Faleminderit
Ndue Dedaj: Ndue Cara, doktori i pashembullt i pukjanëve
E diele, 29.06.2025, 01:55 PM
NDUE CARA, DOKTORI I PASHEMBULLT I PUKJANËVE
NGA
NDUE DEDAJ
Doktor
Ndue Cara ishte një personazh i “çuditshëm” i kohës së sotme, në rrethin e
Pukës, ku shërbeu gjithë jetën e tij 77-vjeçare (u nda nga jeta pak ditë më
parë). Ai qe drejtues në të dy kohët, gjithëherë i njëjti, dje si shef i
Shëndetësisë së rrethit, pa qenë anëtare Partie, në vitin Dy Mijë si
kryebashkiak i Pukës për një mandat dhe më pas për dy mandate kryetar i komunës
së Gjegjanit. Ato vite që i mbeti “borgj” komunitetit si mjek, teksa ishte
drejtues i pushtetit vendor, ia ktheu duke shkuar mjek në skajin më të largët
të rrethit, në Fierzë pas daljes në pension për më shumë se një dhjetëvjeçar.
Të
gjithë shkonin drejt Tiranës, kurse doktor Ndue Cara ngjitej në pleqëri maleve,
si të ishte djalosh në fillimet e
karrierës, atë fillim vitesh ‘70. Mund të jetë i vetmi ish-kryebashkiak në Veri
që nuk zuri si të tjerët Tiranën. Në Pukë e veshi për herë të parë bluzën e
bardhë dhe po aty e la, kur mbylli sytë, pas një sëmundje të rëndë. Bash për
këto veti të karakterit dhe të personalitetit të doktorit, në varrimin e tij në
qytetin e Pukës, ku është familja, u dyndën aq shumë pukjanë, mirditorë e jo
vetëm, nga Tirana, Shkodra, Lezha etj.
Gjithmonë
janë çmuar njerëzit kundër “rrjedhës”, dhe doktori ishte një i tillë. Na ka
rastisur të takojmë disa veta që e kanë njohur qysh herët dhe kanë punuar me të
në mjekësi, apo në pushtetin vendor, dhe, siç është bërë zakon të thuhet,
“fjalët më të mira”, ose, më saktë, nga ato çka thoshin, përvijohej natyra e
tij si njeri që nuk bënte kompromis me asgjë që nuk ishte e ndershme. Një rast
nga vitet ’80. Në Shkodër bëhej analiza vjetore e shëndetësisë, me pjesëmarrjen
e anëtarit të Byrosë Politike që mbulonte sektorin. Ai e kritikoi shefin e
shëndëtësisë së Pukës dhe tha se do të shkarkohej për mosarritje në punën e
disa qendrave shëndetësore në zonat e thella, dhe në çast shefi Ndue Cara, mori
çantën e me hapa të lehtë, doli nga salla e mbushur plot e përplot me personel
mjekësor. Mbas mbledhjes, zëvendëskryeministri u kujtua për të dhe vajtën e e
thirrën. “Si ike ashtu, nga mbledhja?” “A nuk më shkarkuat, çfarë do të bëja më
aty?” ishte përgjigja, që bëri të vijonte në dëtyrë.
Ai
nuk dinte t’i lustronte gjërat, t’i zbuste vështirësitë duke fajësuar të
tjerët, duke bërë premtime që nuk mund të mbaheshin. Ai si mjek dhe kuadër
drejtues ishte i ndërgjegjshëm për vështirësitë e shumta të një rrethi si Puka,
me një terren jashtëzakonisht të thyer dhe të hapur dhe këtë donte që ta dinte
mirë dhe udhëheqja e vendit, duke mos kërkuar të pamundurën. Evidencat ishin
gjëja e fundit për të, i rëndësishëm ishte shëndeti i njerëzve. Mund të
tregohen plot episode për Nduen si kuadër dhe mjek, por nuk është vendi për t’u
zgjatur. Ama, ishin këto tipare në punën e tij që e bënë të votohej sa herë kandidonte.
Urtësia, përkushtimi, fjala me vend dhe ai “rebelizmi” ndaj burokracisë do të
shfaqeshin dhe në kohën që ai drejtonte Pukën apo Gjegjanin si kryetar vendor.
I respektonte dhe bashkëpunonte me të gjithë ata lart, por paktin e kishte me
njerëzit e thjeshtë, deri në frymën e fundit.
Njerëz
si doktor Ndue Cara ikin në heshtje, por nuk mbetën në heshtje...