| E diele, 30.03.2025, 06:58 PM |
Kujtesë për profesor Qazim Kabashin
Nga
Nue Oroshi
Qytetit
të Besëlidhjes Shqiptare, Prizrenit, sa më shumë që kalon koha, po i ikin
veprimtarët, atdhetarët, profesorët dhe politikanët, të cilët dhanë shumë për
shtetin e ri të Kosovës. Në mesin e shumë veprimtarëve nga Prizreni, që u
angazhuan duke dhënë kontribut të pandërprerë, hynte edhe profesori i
historisë, Qazim Kabashi.
Me
Qazim Kabashin jemi njohur në tri periudha kohore, ku kemi vepruar dhe punuar
bashkërisht. Në vitet tetëdhjetë, gjatë periudhës 1985-1989, e kisha profesor
të historisë. Ai kishte një qëndrim të matur dhe përpiqej të jepte gjithçka nga
vetja për t’ua shpjeguar nxënësve historinë e popullit shqiptar.
Qazim
Kabashi vinte nga një fshat, ku jo rrallëherë shqiptarët e Kabashit kishin
luftuar drejtpërdrejt me pushtuesit serbë. Më pas, gjatë viteve nëntëdhjetë
(1991-1995), me profesor Qazimin kemi vepruar bashkërisht në Degën e LDK-së në
Prizren. Ai ishte veprimtar i palodhur dhe shpeshherë shkonte nga një fshat në
tjetrin për të marrë pjesë në takime që organizoheshin për të kundërshtuar Serbinë.
Edhe
fshatrat e Famullisë së Velezhës e respektonin pa masë, sepse ishte nga ata
profesorë që kishte një qëndrim kombëtar dhe nuk i ndante shqiptarët në baza
fetare. Ai punonte ngushtë me veprimtarët e kësaj treve: Bernard Oroshin, Mark
Spaqin, Simon Spaqin dhe Luz Palokën.
Vlen
të theksohet se edhe pas luftës së Kosovës e deri më sot, fshati Korishë,
bashkë me fshatrat Malësi e Re, Lutogllavë dhe Caparc, mbetën zona që nuk u
prekën nga era e neootomanizmit, siç ka ndodhur në disa vende të tjera të
Komunës së Prizrenit. Kjo u arrit falë intelektualëve si Qazim Kabashi dhe të
tjerë të shumtë nga këto fshatra, të cilët i qëndruan besnikë shqiptarizmës.
Nga
shumë aktivitete që zhvilluam për disa vite, më kanë mbetur në kujtesë shumë
ngjarje, por për lexuesit dëshiroj të theksoj një moment të veçantë. Ishin vite
të rënda, kur veprimtarët shqiptarë rriheshin, burgoseshin dhe maltretoheshin.
Vetëm disa ditë më parë, ishin keqtrajtuar rëndë dy veprimtarë të Degës së
LDK-së: Selatin Braha (baca Salë, siç e quanim ne të rinjtë) dhe Skënder
Berisha, të dy tashmë të ndjerë.
Siç
dukej, radha i kishte ardhur edhe Qazim Kabashit. Një ditë, kur shumë
veprimtarë të Degës së LDK-së nuk guxonin më të vinin në zyrat e partisë në
Prizren, ishim vetëm katër veta që i frekuentonim shpesh këto zyra: Islam
Bajrami, Qerim Mamusha, Qazim Thaçi dhe unë, Nue Oroshi.
Një
ditë, zyra u rrethua dhe hynë inspektorët e sigurimit serb. Ata kërcënuan:
"Kërkojmë Qazën!"
Qazim
Thaçi, i zënë ngushtë, u përgjigj: "Unë jam Qaza!"
Por
kur i kërkuan letërnjoftimin, ata thanë: "Jo, po e kërkojmë Qazim
Kabashin."
Për
fat, atë ditë ai nuk kishte ardhur në zyrën e LDK-së në Prizren.
Pati
edhe shumë ngjarje dhe veprime të tjera kur punonim bashkërisht, organizonim
aktivitete kombëtare dhe profesori Qazim ishte i palodhur. Ai shpesh nuk kishte
kohë të kujdesej as për familjen e tij, duke vepruar kombëtarisht.
Gjatë
luftës në Kosovë, profesor Qazim Kabashi ishte përgjegjës për logjistikën në
Batalionin e Kabashit. Në bazë të dokumenteve që posedoj për këtë batalion, për
të cilin planifikoj të shkruaj një libër pasi të kompletoj materialin arkivor
për qëndresën e këtyre fshatrave, Qazimi gëzonte respektin e të gjithë
ushtarëve, pasi shumicën e tyre i kishte pasur edhe nxënës.
Pas
luftës, Qazim Kabashi u zgjodh deputet në Parlamentin e Republikës së Kosovës
gjatë periudhës 2001-2004. Megjithëse ishte deputet dhe e kishte mundësinë të
pasurohej, ai nuk e zgjodhi atë rrugë. Zgjodhi të mbetej veprimtar i përjetshëm
dhe shpeshherë udhëtimin për në Prishtinë e bënte me autobus, duke mos qenë
ithtar i xhipave të zinj dhe jetës luksoze. Gjithmonë dhe kudo ishte i gatshëm
të merrte pjesë në çdo aktivitet kombëtar.
Si
historian, ai kishte mbledhur fakte dhe materiale për Masakrën e Kabashit të
vitit 1913, ku u pushkatuan 112 shqiptarë nga Kabashi dhe rrethina. Ai mori
pjesë në dy sesione shkencore të organizuara nga Shoqata "Trojet e
Arbrit" dhe botoi dy punime shkencore: "Masakra e Kabashit në vitin
1913" dhe "E Djathta Shqiptare në Prizren dhe rrethinë", ku
përmblodhi aktivitetin kombëtar të grupeve atdhetare nga Prizreni, përfshirë
Grupin e Lidhjes së Prizrenit, GLP, grupin e NDSH-së, Grupin e Kabashit dhe të
tjerë.
Teksa
po i shkruaj këto rreshta, në mendje më vjen profesori im i historisë, Qazim
Kabashi, i cili me krenari mbante ditarin në dorë dhe përpiqej t’ua shpjegonte
nxënësve historinë e popullit shqiptar. Ai e ruajti gjithmonë krenarinë dhe nuk
ra kurrë pre e lakmisë për pasuri. Me një fjalë, jetoi dhe veproi si burrat dhe
atdhetarët e vjetër shqiptarë, të cilët i dhanë shumë Kosovës, por nuk morën
asgjë në këmbim.