Faleminderit
Sevdail Hyseni: Dr. Shefkije Hasani – një emër që nuk shuhet kurrë
E enjte, 06.02.2025, 07:57 PM
Portret përkujtimor
Dr.
Shefkije Hasani – një emër që nuk shuhet kurrë
Nga
Sevdail Hyseni
Katër
vjet pas ndarjes së saj nga jeta, kujtimi për Dr. Shefkije Hasanin, mbetet i
pashuar në zemrat e atyre, që e njohën dhe patën fatin të trajtoheshin nga dora
e saj e artë. E njohur me dashuri nga populli si Doktor Shefka, ajo ishte një
oftalmologe e shquar dhe një veprimtare e palodhur, e cila ia kushtoi jetën
shërbimit ndaj njerëzve dhe kombit.
Lindur
dhe rritur në Tërnoc të Bujanocit, Dr. Shefkije Hasani, ka qenë një nga
profesionistet më të respektuara të fushës së oftalmologjisë. Për vite me radhë
ajo punoi në Shtëpinë e Shëndetit në Bujanoc, ku trajtoi me përkushtim
pacientët, duke i ndihmuar me profesionalizmin dhe humanizmin e saj të
pakrahasueshëm. Ishte e njohur për butësinë dhe përkushtimin ndaj pacientëve të
saj, duke i trajtuar me ngrohtësi dhe kujdes të jashtëzakonshëm. Ajo e kishte
bërë të vetin betimin e Hipokratit, duke e zbatuar në praktikë me dashuri e përkushtim.
Gjatë
konfliktit të armatosur në Luginën e Preshevës, Dr. Shefka u angazhua me
vetëmohim në ambulancën e fshatit Tërnoc, ku trajtonte jo vetëm civilët e
përfshirë nga lufta, por edhe ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë,
Medvegjë e Bujanoc. Zonat e fshatrave përreth, si Lluçani, Turia, Konçuli dhe
Dobrosini, gjetën tek ajo një dorë shëruese dhe një shpirt sakrifice, që nuk
njohu lodhje apo frikë, përderisa nën plumbat e luftës shpëtonte jetë.
Trashëgimia
e saj nuk kufizohet vetëm në profesionin e mjekësisë. Dr. Shefka vinte nga
familja Hasani, një familje e njohur për humanizmin dhe atdhedashurinë e saj.
Vëllai i saj, Adem Hasani së bashku me bashkëshorten e tij zonjën Feime Kuçi,
pronar i Kompanisë "Dreni Pharm", vijoi rrugën e bamirësisë dhe
shërbimit ndaj komunitetit, duke ndihmuar mijëra persona në nevojë, sidomos
gjatë pandemisë së fundit, kur ofroi ilaçe për të prekurit nga virusi
vdekjeprurës. Familja Hasani ka nxjerrë brez pas brezi profesionistë të
mjekësisë, si Doni(Donati) farmacisti dhe mjeku Dren Hasani, i cili ka ndjekur
rrugën e doktor Shefkës në shërbimin ndaj shëndetit të popullit.
Pacientët
e kujtojnë Dr. Shefkën si një mjeke popullore, e cila nuk e shihte profesionin
si një detyrë, por si një mision shenjtëruar për të ndihmuar njerëzit. Për të,
çdo pacient ishte një njeri në nevojë, jo vetëm një rast klinik. Edukata dhe
sjellja e saj model e bënë të dashur për të gjithë, duke i dhënë mjekësisë një
dimension të vërtetë humanizmi dhe shërbimi të palodhur. Ky shembull frymëzues
po ndiqet edhe nga nipat e saj, Dreni dhe Doni, të cilët me përkushtim po e
vazhdojnë rrugën e saj, duke dëshmuar se profesioni i mjekut është mbi të
gjitha një thirrje për të shërbyer me përulësi e dashuri.
Sot,
katër vjet pas ndarjes së saj nga kjo botë, Dr. Shefkije Hasani mbetet një emër
i paharruar, një simbol i humanizmit dhe profesionalizmit, një grua që jetoi
për të tjerët dhe që trashëgoi një vepër që nuk do të shuhet kurrë.
I
qoftë i lehtë dheu i vendit, që aq shumë e deshi!