Faleminderit
Gjekë Gjonaj: Dr. Suzana Gjekaj, kolonelja e parë shqiptare në Forcat Ajrore të SHBA-së
E enjte, 27.03.2025, 07:57 PM
Dr. Suzana Gjekaj, kolonelja e parë shqiptare në Forcat Ajrore të SHBA-së
Trieshiania me një karrierë të shkëlqyer
akademike dhe ushtarake
Nga
Gjekë Gjonaj
Tashmë
dihet se femrat shqiptare janë shumë ambicioze. Ato janë të vendosura të
arrijnë diçka për veten e tyre, të ndërtojnë karriera të suksesshme, duke
emigruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Niveli i arsimimit dhe niveli i
përfshirjes së grave shqiptaro-amerikane në industri të ndryshme profesionale
është në rritje. Këto gra japin 100 për qind të vetes dhe janë të përkushtuara
për të avancuar rolin e tyre në shoqëri dhe komunitet. Këtë sukses e ka arritur
edhe amerikania me origjinë shqiptare, Suzana Gjekaj, e lindur në Guçi në vitin
1982.
Prejardhja
familjare
Rrjedh
nga një familje tradicionale malësore shqiptare me origjinë nga Trieshi -
Malësia e Madhe. Ajo është vajza e Gjon Kolë Gjekajt dhe Prenë Gjekajt. Të dy
janë nga Trieshi . Babai i saj është nga fshati Stjepoh, kurse nëna nga fshati
Budzë. Asnjë prej tyre nuk ka lindur në Triesh . Gjoni ka lindur në Guçi, ndërsa Prena në Lug të Bunarit , Gjakovë. Familja Gjekaj u shpërngul
nga Trieshi në Guci në vitin 1921, kur Gjon Marashi, atëherë zot i shtëpisë,
bleu tokën në Guçi për 5000 dinarë në atë kohë, ndërsa tokën në Stjepoh (Triesh)
e shiti për 9000 dinarë. Që atëherë, familja Gjekaj ka jetuar në Guçi deri në
vitin 1974, kur emigroi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Çifti Gjon dhe Prenë
Gjekaj kanë katër fëmijë: djalin Gjergjin dhe vajzat Marien, Valentinën dhe Suzanën.
Të gjithë kanë lindur në Detroit, Michigan dhe kanë përfunduar studimet e tyre
universitare. Gjon Gjekajn e kam takuar për herë të parë kur erdhi nga Detroiti
në Guci për të varrosur të atin, Kolë Gjekë Marashin, më 13 qershor 1994 –
Ditën e Shna Ndout.
Edukimi
dhe zhvillimi profesional
Suzana
Gekaj, ndonëse vjen nga një familje tradicionale fshatare nga Trieshi, arriti
të ndërtojë një karrierë të suksesshme ndërkombëtare, duke u bërë femra e parë shqiptare në Forcat e Armatosura të
SHBA-së që mban gradën e kolonelit. Karriera e saj në Forcat Ajrore të SHBA-së
filloi më 31 dhjetor 2003, kur ajo u rekrutua pasi mori një bursë prestigjioze
në Shkollën e Shkencave Shëndetësore. Ajo u diplomua në Universitetin e Detroit
Mercy në maj 2007, duke fituar dy diploma: një diplomë baçelor në shkencat
biologjike dhe një doktoraturë në kirurgji dentare.
Më
pas, pas trajnimit si komandante në bazën e Forcave Ajrore Maxwell në Alabama,
kolonele Gjekaj u caktua në bazën ajrore Holloman, New Mexico, ku shërbeu si
dentiste dhe oficere ndërlidhëse me Forcat Ajrore gjermane. Përvoja e saj
profesionale përfshin misione në disa nga bazat ushtarake më të rëndësishme të
SHBA-së në botë, duke përfshirë bazën ajrore Osan në Korenë e Jugut, bazën
ajrore Aviano në Itali, bazën ajrore Kadena në Japoni dhe bazën e forcave
ajrore Keesler në Misisipi, ku ajo mbajti dy pozicione si komanduese fluturimi
mbështetëse dentare dhe shefe e stomatologjisë pediatrike.
Për
më tepër, ajo shërbeu si profesoreshë asistente në Universitetin e Shërbimeve
të Uniformuara të Shkencave Shëndetësore, duke u dhënë mësim njerëzve të
interesuar në Programin e Arsimit të
Avancuar në Stomatologjinë e Përgjithshme.
