Kulturë
Vlash Prendi: Nëpër labirintet filozofike të tregimeve të shkrimtarit të njohur Fatmir Terziu
E marte, 15.07.2025, 06:54 PM
NËPËR LABIRINTET FILOZOFIKE TË TREGIMEVE TË SHKRIMTARIT TË NJOHUR FATMIR TERZIU
-
DUKE LEXUAR VËLLIMIN ME TREGIME
“ARGUMENTUM BACULINUM” - “ARGUMENT
SHKOPI”, BOTUAR NGA SHB “URA”, PRISHTINË 2025 –
NGA
VLASH PRENDI
Hyrje
Para pak kohësh mora vesh se shkrimtari Fatmir
Terziu, mes shumë veprash të tjera që po boton, numri i të cilave i kalon të 50
- tat, kishte botuar edhe një vëllim me tregime mjaft të veçantë “Argumentum
Baculinum” - “Argument shkopi”, nga SHB “Ura” Prishtinë. E
sigurova, dhe e lexova me kenaqësi këtë
vepër, të cilën e dashurova nga problematikat që trajton, stili i ri i të
rrëfyerit nga autori dhe elementët edukativë, me të cilat përpiqet të
transmetojë, ndaj nuk mund të mos reagosh.
Krijimi i një letërsie me një frymë të re
Ajo që të bie në sy në krijimtarinë e sotme, është
se shkrimtarët dhe krijuesit pak merren me prozën e shkurtër, madje edhe kur
merren trajtojnë tema të rëndomta, ecin në rrugë të shkelura, ku në shumë raste
tema është reale dhe e njohur për lexuesin. Kjo nuk përbën risi në ditët e
sotme, sepse krijimtaria letrare sot, duhet të kryejë të paktën dy funksione:
Funksionin letrar dhe atë edukativ, sepse shoqëria e sotme para së gjithash ka
nevojë të mësojë dhe edukohet përmes leximit dhe studimit të veprave letrare,
që për hir të së vertetës sot janë të shumta, por roli i tyre edukativ është
minimal.
Ajo që bie në sy në tregimet e shkrimtarit
Fatmir Terziu, është fryma novatore, krijimi i një letersie me një frymë të
re, është pasqyrimi i dukurive të reja, që lindin nga analiza filozofike e
realitetit të sotëm. Novacioni në këtë rast lind në realitetin shoqëror,
përshkruhet si domosdoshmëri e zhvillimit të ngjarjeve të sotme, shpesh edhe
kaotike, të cilat shkrimtari i sheh ndryshe nga të tjerët dhe kërkon të mbajë
qëndrim konseguent mbi zhvillimin e tyre. Autori i përshkruan bukur ngjarjet
dhe mbi faktet e mbledhura ndërton subjektet artistike, duke thyer kornizat
tradicionale të ndërtuarit dhe përshkruarit të ngjarjeve, përshkrimit të
personazheve dhe ndërtimin e dialogjeve, falë talentit të veçante artistik të
tij dhe pavarësisë së krijuar ndër vite nga jeta e rëndomtë shoqërore.
Është për t’u vlerësuar fakti, se këto kushte kanë
përcaktuar në krijimtarinë e tij të re, zhvillimin e dukurive dhe të cilësive
estetike, të cilat bëhen objekt pasqyrimi në krijimtarinë e tij. Disa nga
tregimet e ndërtuara dhe përshkruara aq bukur nga autori, kanë si objekt dhe simbol
shkopin, një gjetje artistike mjaft e bukur nga shkrimtari Terziu, sepse shkopi
me të mirat dhe të këqiat e tij, i ka shërbyer njerzimit si realisht, ashtu
edhe në menyrë metaforike. Thënë ndryshe, shkopi e ka ndihmuar njerzimin në
moment të caktuara, por ka qënë edhe faktor negativ i zhvillimit shoqërorë dhe
objekt i konsolidimit të diktaturave në shtete e vende të ndryshme. Kam lexuar
tregime të shkrimtarëve tanë të shquar si Naum Prifti, Teodor Laço, Koço Kosta
e ndonjë tjetër, shihja se struktura e prozës së shkurtër pak ndryshonte, duke
përjashtuar fabulën rreth së cilës sillej tregimi, madje shpesh edhe tematika
ishte e orientuar.
Nga Kafka tek Terziu
Vite të shkuara, ndërsa lexoja të madhin Franc
Kafka me veprën e tij “Porta e ligjit”, dhe e krahasoja me
tregimet e lexuara më parë, vija re ndryshime të qenësishme, më intrigonte
përmbajtja ideore dhe filozofike që pasqyrohej në krijimet dhe tregimet e tij. Më paten mbetur të skalitura në mendje
fjalët: “Në çastet përpara vdekjes i silleshin nëpër kokë gjithë ç’ka parë e
dëgjuar viteve të pritjes e i mbështilleshin në një pyetje të vetme, që ende
nuk ia kishte bërë portierit. I bën atij me shenjë t’i afrohet, se s’mund t’a
lëvizë dot trupin e ngurosur. Portierit i duhet të përkulet thellë mbi të: -
Hë, ç’do të dish tani? - e pyeti burri, - se ti je i pangopur. - Të gjithë duan t’i njohin
ligjet, - thotë burri, - por, si ka mundësi që në gjithë këto vite, askush
përveç meje, nuk deshi të hyjë brenda kësaj porte?
