E enjte, 24.07.2025, 08:38 PM (GMT+1)

Kulturë » Mehmeti

Hazir Mehmeti: Intervistë e rrallë e Hasan Prishtinës para një shekulli

E enjte, 03.07.2025, 04:59 PM


INTERVISTË E RRALLË E HASAN PRISHTINËS PARA NJË SHEKULLI

NË “LA FEDERATION BALKANIQUE”

HASAN PRISHTINA, PERSONALITET I PËRMASAVE EVROPIANE

Nga Hazir Mehmeti, Vjenë

Një shekull më parë, viti 1925, gazeta “La Federation Balkanique” e Vjenës boton intervistë me Hasan Prishtinën. Në shenjë respekti e përkujtojmë.

“Personaliteti i Hasan Prishtinës ishte vetëm personalitet i përmasave shqiptare, por del një nga diplomatet dhe personalitetet me përmasa jo vetëm ballkanike dhe më gjerë”. Oliver Schmid: “Hasan Prishtina është hero evropian dhe diplomat i përmasave evropiane”

Pa dyshim njëra nga figurat më të ndritura të historisë sonë kombëtare, është Hasan Prishtina. Njëkohësisht njëra nga figurat më të anatemuara  krahas Atë Gjergj Fishtes, si nga regjimi komunist në Shqipëri, po ashtu  në territoret etnike shqiptare të  pushtuara nga sllavët e grekët. Derisa pushtuesit ia kishin frikën idealeve të tij për liri e bashkim kombëtar, komunistet në Shqipëri nuk donin të dëgjonin për ide të bashkimit dhe lirisë për çka kishte punuar deri në vdekje Hasan Prishtina.  Derisa shtetet: Bullgaria, Serbia e Turqia e dënuan me vdekje kolosin e lëvizjes kombëtare, shteti shqiptar e dënoi disa herë me vdekje një akt tragjike për kombin ndërsa fitore e madhe për qarqet armike sllavo-greke.

Historia e jonë e fillim shekullit të njëzet ndryshe do të dukej pa Hasan Prishtinën, trurin e lëvizjes kombëtare shqiptare të kohës. Ai ishte largpamës me veprimet e tij në kohën kur duhej për kombin.  Kryengritjen politike e filloi në parlamentin turk duke u kacafytur haptas me deputetët armiq, guximshëm tregoi hapur se: “Do ngjitem në Drenicë dhe do mbathë opingat”  e luftës deri në lirinë dhe bashkimin e trevave shqiptare. Kjo do ndodhë pas pak vitesh.  Hasan Prishtina ne aktivitetin e tij në Parlamentin Turk  për  lirinë e përdorimit të alfabetit shqip, me 2 gusht 1911 e  detyron Parlamentin Turk ta njoh përdorimin e alfabetit shqip në shkollat private në Shqipëri. Nga ky hap do vije hapi tjetër, po në të njëjtin vit, i deklarimit të vet qytetarëve shqiptar, se në cilin alfabet dëshironin të mësonin. Hasan Prishtina, krahas  përgatitjes për kryengritjen gjithëkombëtare për pavarësinë e Shqipërisë mori iniciativën në Stamboll, të themelohet komisioni në Klubin Qendror  për mbledhjen e kontributeve të duhura për mbajtjen e Normales së Elbasanit. Ky Tempull i Diturisë ishte më i dashuri dhe i shenjtë për Hasan Prishtinën, për mirëvajtjen e tij shkriu shumë nga pasuria e tij e cila filloi punën në mars të vitit 1912.

Vjena është vendi ku Hasan Prishtin përjetoj shumë kundërthënie e peripeci  të vazhdueshme. Jeta e tij nuk ishte aspak e lehtë. Edhe pse ishte në rrethana të rënduara në Vjenë, aktiviteti i tij patriotik nuk pushon asnjë moment.

Intervista e Hasan Prishtinës në gazetën “La Federation Balkanique”

Disa sekuenca nga shkrimi i tij në gazetën “La Federation Balkanique” numër 34, të datës 15 dhjetor 1925  në artikullin në gjuhën shqipe “Partie Albaneaise”  Pjesë nga libri i Hasan Prishtinës me titull  “Mbi kryengritjen shqiptare të vitit 1912” . Gazeta botohej në gjashtë gjuhë në Vjenë.

Artikulli fillon: Na ra në dorë botimi i dytë i librit të Hasan Prishtinës “Mbi kryengritjen shqiptare të vitit 1912. Hasan Prishtinën s’ashtë nevoja me ja paraqitë lexuesve t’onë pse ky asht i noftun prej të gjithëve si revolucioner i motshëm qi ka veprue mjaft per independencën shqiptare e i kryetari i lëvizës shqyptare te vjetit 1912,  I paraqesim lexuesve disa pjesë të tij të cilat në numrin qi vjen do t’i botojmë edhe frëngjisht. (Redaksia)

Para lëvizjes së armatosur

Një ditë historike në Parlamentin Othoman

Një mizori pa farë freni mbretëronte në Shqypni fill prej asaj dite qi  i operacioni i Turgut Pashës (1910) mori fund me fitim të plotë të Turkis.

Nuk kish tani në Shqipëri as klube, as komitete e shkolla. Bashkimxhit (emna që u epshin turqit nacionalistëve shqiptarë) ishin shpërnda e krejt organizimi kombëtar nuk shënonte veç se një shkatërrim; kësaj gjendje të dëshpëruar i dhanë deri diku një shkas pozitiv lëvizja malësore e vjetit 1910, veprim i komitetit bullgar nder viset e Makedonis, ngatërresat që patë Liri” e lufta Italo-Turke që plasi per ashttien e Tarabullusit.

Kah fundi i vitit 1811, tue e frymzue nga idhnimet e mizorisë tyrke, partia kundërshtare bani një pyetje për gjendjen e Shqipis e ngushtoi Hakki Pashen me dhanë hesape mbi ketë pikë para Parlamentit.

Shumica e deputetënevet të shqypnis me patën ngarkue me i ba ball shpjegimeve të vezirit Tyrk, due i u mbështetë dokumenteve që kishim mbledhun përmbi këto mizorina.

Biseda u hap e qysh në fillesë shkoi tue u ashprue. Çashtia kishte nji landë të pa kufizueme në lamë të logjikës a me prova të gjalla në dorë. Mora edhe unë fjalën kritikova ashpërisht politiken të turpshme qi po ndiqej në Shqypni.  I derdha arësyenat qi më shtyjshin në këtë kritikë kaq të rreptë e ma në fun tue përmbledhë krej energin teme i a lidha kryet ke kët frasë:  Nì kjoftë se Qeveriaja nuk ndrron politikë e administrim në Shqypni, në kjoftë se shqyptarët nuk i gëzojnë të drejtat e tyne politike, asht per t’u vu oroë që kanë me zbërthye një varg ndodhish të përgjakshme e t’ idhta.

Ç ‘kuptoni me fjalën ndodhina të përgjakshme e t’idhta?

Përgjigja:

Hasan Prishtina: Po due me thënë qi në koftë se “Tyrqit e Ri” vijojnë me zbatimin e këtij sistemi mizor në lëmin e politikës së përbrendshme, kam me kenë njëni, e ndoshta i pari i atyne, qi kam me t’a ngrehë flamurin e ngryengritjes.” <

Ky deklarim i përpara ma se dyqind deputeteve, kabinetit turk e mija dëgjuesve u bani efektin e një bombe.

Kur duelem nga Parlamenti, deputet e Shqypnis e shqyptarët e Stambollit rrëfyen nji gëzim të pa kufizuem e me përshëndetën me një sympathi të posaçme.

Ismail Kemal Begu më përgëzoj nxehtësisht e më proponoi me u gjet në darkë në shpi teme per me pasë  shtek me bisedue pak me gjat mbi situatën e re.

Kështu mbaroi kjo ditë historike qi nuk pat lanë shteg pajtimi në mes të Shqypnisë e të Komitetin “Jeune-turc” (Xhonturk).

Vendimi

Ismail Kemal begu, sikur m’a dha fjalë, u gjet në shpi t’eme pe dark dhe e kaluem natën së bashku. Gjanë e gjatë biseduem mbi fatin e Shqypnisë e ma në fund venduem me i dhanë mbarim mizorivet tyrke me një kryengritje.

Në pritje prej anës së Sulltanit (audiencë)

Nuk ishin vetëm shqypatarët qi i kundërshtoheshin sundimin “Jeune-turc”, por krejt elementet e perindoris edhe nji pjesë e popullit tyrk, punë kjo  qi na e lehtësonte me mirë mënyrë te posatshme veprimet në lamë të përgatitjeve e na siguronte sympatihin e krejt elemmentave të Shtetit të Turkis nder minuta të para të kryengrijes.

Pra, per me i dhanë nji shkas pak ma të gjallë lëvizjes antixhonturke, me iniativë të grupit shqyptar u formua një deputation (grup) prej pesë deputetensh ( shqyptarë, arabë, tyrk, kurd, armen) per me i a paraqitë Sulltanit ankimet e partis kundershtare.

Mora pjesë në këtë deputation dhe unë.

Nafi Pasha , përfaqësuesi i grupit arab, kritikoi me ashprim politikën e partis Jeun – turke dhe shtoi se kjo politikë herët a vonë kishte me tranditë themelet e Perandorisë. Kur Nafi Pasha i mbaroi fjalët e veta, mora fjalën dhe unë. Mbreti i im, kjoftë se nuk i nepet fundi një orë e më parë politikes së shtrembët qi po ndjek partija Jeunë-turkë, nëpër të gjitha krahinat e Perandoris, vendi ka për t’u ba lama e shumë ndodhive të përgjakshme dhe do të heqi me vrap kah njij rrënim i plotë. I vetmi shpëtim per t’a pritë ket rrezi asht të larguminit e partis së turqet të rij nga fuqija.

Të parët e Kosovës

Në Kosovë mbretnonte nji pezmatim shumë i ashpër kundra Xhemjetit. Pra, kujdo qi i a hapa nevojën e njij lëvizje me armë m’u përgjigj pozitivisht.

Kuvendova me shumë Zotnij nga Parija mbi zhvillimin e njij kryengritie; por damas e me reservë të madhe. Çeshtja ish shumë e randë e sperthimi i saj kërkonte mëshehtësi e mjeshtri sa as nji punë tjetër. Pra, ata që u a merrshe fjalën nuk muejshin me njoftë shoqishoin e të gjith ishin lidhë në muë.

Kryengritja kishte për të fillue at ditë qi unë kishe me mbathë opingat e me dalë në Drenicë (Malci e Vulçitiirnit e Mitrovices) Mbas meje kish me marrë malet krejt ata qi më patën dhanë besën.  .... (“La Federation Balkanique” numër 34, të datës 15 dhjetor 1925)

“Hasan Prishtina, çështjen e arsimit të popullit e shtronte  më parësoret të shtetit. Në këtë ishte shumë konkret dhe praktik duke u nisur nga vetja. Ai ndanë 5% nga të ardhurat e tij për arsim. Kjo shumë ishte e lartë dhe e siguronte mbajtjen e dhjetë shkollave në Kosovë dhe 60 nxënës nga Kosova në Normalen e Elbasanit”.

“Ai ishte personaliteti më kryesor dhe më me autoritet në vendosjen e alfabetit.  Në Parlamentin Turk, rreth formë së alfabetit,  do përgjigjet: “Ç’duhet bërë do ta bëjmë, sepse qëllimi ynë është vetëm për fitim të atdheut... .Hasan Prishtina u printe ithtarëve për alfabetin latin. Për këtë sahanlëpirësit e kuzhinës turko-arabe, që për alfabet e merrnin atë arab, Hasanin e quanin spiun të Vjenës. Nga ana tjetër Hasan Prishtina nga rilindësit e kohës siç ishte Josif Bageri,  konsiderohej shpëtimtari i çështjes shqiptare. Lufta e Hasan Prishtinës njihej edhe jashtë tokave etnike shqiptare, qe nga Amerika e largët. Ndërkaq, Hil Mosi, i cili ishte përfaqësues i  qendrës kulturore shqiptare ,,Dija” në  Vjenë, i fton bashkatdhetarët të merrnin ,,për shembull ndershmërinë e deputet të Prishtinës  i cili pasurinë e tij e përdor për lulëzimin e kombit, e kështu pasi që do vdesim një herë, emri i juaj do të rrojë i pa vdekur, gjersa të rroj Shqipëria”.

Hasani Prishinia në Vjenë e ndihmon materialisht botimin e revistës ,,Djalëria”. Ai kishte gjetur në Vjenë, një grup studentësh shqiptar të cilët kishin mbetur në gjendje të keqe materiale.  U ndihmon atyre duke ua hequr të gjitha shpenzimet dhe ishte interesuar për t’ua zgjedhur problemet e shkollimit në tersi” . pasurinë e tij qe disponoi, qe nga Stambolli, Selaniku, Shkupi, Prishtina, Tirana, Vushtrria, ia lente shkollës kombëtare, tregon se ai ishte apostull i shenjtë i shkollës kombëtare

Literatura:

Dr.Izber Hoti: Në udhëkryqet e historisë dhe historiografisë shqiptare, Prishtinë, 2003,  f.14,

f.69, f.75

Gazeta, Partie Albaneaise, nr 34, 15 dhjetor 1925, Wien

Bedri Tahiri: Hasan Prishtina-Truri i Lëvizjes Kombëtare  f.139.

Dr.Tahir Abdyli, Personaliteti me ndikim edhe në fushën e arsimit e kulturës, Rilindja, 1994, f.13.

Gazeta, Ora e Shqipnisë,  Nr. 1  1.1. 1928; Nr.8  datë, 6 korrik 1928; 14.10. 1928, Vjenë

Gazeta, Neue Feie Presse, 1928.

Gazeta, Wiener Bilder, Wien, 15 qershor 1913.

H, M, “Studiues austriakë e shqiptarë në Austri” f,67,68, Prishtinë 2022.

Fjalori Enciklopedik Shqiptar, 2, Tiranë, 2008.

Vjenë, 25 qershor 2025



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx