E merkure, 30.04.2025, 05:24 AM (GMT+1)

Faleminderit

Nue Oroshi: Kujtesë për profesor Qazim Kabashin

E diele, 30.03.2025, 06:58 PM


Kujtesë për profesor Qazim Kabashin

Nga Nue Oroshi

Qytetit të Besëlidhjes Shqiptare, Prizrenit, sa më shumë që kalon koha, po i ikin veprimtarët, atdhetarët, profesorët dhe politikanët, të cilët dhanë shumë për shtetin e ri të Kosovës. Në mesin e shumë veprimtarëve nga Prizreni, që u angazhuan duke dhënë kontribut të pandërprerë, hynte edhe profesori i historisë, Qazim Kabashi.

Me Qazim Kabashin jemi njohur në tri periudha kohore, ku kemi vepruar dhe punuar bashkërisht. Në vitet tetëdhjetë, gjatë periudhës 1985-1989, e kisha profesor të historisë. Ai kishte një qëndrim të matur dhe përpiqej të jepte gjithçka nga vetja për t’ua shpjeguar nxënësve historinë e popullit shqiptar.

Qazim Kabashi vinte nga një fshat, ku jo rrallëherë shqiptarët e Kabashit kishin luftuar drejtpërdrejt me pushtuesit serbë. Më pas, gjatë viteve nëntëdhjetë (1991-1995), me profesor Qazimin kemi vepruar bashkërisht në Degën e LDK-së në Prizren. Ai ishte veprimtar i palodhur dhe shpeshherë shkonte nga një fshat në tjetrin për të marrë pjesë në takime që organizoheshin për të kundërshtuar Serbinë.

Edhe fshatrat e Famullisë së Velezhës e respektonin pa masë, sepse ishte nga ata profesorë që kishte një qëndrim kombëtar dhe nuk i ndante shqiptarët në baza fetare. Ai punonte ngushtë me veprimtarët e kësaj treve: Bernard Oroshin, Mark Spaqin, Simon Spaqin dhe Luz Palokën.

Vlen të theksohet se edhe pas luftës së Kosovës e deri më sot, fshati Korishë, bashkë me fshatrat Malësi e Re, Lutogllavë dhe Caparc, mbetën zona që nuk u prekën nga era e neootomanizmit, siç ka ndodhur në disa vende të tjera të Komunës së Prizrenit. Kjo u arrit falë intelektualëve si Qazim Kabashi dhe të tjerë të shumtë nga këto fshatra, të cilët i qëndruan besnikë shqiptarizmës.

Nga shumë aktivitete që zhvilluam për disa vite, më kanë mbetur në kujtesë shumë ngjarje, por për lexuesit dëshiroj të theksoj një moment të veçantë. Ishin vite të rënda, kur veprimtarët shqiptarë rriheshin, burgoseshin dhe maltretoheshin. Vetëm disa ditë më parë, ishin keqtrajtuar rëndë dy veprimtarë të Degës së LDK-së: Selatin Braha (baca Salë, siç e quanim ne të rinjtë) dhe Skënder Berisha, të dy tashmë të ndjerë.

Siç dukej, radha i kishte ardhur edhe Qazim Kabashit. Një ditë, kur shumë veprimtarë të Degës së LDK-së nuk guxonin më të vinin në zyrat e partisë në Prizren, ishim vetëm katër veta që i frekuentonim shpesh këto zyra: Islam Bajrami, Qerim Mamusha, Qazim Thaçi dhe unë, Nue Oroshi.

Një ditë, zyra u rrethua dhe hynë inspektorët e sigurimit serb. Ata kërcënuan: "Kërkojmë Qazën!"

Qazim Thaçi, i zënë ngushtë, u përgjigj: "Unë jam Qaza!"

Por kur i kërkuan letërnjoftimin, ata thanë: "Jo, po e kërkojmë Qazim Kabashin."

Për fat, atë ditë ai nuk kishte ardhur në zyrën e LDK-së në Prizren.

Pati edhe shumë ngjarje dhe veprime të tjera kur punonim bashkërisht, organizonim aktivitete kombëtare dhe profesori Qazim ishte i palodhur. Ai shpesh nuk kishte kohë të kujdesej as për familjen e tij, duke vepruar kombëtarisht.

Gjatë luftës në Kosovë, profesor Qazim Kabashi ishte përgjegjës për logjistikën në Batalionin e Kabashit. Në bazë të dokumenteve që posedoj për këtë batalion, për të cilin planifikoj të shkruaj një libër pasi të kompletoj materialin arkivor për qëndresën e këtyre fshatrave, Qazimi gëzonte respektin e të gjithë ushtarëve, pasi shumicën e tyre i kishte pasur edhe nxënës.

Pas luftës, Qazim Kabashi u zgjodh deputet në Parlamentin e Republikës së Kosovës gjatë periudhës 2001-2004. Megjithëse ishte deputet dhe e kishte mundësinë të pasurohej, ai nuk e zgjodhi atë rrugë. Zgjodhi të mbetej veprimtar i përjetshëm dhe shpeshherë udhëtimin për në Prishtinë e bënte me autobus, duke mos qenë ithtar i xhipave të zinj dhe jetës luksoze. Gjithmonë dhe kudo ishte i gatshëm të merrte pjesë në çdo aktivitet kombëtar.

Si historian, ai kishte mbledhur fakte dhe materiale për Masakrën e Kabashit të vitit 1913, ku u pushkatuan 112 shqiptarë nga Kabashi dhe rrethina. Ai mori pjesë në dy sesione shkencore të organizuara nga Shoqata "Trojet e Arbrit" dhe botoi dy punime shkencore: "Masakra e Kabashit në vitin 1913" dhe "E Djathta Shqiptare në Prizren dhe rrethinë", ku përmblodhi aktivitetin kombëtar të grupeve atdhetare nga Prizreni, përfshirë Grupin e Lidhjes së Prizrenit, GLP, grupin e NDSH-së, Grupin e Kabashit dhe të tjerë.

Teksa po i shkruaj këto rreshta, në mendje më vjen profesori im i historisë, Qazim Kabashi, i cili me krenari mbante ditarin në dorë dhe përpiqej t’ua shpjegonte nxënësve historinë e popullit shqiptar. Ai e ruajti gjithmonë krenarinë dhe nuk ra kurrë pre e lakmisë për pasuri. Me një fjalë, jetoi dhe veproi si burrat dhe atdhetarët e vjetër shqiptarë, të cilët i dhanë shumë Kosovës, por nuk morën asgjë në këmbim.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Gjekë Gjonaj: Dr. Suzana Gjekaj, kolonelja e parë shqiptare në Forcat Ajrore të SHBA-së Ibrahim Hajdarmataj: 'Udhëtimi' i fundit i Bajram Currit Sylejman Salihu: Faik Konica, ky princ i kulturës dhe i gjuhës shqipe Dorian Koçi: Imzot Noli, është e mjerueshme që 60 vjetori i shuarjes Tuaj të kalonte në heshtje në Shqipëri Prend Buzhala: Klinë - Katër mësimdhënës të vrarë e të zhdukur në dy masakra dhe 18 arsimtarë të vrarë në luftë Prend Buzhala: Tomë Gjokaj, njeriu që theu mitin jugosllav të përkrahjes në SHBA në vitet 1989-1991 Neshat Mehmedi: Kënga për vëllezërit Jashar dhe Idajet Sejdiu është pasion dhe ushqim Petrit Dibrani: Kosova dhe mbarë trojet e Shqiptarisë humbën dy zëra të fuqishëm Sevdail Hyseni: Profesor Naser Zairi - një jetë e kushtuar arsimit dhe dijes Vlash Prendi: Misionari i pavdekshëm i Pajtimit Prof. Anton Çetta Ibrahim Kabili: Jakup Krasniqi, një intelektual dhe patriot me vlera të spikatura… Rrezart Kalaja: Belisar Jezerci - Një intelektual dhe patriot kundër islamizmit politik dhe pushtimit të huaj në Kosovë Gjekë Gjonaj: Shtjefën Gojçaj, mërgimtari malësor me zemër bujare që ëndërron bashkimin e trojeve shqiptare Nexhmedin Saqipi: Mulla Sulë Sllupçani- legjendë udhërrëfimi për gjeneratat e ardhshme Albert Vataj: Azem Shkreli, pena dhe parmenda e poezisë kushtruese shqipe Kadri Tarelli: Kujtesë për artisten e madhe Vaçe Zela...!? Sevdail Hyseni: Dr. Shefkije Hasani – një emër që nuk shuhet kurrë Hysen S. Dizdari: Një jetë kushtuar letërsisë, atdheut dhe kombit Ylli M. Dilo: Homazh për profetin dhe hujnorin Dom Shtjefën Kurti Gjon Keka: Trimi Ramush Haradinaj është pjesë e historisë së Kosovës, deshën apo nuk deshën disa

Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx