E merkure, 30.04.2025, 05:30 AM (GMT+1)

Faleminderit

Dorian Koçi: Imzot Noli, është e mjerueshme që 60 vjetori i shuarjes Tuaj të kalonte në heshtje në Shqipëri

E hene, 17.03.2025, 07:55 PM


60 vjetori i fjetjes në amëshim të  Marathonomakut të mendimit shqiptar

Nga Dorian Koçi

Imzot Noli, është e mjerueshme që 60 vjetori i shuarjes Tuaj në amëshim të kalonte në heshtje në Shqipëri. Mesa duket në rastin më të keq idetë dhe vizionet e tua për Shqipërinë ende shqetsojnë "shakaxhinjtë e përparimit" që nën petkun e historianëve, kritikëve , estetëve përpiqen të zvogëlojnë veprën tënde dhe në rastin më të mirë institucionet e kujtesës historike e shoqërore i kushtojnë më tepër kohë teorive të menaxhimit  efikas  sesa përmbajtjes.

Fan Noli iu duk i çuditshëm  shoqërisë shqiptare , si i rënë nga qielli kur u thoshte shqiptarëve se pasuria nëntokësore që gjendej në tokë të bejlerëve u përkiste të gjithëve dhe shteti do bënte më të mirën për ta shitur e për të përfituar të gjithë. Iu duk i pafuqishëm ky njeri që thoshte që do t‘u jepte tokë dhe ndërsa fuqitë e Vrangelit dhe bateritë serbe rrihnin kryeqytetin për të sjellë Zogollin, ai luante klarinetë dhe lutej që “fali Zot se s’dinë se ç’bëjnë”.

E deshën shumë pak fqinjët se do t’u vinte kufirin tek thana, ndaj u bënë të gjithë bashkë me Pashic, Musolin e qeveritarë grekë për të mos e njohur e për ta përmbysur. Mirëpo këtë mëri të fqinjëve, ata të tjerët që kishin rendur në Beograd nga zemërimi popullor i vrasjes së Avni Rustemit e quanin “legjitime”, politikë të drejtë dhe sukses të tyre.

E cilësuan aventurier, sepse kërkonte të sillte qytetërim dhe barazi në një vend që s’kish ndryshuar për qindra vite me radhë. Gëzonin dhe fërkonin duart që ai s’i njihte dredhitë e vogla orientale të mësuar në oborre pashallarësh dhe që u jepnin përparësi që pushtetin e tyre ta shisnin për përparim. Disa historianë e quajnë sot këtë gjë, zotësi të kundërshtarëve të tij, zgjuarsi që buronte nga natyra e tyre popullore. Në fakt nuk është çudi që prej shekujsh në Shqipëri adhurohet i ligu dhe hileqari, që ka mundësi të ta hedhë dhe poshtërojë  tjetrin sesa vizionari dhe misionari që mundohet të mbjellë farën e ndryshimit. Fati i personazhit të quajtur Plug të Konicës në “Katër Përralla nga Zuzulandi” ka ndjekur gjithmonë fatin e idealistëve në Shqipëri.

Gjithsesi Fan Noli s’u mërzit kurrë me vendin e vet e mbeti fisnik deri në palcë. E deshi Shqipërinë më shumë se vetja dhe përherë i vinte keq për teatrin mizerabël që kishin ndërtuar “dallkaukët” dhe “kopukët” dhe “turmat pa tru”.

I paepur vazhdoi të kulturonte veten dhe kombin e vet me përkthimet dhe letërsinë që krijonte, duke u dhuruar shqiptarëve vargje të mrekullueshme dhe vepra të klasikëve i bindur se një ditë fjalimi i Mark Antonit te “Jul Qesari” do të kuptohej nga brezat që vinë. Ndjekjet e atyre që s’e deshën e përndoqën deri në Amerikë, ku hapnin fjalë se peshkopi që kish synuar reforma në vendin e vet ishte Peshkop i “kuq”, një akuze që i tejkalonte dhe përndjekjet e Komisionit MacCarthy dhe që shumë “studiues” të sotëm i përsërisin herë pas here si “pafajësisht” për të baraspeshuar traktatet e bashkëpunimit me të huajt që nënshkruan të tjerë.

Imzot Noli ju mbeteni gjallë në ndërgjegjen e kombit, një maratonomak që përcjell lajmin e fitores të së mirës mbi të keqen, të së drejtës mbi padrejtësinë, të përparimit mbi prapambetjen.

RRENT, OR MARATHONOMAK

Rent, or rent, rent e u thuaj

Se u çthur ordi e huaj,

Se betejën e fituam

Dhe qytetin e shpëtuam!

Rent, or rent,

Rent, or Marathonomak!

Kap një degë prej dafine

Dhe vërtitesh ndaj Athine,

Nëpër fush' e brek mi brek

Këmba tokën as t'a prek,

Hip' e zbrit,

Petrit, Marathonomak!

Ke një plagë, po s'e the,

Djers' e gjak pikon për-dhe;

Do që ti të jesh i pari,

Për triumfin lajmëtari

Flamur-gjak,

Kuqo, Marathonomak!

T'u tha gryka, po s'të pihet,

T'u mpi këmba, po s'të rrihet,

Se mileti po të pret,

Ankthi zëmrat ua vret,

Vrer e tmerr,

Shpejt, or Marathonomak!

Kurrë kaqë s'dogji djelli

Dhe si plumb s'rëndovi qjelli,

Kurr' aq ëmbël' e bukur s'ftoj

Hij' e lisit edhe kroj;

Turru tej,

Tutje, or Marathonomak!

Vapa mbyt e pluhri nxin

Ferra çjerr e guri grin

Afsha gjoksin përvëlon

Syrin avulli verbon;

Ur' e prush,

Furr', or Marathonomak!

Gryka si gjyryk të çfryn

Prej Vullkani flag' e tym

Se ç'vëngon e se ç'gulçon,

Zëmra brinjët t'i çkallmon

Me tokmak,

Mbahu, or Marathonomak!

Nëna, motra, nusja dalin,

Ngrehin krahët të të ndalin,

Mos, se s'janë veç Najada

Magjistrica dhe Driada;

Lark, or lark,

Lark, or Marathonomak!

Hajde, ja Akropolia,

Ja qyteti e njerëzia

Që të pan' e që të çquan

Dhe fuqinë t'a rishtuan

Ha dhe pak,

Hajde, or Marathonomak!

Ja, arrive, ua the:

Ç'gas e ç'helm qe kjo myzhde!

"E fituam!", brohorite

Dhe për tok' u-përpëlite;

Vdiq, or vdiq!

Vdiqe, or Marathonomak!

Rent kudo, dyke bërtitur,

Nëpër shekuj faqe-ndritur,

Se i vogli shtrin viganin

Dhe i shtypuri tiranin,

Veç e tok,

Tok, or Marathonomak!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Prend Buzhala: Klinë - Katër mësimdhënës të vrarë e të zhdukur në dy masakra dhe 18 arsimtarë të vrarë në luftë Prend Buzhala: Tomë Gjokaj, njeriu që theu mitin jugosllav të përkrahjes në SHBA në vitet 1989-1991 Neshat Mehmedi: Kënga për vëllezërit Jashar dhe Idajet Sejdiu është pasion dhe ushqim Petrit Dibrani: Kosova dhe mbarë trojet e Shqiptarisë humbën dy zëra të fuqishëm Sevdail Hyseni: Profesor Naser Zairi - një jetë e kushtuar arsimit dhe dijes Vlash Prendi: Misionari i pavdekshëm i Pajtimit Prof. Anton Çetta Ibrahim Kabili: Jakup Krasniqi, një intelektual dhe patriot me vlera të spikatura… Rrezart Kalaja: Belisar Jezerci - Një intelektual dhe patriot kundër islamizmit politik dhe pushtimit të huaj në Kosovë Gjekë Gjonaj: Shtjefën Gojçaj, mërgimtari malësor me zemër bujare që ëndërron bashkimin e trojeve shqiptare Nexhmedin Saqipi: Mulla Sulë Sllupçani- legjendë udhërrëfimi për gjeneratat e ardhshme Albert Vataj: Azem Shkreli, pena dhe parmenda e poezisë kushtruese shqipe Kadri Tarelli: Kujtesë për artisten e madhe Vaçe Zela...!? Sevdail Hyseni: Dr. Shefkije Hasani – një emër që nuk shuhet kurrë Hysen S. Dizdari: Një jetë kushtuar letërsisë, atdheut dhe kombit Ylli M. Dilo: Homazh për profetin dhe hujnorin Dom Shtjefën Kurti Gjon Keka: Trimi Ramush Haradinaj është pjesë e historisë së Kosovës, deshën apo nuk deshën disa Gjokë M. Gjoka: Ing. Nazmi Peci-Boletini, një personalitet i rrallë në Degën e LDK-së në Zvicër Gani Qarri: Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, përjetësim i shqiptarëve në histori Florim Zeqa: Faleminderit shpëtimtari ynë! Agron Tufa: Ne nuk e merituam Konstandin Gjordenin

Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx