Faleminderit
Albert Habazaj: Sulejman Kapo Abazaj – Atdhetari që s’mund të harrohet
E diele, 27.07.2025, 06:56 PM
Sulejman
Kapo Abazaj, 12.01.1913
SULEJMAN KAPO ABAZAJ - ATDHETARI BUJAR I TËRBAÇIT DHE VLORËS, QË S’MUND TË HARROHET
Nga
Albert HABAZAJ
Mirënjohje fisnikja Monda Lleshi
Qysh në fillim të këtyre radhëve
nderimtarie për atdhetarin bujar
Sulejman Kapo Abazaj (1913-1994), dua të shpreh mirënjohjen time për ndihmesën
e dhënë dhe besimin e shfaqur nga zonja Rajmonda Lleshi për të shkruar dy radhë
për atdhetarin bujar Sulejman Kapo, i cili meriton jo një shkrim, por një
monografi të vëmendshme, se ka qenë burrë me vlera dhe me një jetë të pasur në
virtyte. Le ta kujtojmë me një shkrim të vogël, por shkruar me dashuri të
madhe, siç ka këshillonte dhe Shën Tereza. Jo me autolëvdata apo me histori të
stisura e shtampa për çdokënd që shkruhen monografia, të cilat të shkaktojnë përzierje...
Monda është e bija e Sulos nga Tërbaçi
dhe Dudisë nga Dukati. Banon me familjen e saj fisnike dhe intelektuale në
Tiranë, është në pension dhe shumë e nderuar si veterane e arsimit dhe edukimit
shqiptar. Pa burimin e bollshëm shkrimor, pa mbresat dhe besimin e Mondës ky
shkrim do të ishte i çalë dhe i padobishëm për faqet e paplotësuara të
historisë.
Monda ka lënë gjurmë me dritë si
mësuese me emër të vlertë në Vlorë, Dibër (është nuse në Lleshajt e historisë);
veçanërisht në Tiranë, ku ka qenë pedagoge e anglishtes dhe ka merituar
admirimin në sa e sa breza nxënësish e studentësh, sikur të ishte një nënë
shembullore e tyre.
Është një fjalë e
urtë e popullit shqiptar, që sjell traditën e lartë të të parëve tanë: “Ku ka rrjedhë do pikojë, do vejë soja në
sojë”. I shkon për shtat ky proverb edhe profilit të këtij shkrimi. Vlej ta
shpreh qysh në fillim mirënjohjen time për përkushtimin, vëmendjen dhe
përgjegjshmërinë e bijës së xha Sulos, mësueses veterane me banim në Tiranë, e
cila më dhuroi mesazhin e lartë që të mos harrohen apo më keq të grisen nga
historia dhe kujtesa kolektive njerëz,
vepra e të cilëve ka qenë në dobi përtej familjes e në shërbim të Atdheut.
Zonjës së nderuar Rajmonda Lleshi, qytetare dhe atdhetare e devotshme, i jam
mirënjohës, sepse (maksimalisht brenda mundësive që i lejon mosha) është një
pishtar i ndezur për mua për të bërë vepra të mira, të bukura, humane, të
dobishme, së pari vepra të vërteta. Bijë Vlore, labe, me baba nga Tërbaçi e
nënë nga Dukati, e nuse Dibre ajo njeh mirë përveç jetës qytetare, edhe normat,
doket, traditat e zakonet e trevave shqiptare, patjetër dhe të malësisë së
Labërisë apo të malësisë së Dibrës. Me një thjeshtësi, sa njerëzore aq hyjnore,
Monda më rrëfen se e ëma, Dudia është e bija e Muhamet Mazes, njërit nga
komandantët e çetës së madhe të Dukatit në Luftën Kombëtare të Vlorës, 1920,
për të cilin, me ndihmën e pakursyer të Mondës, në ciklin e shkrimeve për
100-vjetorin e Njëzetës botova shkrimin: “Dukatasit në
Epopenë e Luftës së Vlorës: Faqe të ndritura, të panjohura nga Lufta e
Vlorës: Muhamet Mazja me dukatasit në Epopenë e Njëzetës”, më 24.06.2020 (shih linkun: https://telegraf.al/speciale/albert-habazaj-dukatasit-ne-epopene-e-luftes-se-vlores/
Raimonda Sulejman
Kapo Abazaj Lleshi, e dinjitetshme dhe shembullore në rrëfimtarinë e saj të kulluar,
na kujton se
stërgjyshi i mamasë së saj nga e ëma është Hamit Selmani
(1844-1923), atdhetar e bir atdhetari, figura më e spikatur në fshatin e madh
të Dukatit në vitet 1900, mik i Ismail Qemalit, me kapital të madh, i nderuar
në krahinat e Vlorës dhe burrë me merita, anëtar i Komitetit “Mbrojtes
Kombëtare” të Luftës së Vlorës, një ndër 12 Apostujt e Shqiptarizmës, krahas
Osman Haxhiut, Halim Xhelos, Murat Tërbaçit, etj.
