Faleminderit
Sadbere Emshiu: Haxhi Sehadini – Njeriu që ringjalli Brodecin
E hene, 02.06.2025, 06:58 PM
Kujtesa dhe rrënjët
Haxhi
Sehadini – Njeriu që ringjalli Brodecin (për një segment të shkurtër)
Nga
drita e diturisë në terrin e harresës – rrëfimi për burrin që e ringjalli
Brodecin, sot të mbetur në analfabetizëm
Nga
Sadbere Emshiu, Hamburg
I. Dy burrat dhe një
televizor
Në
një fotografi bardh e zi të vitit 1975, e bërë në dhomën e ndjenjës në Tetovë,
shfaqen dy burra me plis të bardhë: gjyshi im nga babai – Haxhi Sehadini – dhe
gjyshi nga nëna – Haxhi Musa. Në sfond qëndron një televizor i sapoardhur nga
Hamburgu. Kjo pamje familjare është më shumë se një kujtim – ajo simbolizon
takimin e dy botëve: një botë e heshtur, e lidhur me dheun, ciklin e natyrës
dhe urtësinë e thjeshtë, dhe një botë tjetër që ndriçohet nga drita e dijes,
shkronjës dhe ndryshimit.
Haxhi
Musa nuk njihte as numrin e as shkronjën, por e dinte vaktin si me sahat. Ishte
njeri i tokës, i ditur në mënyrë të heshtur dhe të thellë. Haxhi Sehadini, nga
ana tjetër, ishte njeri i fjalës së dhënë, i veprimit dhe i diturisë. Të
ndryshëm në shumë aspekte, por të lidhur thellë nga ndershmëria, burrëria dhe
respekti i ndërsjellë, si dhe krushqnia që kishin. Dy bijat e Haxhi Musës ishin
të martuara me bijtë e Haxhi Sehadinit, dhe bija e Haxhi Sehadinit për birin e
Haxhi Musës – një krushqi që mbarë edhe rreziqe mbajti në supet e saj, si në shumë
familje të malësisë së asaj kohe. Po këto dy krushq kujdeseshin për
mirëmbajtjen e miqësisë së dyfishtë, të thellë dhe të fortë.
II. Fëmijëri nën hijen e
Perandorisë Osmane
Haxhi
Sehadini lindi në vitin 1890 (?) ose 1898, në periudhën e fundit të Perandorisë
Osmane që kishte mbetur aty e këtu në Ballkan, dhe mbeti jetim që në moshë të
vogël. Fati e solli në një familje të shquar të Sherifëve me administratë, në
zemër të Tetovës, përballë xhamisë së Pashës. Aty mori edukimin e parë, mësimet
në gjuhë të huaja dhe një kulturë të thellë respekti për dijen dhe moralin.
Kur
u thirr për shërbimin ushtarak, ishte i shkrimit e i leximit, kështu që ndër të
tjerët mori si ushtar një trajnim të mirë dhe shërbeu me përkushtim për më
shumë se dy vjet, në orkestrin e bazës ushtarake. Para se të shpërthente Lufta
e Parë Botërore, ai ishte formuar si një figurë e veçantë e diturisë dhe
karakterit në vendin e tij.
III. Ringjallja e
Brodecit
Kur
u kthye në fshatin e lindjes – Brodec, gjyshi im solli me vete jo vetëm dije, por
edhe një vizion të qartë për të ardhmen. Ai ndërtoi shtëpi të reja, krijoi
familje të forta, bleu tokë dhe bagëti, dhe mbi të gjitha – u bë mësuesi dhe
kujdestari i komunitetit të mbarë katundit.
Ai
kujdesej me përkushtim që shkolla të funksiononte mirë, shkruante kërkesa për
hapjen e rrugëve që lidhnin Brodecin me fshatrat fqinj dhe Tetovën, sepse
Brodeci ndodhej në kodra ku vetëm kali dhe gomari mund të ngjiteshin. Në fshat
nuk kishte energji elektrike, por falë përpjekjeve të tij dhe familjes, birit të
tij Xhevarit, u soll energjia elektrike – një hap i rëndësishëm për jetën e
përditshme. Ai u përkujdes që uji i Sharrit të mbërrinte në çdo shtëpi, duke
përmirësuar ndjeshëm kushtet e jetesës.
I
përkushtuar dhe praktik, ai rrafshonte tokat, hapte shtigjet dhe ktheu
gurishtet në ara pjellore. Me zemër dhe zell, ai ringjalli fshatin, duke i
dhënë jetë dhe shpresë një vendi që rrezikonte të binte në harresë.
IV. Mësuesi i gjithë
fshatit
Në
Brodec, Haxhibaba Sehadin nuk ishte drejtë për së drejti mësues në shkollën e
vogël me dritare të pakta. Ai kishte një dimension tjetër: ishte mësues i
gjithë katundit.
Ai
sillte mësuesit për shkollën e fshatit, bënte regjistrimet e nxënësve dhe edhe
të lindjes së çdo fëmije të fshatit. Për të, mësuesi nuk qëndronte në objektin
e kështjellës së vogël të shkollës, por e kishte gjithë katundin në dorë – që
nga foshnja deri në pleqni, në çdo skutë të katundit.
I
afërt me çdo familje, ai ishte ai që i njihte të gjithë dhe kujdesej për të
gjithë. Një njeri që e jetonte arsimimin dhe përparimin si mision personal dhe
komunitar.
V. Brodeci pa Haxhibabën
Sehadin
Në
vitet 1971–72, familja jonë u shpërngul në Tetovë. Që nga ajo kohë, Brodeci
mbeti pa shpirtin e tij. Infrastruktura, ajo e paktë, u shkatërrua; rrugët u
harruan, kërkesat për të mirën e fshatit pushtuan heshtjen dhe mbrojtja e të
drejtave të tij u zbeh. Edhe pse janë ndërtuar disa shtëpi të reja, fryma e
zhvillimit u shua.
Aty
ku dikur dëgjohej zëri i burrit që i përkushtohej komunitetit, sot ndjehet
vetëm jehona e një kujtese të largët. Fshati, i shkëputur nga rrjeti i
përparimit, ka mbetur në analfabetizëm pothuajse total – si një ironi tragjike
e historisë së vet.
VI. Rrënjë që mbajnë
epokë
Haxhibaba
Sehadin lexonte gazeta, vishej me shije dhe ndërtonte ura komunikimi ndërfetare
e ndëretnike dhe kulturore. Ai ishte i pari që përkujdesjej për pajtimin e
familjeve në hasmëri dhe regjistrimin e çdo ngjarjeje që i përkiste
komunitetit.
Ai
i donte njerëzit dhe i respektonte traditat, por njëkohësisht besonte në
shkencë dhe përparim. Ishte një njeri përpara kohës – një pionier i së mirës që
vazhdoi të ndriçojë rrugën për brezat e ardhshëm.
VII. Kapitulli që nuk
mbyllet
Në
atë dhomë të thjeshtë ndjenjash ku u bë fotografia e famshme, vazhdon të jetë i
gjallë fryma e Haxhibabës Sehadin.
Ai
nuk ishte vetëm një burrë i kohës së vet, por një dritë e pashuar që udhëhoqi
brezat e ardhshëm – një simbol i përkushtimit ndaj familjes, fshatit dhe të
ardhmes. Trashëgimia e tij nuk qëndron vetëm në tokën e punuar, rrugët e hapura
apo ujin që shkon në çdo shtëpi, por në zemrën e komunitetit që ai ringjalli –
të fortë, të bashkuar dhe plot shpresë, edhe pse për një kohë të shkurtër.
Sepse
çdo vend, sado modest, mban brenda vetes një botë njerëzish që me dashuri, punë
dhe zemër e bëjnë atë të gjallë. Dhe kjo është ajo që Haxhi Sehadini na mësoi:
se vendi nuk është vetëm tokë, por frymë e përbashkët.
***
Kujtesë personale nga autorja,
mbesa e Haxhi Sehadinit
Pata
fatin e rrallë dhe luksin e pashoq të rritem nën hijen e dijes dhe urtësisë së
gjyshit tim. Ai ishte për mua një libër i gjallë, një mësues që më mësonte pa
libra. Prej tij mësova historinë e Perandorisë Osmane në vendin tonë, krisjen e
Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore, formimin e Jugosllavisë së pasluftës dhe
përbërjen artificiale të asaj që u quajt Republika Federative e Maqedonisë.
Sipas rrëfimeve të tij, Maqedonia e pasluftës ishte një "copë e
qepur" për të mbyllur një zgjidhje politike të sforcuar, jo një ndërtim i
natyrshëm historik.
Të
mësosh historinë drejtëpërdrejt nga një njeri që e kishte përjetuar me sy dhe
me zemër – kjo është një trashëgimi që nuk e ndërron me asnjë diplomë.