E shtune, 02.11.2024, 03:45 PM (GMT)

Kulturë » Mehmeti

Hazir Mehmeti: Në gjimnazin tim pas gjysmë shekulli

E enjte, 30.05.2024, 06:59 PM


NË GJIMNAZIN TIM PAS GJYSMË SHEKULLI

“Imagjinata do të të çojë kudo” - (A. Einstein)

Nga Hazir MEHMETI, Vjenë

Pushimet në atdhe të ushqejnë qenin shpirtërore e fizike. Në veçanti për ish nxënësit e moshuar të mërguar nga valët e jetës. Nga të gjitha vizitat, më e veçanta është ajo e shkollës ku Ti mësove në kohën e vështirë kur gjimnazi fillonte hapat e parë. Në Skenderaj, qyteza me emrin e tij të mohuar, kishim fatin të jemi gjenerata e parë e gjimnazit, në një godinë me paralelet e  Shkollës Normale të Mitrovicës.

Sapo të prekësh oborrin e saj, kujtimet vijnë me vrull sa nuk ka portë dalëse që i zë. Ato ngërthehen mes veti dhe mbesin sërish brenda kështjellës mbretërore me gjithë jetën e tyre, me gjithë dashuritë dhe krenarinë e tyre në kohë robërie kur Skenderaj kishte vetëm një shitore, vetëm një furrë (Furra e Azizit), vetëm një shkollë, vetëm një kovaç (Elezin e Trashë), vetëm një doktor, vetëm një....

Por kishte shumë vuajtje, shumë përpjekje, shumë dëshira për dije e shkollim sa asnjëherë nuk do përsëritet.

Këto, ishin dhe janë pjesë e romaneve, novelave, dramave, tregimeve, poezive të nxënësve që ndërtuan histori gjysmë shekullore. Gjysmë shekulli; Dy Epoka. Asgjë nuk ka krahasim: as klasa, as nxënësit, as shkolla, as plan programi, as mësimi, as dielli nuk është i njëjtë. Po! Po. Adem Jashari e ndryshoi shndritjen e Diellit. Ai nxënësi i urtë, i heshtur, i dëgjueshëm, zemërmadh me shpirtin e tij të zjarrtë i gatuar nga Abetarja e Veqilharxhit dhe zëri i Naim Frashërit e Shaban Jasharit. Shpirt i edukuar nga i ati, mësues veteran i Drenicës kryengritëse. Shaban Jashari, mësuesi i ndaluar, i dënuar nga pushtuesi, i mallkuar nga predikuesi, por i dashur dhe i respektuar, pishtar lirie. Mungonin librat, mungonte buka, por nuk mungonte ushqimi, as dashuria. Ishte mësuesi i lirisë me abetare e kobure në Çantën e Atdheut me porosi të Fishtes e frymëzim të Gjergj Kastriotit–Skënderbeut.

Sot takova sërish shokët shkollës, sot sërish takova nxënësit e Gjimnazit të Hajrullah Spahiut, Shaqir e Idriz Baranit, Abdullah Gecit, Ibrahim Çitakut, Xhafer Murtezit, Ismailit, Neziri... e shumë të tjerë. Takova nxënës nga grupi galicas të shtegut të gjatë maleve e kodrave drejtë tempullit të dijes, Bedri Tahiri.  I heshtur e mendjendritur dje nxënës, sot vinte me pesëdhjetë  e dy vepra nën sqetull aq sa vitet nga koha e nxënësit, dhuratë për bibliotekën, për shkollën,  fryt e lavdi e saj.

Pritja që në oborrin e gjimnazit nga pedagogu i shkollës, Ramiz Spahiu, ishte nder për ne. Hapja e portës solli botën e shkollës, ashtu ishim mësuar tërë jetën tonë unë dhe sivëllai im Bedri Tahiri. Shoqërimi i ngrohtë edhe Afrim Ismajli, zëvendësdrejtor, Valmir Ajeti, bibliotekist, fliste mbi traditën e bukur shqiptare të mikpritjes. Portretet e heronjve të pikturuara nga nxënësit fliste se frymëzimi nga heroizmi i tyre do jeton gjithmonë gjeneratave.  Portretit i Hamëz Jasharit  u duk se foli, u duk se lëmoi mustakët e zeza si dikur në aktrim apo para aksionit drejtë pavdekësisë. U duk se linte porosinë e fundit të tij me këngën e Çerqiz Topullit, “ ne nuk jepemi se jemi bijtë e Gjergj Kastriotit-Skëndebeut”, lëri djemtë e mi të shkojnë. Ison ia mbanin portrete heronjsh për rreth të punuar nga nxënësit artist të lindur në liri, në Epokën që solli Adem Jashari me Ushtrinë Çlirimtare. Shkolla e re, moderne, shkëlqente e zbukuruar nga gjallëria e saj.  Përballë Emrit “Hamëz Jashari”, lart në katin e dytë një portret muranë i njeriut gjenial, simbolin e Koeficientit të Inteligjencës njerëzore, Albert Einstajn- in, portret i veçantë i realizuar nga nxënësja Djellza Isufi, piktore e talentuar.

Tregimet rreth Einstajn-it  dhe shqiptarëve janë të paskajshme. Ishim kureshtar nga prezantimi i autores së portretit nga motra e saj, Denisa dhe ajo vizatuese e talentuar. Arti dhe shkenca, shkenca dhe arti janë një në progres, në plotësimin shpirtëror të njerëzimit. Kjo u kuptua mirë nga Gjimnazi. Historia e jetës së Einstajni- (Ajnshtajnit) takohet me emrin e nderuar Dr. Jani Bashos, mik e Einstajnit në Universitetin e Vjenës. E kisha hasur në shkrime e dokumente, lutjen e rrethit të drejtuesve të Universitetit kërkesën e tyre drejtuar kolegut të tyre Jani Basho, për mundësinë e ndihmës për largimin nga Vjena të gjeniut me origjinë hebre  i rrezikuar seriozisht nga nazistët.

Kjo histori e dokumentuar në librin tim, dhuratë për bibliotekën, “Studiues austriakë e shqiptarë në Austri”, iu dhurua piktores Djellëza Isufit, përmes motrës së saj, nxënëse, Denisa.   Pasurimi i bibliotekës së gjimnazit me libra dhe mjete moderne leximi e komunikim, detyrim urgjent i organeve komunale dhe bizneseve të suksesshme. Kjo për të mirën e fëmijëve tanë.

Biblioteka, libri dhe simboli i gjimnazit gjithmonë paraprijëse në rrugëtimin drejt ardhmërisë.

Leximi sjell dije, dija është forcë, dija është sy e vesh, është liri.

Këtë e takova sërish brenda gjimnazit tim, ku isha nxënës dhe mësimdhënës, para gjysmë shekulli.

Urime, suksese  e ju priftë e mbara!



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora