Faleminderit
Agron Tufa: Ne nuk e merituam Konstandin Gjordenin
E marte, 21.01.2025, 07:59 PM
NE NUK E MERITUAM KONSTANDIN GJORDENIN
(in
memoriam)
Nga
Agron Tufa
Me
vdekjen këto ditë, mes mjerimit dhe shpërfilljes së plotë, të Konstandin
Gjordenit (24.4. 1957 -16*. 1. 2025), plotësohet simbolikisht tabloja e
pikëlluar dhe lënduese e fatit të të gjithë ish-të burgosurve politikë të diktaturës
komuniste. Ikja e Kostës kësisoj, pa lajm, pa asnjë përmendje në media (përpos
platformës virtuale kujto.al), pa asnjë ceremoni zyrtare, flet mjaftueshëm për
nivelin cinik të shtetit, qeverisë dhe shoqërisë. Kjo shpërfillje edhe për
vdekjen e tij, është vazhdimësi e shpërfilljes dhe braktisjes që i bënë
Konstandin Gjordenit dhe një pjese shumë të madhe të kësaj shtrese të masakruar
gjatë regjimit komunist, dhe braktisjes e shpërfilljes pas daljes nga burgjet
dhe kamp-burgjet naziskine të gulag-ëve komunistë.
Konstandin
Gjordeni ishte një hero i mbijetuar i Revoltës së të burgosurve politikë të
kamp-burgut të Qafë-Barit (22 maj 1984), ku mori dhe një plumb në shpatull
gjatë asaj masakre të drejtuar nga komandanti sadist i policisë së kampit,
Edmond Caja. Kështu pra mbarojnë këto histori çmeritëse, akulluese, turpëruese
e poshtëruese, edhe pas rënies së komunizmit: liga solidare e pushtërve,
xhelatëve dhe sadistëve të djeshëm nuk njeh kufi kariere e pushteti, ndërsa
viktimat, martirët e djeshëm si Kosta Gjordeni me shokë, do të shuhen të pavënë
re mes mizerjes, shpërfilljes dhe harrimit të plotë. Si mund të ishte, ndryshe
kur drejtësia qoftë e vjetër, qoftë e “reformuar”, mbushet me bastardët e po
asaj drejtësie të regjimit të Enver Hoxhës? Kur ende shpatën e drejtësisë e
luajnë Krajat, Sheshajt, Dvoranët e pafund?
Kosta
Gjordeni jo vetëm nuk u njoh si një hero i mbijetuar i masakrës komuniste të
Qafë-Barit, me dëshminë e gjallë të plumbit në shpatull për 25 vjet, por për
turpin e parrëfyeshëm, për absurditetin e referomave në Drejtësi të pas viteve
1990, ai mbeti dhe pa shpërblim, pa paratë e kompensimit, ndonëse qe dënuar dhe
ridënuar me mbi 23 vjet burg poliik.
Për
plumbin e marrë në masakrën e Edmond Cajës në Qafë-Bari, ku mbet i vdekur në
tortura Sandër Sokoli, dhe u pushkatuan Tom Ndoja dhe Sokol Sokoli, Kosta i
plagosur me plumb në shpatull u ridënua bashkë me shokët e vet, edhe me 15 vjet
të tjera në bazë të neneve 50/1 në kombinim me nenin 13 dhe 31/a, b të Kodit
Penal, pra të “terrorizmit në bashkëpunim”. Pra Revolta antikomuniste e
Qafë-Barit u gjykua nga drejtësia si “terrorizëm”. Kjo është në koceptin dhe
logjikën enveriste, nuk çuditemi.
Po
si ka mundësi, rri e vras mendjen për vite e vite, si ka mundësi që përgjatë 35
vjetëve drejtësia e një shteti që i thotë vetes demokratik, të lërë në fuqi për
Kostandin Gjordenin dhe qindra të tjerë që patën të njëjtin fat, akuzën
enveriste për “terrorizëm”?! Si ka mundësi që nuk e ndryshuan? Po çfarë
kafshësh, çfarë vemjesh, çfarë qeniesh të pështira paskan qenë! Dhe çfarë
fyerje për të gjithë...! Mjafton kaq, që të rëndojë turpi e përbuzja e
përjetshme për gjithë degjenerimin e vullnetit politik e juridik të Shqipërisë
postkomuniste. Nga e gjithë kjo mosdashje për t’i fshirë ligjet e drejtësisë
enveriste (edhe personazhet e kësaj drejtësie, natyrisht), e pësuan heronjtë,
martirët dhe viktimat si Kosta, që nuk përfituan dot as dëmshpërblimin, se –
dëgjoni – paskan qenë “terroristë” dhe, për më tepër, vazhdojnë të jenë.
Përjetësisht! E padëgjuar. E pabesueshme. Por, mjerisht, mbetet fakt.
Si
mund të përfytyrohej ndryshe nga ç’qe, fati i Kostës dhe sivëllezërve të tij?
...Eh,
Kosta, Kosta! Ti ishe një hero dhe një shembull edukimi në çdo shoqëri tjetër
të qytetëruar. Ne nuk të merituam! Nuk ishim të denjë! Ndërkohë që ti, për
njëzetë e pesë vjet mbaje në shpatull plumbin e Edmond Cajës në masakrën e
Qafë-Barit, sivëllezërit kainianë të Cajës bënë karrierë marramendëse. Ti e di
mirë, Kosta, njëri sosh i SPAK-ut, qe e drejtoi në mandatin e parë, Arben
Kraja, të parin akt që bëri në detyrën e Partisë, qe pushimi i kallëzimit penal
që kisha bërë ndaj sivëllaut të tij, Edmond Cajës. Nuk mund të prisnim ndryshe,
Kosta. I kemi kuvenduar këto gjëra bashkë më ty, Bedri Blloshmin , Ahmet Tufën,
Kastriot Dervishin e të tjerë, kur më dorëzove plumbin e Edmond Cajës, të
nxjerë nga shpatulla jote në vitin 2010, për ta ruajtur në ISKK. Këtë plumb e shpërfillën, Kosta, ndërmjet të
tjerësh, sidomos ata, që një teto e ligë na i imponoi si heronjtë e fëmijëve
tanë.
Shko
me Zotin, Kosta... Shko përdore me Zotin në parajsat e Tij të Pafundme
ngushëlluese. Të paktën, besoj se Atje, në Parajsat e Zotit tonë, do të gjesh
prehjen dhe ngushëllimin e munguar. Ne nuk të merituam Kosta... Asnjëherë. Për
më tepër e përdhosëm çdo ditë kujtimin e sakrificës tënde dhe të shokëve të
tu...
U
prehsh në paqe Kosta!
-------------
P.S: Data e shuarjes së
Kostandin Gjordenit, 16 janari, është ajo që gjeta në një portal. Data e saktë
mendohet të jetë me hershme, rreth një muaj më parë. Edhe kjo është tregues i
shpërfilljes dhe brakstisjes.