E premte, 25.07.2025, 09:17 AM (GMT+1)

Faleminderit

Sadbere Emshiu: Ndihmësi pa zë i Kosovës – Lazim Destani

E hene, 16.06.2025, 06:59 PM


Me përulësi e ndjeshmëri shpirtërore ndaj Ditës së Çlirimit të Kosovës, e ndaj atyre që kontribuan në heshtje për lirinë dhe dinjitetin tonë kombëtar, e ndaj figurës së rrallë të Lazim Destanit – po ndaj me ju këtë kolumnë për botim në gazetën "Zemra Shqiptare" me një falënderim të veçantë.

Ky shkrim nuk është vetëm fjalë për një njeri të madh, por dëshmi e një përkushtimi që na frymëzon të gjithëve. Lexojeni me zemër!

***

Ndihmësi pa zë i Kosovës – Lazim Destani

Me rastin e 12 Qershorit 2025 – Dita e Çlirimit të Kosovës

Nga Sadbere Emshiu – Hamburg

Ka njerëz që shkruajnë histori me penë, e ka të tjerë që e ndërtojnë me zemër. Lazim Destani është një prej tyre — njeri i veprës, i heshtur në fjalë, por i madh në ndikim. Prej më shumë se katër dekadash, ai nuk ka reshtur së ndihmuari Kosovën, që nga vitet e 80-ta e deri më sot, në të gjitha periudhat vendimtare të rrugëtimit të saj drejt lirisë, pavarësisë dhe zhvillimit.

Qysh herët, ai e kuptoi se liria nuk fitohet vetëm me pushkë apo me diplomaci, por edhe me forcën e mbështetjes së përditshme, të pakushtëzuar dhe të qëndrueshme për popullin. Para se të shpërthente lufta, gjatë luftës, por sidomos pas saj, z. Destani e ktheu ndihmën në mision. Jo vetëm që ofroi mbështetje për mijëra familje që kishin humbur gjithçka, por ai ndërtoi nga themelet një pjesë të mirë të qendrës së Prishtinës, duke kontribuar direkt në ringritjen e kryeqytetit.

Një nga veprimet që më ka lënë mbresë të thellë ishte hapja e fabrikës së "Jeans" në Kosovë – një ndër nismat e para që synonin kthimin e dinjitetit të punës te të rinjtë pas luftës. Jo vetëm se u ofrua mundësi punësimi, por u dërgua një mesazh i qartë: Kosova ka potencial dhe meriton ta ndërtojë të ardhmen me duart e veta. Në një kohë kur shumë ndërmarrës të mëdhenj hezitonin të investonin në një vend të rrënuar, Lazim Destani veproi pa frikë – si një veprimtar i matur, i qëlluar dhe i pashoq.

Në jetën time si pedagoge e shkencave të pedagogjisë dhe gjuhësisë dhe aktiviste në diasporë, kam pasur rastin të ndjek nga afër veprimtarinë e tij. Lidhjet tona familjare nga fshatrat fqinj të Tetovës na kanë bashkuar jo rrallë, por ajo që na ka bërë bashkudhëtarë është përkushtimi i paralel në kahje të ndryshme për një qëllim të përbashkët: çështjen kombëtare dhe ndihma ndaj atdheut nga jashtë. Në kohën kur Fadil Sulejmani luftonte për legalizimin dhe themelimin e Universitetit të Tetovës, Lazim Destani ishte ndër mbështetësit e parë dhe më të qëndrueshëm. Ai ndihmoi pa bujë, pa kamera, por me shumë dashuri për dijen dhe të ardhmen. Në këtë rrugë kemi qenë bashkë, nga një qytet në tjetrin me Prof. Fadil Sulejmani dhe zotin Lazim Destani.

Roli i tij nuk është kufizuar vetëm në ndihmën humanitare apo financiare. Nëpërmjet angazhimit të tij në Dhomën e Biznesit të Diasporës, ai ka bërë që Kosova të përfaqësohet në forume ndërkombëtare të rëndësishme, duke e bërë të njohur potencialin ekonomik dhe profesional të shqiptarëve jashtë vendit. Përveç kësaj, me lobimin e tij të heshtur, ai ka ndërmjetësuar që mbi pesë shtete të njohin Kosovën si shtet të pavarur, për të cilën falënderim ka marrë nga kreu i institucioneve të vendit. Ai ka qenë ndër urat më të forta që e kanë lidhur diasporën me vendlindjen.

Sot, në çdo ceremoni zyrtare të shtetit të Kosovës, është e pamundur të mos e shohësh praninë e tij. Institucionet e respektojnë jo vetëm për ato që ka bërë, por edhe për atë që përfaqëson: një model të vërtetë të shqiptarëve të suksesshëm, të përulur dhe të lidhur përherë me atdheun.

Sot, Lazim Destani nuk është vetëm një personalitet i shquar me prejardhje nga Bozovca e Tetovës të Maqedonisë së Veriut – ai është figurë me përmasa gjithëkombëtare dhe ballkanike. Vepra e tij është vepër kombëtare. Ai nuk është politikani që flet, por është zëri i heshtur që vepron; nuk është emri që zë faqet e para për lavdi, por është themeli mbi të cilin janë ngritur shpresat e mijëra familjeve shqiptare.

Në këtë 12 Qershor, në Ditën e Çlirimit, krahas nderimit të heronjve dhe dëshmorëve, ne nderojmë edhe ata që e mbajtën Kosovën gjallë në heshtje – ata që kontribuuan për ditët e saj të bardha pa kërkuar asgjë në këmbim. Dhe Lazim Destani është i pari në këtë radhë.

Ndihem e privilegjuar të jem dëshmitare e veprimtarisë së tij, si nga afër, ashtu edhe nga larg – dhe gjatë tërë kohës, që nga fillimi i viteve '90, kur vepra e tij nisi të shkëlqejë në heshtje.

Burimi: Kosovarja – Dita e sakrificave shekullore për liri e pavarësi e unitetit tonë kombëtar



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx