E diele, 01.06.2025, 08:07 AM (GMT+1)

Faleminderit

Nexhmije Mehmetaj: Lamtumirë, mësuese Urti Osmani!

E premte, 30.05.2025, 07:00 PM


Lamtumirë, mësuese Urti Osmani!

Qoftë i përjetshëm kujtimi yt!

Nga Nexhmije Mehmetaj

Me dhimbje të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të Mësueses së Popullit, Urti Osmani, më 26 maj 2025. Kjo humbje nuk është vetëm një dhembje personale, por një dhembje e madhe për mbarë arsimin dhe kulturën shqiptare. Urti Osmani ishte një figurë e ndritur, një grua me vlera të rralla njerëzore, intelektuale dhe atdhetare, një grua që gjithë jetën ia kushtoi dijes, përhapjes së saj, edukimit të brezave dhe ruajtjes së gjuhës shqipe.

Ajo nuk ishte thjesht një mësuese dhe një autore librash; ishte një dritë e pashuar në rrugën e arsimimit, një udhërrëfyese shpirtërore për shumë kolegë dhe nxënës që patën fatin ta njihnin, ta dëgjonin, ta lexonin apo të punonin pranë saj. Në të shihje urtësinë që përmbush emrin që mbante, modesti e thellë, por edhe një vendosmëri e jashtëzakonshme për të ecur përpara dhe për të bërë dritë aty ku kishte errësirë.

Me mësuesen Urti më ka lidhur profesioni, dashuria për gjuhën dhe kulturën tonë dhe veçanërisht përkushtimi ndaj arsimit shqip në mërgatë. Takimi ynë i parë ndodhi në Bernë, në qershor të vitit 2003, gjatë Konferencës së parë Kombëtare të Shkollave Shqipe të Mësimit Plotësues në Zvicër, të titulluar “Bashkërisht”. Në atë ngjarje të rëndësishme, ku morën pjesë mësues të SHSHMP nga e gjithë Evropa si dhe personalitete të njohura nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Mali i Zi, të pranishëm ishin prof. dr Shefik Osmani dhe mësuesja Urti, një figurë që rrezatonte përkushtim, qetësi, përvojë dhe thellësi shpirtërore.

Gjatë gjithë jetës, ajo ishte në krah të bashkëshortit dhe bashkudhëtarit të saj të pandashëm, prof. dr Shefik Osmanit. Ata të dy ishin bashkëpunëtorë të ngushtë të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” në Zvicër dhe kontribuues të palodhur në hartimin e teksteve shkollore për mësimin plotësues të gjuhës shqipe, jo vetëm në Zvicër por edhe në Gjermani, Suedi e shtete të tjera të Evropës. Nuk kishin luksin të akomodoheshin në hotele të shtrenjta, por gjithnjë gjenin ngrohtësinë e mikpritjen shqiptare në shtëpinë e atdhetarit prof. Mahir Mustafa, një figurë e shquar e LAPSH-it- e Shkollës shqipe në Zvicër.

Kam shkruar edhe më parë për kontributet e tyre të jashtëzakonshme, por me mësuesen Urti ruajta një lidhje miqësore që zgjati me vite. E kam vizituar në Tiranë, kemi shkëmbyer letra deri para katër vitesh. Në ato letra, ajo më jepte jo vetëm përditësime mbi jetën e saj, por edhe mendime, këshilla, ide për tekstet mësimore, kujtime nga jeta e saj dhe e bashkëshortit, duke ndarë gjithnjë me mua pasurinë e saj të pamat shpirtërore dhe intelektuale. Por, edhe shfaqte shqetësime se shtetet shqiptare nuk po përpiqen sa duhet për shkollat shqipe në diasporë.

Urti Osmani ka lindur në vitin 1928 në Libohovë, një familje me tradita të thella intelektuale dhe atdhetare. Ishte bija e Eqrem Qanos, një nga mësuesit e parë që në vitin 1943 dha mësim në shkollat shqipe në Prishtinë. Ajo vetë më ka treguar me emocione të mëdha se si babai i mori të gjithë familjen me vete në atë mision të shenjtë kombëtar. Kur vizitova Prishtinën në vitin 1997, ato rrëfime më erdhën përpara syve si një film i gjallë, si një pjesë nga kujtesa jonë kolektive.

Në çdo përpjekje për edukimin e fëmijëve shqiptarë në diasporë, Urti Osmani ishte aty: me lapsin në dorë, me zemrën plot dashuri për fëmijët dhe për gjuhën shqipe. Ajo nuk ishte vetëm mësuese në Shqipëri, ishte edhe një autore e bashkautorë e palodhshme për fëmijët shqiptarë. Në një letër që më dërgoi në tetor të vitit 1999, shkruante: “Unë u ndihmova shumë për tekstin ‘Plotësori i abetares’. Vendosa profilet e tingujve, formulova fjalitë përkatëse, gjeta fotografitë dhe skicat e nevojshme…” Në fakt, ajo kishte dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për ndërtimin e një abetareje të veçantë që ndihmonte fëmijët shqiptarë të lindur në mërgatë të mësonin më lehtë gjuhën amtare.

Ndër veprat e saj më të çmuara është edhe “Abetarja e posaçme”, një libër i hartuar me shumë kujdes e dashuri, që mbetet një pikë referimi për mësimdhënien e gjuhës shqipe jashtë atdheut. Ajo punonte me një përkushtim që nuk njihej nga orari, por nga zemra. Veprimtaria e saj është një monument i gjallë i përkushtimit arsimor e kulturor.

Urti Osmani jetoi në Tiranë, do të kujtohet gjithmonë si një grua e urtë, e mençur, e dashur, e qetë, por gjithmonë e pranishme, gjithmonë e gatshme të ndihmonte. Ajo u bë një emër i dashur për të gjithë ata që punuan në fushën e arsimit shqip, brenda dhe jashtë kufijve. Emri i saj është pjesë e historisë së arsimit kombëtar dhe kujtimi i saj do të mbetet i paharruar në ndërgjegjen tonë kolektive.

Qoftë i përjetshëm kujtimi yt, e dashur dhe e paharrueshme Urti!
U prehsh në paqe, në dritën që ti vetë e përhapje me zemër e mendje!

Malli është një valë që të përplas në bregun e kujtimeve. Një fotografi me mësuesen Urti, Tiranë 2018, me rastin e mbajtjes së Seminarit për mësuesit e Diasporës, erdhi të takohet me ne.

Nexhmije Mehmetaj

Gjenevë, 28. 05. 2025



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Rejhane Rexhepi: Jeton Arifi – Ecja nëpër shi ma kujton mallin e luftës Lekë Mrijaj: Homazh në 47-vjetorin e kalimit në amshim të ish-Ministrit të Brendshëm të Shqipërisë, ing. Xhafer Deva Refik Hasani: Komandanti Ridvan Qazimi-Lleshi, "vritet" për të satën herë!? Mehmet Musa: Fjalim me rastin e 40 vjetorit të rënjes së heroit të kombit Zijah Shemsiu Bedri Tahiri: Komandant Ilaz Kodra – Ikonë e Trimërisë Bedri Tahiri: Shqipja e kreshtave të Shalës Idriz Zeqiraj: Trinomi harmonik: luftëtar, veprimtar dhe Kryetar Nderi Nue Oroshi: Leonard Paluca, heroi që u përjetësua në histori në Kosharën legjendare Albert Habazaj: Nermin Vlora Falaschi – humaniste, shkrimtare dhe albanologe e shquar Dorian Koçi: Lord Byron - Heroi Romantik dhe martiri i lirisë që frymëzoi Europën Artan Hoxha: 10 prill 1994 - 10 prill 2025 Kristinë Oroshi: Marie Zojzi Deda- një jetë e flijuar për liri dhe dinjitet Bedri Tahiri: Dëshmori i Pranverës Studentore - Ruzhdi Hyseni Kadri Tarelli: Prof. Dr. Murat Gecaj, mbeti në përjetësi Nue Oroshi: Kujtesë për profesor Qazim Kabashin Gjekë Gjonaj: Dr. Suzana Gjekaj, kolonelja e parë shqiptare në Forcat Ajrore të SHBA-së Ibrahim Hajdarmataj: 'Udhëtimi' i fundit i Bajram Currit Sylejman Salihu: Faik Konica, ky princ i kulturës dhe i gjuhës shqipe Dorian Koçi: Imzot Noli, është e mjerueshme që 60 vjetori i shuarjes Tuaj të kalonte në heshtje në Shqipëri Prend Buzhala: Klinë - Katër mësimdhënës të vrarë e të zhdukur në dy masakra dhe 18 arsimtarë të vrarë në luftë

Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx