E shtune, 09.08.2025, 01:24 PM (GMT+1)

Faleminderit

Tomë Jakaj: Kujtimi i pavdekshëm në 129 vjetorin e lindjes së babait tim, Martirit të Lirisë – Nue Jakaj

E premte, 08.08.2025, 06:57 PM


Kujtimi i pavdekshëm në 129 vjetorin e lindjes së babait tim, Martirit të Lirisë – Nue Jakaj

Shkruan: Tomë Jakaj, Bronx – SHBA

Në brigjet e largëta të Amerikës, aty ku jeta rrjedh ndryshe me horizonte të tjera emancipimi, zemra ime ende rreh për vendlindjen time, për Ranocin tim të dashur dhe për fushat e bekuara të Zllakuqanit, në Lugun e Drinit-Klinës.

Mendja shpesh më endet nëpër kujtime, dhe sytë e shpirtit më ndalen në kodrat dhe rrugicat ku kam hedhur hapat e fëmijërisë, rinisë në oborret ku rritej nderi dhe burrëria e fisit tonë-Kçirês.

Para syve më del fytyra e babait tim, Nue Jakaj, burrë që e deshi lirinë e atdheut më shumë se jetën e vet. Ai u burgos nga UDB-ja, u torturua, por nuk u përkul kurrë, sepse drita e Shqipërisë Etnike nuk shuhet asnjëherë nga dhuna dhe as vdekja.

Kanë kaluar mbi pesë dekada që jetoj në mërgim, në Nju Jorkun e gjallë të kulturave dhe ngjyrave të ndryshme, por mallin për babain tim-martir e mbaj si plagë në shpirt dhe si krenari të përjetshme. Ai, u lind më 7 gusht 1896, në një shtëpi bujare e fisnike të Jakajve, ku besa, bujaria dhe atdhedashuria ishin Dekalog i shtëpisë. Babai im nuk ishte vetëm shtylla e familjes dhe fisit sonë, por edhe gur themeli i qëndresës titanike shqiptare në ato kohë të zeza.

Gojëdhënat e fshatarve të trevës dhe rrëfimet e të afërmve dhe historia e gjallë e maleve tona flasin për burrërinë dhe guximin e tij. Ai dhe vëllai i tij Pjetri, u rreshtuan krah për krah me Luanin e Dukagjinit, Nue Përlleshit, në luftë kundër çetnikëve të Kollashinit dhe ushtrisë serbo-jugosllave. Vrasja e vëllait të tij-Pjetrit nga kryqetniku serb, Radosh Toshiqi te Kulla Popit në Istog ia dogji shpirtin, por nuk ia theu zemrën. Përkundrazi, ajo plagë u kthye në betim për liri, betim që e mbajti deri në frymën e fundit.

Torturat e UDB-së jugosllave nuk mund ta mposhtnin shpirtin e tij të pathyeshëm. Ato veçse e kurorëzuan me lavdinë e martirizimit. Babai im u shua më 6 shkurt 1948, nga burgosja dhe torturat e UDB-së, duke lënë pas dhimbjen tonë të madhe dhe një amanet të shenjtë: lirinë dhe bashkimin e trojeve shqiptare.

Nga Amerika e largët, 129 vjet pas lindjes së tij, ndiej të përziera mallin dhe krenarinë. Mall për duart që nuk munda t’i shtrëngoj sa doja, për hapat e tij që s’mund t’i ndjek më në oborrin e Ranocit. Por edhe krenari të përjetshme, sepse babai im është pjesë e pavdekësisë së kombit.

Në mbrëmjet e qeta të mërgimit, kur mbyll sytë, dëgjoj zërin e tij që vjen nga thellësia e historisë: "Biri im, Tomë, ruaje nderin! Gjaku për liri nuk derdhet kot. Do të vijë dita kur shqiptarët do ta njohin amanetin e martirëve të tyre". Ka disa vite rruga kryesore e Ranocit të Lugut te Drinit-Kinës, e mban emrin e tij. Një ditë ajo do të kthehet në vend pelegrinazhi për çdo shqiptar që e di se liria nuk është dhuratë, por amanet i gjakut të të rënëve.

Qoftë i përjetshëm kujtimi yt, baba Nue.

Pushoftë shpirti yt në dritën e qiellit dhe në lavdinë e atdheut qe aq shumë e deshe duke ia dhënë edhe jetën. Lavdi!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx