E diele, 16.02.2025, 09:38 AM (GMT)

Kulturë » Mehmeti

Hazir Mehmeti: Zabeli i Delisë

E enjte, 02.01.2025, 06:50 PM


Hazir MEHMETI

ZABELI I DELISË

Dielli e zuri  plakun nën hijen e bungut

pëllumbat fluturim zbriten nga ëndrra

Delia hapi sytë e i tha veti:

edhe një herë, sytë e lodhur mes rrudhave

zemra  rrahu  miliona herë, njëqind vite

aroma e barit të njomë në freski

ulur si dikur në mriz me delet e tij

eshkën nxori nga xhamadani

arnat folën me radhë:

i pari nga thesi i elbit në mulli

i dyti nga këmisha e gjyshes së tij

i treti erë xhubletë Sokolit

i fundit nga xhepi i shqyer i të atit

arna, arna, bota ishte ndërtuar

nuk dihej numri, aq sa yjtë e qiellit,

aq sa në magje thërrmijat e miellit

aq  sa dëshirat e vdekura pa emër

aq sa kokrra arra kishin pikur degëve

- Deli, he Deli djali!

i tha veti ta vriste vetminë

vuri ngadalë eshkën mbi gurxinë

gurxixë e Arës Natanë

rrezet shkëlqyen ylber në gurë

fytyrë e lashtë u duk ngjyrë flamur

bashkë me mallin e dashurisë

mallin e burimit të Kroni i Mollës, e dashurisë

nën Ahun e Ariut fshehur në akull

gurgullimën e ftohtë mbushte kënatë e argatshtisë

sërish dëgjoi gurgullimë grykës së kënatës

dhe thirri:

-Gjergj më ndihmo të lutem

Ta godas gurin, ta ndezi eshkën e tharë!

merre unurin i tha Zëri guximtar

bjeri gurxixës dhe shijoje aromën e saj

tymi  i eshkës të jep forcë e shpirt

tymi kaladredha u fsheh në mjekrën e bardhë

E Deli Kurti buzëqeshi rëndë

buzëqeshi për herën e fundit

Aty tek mrizi i madh i Bungut

Bungu i Tabutit me dërrasa të thyera

të kalbura nga kujtimet e rënda

të hidhëta, të hidhëta sa vet vdekja

kujtime arkivoli, kujtime mortore

A ka më zi!

Kur në te i shtrirë djali i ri!

asnjëherë në dasma duvak nuse, e nusëri

aty vdesin kujtimet e kohës

Kujtimet e jetës, arkivol e quajnë tha dikush

Deliu nuk e mori vesh, e dinte, e priste

Unë nuk dëgjoj mirë, i tha zërit

harxhova çdo gjë, ia fala të gjitha jetës

fshatit tim, arave dhe maleve

drita e syve u shter,  pritje për fëmijë

pa trashëgimtarë njeriu vërtetë vdes

Bardha iku herët mëngjesin me vesë

Thanë se do ta takoj sërish, ndoshta në botën tjetër,

thanë se u bë Zanë që kërkon djalin

thanë se shkoi ta ushqen Malin

Im bir pa struka, pa hap e shikim

Edhe pak, edhe dy hapa, dy hapje sysh

Ku ta dish!

Eh, Zabeli i babëlokut, faleminderit im at

e ruajta, deshën të ma gllabërojnë

tri paqeta fishek më kushtoi

e din shpatulla ime, dëshmi

Ore, a ka mbetur këtu njeri!

Jo, do shtrihem sërish nën hijen e Bungut

do mbledh dasmorët e fundit

do takohem me Bardhen, kush e di

asnjëherë nuk mbusha mendje për perëndi

ec, ore turrec , këngë vjetër, merr pendla të mbetura

nuk kam dritë syri, humbi

tani shoh, kam dritë fuqishëm truri,

Turrec më,

kah do që shkon prapa lenë gerr, gerr

eh, Deli Zabeli, Zabel Delia

të humbi gjuhë dhe nami i vjetër

erdhi kohë e vështirë, kohë tjetër.

Mali më pret në rrugën time

athua ka takuar nënën e tij, është rritur ai

gjepura të vjetra budallai, i tha veti Delia

Zabeli i Delisë do ta falë, fshati ta gëzon

fëmijët do lozin, era do fryn ndryshe

ku ta dish, vjen ëndrra e pritur

varret do ngjallen, shqiponjat flasin shqip

aty mësonjëtorja në Dreni,  ani pse në robëri

mullai me shalle të huaj, fjalë bajate

askush se kuptonte, askush nuk e donte

Mësuesi porosi, me gjuhën e huaj

por, mbillej fara e re e pritur shekujve

A-B-C – do vjen e vuajtur sa motet tona

ngarkuar në qerren e vjetër në thasë të dhintë

mësuesi me flamur thërret – Zabeli i Delisë

flamur varur në gjoks e shpirt i ardhmërisë

Eu, Zabeli i Delisë, Delia i Zabelit!

fli i qetë nën trungun e bungut

jeto takimet me Bardhën  e Malin

aty gjithmonë ke falënderim e lavdi.

Deli, o Deli, Djali i Ri!

dielli tjetër lind sot, përjetësi e pritur

katundi festë e gëzime jeton

ti i heshtur kudo në dheun, tokën tënde

lavdia përjetësisht stinëve të rrethon.

Tetor 2024



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora