E hene, 02.06.2025, 07:09 PM (GMT+1)

Faleminderit

Rejhane Rexhepi: Jeton Arifi – Ecja nëpër shi ma kujton mallin e luftës

E hene, 26.05.2025, 06:57 PM


Portret i luftëtarit të lirisë

JETON ARIFI: ECJA NËPËR SHI MA KUJTON MALLIN E LUFTËS

“Ecja në shi nuk është thjesht një udhëtim... është kthim në kujtimet e fushëbetejës. Është një ritëm që të rikthen ndjenjën e përkushtimit, qëndresës dhe dashurisë për atdheun. Në çdo hap të lagur, në çdo pikë shiu që bie mbi trup, zgjohet shpirti i luftëtarit që s’njeh lodhje, që ecën për ata që nuk janë më, për idealin që s’u tret kurrë. Ky burrë nuk ecën vetëm – ai bart me vete historinë, plagët dhe krenarinë e një populli të tërë.”

Nga Rejhane Rexhepi

Jeton Arifi, dikur një nga ushtarët më të rinj të Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc (UÇPMB), bart me vete jo vetëm plagët e luftës, por edhe barrën e rëndë të harrimit. I lindur dhe rritur në Konçul të Bujanocit, Jetoni mori armët në duar si adoleshent, në një luftë që nuk kishte të bënte vetëm me territore, por me dinjitetin, identitetin dhe të drejtën për të jetuar i lirë në tokën e të parëve.

Por, kur pushkët pushuan dhe UÇPMB u çarmatos, paqja erdhi me një çmim të hidhur. Si shumë bashkëluftëtarë të tij, Jetoni mbeti pa vendlindje, i dëbuar nga fshati i tij edhe pse ishte falur zyrtarisht nga shteti i Serbisë. E vetmja rrugë për të mbetur gjallë ishte të largohej për në Kosovë, ku u vendos familjarisht në Gjilan. Por në vend që të ndërtonte jetën e re, atje e priste një betejë tjetër—këtë herë kundër harresës, shpërfilljes dhe heshtjes institucionale.

Jeta në Gjilan nuk ka qenë aspak e lehtë. Jetoni dhe shumë ish-ushtarë të tjerë jetojnë në kushte të vështira ekonomike dhe sociale, të shpërndarë nëpër qytete të ndryshme të Kosovës, pa përkujdesje institucionale, pa status të qartë, pa mundësi punësimi dhe pa mbështetje për integrim. Kontributi i tyre në historinë e lirisë ka mbetur pa vlerësim.

Jetoni shpesh del vetëm në shi. E ka kthyer në ritual kujtimi. I lagur, ecën rrugëve dhe i lë piklat e shiut të përzihen me lotët e heshtur, ndërsa kujton betejat, shokët e rënë dhe ëndrrën që dikur e kishin për një të ardhme më të mirë në Luginën e Preshevës. Momente të tilla, thotë ai, e afrojnë me dheun që nuk i lejohet ta prekë, me kujtimet që ende digjen nën hirit e një politike të dështuar.

Por, ajo që e dhemb më shumë nuk është vetëm largimi i detyruar, por tradhtia ndaj idealeve për të cilat luftuan ai dhe shumë të tjerë. Klasa politike në Bujanoc, sipas tij, ka bërë shumë pak për të garantuar drejtësi dhe rehabilitim për ish-ushtarët. “Ne nuk ishim thjesht luftëtarë,” thotë Jetoni, “ne ishim zëri i një populli të harruar. Por sapo pushuan armët, u hesht edhe zëri ynë—këtë herë nga ata që premtonin se do të na përfaqësonin.”

Ai, flet me trishtim për kujtesën selektive të pushtetit lokal, që, sipas tij, ka dështuar të institucionalizojë sakrificën e luftëtarëve të UÇPMB-së. “Emrat tanë nuk janë nëpër pllaka përkujtimore, nuk përmenden në programe, nuk kujtohen në përvjetorë. Jemi si hije që enden mes kufijve—të padëshiruar atje, të pambështetur këtu.”

Megjithatë, Jetoni nuk e ka humbur ndjenjën e qëllimit. Beteja e tij vetëm është zhvendosur—nga fusha e luftës në një përpjekje personale për t’ia kujtuar botës, e veçanërisht popullit të tij, se liria nuk fitohet vetëm me armë, por mbahet gjallë përmes drejtësisë.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Lekë Mrijaj: Homazh në 47-vjetorin e kalimit në amshim të ish-Ministrit të Brendshëm të Shqipërisë, ing. Xhafer Deva Refik Hasani: Komandanti Ridvan Qazimi-Lleshi, "vritet" për të satën herë!? Mehmet Musa: Fjalim me rastin e 40 vjetorit të rënjes së heroit të kombit Zijah Shemsiu Bedri Tahiri: Komandant Ilaz Kodra – Ikonë e Trimërisë Bedri Tahiri: Shqipja e kreshtave të Shalës Idriz Zeqiraj: Trinomi harmonik: luftëtar, veprimtar dhe Kryetar Nderi Nue Oroshi: Leonard Paluca, heroi që u përjetësua në histori në Kosharën legjendare Albert Habazaj: Nermin Vlora Falaschi – humaniste, shkrimtare dhe albanologe e shquar Dorian Koçi: Lord Byron - Heroi Romantik dhe martiri i lirisë që frymëzoi Europën Artan Hoxha: 10 prill 1994 - 10 prill 2025 Kristinë Oroshi: Marie Zojzi Deda- një jetë e flijuar për liri dhe dinjitet Bedri Tahiri: Dëshmori i Pranverës Studentore - Ruzhdi Hyseni Kadri Tarelli: Prof. Dr. Murat Gecaj, mbeti në përjetësi Nue Oroshi: Kujtesë për profesor Qazim Kabashin Gjekë Gjonaj: Dr. Suzana Gjekaj, kolonelja e parë shqiptare në Forcat Ajrore të SHBA-së Ibrahim Hajdarmataj: 'Udhëtimi' i fundit i Bajram Currit Sylejman Salihu: Faik Konica, ky princ i kulturës dhe i gjuhës shqipe Dorian Koçi: Imzot Noli, është e mjerueshme që 60 vjetori i shuarjes Tuaj të kalonte në heshtje në Shqipëri Prend Buzhala: Klinë - Katër mësimdhënës të vrarë e të zhdukur në dy masakra dhe 18 arsimtarë të vrarë në luftë Prend Buzhala: Tomë Gjokaj, njeriu që theu mitin jugosllav të përkrahjes në SHBA në vitet 1989-1991

Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx