Faleminderit
Mehmet Kraja: Për Bujar Bukoshin
E enjte, 12.06.2025, 06:58 PM
PËR BUJAR BUKOSHIN
(Falë e mbajtur në mbledhjen përkujtimore)
Nga
Mehmet Kraja
Të
nderuar miq,
Nuk
kam dalë këtu para jush në emër të ndonjë institucioni, as në emër të ndonjë
pushteti. Jam këtu në emër të miqësisë dhe të vlerave që lidhen me të.
Me
Bujar Bukoshin më lidhi një miqësi e gjatë, pa asnjë pretendim, as për të
ndryshuar botën, as për të ndryshuar rregullat e jetës: thjeshtë u nisem nga
një ideal dhe arritëm aty ku arrijnë shumica e njerëzve të serës sonë: më shumë
të zhgënjyer dhe më pak të lumtur që bëmë një rrugë të mundimshme, për t’u
përballur së fundi jo në dimensionin abstrakt të një ideali, por me përmasën
reale të një bote, e cila pamëshirshëm t’i pamundëson dhe t’i shpërbën të
gjitha ëndrrat.
Megjithatë,
ne e bëmë pjesën tonë të historisë.
Në
bisedat tona të gjata, që nga fillimi, donim që Kosova të ishte ndryshe dhe
doli se ne nuk ishim opozitë e askujt: thjeshtë ishim opozitë e pamundësive
tona, opozitë e një realiteti që nuk lë shumë vend për idealizëm. Kultivuam
mendimin e lirë, si observim për Kosovën ndryshe nga rregullat obskurantiste të
besimit në një Zot të gjithpushtetshëm. Nuk e pëlqyem Kosovën mbretëri as
principatë, nuk u magjepsem nga asnjë idiolatri, por e deshëm Kosovën e
idealeve tona të kryehershme, pa ndryshuar asgjë në konfigurimin e
projeksioneve tona futuriste. Në këtë pikë, ndonëse shkenca ku kishte bërë hapa
profesionalë ia bënte gjuhën lakonike, Bukoshi ngjante më shumë me idealistët
ëndërrimtarë, të cilët kërkojnë me ngulm që “harmoninë qiellore” ta projektojnë
në realitetin e pamundshëm të politikbërjes pragmatike. Thënë ndryshe, nuk
ishim asnjëherë “të prerë” për politikën e rezultateve të pritshme, por ishim
të prerë për politikën e synimeve utopike, atje ku, siç është e ditur, nuk mund
të arrijë gjithkush.
Me
Bukoshin u njohëm në themelimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Për bindjen
time ne përbënim krahun më autentik të saj, sepse nuk kishim interesa, kishim
vetëm synime. Ky krah autentik nuk kërkoi dhe nuk mori mirënjohje dhe dekorata,
asnjë për be! Deshi vetëm që kjo histori suksesi të mos jetë ëndërr e pajetuar.
Të
nderuar miq,
Kohët
që kërkojnë heronj janë kohë të vështira, janë kohë me shumë kontradikta, që,
mbi të gjitha, kërkojnë sakrificë, kurajë, guxim dhe ndershmëri. Bujar Bukoshi
e përballoi këtë kohë të vështirë, edhe përkundër ëndrrave të këqija që dikush
mund të shihte për të.
U
prehsh në paqe, mik!