Me
një karrierë të shkëlqyer akademike dhe ushtarake, kolonele Gjekaj
vazhdoi studimet dhe stërvitjet e larta në fushën e saj, duke u diplomuar në
Komandën e Lartë të Komandës së Shtabit dhe në Kolegjin e Luftës Ajrore. Në
vitin 2019, ajo mori certifikimin e bordit nga Bordi Amerikan i Stomatologjisë
Pediatrike. Aktualisht është shefe e Stomatologjisë Pediatrike në Bazën Ajrore
Ramstein, Gjermani.
Një
femër e thjeshtë, por një diamant i
çmuar
Ajo
që e karakterizon Dr. Susana Gjekajn, përveç aftësive të saj në fushën
mjekësore dhe ushtarake, është thjeshtësia dhe modestia e saj, të cilat janë
vlera morale që shërbejnë si shembull i përsosur për mbarë njerëzimin. Nuk ka
krenari apo arrogancë në karakterin dhe natyrën e saj njerëzore. Kjo është
përshtypja që mora nga një bisedë telefonike që patëm së fundmi kur ajo ishte
në Gjermani, duke u përgatitur për një vizitë njëmujore në Shqipëri, të cilën
ajo e kishte vizituar tashmë një herë. Është e admirueshme se sa e përulur(
modeste), por patriotike, duket kjo kirurge orale për fëmijët me aftësi të
kufizuara zhvillimore dhe një oficere ushtarake e lindur jashtë vendit me
arritje kaq të mëdha profesionale. Ajo është me të vërtetë një diamant i çmuar,
një nderim për familjen e saj, komunitetin shqiptar dhe një dëshmi e
përkushtimit të saj të palëkundur për t'i shërbyer vendit dhe profesionit të
saj. “Thjeshtësia e një gruaje është më e vlefshme se të gjithë diamantet e
botës”, ka thënë një nga figurat më të
shquara të kombit, Sami Frashëri.
Po
aq mbresëlënëse është edhe dashuria që ndjen kjo shqiptaro-amerikane për
shqiptarët, për traditën dhe kulturën shqiptare, si dhe për gjuhën shqipe që e
mësoi në fëmijëri nga prindërit e saj, të cilët flisnin gjithmonë gjuhën e
shtëpisë me fëmijët e tyre. Suzana kudo
ku studionte, punonte dhe vepronte, ajo nuk i mohoi rrënjët e saj, por gjithnjë
me krenari deklaronte se ishte shqiptare. Dhe ajo ndien një lidhje shumë të ngushtë me Malësinë e Madhe, me Shqipërinë, me Kosovën dhe me
vende të tjera etnike shqiptare. Ajo është krenare për kombin shqiptar,
flamurin dhe shqiponjën e tij. Kjo ndjenjë e patriotizmit shqiptar u pa qartë
në ceremoninë solemne të organizuar në shkurt të këtij viti në Kishën Katolike
Shqiptare “Shën Pali” në Miçigan pranë Detroitit me rastin e marrjes së gradës
kolonele në Forcat Ajrore të SHBA-së, ku flamuri shqiptar u valëvit përkrah
flamurit amerikan, pas të cilit qëndronte një imazh madhështor kombëtar dhe një
imazh kuq e zi. “U mbusha me krenari dhe gëzim të pamasë kur, nën tingujt e
këngës dhe muzikës shqiptare, familja dhe të afërmit e mi kënduan dhe kërcyen
vallen “Shota”, si dhe kolegët e mi të ftuar nga Forcat Ajrore të Shteteve të
Bashkuara, të cilët ishin magjepsur nga ushqimi tradicional shqiptar dhe rakia
e rrushit, që amerikanët e duan shumë”, thotë Suzana.
Ajo
besonte në vetvete dhe nuk u ndal kurrë.
Arritja
e majës së suksesit në çdo fushë profesionale është një rrugëtim i gjatë, i
mundimshëm me shumë sakrifica. Duhet shumë punë dhe përkushtim, sidomos në
ushtri. “Marrja e gradës kolonel në Forcat Ajrore Amerikane është shumë e
vështirë, sepse duhet shumë stërvitje, përgatitje ushtarake, stërvitje fizike
dhe aftësi të tjera të veçanta. Gradën kolonel mund ta marrin vetëm dy për qind
e oficerëve”, thotë me modesti Gjekaj.
Puna
e palodhur, përkushtimi ndaj qëllimit, pa justifikime apo faktorë të jashtëm
ishin frymëzimi dhe forca shtytëse për këtë kolonele. Ajo nuk lejoi ta prekte
asnjë ndjenjë shkurajimi, besonte në vetvete,
në aftësitë e saj, u besonte instinkteve, qëndronte vigjilente, e fortë
përballë të gjitha sfidave dhe nuk u ndal kurrë.( Koha javore)