Këtu qëndron e
vërteta, dhuna shtetërore, lindin dhe rriten diktaturat dhe mbi këtë bazë
zhvillohet filozofia e të treguarit mjshtëror, siç ndodh edhe me tregimet e
shkrimtarit të njohur Fatmir Terziu, të cilin mund t’a quajmë një Kafkë të
kohëve moderne. E them këtë, për faktin se çdo dukuri e re që pasqyrohet në
letërsinë e sotme, mund të kuptohet vetëm po të merret në lidhje të ngushtë me
kushtet aktuale, material dhe shpirtërore të zhvillimit të shoqërisë sonë.
Kështu, tek tregimi “Ujqërit e kanë fajin?”, autori e trajton temën me mjaft
kujdes, me një frymë të re, thuajse tërësisht të munguar në prozën tonë të
shkurtër. Është fryma dialektike që e tërheq shkrimtarin në këto tregime, sepse
ai e kupton mire realitetin e sotëm, kupton kontradiktat që shfaqen aty - këtu
në jetën e përditëshme, prandaj edhe krijimet e tij letrare i nënshtrohen hera
herës ligjeve të zhvillimit, si formë e ndërgjegjes shoqërore. Prandaj
shkrimtari në një moment të caktuar shprehet: “…Nuk e di pse, por thuhej se ai
kishte mbetur duke ëndërruar, e duke ëndërruar me sytë e lodhur e kishte zënë gjumi
mbi një yll, e kështu bagëtitë i kishte harruar në pyll. E në pyll ujqërit
kishin bërë aheng. E ahengu kishte marrë gojët e miletit, dhe mileti kishte
zaptuar odat me të thëna e të pathëna, që u zgjatën duke u treguar deri në këto
kohë. E kishin trazuar mjaft. E më në fund kishin thënë njëzëri se “Ai nuk
është bari! Nuk duhet të lihet në këtë detyrë! Dhe jo vetëm kaq?!“, duke
konkluduar bukur me sentenceën “Ujqërit e kanë faji”. Kështu po na ndodh edhe
në jetën e përditëshme, sepse ujqërit janë shtuar shumë, aq më tepër që tufat e
bagëtive kanë mbetur pa bari dhe shkopi në dorën e popullit nuk po funksionon,
sepse ai është në dorën e pushtetit që e përdor sipas deshirës.
Fryma
filozofike dhe kritike në tregimet e shkrimtarit
Kjo frymë e re
që sjell shkrimtari i shquar Fatmir Terziu në letërsinë tonë, ka ardhur si
rezultat i ndryshimeve të thella në jetën shoqërore dhe politike, si dhe
pikpamjeve të reja socialestetike, të cilat përbëjnë bazën e kërkimeve të reja
letrare. Është trishtuese kur mendon se shkrimtarë të tillë me prirje
filozofike si Kafka, Sartri, Spinoza, apo Kamy nuk lejohej të lexoheshin apo të
studioheshin në të kaluarën, le pastaj të ndiqej rruga e tyre krijuese. Kjo
ndodhte për faktin se ata kritikonin perms veprave të tyre sistemet borgjese në
fuqi, fshikullonin pushtetet diktatoriale, demaskonin të pasurit dhe përkrahnin
masat e gjëra popullore, përmes tregimeve filozofike perzier me sentenca
humori.
Kështu e
ndërton subjektin e tregimit të bukur “Qefaliëria e Qefaliut” edhe mjeshtri
tregimtar Fatmir Treziu, i cili ka gërshetuar bukur tregimin popullor me
tregimin filozofik. Këtë dukuri e sollën proceset e reja të zhvillimit
shoqërorë, lufta për barazi dhe mbijetesë, siç ndodh me kërkesën e Qefaliut në
rolin e mbretit dhe sherbetorëve që përpiqe me çdo kusht të zgjidhin enigmën:” …Kam nevojë për diçka që mbart aftësinë për të më bërë të
lumtur, edhe kur jam i trishtuar, dhe të trishtuar kur jam i lumtur“. Është
shërbëtori i tij më besnik që kërkon shpetimin tek dyqangjiu dhe siguron vulën
me mbishkrimin “…dhe kjo do të kalojë”, duke pasqyruar një mësim sa filozofik
aq edhe edukativ për mbarë njerzimin. Kur analizojmë objektin e pasqyrimit dhe
rolin që ai luan në forcimin e frymës filozofike dhe kritike në tregimet e
shkrimtarit Fatmir Terziu, të bie në sy jo vetëm tematika e larmishme, por edhe
menyra e re e përshkrimit të ngjarjeve, larmia e personazhëve, përdorimi i
fjalëve të reja duke pasuruar në menyrë të dukshme leksikun tone, përdorimin me
kujdes të figurave stilistike gjë që e bëjnë vëllimin me tregime mjaft
interesant.
Lexuesi i
kujdesshëm, do të verë re se autori krijon një galeri të pasur personazhesh
interesantë, madje duke sjellë diçka të re në letërsinë tone. Ai qëndron larg
emrave, por afër tipeve dhe profesioneve siç është zonja Tirë, shkruesi, tregëtari,
sherbëtori të cilët kanë emra, por dëshira e tij është ti tipizojë dhe
përgjithësojë personazhët që ato të përfaqësojnë masën e madhe të popullit dhe
të pasqyrojë problemet e shumta që kanë në jetën e përditëshme.
Përshkrimi me nota sarkastike
Një dukuri tjetër me mjaft rendësi në këto tregime
është edhe përshkrimi i disa prej tyre me nota sarkastike. Kjo menyrë trajtimi
i bën tregimet më interesante dhe tërheqëse, sidomos kur autori, tashmë i
sprovuar në trajtime të tilla vë në lojë dukuri negative të personalitetit dhe
moralit të njeriut të sotëm si paaftësia, mendjemadhësia, fodullëku etj. Duke
lexuar tregimin “Bilbili dhe Bulkthi”, të bie në sy trajtimi me mjaft kompetencë
i shumë dukurive që ndodhin sot në jetën e përditëshme sidomos sa i përket
paaftësisë për të arritur një synim të caktuar. Koncerti që përpiqen të
organizojnë Bilbili dhe Bulkthi me ndihmën e Çafkës dështoi, ashtu siç ndodh
sot në ditët tona. Edhe tek tregimi i gjatë “Linkolni nën Çinar”, autori përmes
personazhit të Emetorit, sjell para lexuesit frymën perendimore, personazhet e
botës demokratike, për të cilët janë gjykuar dhe dënuar shumë personalitete në
të kaluarën. Pikërisht, këtë dukuri negative dënon me forcë autori përmes
tregimit, duke shprehur edhe indinjatën për këto ndodhi dhe veprime negative.
Duke shfletuar me kujdes dhe duke lexuar me endje
këtë vëllim të bukur me tregime të autorit Terziu, mund të konstatohet se autori i ka kushtuar vemendje të vacantë
edhe tregimeve me temë meditative – psikologjike, duke u perqendruar në
analizën psikologjike të fakteve dhe ngjarjeve të cilat autori i përshkruan me
kujdes duke nxjerrë shpesh edhe përfundime dhe konkluzione. Tregime të tilla si
“Autofobi”, “Lej...lekë”, “Pesha e lotit tjetër” etj, dallohen për një subjekt
të qartë, konkret, ku analizat psikologjike i paraprijnë rolit edukativ që
konkretizojnë personazhët perms lëvizjeve, bisedave dhe komunikimit. Edhe
subjektet e këtyre tregimeve janë ndërtuar në atë menyrë që tharmin e tyre
autori nuke ka bazuar në përshkrime apo kendvështrime të ngushta të fateve të
personazheve, por duke patur parasyshë marredhëniet shoqërore në realitetin e
sotëm.
Duke kokluduar
Natyra e subjekteve tek ky vëllim, ashtu sikurse
tek tregimet “Të gjithë kemi hedhur gurë”, “Vija e sekretit të jetës”, “Përtej
asaj mjegulle” e ndonjë tjetri, përcaktohet nga rendësia shoqërore e brendisë,
por edhe nga karakteri thellësisht jetësorë që pasqyron, duke mos harruar edhe
mishërimin artistik të autorit të cilit i jep mundësi të zbërthejë mire
karakteret e personazheve dhe të pasqyrojë bukur idetë artistike.
Duhet theksuar se këto tregime, të cilat unë do ti
quaja psikanalitike dallohen për analizën materialiste dialektike dhe lidhjen
shkak – pasojë, marrdhënieve të veçanta me realitetin dhe percaktimin e
karaktereve të personazheve letrarë dhe jetësorë, sepse shumica e ngjarjeve që
ndodhin në tregime, janë shpjeguar si pasojë e rrethanave ekonomiko – shoqërore
që ndodhin në realitet në vendin tone.
Synimi i autorit për t’i dhënë tablo më të gjëra
jetës shoqërore dhe për të vlerësuar botën e brendëshme të personazheve, kanë
ndihmuar autorin të sjellë para lexuesit si gjithnjë vepër mes veprave të tij,
të tilla me vlera të rendësishme për letërsinë tonë, duke krijuar një vepër të
veçantë në llojin e vet, që shpresojmë të mos jetë e fundit.