“Stërgjyshi i
mamasë nga babai - vijon rrëfimin Monda - është Dervish Ali Ajani” (1794-1851).
Ai është quajtur Legjenda e Dukatit, ka qenë një nga prijësit më të njohur në
krah të Zenel Gjolekës, Rrapo Hekalit, Tafil Buzit, Cane Miftarit, Lulo Abazit
dhe udhëheqësve të tjerë popullorë të kuvendeve të mëdha të kohës dhe
kryengritjeve antiosmane kundër Tanzimatit që shpërthyen në Shqipërinë e Jugut,
1847. Kullat e Dervish Aliut në Dukat kanë marrë statusin monument kulture në vitin 1979.
...Vijmë tëhu në
kohë, para rreth 3 vjetësh. Ishte data 12 dhjetor 2022. Rajmonda Lleshi më shkruante nga Tirana: “Babai ynë në 11
Janar 2023 ka 110 vjetorin e lindjes... Ne jemi nga 71-81 vjeçarë...”.
E kuptova që
kishte një merak, një shqetësim…
“Po sikur të bëj
një shkrim, sipas një vështrimi tim, më tepër si nderim për atë bujar të fisit deri tej Vlorës
për vlerat humane që mbartte?! Si mendon?”
“Ke bekimin tonë” - më thotë Monda - . Autoritet
dhe mirësi shfaq qysh në pamje. Bashkëbisedimi ynë ishte i dëlirë, si bora e
Çikës dhe e Korabit: - Mirënjohja te unë nuk është stoli. Korrektesa është
normë, - thotë Monda. - Mirënjohje shpirti për Besimin. Besimi është
Bekim. Ata prindër, që lanë gjurmë në
edukimin atdhetar dhe në historinë kombëtare janë të paharrueshëm në kujtesën e
ndritshme e ne kujtimtarë të
bekuar nga urata e tyre e bardhë! Dudi dhe
Sulejmën Kapo Abazaj janë jo thjeshtë imazh, janë Kujtesë Dinjiteti.
Unë jam në mes të udhëtimit e më tutje
sa të mundem në misionin që kam ndërmarrë për të shkruar historinë e pashkruar;
të rrëfej dhe të nderoj historibërësit me të vërtetat e ndodhura, të
dokumentuara, por jo të dëshiruara të atyre personave dritërues që u kthyen në
personazhe historikë (që nga ata lokalë, në qelizë, por me gjurmë të dukshme
qytetare dhe kombëtare), apo për të hequr pluhurin sa e sa vjeçar ndoshta dhe
shekullor të harresës historike ndaj tyre për një arsye apo një tjetër.
Disa historishkrues lënë për të
dëshiruar me ç’ka harxhojnë kohë, letër e lekë kot a dëmshëm.
Një pishtar shkrimor për xha Sulon
Si për çdo ndërmarrje timen, ndjej se
vlen një përkushtim serioz e dinjitoz për gjithçka shkruaj dhe, sa mundem, e
realizoj, veçanërisht ç’ka lidhet me Tërbaçin dhe familjen Habazaj. Më duket
vetja se jam para një sprove, një provimi moral përpara të parëve tanë, gjakut
të derdhur, eshtrave të tyre, jetës që bënë e veprës që na lanë. Nuk e kemi
natyrë të mburremi, por jemi krenarë dhe të ndërgjegjshëm për të parët tanë,
për të afërmit tanë, që u treguan tepër modestë ...
“Ata dinin histori, ata bënë histori” -
shpreh Monda një të vërtetë. Ne kemi nderin ta ruajmë, ta pasurojmë atë dhe t’jua përçojmë brezave të pa bërë
pis...
Ndër më të mirat e vlerave që u
rezistuan kohërave, që meritojnë lartësim dhe jetësim janë edhe profili, jeta,
udhëtimi i bujarit të urtë e të matur të Tërbaçit, Sulejman Kapo Abazaj, te i
cili, ndër shumë virtyte, spikasnin dy cilësi: idealizmi atdhetar dhe humanizmi
qytetar.
Tradita dhe rrënjët
Është dhe një fjalë e moçme, që m’u
kujtua duke shkruar këto radhë për xha Sulon, është urtësi që vjen nga shekujt
e materializuar dhe shkon stafetë bardhësisht e bukur brezave: “Rigoni nuk bëhet lis/ Fisi do vejë në fis”.
Pse po e përmend? Po, ja, a nuk ia vlen
të njihemi sadopak me rrënjët e personazhit të shkrimit?!
Më 12 janar 1913, të urtit tonë Kapo
Miftari (vëllait të Murat Miftar Tërbaçit me emër) i lindi fëmija i parë.
Djalë! Dy të shtëna mauzeri u dëgjuan nga dera e madhe e Habazajve, që, sipas
zakonit, lajmëruan vëllazërinë, mëhallën, miqësinë, fshatin e krahinën për këtë
gëzim të madh tradicional.
“Lindi guri i themelit”, u shpreh për
djalin e madh të Kapos - i madhi i shtëpisë Myftar Agai, (që ishte dhe djali i
madh i kapedanit të Tërbaçit Lulo Abaz Mehmetit me histori të madhe dhe 400
këngë). Djalin e quajtën Sulejmën, në nderim të mikut të ngushtë të Familjes
Abazaj, Sulejmën Kapos nga fshati Vajzë (i ndarë nga jeta, baba i Rexhep
Sulejmënit dhe gjysh i Perlat Rexhepit - Hero i Popullit.)
Sulejmëni, dhe bashkë me të dhe 12
vëllezër e motra, u rritën me kujdesin për të njohur dhe më vonë për të ecur në
udhën atdhetare të familjes së tyre. Babë Myftari, që ishte gjysh i djemve të
Kapos, tregohej i kujdesshëm që nipërit të edukoheshin “si ua hiq Dera”, jo vetëm
me krenarinë, por edhe me traditat për të pritur dhe nderuar miqtë e familjes.
Abazajt kanë histori nderi në luftën për liri me të gjithë pushtuesve: osmanë,
grekë, italianë e gjerman.
Tërbaçi është fshat kapedanësh, vetëm
ne Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare dolën 290 partizan dhe 60 ranë për
Atdhe.
Pesha e fjalës vlerësohej jo vetëm në
kuvende por edhe në familje, i madhi i shtëpisë, nderohej jo vetëm për moshën
por veçanërisht për urtësinë e mendimit dhe për “shpatën” e vendimit...
Pak fjalë për babain e Sulos - Kapo
Miftar Abazin (nipin e Lulo Abazit)
Kapua lindi në Tërbaç në vitin 1886 dhe
vdiq në 30 Dhjetor 1938. Nëna e tij Vezikua ishte nga fshati Sinanaj i
Tepelenës nga një familje e dëgjuar. Kapua lindi dhe u rrit në kushte kur
familja e tij kish një pozitë ekonomike dhe shoqërore të mirë. Në vitin 1909,
në moshën 22 vjeç, martohet me Meze Mustafa Laçen (Hoxhën një familje me
tradita patriotike) nga Tërbaçi, lindur në vitin 1893 (nëna e saj Bejlerja
ishte bijë e Dalanit nga Bolena [Dalan Shaipit]). Nga kjo martesë lindën 13
fëmijë; Zilua, Sulejmëni, Hysniu, Vezikua, Afërdita, Erveheja, Rexhia,
Karafili, Myrveti, Enveri, Inxhia, Ilmiu, Lumturia. Kapua ka qenë anëtar i
shoqërisë Bashkimi, Ka marrë pjesë në Luftën Kombëtare të Vlorës, 1920, po
ashtu me forcat vullnetare që shkuan deri në Lushnjë si mbështetës të
Revolucionit të Qershorit, së bashku me Mihal Peçon, Gani Iljazin etj.
Rrugës për te rrënjët. Një nga bujarët e Tërbaçit, Sulejman
Kapo Abazi (stërnipi i Lulos)
Në vitin 1919 Sulejmani (S.K), në
moshën 6 vjeçare, nipi i parë i Myftar agait, i biri i Kapos dhe Mezesë, filloi
mësimet e para në shkollën e fshatit që ishte te “vështi i Sinane” ku mësues
ishte Gani Iljazi (Abazi) kushëri i parë i Kapos, një mësues italian, etj. Me
mbarimin e fillores në fshat, në vitin 1922 xhaxhai i tij, Murat Tërbaçi
(mësuesi i parë nga Tërbaçi, Anëtar i Komitetit të Mbrojtjes Kombëtare të Luftës
së Vlorës, 1920, një personalitet i shquar në Historikun e lëvizjeve
demokratike në Vlorë dhe më gjerë), vendosi që Sulejmënin dhe më pas Hysniun
(dy djemtë e mëdhenj të Kapos - vëllait të tij) t’i marrë në shtëpinë e tij në
Vlorë për t’u shkolluar. Sulejmëni, prej moshës 9-30 vjeç, është nxënës në
qytetin e Vlorës falë kujdesit të drejtpërdrejtë të xhaxhait, interesimit të
prindërve dhe këmbënguljes së tij për shkollim. Pra Murati nuk ka
vetëm 3 vajza (Faton, Jetën e Hairijen) por edhe dy djemtë e vëllait
(Sulejmënin dhe Hysniun), edhe Kapua kishte jo vetëm 13 fëmijë, por edhe 3 vajzat
e Muratit. Kjo ishte vëllazëria.
