E enjte, 24.07.2025, 10:36 PM (GMT+1)

Kulturë

Mihal Gjergji: Mbeç shkretë, o gur i xhamisë!

E hene, 14.07.2025, 06:41 PM


MBEÇ SHKRETË, O GUR I XHAMISË!

Nga Mihal Gjergji

Sa herë shkoj në vendlindje, më kujtohet Qerbelaja. Patkonjtë e kalit shkelin plagët e udhës dhe gjurmët e gjakut. Në këtë grykë të sertë ka ndaluar edhe Çezari, edhe projektuesit e rrugës "Egnatia", edhe djemtë e Perandorit Kostandin (Honori dhe Arkadi), shekuj më vonë edhe pashallarë e bimbashë, që kërkonin rrebelët kryengritës, po trimat nuk zihen me dorë. Edhe andartët grekë me urët e zjarrit ndaluan dy herë. Ata kanë mbërthyer të gjallë mbi kryqet e drunjtë dhjetra banorë të Kurveleshit. Pas tyre mbeti vetëm shkretimi. Jo vetëm Jezusi është kryqëzuar kësisoj, kemi edhe ne të ngjajshmit e tij. Guri u ça, njeriu-jo! Pik?risht këtu, në Gusmar, qendër e N/Prefektur?s, kanë ndaluar edhe xhandarët e Mbretit Zog, edhe kuestorët e Italisë fashiste. Kohë më vonë, u bë vendi i gjykimeve kolektive, në këmbim të gjykimit ligjor dhe zakonor (!). Nga dolën këta haseçinj mbarsur urrejtje? Ata gjenden gjithmonë mes nesh, sojsëzë e imansëzë. Gushëkuqët, që e ngjyenin sqepin në gjakun e "luftës së klasave"-vendosnin se kush do burgosej, interrnohej apo vritej. Unë i shikoj përsëri në këmbë dhe të paprekshëm, si dikur. E keqja jeton gjatë, shumë gjatë. Vallë, sa nëna kanë çarë kupën e qiellit me piskamën ulëritëse: " U derëzeza!" - për djalin, vëllain apo burrin? Po mallkimi ka qënë i rëndë, i hidhur. Me siguri, ato gra kanë kërkuar ndihmën e zotit me vështrimin nga "Qafa e Sërës", atje ku dielli kapton i lodhur, p?r të humbur matanë, në skajin fundor të oqeanit. Si mund t'a mbajë këtë urrejtje një shesh i vogël, sa një sofër guri? Ministra dhe K/Ministra kanë ëndërruar përjetësinë. Koha ua fshiu emrat, ndërsa dhimbjet që na shkaktuan -jo! Shumë gjëra duam t'i harrojmë, por s'mundemi, sepse plagët dhëmbin gjer në eshtër. Ozurpatorët e huaj janë zëvëndësuar nga kuislingët e tyre, pushtuesit vendas. Unë u ktheva atje, vetmitar, si njeri i mbetur pa Atdhe, u përshëndeta vetëm me zogjtë, e ndjeva edhe mallkimin, që zbriste nga lart, si një kërcënim paralajmërues, tashmë një realitet tronditës:

"Mbeç shkretë, o gur i xhamisë

U bëre vënd i hasisë...!"

Kurvelesh, Korrik 2018



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx