“Piramida e ironisë”, në të cilët ai shkruan për kohën e çrregullimit të
vlerave e të anarkisë së kritereve, e vë gishtin te morali krijues: ç’po ndodh
me denigrimin e vlerave tona a me shtypjen e talenteve të reja; për lëngatat
tona, por aty shquhet edhe zëri i një kritiku të mirëfillët letrar.
Homazhi
për të është akt i domosdoshëm nderimi dhe mirënjohjeje për trashëgiminë e tij
të pasur. Ky është një moment i veçantë, jo vetëm për të reflektuar mbi veprën
e tij, por edhe për të theksuar se sa e pasur dhe e paharruar është trashëgimia
që ai ka lënë pas.
4.
Sot,
përpara kësaj humbjeje, po ndahemi nga një njeri që la gjurmë të shumta, duke
na e përkujtuar gjithçka që ai ka përfaqësuar për ne: përkushtimin ndaj
kulturës, ndaj historisë dhe ndaj qytetit që e ka dashur dhe që i ka shërbyer
me gjithë shpirtin e tij. Ai i ka mësuar të tjerët se çdo hap që hedhim në
jetë, është i lidhur ngushtë me të kaluarën tonë, me vendin e lindjes, me
Atdheun; se historia nuk është një
ngjarje e kaluar, por një vazhdimësi që jeton në çdo veprim që bëjmë; është
vetë identiteti ynë.
Ai
ka qenë model për të gjithë i njeriut që e ka jetuar jetën e tij në harmoni me
qytetin, me njerëzit e me kohën.
Ngushëllime
familjarëve, qytetit të Pejës, miqve e krijuesve letrarë!
Pushofsh
në paqe, dhe faleminderit për gjithçka!
I
përjetshëm qoftë kujtimi për të!