Sulejmëni fillon mësimet në Shkollën e
Muradijes (Plotoren 6 vjet). Drejtori i shkollës së Muradijes, z. Gani Dizdari
përcillte konsiderata dhe vlerësime
shumë të mira te familja. Ka pasur si mësues Halim Shpuzën nga Shkodra,
patriot i cili e donte dhe vlerësonte shumë (në familje ruhet një letër e tij),
Musa Muhon, Jorgji Cekon, Llazar Eftimjadhin, Qazim Ismailin, Qazim Imamin etj.
Mësimet në shkollë bëheshin para dhe pasdite. Sulua, në moshën 9 vjeç në vitet
(1922-1925), për të shkuar në shkollë bënte 7 km rrugë çdo ditë nga Bestrova (ku jetonte xhaxhai) në
Muradije në këmbë, në shi e në erë, ditën dhe natën dhe nuk “harronte”
paraqitjen e rregullt, të pastër dhe mësimet e përvetësuara. Ishte fëmijë
sedërli, trim dhe i zgjuar... Familja ishin krenare për të. Me përfundimin e
Plotores në shkollën e Muradijes (shkollë ku pas çlirimit, mësuan te 5 fëmijët
e tij Vladimiri, Flora, Aladini, Fatosi,
Raimonda dhe bashkëshortja e tij e nderuara, Mësuese Dudia, që punoi aty si
arsimtare në fillore dhe nxënësit i shikonte njësoj, i donte dhe i edukonte si
t’i kishte fëmijët e saj)...
Në shtatorin e vitit 1928, Sulejmëni
merr pjesë në konkursin e pranimit në Shkollën Tregtare (në lagjen e Ujit të
Ftohtë), fiton konkursin dhe të drejtën për të studiuar, fiton gjithashtu edhe
të drejtën e një burse me miratim të komisionit me drejtor, z. Zihni Hamzaraj. Vitet
1928-1933 janë palca e formimit intelektual, qytetar profesional të tij. Për
Sulejmënin, vitet e Shkollës Tregtare janë jo vetëm shkollimi por edhe njohje
me idetë e reja përparimtare. Aty pati fatin të njihej me drejtorin e
Institutit Tregtar, Naum Stralla dhe me profesorë si Skënder Luarasi, të birin
e rilindasit të arsimit kombëtar Petro Nini Luarasi. Profesor Skënderi e
inkurajonte në prirjet për letërsi dhe i jepte literaturë të zgjedhur, sepse
vlerësonte inteligjencën, karakterin dhe edukatën e studentit të tij. Miqësia e
tyre jetoi bashke me ta. Me shokët e tij, Shefqet Musaraj, Petro Marko, Aleks Çaçi,
Andrea Varfi, Rebi Alikaj etj.,lexonin dhe propagandonin vepra dhe revista
përparimtare. Sulejmani krenohej se, me kalimin e kohës, Tregtarja u bë flamur
mobilizimi për rininë e rrethit të Vlorës, që kulmon në LANÇ me heronjtë dhe
dëshmorët e saj.
Në qershor të vitit 1933 përfundon
studimet në Shkollën Tregtare me rezultate shumë të mira dhe sjellje
shembullore, por alternativa e vetme në vitet 1933-1937 për të, ishte i papunë,
sepse xhaxhai i tij Murat Tërbaçi në vitin 1932, me 6 shokë të tij u burgos dhe
u dënua “Me Vdekje” nga regjimi i Zogut, për rrjedhoje edhe Kapua “s’mbetej
prapa”; arrestohej, internohej, kërcënohej...
Sulejmëni merr pjesë në rezistencën
kundër forcave fashiste italiane që zbarkuan në Vlorë më 7 Prill 1939. Në Gusht1939,
aplikon dhe merr pjesë në konkursin e Bankës Kombëtare në Tiranë, u shpall
njëri nga dy fituesit dhe filloi punë në Bankën e Tiranës, ku punoi
maksimalisht, që me paraqitjen e rregullt, me gjuhët që zotëronte (frëngjisht
dhe italisht), me seriozitet, shpejtësi dhe saktësi në veprime. Me këto cilësi,
u ra në sy autoriteteve drejtuese dhe, nuk munguan konsideratat edhe nga ata. Në
Korrik 1940 kërkon transferim në Bankën e Vlorës. Drejtori i Vlorës, pasi pa
rekomandimin me vlerësimet e shkëlqyera nga Drejtoria e Bankës Kombëtare në
Tiranë, shprehu kënaqësinë dhe mbështetjen e tij por...Kohë Lufte... Sulejmëni
ishte shok ideali dhe mik besnik me Teli Ndinin e Mitat Sallatën. Sa shumë u dëshpërua
kur mori vesh lajmin e hidhur, se Teli, ai djalë trim, ra dëshmor, i pari
dëshmor i qytetit, atë mbrëmje të 7 Gushtit 1942. Edhe Mitaqi ra dëshmor më vonë..
Më 7 Prill 1943 arrestohet pa pritur në
bankë me motivacionin “antifashist”, duke provuar burgun e Vlorës dhe pastaj
internimin në kampin e përqendrimit në Porto-Romano në Durrës. Si përsëritet
historia... Si të parët e tij. Në internim kishte marrë bronkopneumoni dhe, më
7 Gusht 1943 u kthye në vendlindje kockë e lëkurë, pasi kishte kapitulluar
fashizmi në Itali qysh më 27 Korrik dhe Musolini ishte arrestuar. Dudia solli në
jetë fëmijën e dytë në Buzujk më 9 Gusht 1943. Doktori në Vlorë nuk mori
përsipër lindjen: “Kam frikë - ishte shprehur - jeni ilegalë”.
Shtëpitë e tij në Tërbaç u dogjën dy
herë nga fashistët dhe bashkëpunëtorët e tyre, se ishin një nga bazat e luftës. Nga 15.09-04.10.1943 u zhvillua Lufta e
Drashovicës, e cila shënohet si beteja e parë ballore e Ushtrisë
Nacionalçlirimtare dhe e forcave vullnetare territoriale kundër pushtuese
gjermanë. Drashovica qe betejë e ashpër, që na dha fitoren dhe na mori
dëshmorët e saj. Hysniu u plagos rëndë (fjala u hap që është vrarë)...
Shtabi i Zonës I Operative, vetë
Komandanti Islam Radovicka e caktoi Sulejmanin të qëndrojë në komandën e
Frontit në Brataj në shtëpi te Kadri Avdulit, duke pasur si ndihmës Banush
Goxhon dhe dy të tjerë. Kryen me devotshmëri detyrën e lartë për mobilizimin e
popullin të krahinës së Mesaplikut, duke nisur luftëtarët vullnetarë në Hysoverdh për luftë kundër forcave naziste
të pushtimit.
Në Dimrin e 1944 ushtria gjermane me
bashkëpunëtoret e tyre filluan një operacion të egër ndaj forcave partizane, fshatrave dhe familjeve që ishin mbështetje
për LANÇ. Në Shkurt 1944, Sulejmëni i sëmurë rrezikon të kapej prej forcave
reaksionare që kërkonin me çdo kusht eliminimin e tij si antifashist dhe
vëllain e një prej drejtuesve kryesorë të LANÇ. Detyrohet të shpërngulet nga
Vlora ne Tiranë te familja e Haxhi Merkos (kunati i tij ) e më tej në Prizren
duke shfrytëzuar kontaktet e tij në Bankë si dhe qarqet antifashiste në to. Me
përmirësimin e gjendjes shëndetësore dhe me rritjen e presionit të forcave
naziste dhe kolaboracionistëve për arrestimin e tij i bashkohet, në fund të
majit, Çetës së Lumës e më tej me
batalionin e dytë të Brigadës së Parë.Më 17 Nëntor 1944 përfundon odisenë në
luftën për çlirimin e Tiranës si togë/komandant në Batalionin II të Brigadës I
Sulmuese me komandant Brigade Mehmet Shehun. Në luftën për çlirimin e Tiranës
ka qenë në njësitet e para që u futen për çlirimin e qytetit, ku ka luftuar
trimërisht. Si i plagosur që ishte, qëndroi në spital duke kryer edhe detyrën e
Shefit të Administratës në Spitalin e Përgjithshëm Ushtarak. Mehmet Shehu në
librin e tij “Lufta për çlirimin e Tiranës” e përmend me emër të dalluar për
trimëri togë/komandantin Sulejmën Abazaj... Ai u vlerësua me stimujt moral të
kohës: “Medalje e Çlirimit”, “Medalje e Trimërisë”.
Simboli i Bankës së shtetit shqiptar
Pas çlirimit punoi ne sektorin Bankar
(si drejtor për 26 vjet). Kontribuoi bashkë me shumë kolegë me të gjithë
energjitë për të ngritur ekonominë, pas pasojave shkatërrimtare qe solli Lufta
e Dyte Botërore. Sulejmëni, me një përvoje të gjatë mbi 30 vjeçare punoi me
bashkëpunëtorët e tij për realizimin e
reformës bankare, me profesionalizëm, kulture
dhe përkushtim...
Përmbledhtas, jetëshkrimi profesional i intelektualit dhe
partizanit me plagë lirie në trup Sulejmën Kapo Abazaj është:
Gusht 1939-Prill1943 - ndihmës
llogaritar në Bankën Kombëtare
30 Mars 1945-Korrik 1945 - Zv/shef i
thesarit ne Ministrinë e Financave; (sëmuret dhe mjekët i rekomandojnë të
ndërroj klimë), vendos të shkoj në Vlorë.
Korrik 1945-Mars 1946 - Komisar në
“Distilerinë Skënderbe” në Ujin e Ftohtë, Vlorë.
1946 - N/drejtor dhe Drejtor në Bankën
Kombëtare Vlorë.
1946-1962 - Drejtor banke ne Vlore:
prej 1962 në Tiranë, drejtor ne Bankën
e Shtetit
Në vitin 1972 doli në pension si
Drejtor i Thesarit.
I përkushtuar dhe shumë i vlerësuar për
punën plotëson dokumentet për daljen në pension pleqërie, por me kërkesë te
institucionit, qëndroi edhe 12 vjet duke ndihmuar. Gjatë kësaj kohe nuk pranoi
shpërblim financiar, vazhdoi edhe në këtë periudhë njësoj; korrekt në
paraqitje, në orarin e punës, në profesion.
Familja ka dhe ruan materiale të para
dhe pas Çlirimit që tregojnë për kredi te dhëna fshatareve në mbështetje të
ekonomive të vogla të shkatërruara nga lufta etj... Puna në Bankë ishte për të
jo vetëm detyrë, ishte kthyer në pasion. Në biseda të lira shoqërore apo dhe
familjare të karakterit ekonomik dhe financiar dallohej logjika e shoqëruar me
argumentin. Një përvojë prej 3 dekadash është e pamundur të pasqyrohet në një
shkrim, me gjithë dëshirën.
Ai, si të parët e tij, i la familjes
dashurinë për vendin, kapitalin intelektual të investuar te vetja ku dallojnë
idealizmi, profesionalizmi, serioziteti. Ndërtoi një familje te respektuar ku
shoqja e tij e jetës znj. Dudi Kapo (Merko) ishte një shtyllë e fortë, një zonjë
trime e thjeshtë, me kontribute të mëdha. Ajo punoi kundër analfabetizmit para
dhe pas çlirimit Në dyert e shtëpive në
Tërbaç me gurë gëlqereje u mësoi alfabetin disa grave të Tërbaçit. (Kishte
studiuar në 3 nga shkollat më të mira të kohës: Institutin Femëror “Nëna
Mbretëreshë” në Tiranë, “Shkollën Amerikane të Kavajës” dhe, mbas çlirimit, shkollën
Pedagogjike “Jani Minga” në Vlorë në vitin 1960 etj). Sulejman Kapo mbaroi
Universitetin e Tiranës në Fakultetin Ekonomik (Financë) gjithashtu në vitet
1960. Në moshën e pensionit, deri edhe nipërit e kujtojnë gjithnjë me libra në
duar, shpesh citonte autorë shqiptarë të preferuar, por edhe enciklopeditë
Italiane dhe Franceze i kishte për zemër...
Sulejmën Kapo ishte shumëdimensional në mirësitë e tij
Në familjen e tyre dera për këdo që
trokiste ishte e hapur, herë si hotel, herë si restorant human (pa diskutim që fjetja, shërbimi dhe
ushqimi ishin pa para, se ashtu ia kërkonte tradita e Derës së Madhe së
Habazeje, siç fliteshin me nderim në ato kohë). Nuk mbajnë mend të ishin në
shtëpi pa miq (sidomos në Vlorë.) Ai
prekej shpejt, kur dëgjonte hallet e të tjerëve dhe jepte shumë nga vetja, deri
të pamundurën, që t’u bënte mirë atyre. Në
familjen e Sulejmën Kapos nuk dëgjova një herë të mburreshin, por të
krenoheshin - po.
Nga kujtimet e shkruara, (që përfshijnë
vitet 1830 dhe mbrapa) shikon që Abazajt kanë një traditë si familje në
përpjekjet për liri, pavarësi e përarim. Në sagën e ngjarjeve të mëdha lokale
dhe kombëtare janë të pranishëm me kontributin e tyre. Shëtitorja përgjatë
buzëdetit të Vlorës për në Ujë të ftohtë mban emrin e mësuesit atdhetar Murat Tërbaçi,
xhaxhait të Sulos
Kujtuam në këto pak rreshta një të Habazaj,
Sulejmën Kapo i thonë. Ishte burrë i paraqitshëm. Ishte idealist si shumë të
tjerë. Ishte profesionist i mirë si shumë të tjerë. Qytetar i nderuar si shumë
të tjerë. Me karakter të forte si shumë të tjerë. Ai jetoi shumë me hallet e te
tjerëve...Për familjen është një personalitet që i bën nder rrënjëve nga vjen. Ai
ishte simbol i mirësisë dhe bujarisë, shembullor në mikpritjen e tij, që e
bënte me shpirt, por po me aq dëlirësi nuk donte ta shfaqte, të dukej. Në fakt,
nëse do të shpreheshim me gjuhën e tij, nuk do ta përdornim togfjalëshin
mikpritje, për vëllapritje, sepse të gjithë ata që i vinin nga mëhalla, nga
fshati, krahina për të bujtur në shtëpinë e tij në Vlorë, ai i quante vëllezër
dhe i priste siç dinte Sulejmani me Dudinë hanedane, nikoqire shtëpie, zonjë
bujare zemërqeshur e dinjitoze. Ata përbënin një plotmëri shembullore dhe
ndërtuan një familje të shkëlqyer me 5 fëmijë, 3 djem e 2 vajza. Po i shënoj
emrat sipas moshës: Vladimiri (1942-2024), Flora Fuga (1943 -), Aladini (1947
-), Fatosi (1950 -) dhe Raimonda Lleshi (1952 -), që janë një pemë e
shëndetshme me rrënjë të thella e të forta, me gjethe të gjelbra lulëzimplote.
Monda me thjeshtësi të ndritshme thotë: “Që kur erdhën në jetë, i rritëm fëmijët
me historitë e Dibrës dhe të Vlorës...”. Ç’motivm edukimi!
“Nuk kishte bankë e thesar të
vlerësonte peshën e hapit, të fjalës dhe urtësisë së tij” - shprehet Sokol
Fuga, nipi i Sulos, djali i madh i vajzës së madhe Flora Kapo Fuga.
Sulejmën Kapo iku tek yjet e paharrimit
më 30 dhjetor 1994. Iku i trishtuar për padrejtësitë që iu bënë Aladinit, por
nuk u lëndua nga ikja e Vladit më 26 korrik 2024. Këto ditë po mbush një vit,
që ende nuk është tharë loti i dhembjes nga lajmi i hidhur që përjetuam nga
helmi i ikjes së djalit të madh të Sulejman e Dudi Kapo Abazaj, pianistit të
talentuar Vladimir Kapo, pedagogut të shumë muzikantëve të rinj, njërit ndër
muzikantët më të mirë të vendit arsimuar në Hungari me brezin e parë të
studentëve shqiptarë, që studiuan jashtë vendit. Ai është në faqen e
identitetit artistik shqiptar në fushën muzikore.
Dukati i Dudisë fisnike
Sa shumë i shkon çiftit Sulo - Dudi
thënia e kulluar “Pas çdo burri të suksesshëm është një grua e mençur e
fisnike”. Le të kthejmë një çast sytë nga Dukati i Dudisë, se të nderuar
ndihemi për këtë lidhje të lartë të Sulejmënit. Dudia ishte bija e komandantit
të Çetës së Dukatit në Luftën Kombëtare të Vlorës, 1920 - Muhamet Maze Merkos,
kur thonë, që fekste që përtej...
Dera e parë shkon në derë të parë.
Kujtesa jonë troket nëpër emrat e burrave me nam si:
1. Hamit Selmani me kapital e bujari,
anëtar i Komitetit të Mbrojtjes Kombetare të Njëzetës është (babai i
stërgjyshit të Mondës nga nëna e
Dudisë)...
2. Dervish Aliu, dhëndër në Haxhiaj të
Tërbaçit, kapedan i Dukatit në kohën e Tanzimatit, sivëllam me Lulo Abazin,
kapedanin e Tërbaçit në luftë kundër hordhive osmane të kohës, i cili ishte stërgjyshi
i Sulejmënit. (Dervish Aliu ishte babai i stërgjyshit të Dudisë nga i ati).
3. Muhamet Maze (babai i Dudisë, gjyshi
i Mondës, vjehërri i Sulos, të cilit i kemi kushtuar një shkrim të merituar në
faqet e gazetës “Telegraf” me rastin e 100-vjetorit të Luftës Kombëtare të
Vlorës, 1920. Me emocion, mirënjohje dhe krenari, Monda kujton, se pikërisht më
Datën e shenjtë të Mësuesit, më 7 Mars 2023, iu dorëzua Çertifikata “Dëshmor i
Atdheut” për komandantin e Çetës së Dukatit, babain e saj Muhamet Maze Merkon.
Kujtesa historike e Sulejmanit
Sulejmani njihej dhe për kujtesën e tij
fenomenale. Ai na ka lënë dëshmi shkrimore shumë të rëndësishme për stëgjyshin
e tij, Lulo Abaz Mehmeti, kapedanin e Tërbaçit, që u mor me hallet e popullit
në kohën me kollë të keqe të Tanzimatit. Dokumentet e S.Kapos nuk i kanë
shfrytëzuar (apo nuk kanë dashur?!) as historianët që janë marrë me trimat e
kryengritjeve popullore dhe bijtë e shpatës shqiptare, në shek. XIX, në
fillimet e Rilindjes sonë Kombëtare. Në përshkrimin e portretit të Lulo Abazit nuk thuhet as vitlindja, as vitvdekja. Sipas
dorëshkrimeve, shkruar nga vetë S. Kapo, të cilat ruhen nga pasardhësit në
arkivin e familjes, kapedan Lulo Abazi lindi në vitin 1805 apo 1806 dhe vdiq në
vitin 1872 në Tërbaç në moshën 65 vjeç.
Kur vdiq Lulo Abazi, iu bë një përcjellje madhështore. Ai u varros pranë portës
së sipërme të ish - shtëpisë muze të krahinës së Mesaplikut në Tërbaç (te hunda
e Sinane. Sinan Abazi ishte vëllai i madh i Lulos, kryeplak i fshatit, i cili
me parinë e Tërbaçit priti me besë burri e fshati Bilbilenjtë në shpellën e tij
në Soma, mbi Somitkë, e cila më pas, për nder të trimave të Kurveleshit, mori
emrin Shpella e Bilbilenjve. Ashtu quhet dhe sot e kësasj dite). Sinani ishte
vëllam (byrazer) me kapedan Bilbil Shakon, me të 13 bilbilenjtë...
Varri madhështor i Lulos në Tërbaç u
prish nga ushtria pushtuese italiane në vitet 1940-1941, kur e bënë pozicion
për artilerinë e tyre...! Figura e tij është e pa eksploruar, ka vend për
studim. Tregime rreth tij ruhen ende në kujtime të familjes dhe mund të bëhen
objekt i një tjetër shkrimi.
Këto të dhëna dhe shumë të tjera të S.
Kapos mbështeten në kujtimet e gjyshit të tij - Miftarit, babait - Kapos dhe
xhaxhait - Muratit).
Është në natyrën time të shkruaj me
vëmendje e dashuri, me fakte e data, pa sajesa të tepërta, që na largojnë nga e
vërteta, se gënjeshtra të turpëron para historisë.
Të parët tanë vinin nga historia, dinin
histori dhe bënë histori. Ata e bënë detyrën. Shpresoj që ne ta vijojmë
stafetën e tyre të nderit, ta ruajmë, ta pasurojmë, ta shkruajmë të saktë dhe
t'ua transmetojmë brezave.
Është mision i ynë fisnik, që përfundon
me frymën tonë, për t’u treguar brezave dhe kohës historinë e pashkruar, të
harruar apo të mbuluar për sa e sa arsye...
Pjesëtarë
të familjes Abazi, mbiemri i hershëm i familjes
Sulejman
Kapo Abazaj me familjen në Vlorë, 1957
Në Tërbaç para Shtëpisë Muze Hysni Kapo të krahinës së Mesaplikut
Sulo Kapo me nipërit, Eno Kapo, djali i madh i djalit të madh - Vladit dhe Sokol Fuga, djali i madh i vajzës së madhe - Florës