Kulturë
Albert Vataj: Metamorfoza e njeriut të tokës
E merkure, 09.07.2025, 04:47 PM
PERSIATJE
Metamorfoza
e njeriut të tokës
Nga
Albert Vataj
Ti
njeri i tokës, i punës dhe sfilitjes, i betejës për të zotëruar me gjithë
qenien tënde gjithësinë e momenteve që dalin nga dheu, shpërthejnë nga guri,
gufojnë nga zjarri, çaste që mëkon nga thellësia e përjetimit.
Edhe
pse ke harruar të shihesh në pasqyrën e gjërave, me të cilat t'i takohesh, me
reflektimin e gjendjeve, që rreken të të kujtojnë se çfarë je, një sy qëmtues e
fokuson shndërrimin tënd në pemë, ashtu siç bën syri kureshtar i zogjve me
degën ku do të ndërtojë një fole dhe qiellin që mat me fluturim, ashtu siç bën
vërshimi i natyrës kur kërkon të plekset pas heshtjes si gjunjëzimit të një pranimi.
Ti
njeri i tokës, punën dhe djersës, pasi ke mbjell dhe korrur gjithë jetën, tani…
është jeta, ajo që e kthen portretin tënd në arë të lëruar dhe plakjen në një
farë pamundësie për të mbirë në këtë tokë rreshpe; aty ku djersa, gjaku, mundi
dhe sakrificat kanë qenë fara dhe bima, rrënja dhe fryti, e sotmja dhe e
çdoditshmja e shenjtërisë tënde.
Brazda
të thella, shikim që përhumben në ujësin e pamjes dhe përjetimi që rreshket në
zbrazësinë e trajtave që merr shkasi. Tashmë ti, njeri i tokës, numëron vitet
në këtë lojë trishtuese relievesh që mosha dhe mundimet kanë vizatuar portretin
tënd, në këtë trung peme ku era dhe ikja, ftohti dhe makthi, ngrica dhe sëpata,
derdhën mjeshtërinë e metamorfozës.
Shihesh
më ndryshimin dhe përfytyrimi i rinisë është tretur diku tej, në humbëtirat e
harrimit, atje ku asnjë kujtim s'mund të të kthejë asgjë. Puthjet dhe dashuritë
janë lot, që i kapërdin përposht ky vështrim i tretun në muzgun që të kaplon.
Kujtimet, ato që dhëmbin si kafshimet e rrufeve, janë plagë, dhe dhimbjet
gufojnë në trajtat e ndryshimit që ke veshur. Ti nuk ndjen më si një trup, si
një strukturë anatomike, si një gjenealogji e origjinës së species. Ti je çfarë
zgjodhi fati të jesh dhe çfarë sakrifica të shpërbleu, je një fragment i
natyrës, je një copëz e shkyer e realitetit, je një artefakt që dheu nxjerr
jashtë si dëshmi e lashtësisë, je zëri i rrjedhës së kohërva që toka përpiu, je
një shkëmb, një trill, një vetëdije e metafizikës së gjallimit.
E
pranon këtë vërtetësi, pa nevojën për një maskë, sepse ti tashmë je një e
tillë, të cilën vitet ta kanë gdhendur me durim e pasion, koha e pranon me
përulësi dhe falënderim.
Shihesh
ti me veten dhe vetes ti besosh… se ke jetuar, se çdo brazdë që lëron portretin
tënd është një hendek i thellë që ka vënë në sprovë mundësinë. Çdo kreshtë e
hon, çdo rrudhë e nerv që tëndosur rri, është gjithëçkarë ti ishe, gjithçmos ti
bërë, është ai konstelacion i asaj yjësie që universi e përpin për ta hedhur
tej, duku në harrim.
Ja
çfarë je!