Faleminderit
Gani Qarri: Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, përjetësim i shqiptarëve në histori
E marte, 21.01.2025, 07:05 PM
Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, përjetësim i shqiptarëve në histori
Nga
Gani Qarri
Gjergj Kastrioti-Skënderbeu për
shqiptarët kudo, dhe Evropën në përgjithësi, ishte dhe mbetet figurë shumë më e
lartësuar se sa vetë mitet dhe legjendat që arbëreshët ndër shekuj kanë
krijuar për të.
Kështu do të shprehej përafërsisht,
studiuesi i mirënjohur arbëresh Matteo Mandala, në një intervistë të dhënë me
rastin e 550 vjetorit të shkuarjes në amshim të kryeheroit tonë mbarëkombëtar,
për media.
Me rënien e Krujës më 1415 nën okupimin
otoman, vetëm pak vite më vonë, Gjon Kastriotit do ti merreshin të katër
djemtë peng, përfshi edhe vet Skënderbeun.
Por në momentin që pushtetarët e
Sulltanit para dënesjeve të së ëmës, po merrnin me forcë Gjergjin e vogël,
me ç`rast i ati Gjon Kastrioti, i fliste për herë të mbramë në gjuhën
amtare shqipe, duke i lënë porosinë e fundit djalit të vet, që herë
do kurë, të kthehej e ti çlironte tokat e të parëve dhe mbronte atdheun,
ata ende nuk e dinin se po merrnin peng një fëmijë i cili pas burrërimit
dhe kalitjes ushtarake, do të shndërrohej në kryetrimin shqiptar dhe kryeluan
të Evropës, që për dy dekada e gjysmë me radhë, do të mbronte me heroizëm të
paparë deri në ato kohë, Shqipërinë dhe Evropën nga vërshimi otoman, si dhe tu
shkaktonte humbjet më të mëdha pushtuesve turko-aziatik në Ballkan dhe Evropë.
Skënderbeu ishte dhe mbeti kryetrimi i
vetëm-njëhershëm dhe i papërsëritshëm mbarëshqiptar, i cili përveç asaj që
thuhet se lindi si djali më i vogël i Gjon Kastriotit dhe Vojsava Tribaldit në
Mat të Shqipërisë, në shumë shkrime e veçanërisht në studimet serioze të
autorit Prof.Dr. Eqrem Zenelaj, ofrohen fakte dhe dëshmi bindëse, që kryeheroi
ynë, të ketë ardhur në jetë si pjesëtarë i fisit Kastrat në Mazrekë të
Hasit.
Sido që të jetë, tek e fundit nuk
është me rëndësi parësore vendlindja por mbi të gjitha
qëndron fakti se Skënderbeu lindi shqiptar, bëri një luftë të
bujshme fitimtare për 25 vjet me radhë, si dhe mbrojti popullin
dhe atdheun me nderë e krenari duke mbetur i pathyer deri me shkuarjen në
amshim më 17 janar të vitit 1468 të kryeheroit tonë
mbarëkombëtar.
Gjergji Kastrioti ynë, në të
gjitha fushëbetejat tregoi zotësi aq të mëdha, sa nuk mundi ti
dëshmonte asnjë "nizam" tjetër i gjithë perandorisë otomane, në
moshën e tij, ndaj kryetrimi i ardhshëm i Arbërisë dhe shpëtimtari i Evropës, u
kthye në njërin nga pesë gjeneralët më të famshëm evropian e botëror të të
gjitha kohërave, të cilin Sulltani për meritat e veçanta dhe fitoret mahnitëse,
e nderoi me titullin "Skënderbe"!.
Mbiemër ky lartësisht cilësor dhe i
vlerësuar deri në piedestal, si për nga përmbajtja dhe kuptimi, që
i përkthyer në gjuhën shqipe, do të thotë Aleksandri i madh, ashtu edhe
për bazën faktike dhe argumentin e fortë e të pamohueshëm të
autoktonisë arbërore, ngase sipas të dhënave historike, edhe vet
Aleksandri i madh, ishte me origjinë pellazgo-ilire dhe paraardhësi ynë më
famëmadh në kohën e tij.
Skënderbeu me një ushtri të vogël nga 8
deri në 15 mijë trupa, por me zemër të madhe e të stërvitur mirë
dhe pikërisht siç e kërkonte nevoja për kundërvënie një perandorie aq të
madhe, nuk shpëtoi vetëm Shqipërinë apo Arbërinë e atëhershme, por edhe Evropën
e sidomos Italinë, nga vërshimi i ushtrive Osmane e cila Brenda 25 viteve
sulmoi mbi 30 herë vetëm trojet tona, ku Gjergji ynë doli pothuajse
në çdo betejë fitimtar.
Faktet nga arkivat në Vatikan dhe qendrat
tjera më të mëdha evropiane, jo vetëm se plotësojnë gjithnjë e më tepër
figurën historike të Skënderbeut, por edhe dëshmojnë me të dhëna autentike, se
Princi i Arbërit, u shndërrua në mbrojtësin kryesor të traditës, kulturë
dhe qytetërimit evropian, duke mundur sulltanët më barbarë dhe turpëruar
perandorinë më të madhe të kohës, e cila shtrihej si enigmë e
frikshme terri, në tri kontinente të botës.
Madje meritat e tij në mbrojtje të
Evropës dhe vlerave të saj, e shtynë edhe vet Papa Piu-n e II-t, që pesë
shekuj më parë me të drejtë dhe arsye të plotë, ta ngrittë Skënderbeun në
piedestal të lavdisë, duke e shpallë atë edhe "Atlet të Krishtit"!
Gjergj Kastrioti Skënderbeu çmohet
dhe vlerësohet lartë, nga Evropa deri në SHBA, heroizmat e të cilit ishin
aq të shumta e të pakufi , sa që nuk di njeriu as sot, se çfarë të
përmendë më parë:
Tri rrethimet e Krujës, me nga 100 deri
në 150 mijë ushtarë otoman të që zgjatën nga viti 1450 deri më
1468, dhe u udhëhoqën nga sulltanët më barbar të kohës, për të cilët Kruja
u kthye në vdekje, duke mos harruar edhe vrasjen e kryekomandantit
renegat Ballaban Baderës, apo Ballaban Pashës, si quhej nga otomanët,
si dhe Betejën e Torviollit më 26 qershor 1444, ku Ali pashë Evrenozi nga 25
mijë ushtarë, la 8 mijë të vdekur e 2 mijë të zënë rob bashkë me armatim dhe
paisjet më moderne të kohës, atë Otonetës në Dibër më 27 shtator 1446, apo
21 korrikun e vitit 1452, kur Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, brenda ditës
zhvilloi dy beteja të lavdishme fitimtare, në mëngjese duke asgjësuar ushtrinë
e Hamza Pashës me 10 mijë ushtarë në Modricë, kurse në mbrëmje të po asaj
dite edhe ushtrinë e Taip Pashës me15 mijë kalorës otoman, në
Meçad.
Luftën me Venedikun, nga nëntori i
vitit 1447 deri më 23 korrik të vitit 1448, kur ushtria
madhështore e Mbretit të Shqiptarëve, Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, pasi
demoloi tërësisht forcat venedikase të udhëhequra nga Daniel Juriç Sebenqini
dhe mori Dejën, Drishtin e Shkodrën me rrethinë, çliroi edhe qytetin
shqiptar të Tivarit, apo heroizmat madhështore të treguara në Itali.
Më 1461 Skënderbeun me kalorësit e tij
trima e shohim ti shkojë në ndihmë edhe mbretit Ferdinand të Napolit, ku
kryetrimi ynë, jo vetëm që doli fitimtar impozantë si gjithmonë, por shpëtoi
edhe vet Ferdinandin dhe mbretërinë e tij.
Më 1462 Gjergj Kastrioti-Skënderbeu,
siç është historikisht e njohur, ngadhënjeu me lavdi, kundër ushtrive otomane
edhe në Pollog e Livadhi të Ohrit.
Vetëm në betejën e Vajkalit në gusht të
vitit 1465, ushtria e Sulltanit humbi dhjetëra mijëra ushtarë bashkë
me kryekomandantin e saj, Jakup Arnauti, ndërsa në rrethimin e dytë të
Krujës edhe Ballaban Baderën (pashën) për të cilin thuhet se ishte i
pari që u ngjit në muret e Kostandinopojës gjatë betejës së vitit
1453 duke shënuar kështu fundin e rezistencës dhe ekzistencës
së Perandorisë Bizantine.
Këto dhe shumë fakte tjera, dëshmojnë
se për çfarë heroi të madh dhe kryetrimi mbarëkombëtar e ndërkombëtar si
Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, bëhet fjalë në të vërtetë, atëherë edhe sot, 5
shekuj e gjysmë pas shkuarjes së këtij idhulli të papërsëritshëm në
amshim.
Për të gjithë ata të cilët pa të drejtë
dhe asnjë argument akuzojnë Skënderbeun tonë të madh se kinse vrau
"muslimanët" duhet rikujtuar çdo herë dhe bërë
përfundimisht të ditur fort e mirë, se vet Ballaban Pasha,
kundërshtari më i fortë i Skënderbeut, i cili në vërshimet e mëvonshme në krye
të ushtrive otomane do të masakronte mbi 14000 mijë shqiptar të pafajshëm, në
vitin 1443,kur Skënderbeu e mori Krujën, ai mbante postin e
udhëheqësit të kështjellës apo siç thuhej
atëherë- qe dizdar i kalasë së Krujës, të cilin Skënderbeu jo se
nuk e vrau, por bashkë me ushtarët otoman, vetëm i dëboi nga Kruja me rrethinë.
Kryetrimi ynë, ishte heroi që nuk
vriste as priste për çdo gjë, dhe pa shkak e arsye të forta. Forcën e tij ai
nuk e dëshmoi asnjëherë me vrasjen e të dobëtit e të pafuqishmit, por nuk
e kurseu atë në beteja të drejtpërdrejta me kundërshtarin.
Udhëheqësi i papërsëritshëm
mbarëshqiptar dhe njëri ndër komandantët më të rëndësishëm të historisë
ushtarake të kohës, i cili përveçse bashkoi arbrit e atyre moteve,
unifikoi edhe qëndrimin e Evropës perëndimore duke i dhënë orientim dhe vlerë
të përbashkët gjithë kontinentit të saj.
Gjergj Kastrioti-Skënderbeu njihte tri
gjuhë, gjuhën amtare shqipe, latinishten dhe osmanishten e vjetër dhe
në kohën kur në Evropë sundonin monarkitë absolute, duke ditur rolin e
diplomacisë në afrimin me shtetet tjera dhe marrëdhëniet ndërkombëtare, posa
krijoi shtetin arbëror, ngriti menjëherë edhe një rrjet të
përsosur diplomatik që ia kishin lakmi shumë popuj tjerë më të
mëdhenj, vuri lidhje të rregullta dhe mbante kontakte të
vazhdueshme me të gjithë mbretërit e kohës së tij.
Ndaj, i mrekulluar nga fuqia udhëheqëse
e aftësia unifikuese, heroizmi dhe aftësitë e gjithanshme edhe diplomatike të
tij, Papa Piu i II-t, qysh atë kohë, kishte imagjinuar që pikërisht veprimtaria
e Skënderbeut, të merrej si shembull për krijimin e Evropës së bashkuar.
Kurse Papa Pali i VI-t, në vitin
1968, veprën unifikuese të Skënderbeut e proklamoi për model sipas të
cilit duhej ndërtuar edhe Evropa e Re!
Ndërsa ajo që përjetësisht duhet ti
bëjë edhe më tepër krenar shqiptarët kudo, është fakti se veprimtaria e
kryeheroit tonë mbarëkombëtar, konsiderohet edhe si pararendëse e aleancës më
të madhe botërore, asaj Euro-Atlantike të Paktit NATO!
Sot shumë institucione, objekte,
rrugë dhe sheshe në gjithë botën, mbajnë emrin e Gjergj Kastriot
Skënderbeut, duke filluar nga kryeqytetet e vendeve tona si Tirana dhe
Prishtina, e deri te Parisi në Francë, Roma në Itali, Çikago në SHBA, Gjeneva
në Zvicër, Shkupi në IRJM, Zagrebi në Kroaci e shumë qytete tjera të mëdha në
Evropë dhe globin mbarë.
Emri i tij edhe në kohën që ne jetojmë,
bënë përjashtim vetëm në Turqi. Atje megjithëse jetojnë mese 7-8 milion sa
mendojmë ne, deri në 15 milion shqiptar sipas shkrimeve në gazetat gjermane,
megjithatë emri i Skënderbeut, jo vetëm se vazhdon të mbetet i ndaluar,
por as bashkëkombësit tanë, nuk guxojnë të shkollohen në gjuhën e tyre shqipe,
as ta quajnë veten shqiptar.
Dhe përveçse nuk ka asnjë shkollë
fillore e të mesme, se lëre më qoftë edhe një Universitet a fakultet të vetëm
në gjuhën shqipe, Turqia bënë presion të madh e të pareshtur, në Shqipëri
dhe Kosovë që kryeheroi i kombit tonë, të mos mësohet nëpër shkolla dhe të
fshihet tërësisht edhe nga librat dhe historia jonë kombëtare.
Gjergj Kastrioti -Skënderbeu bashkë me
princin hungarez të Transilvanisë Janosh Huniadin, konsideroheshin armiqtë
më të frikshëm të pushtuesve otoman në truallin evropian dhe për gjallje
të këtyre dy heronjve, otomanët kurrë nuk mundën ta pushtonin Evropën, as
të arrinin para dyerve të Vjenës në Austri, me gjithë ëndrrën e sulltanëve
gjakatar.
Gjergj Kastrioti-Skënderbeu me
gjeneralët dhe bashkëluftëtarët e tij trima, shkatërroi mese 20 ushtri të
huaja, ndërsa sipas Marin Barletit, vetëm ai me dorën e vet, asgjësoi mbi
3 mijë kundërshtar gjatë luftimeve në fushëbeteja.
Pas vdekjes së Gjergj Kastriotit dhe
rënies së Shqipërisë nën pushtimin turk, përkrenarja, shpata dhe mburoja e
kryeheroit tonë, u vendosën në muzeun historik evropian të armëve në Vjenë të
Austrisë, ku ato gjenden edhe sot.
Për meritat e tij të
veçanta Skënderbeu, më 1965, u shpall Hero Kombëtar i të gjithë
shqiptarëve, titulli më i lartë, me të cilin për vlerat dhe kontributin e
pa zëvendësueshëm të figurës së tij heroike, është nderuar vetëm ai deri
më tani, në gjithë historinë kombëtare të shqiptarëve anë e mbanë trojeve tona
etnike!
Ndërsa që nga fillimi i këtij moti
jubilar, në shenj kujtimi të 550 vjetorit të shkuarjes së kryeheroit tonë
në amshim, nga qeveritë e të dy shteteve shqiptare, në Shqipëri dhe Kosovë,
viti jubilar i tij, u shpall-viti mbarëkombëtar i Skënderbeut.
Veprimi si ide më duket e qëlluar, por
kufizimi kohor, jo krejtësisht i pranueshëm, sepse siç dihet që moti botërisht,
në realitet Gjergj Kastrioti-Skënderbeu nuk ishte as është emër- kujtimi, vetëm
për një vit, por hero e kryetrim i përjetësuar në legjendë të përgjithmonshme e
mit pavdekësie dhe epokë që nuk njeh kurrë fund as mbarim!
I pari që shkroi për kryeheroin tonë,
ishte prifti me origjinë arbërore Martin Segoni, në skicën letraro-historike
"Tregimi mbi Gjergj Kastriotin Skënderbeun" e cila sipas studiuesve
përmban të dhënat të rëndësishme, për figurën e kryeheroit tonë mbarëkombëtar.
Kurse librat e vjetër më me rëndësi,
kushtuar Skënderbeut vlerësohen ai i Marin Barletit (1508-1510),dhe i Gjon
Maria Vijemit, në shkrimet e të cilëve janë mbështetur shumica e historianëve
të huaj dhe shqiptar për krijimin e veprave të tyre dhe rindërtimin e historisë
së Skënderbeut.
Deri më tani, ka mbi 1200 vepra nga më
të përkryerat, jo vetëm letrare dhe artistike, por edhe muzikore e operistike
të cilat i janë kushtuar kryetrimit tonë legjendar.
Vetëm në ekspozitën e hapur me libra në
Bibliotekën publike "Marin Barleti" dhe Universitetin e Shkodrës, u
shfaqën më shumë se 120 tituj, 50 prej të cilëve thuhet se i takojnë fondit të
librave të rrallë, kushtuar kryeheroit kombëtar të shqiptarëve Gjergj
Kastriotit-Skënderbeut.
Megjithatë për turpin tonë njerëzor e kombëtar, në trojet shqiptare "tyrbe" u ngritën edhe për kryerenegat, si Ballaban Badera, në zonën e Petrelës, i cili masakroi mbi 14000 kryesisht gra e fëmijë të pafajshëm shqiptar, e që për fat të keq, në Petrelë ajo qëndroi e ngulitur deri më 1967, kur dhe u rrënua përfundimisht.
Po ashtu, ashtu "tyrbe"
u ngrit edhe për pushtuesin Sulltan Murati vetëm dy kilometra larg
ngrehinës 25 metërshe pushtuese, car-lazaresko-serbe, të cilat fatkeqësisht dhe
për turpin tonë edhe sot i bëjnë shoqëri njëra tjetrës në Gazimestan të
Dardani-Kosovës, madje që të dyja, me lejen dhe qëndrimin tonë të heshtur,
himnizohen nga turko-aziatët shqipfolës, dhe serbët, që vijnë nga Serbia, pa të
cilët, në ato mote është 100% e sigurt se shqiptarët do të kalonin
miliona herë më mirë dhe me dhjetëra-mijëra viktima më pak, kurse sot me heqjen
qafe të përkujtimoreve të tyre, do të ndiheshin shumë më qetë, me një të ardhme
më të sigurt dhe tërësisht rehat.
Figura historike
dhe udhëheqëse e cila u mungon për më tepër se 550
vjet shqiptarëve kudo, është dhe mbetet Gjergj Kastrioti Skënderbeu,
kryetrimi dhe kryeheroi ynë mbarëkombëtar, i cili krijoi shtetin e parë të
Arbërit, unifikoi dhe ktheu përfundimisht në rrugë të mbarë të gjitha trojet
tona etnike si dhe orientoi shqiptarët, bashkëkombësit e vet drejt
Evropës qysh në kohën e tij, një personalitet unifikues mbarëkombëtar, pa
të cilin shqiptarët, nuk do të ishin këta që janë, e ndoshta as këtu, dhe as
kështu si janë, për të cilin, edhe sot kanë nevojë më tepër se
kurrë, njëjtë nëse jo edhe më shumë, se 5 shekuj e gjysmë më
parë, kur kryeheroi ynë shkoi në amshim.
Lavdi jetës dhe veprës madhështore të
kryeheroit tonë mbarëkombëtar, i përjetshëm dhe i paharruar për jetë e mot,
qoftë kujtimi për Gjergj Kastriotin-Skënderbeun, njërin prej gjeneralëve
më të rëndësishëm të Evropës (Ludvig Holberg shkrimtar dhe filozof danez),
njërin nga shtatë "mbretërit" më të mëdhenj pa kurorë (Sir William
Temple-Baronet, burrështetas e diplomat anglez) dhe kryetrimin më të madh
shqiptar në histori!