Kulturë » Mehmeti
Hazir Mehmeti: Botime nga Shoqëritë Shqiptare në Austri (I)
E marte, 12.03.2024, 08:58 PM
BOTIME NGA SHOQËRITË SHQIPTARE NË AUSTRI
“Sa
mund të mendohet dielli pa dritë, aq mund të mendohet kombi pa gjuhë” (DIJA)
Pjesa e parë
NGA
HAZIR MEHMETI, VJENË
Periudha e
fundshekullit nëntëmbëdhjetë dhe fillimi i shekullit njëzet karakterizohet mes
tjerash me botime të shumë teksteve shkollore didaktike, pedagogjike,
psikologjike, historike, gjeografike nga
shoqëritë e ngritura në shumë qendra të kohës; Stamboll, Bukuresht, Kalabri, Vjenë,
Selanik, etj. Në rrethin e kryeqyteteve
në kontinent në botime tekstesh hynë Austri ku gjetën vend të përshtatshëm për
studime dhe veprimtari patriotike intelektualët shqiptarë sot të njohur me
ndihmën e tyre në formësimit të shtetit dhe kombit shqiptar. Në veçanti dallohej Vjena, Graci, Linci,
Insbruk, Klagenfurt.
Shqiptarët kudo që
u gjenden jashtë territoreve etnike; në Evropë, Amerikë e Azi, në fillim
shekullin e njëzet kishin përqendruar veprimtarinë në jetësimin e idealeve të
rilindësve në bërjen e alfabetit dhe shtetit shqiptar. Sundimi i gjatë turk e
kishte dëmtuar çdo gjë shqiptare, në radhë të parë gjuhën, trashëgiminë
kulturore, fetare, zakonet. Edhe në trevat shqiptare filloi të ndihet rritja në
kërkim të identitetit kombëtar për çka duhej liria dhe shteti i lirë. Idetë e
tyre të shprehura natyrshëm i shkruan e
rishkruan gjithandej shtypit të kohës duke ndikuar në ngritjen e
ndërgjegjes kombëtare.
SHOQËRIA “ILIRIA” E SHËNDRUAR NË “DIJA”, VJENË, 27 DHJETOR 1904
Dr. Gjergj Pekmezi, kryetar i
shoqërisë “Dija”, Hilë Mosi, sekretar në Vjenë dhe Nikollë Ivanaj i degës në
Raguzë.
Në Vjenë në fillim
shekullin e njëzet, studionin shumë të
rinj shqiptarë dhe kishte intelektualë
që jetonin e vepronin jo vetëm në kryeqytet por edhe në qytet tjera në Austri.
Ata fillimisht e fillojnë me formimin e
“Kolonisë Shqiptare të Austrisë” e cila pas një kohe të shkurtër
themelon “grupit nismëtar” për themelimin e shoqërisë “Liria”. Vet emri i saj
ishte synonim qëllimi. Nga jeta e kësaj
shoqate kemi pak shënim dhe pas pak vitesh do ndërron emër në Shoqëri “Dija”, ditëlindja e së cilës është 27
dhjetori i vitit 1904. Nga
bashkëthemeluesit, kryetar i saj zgjidhet Dr.Gjergj Pekmezi, kurse Hilë Mosi, sekretar. Sipas deshifrimit
të nënshkrimeve, pseudonimeve, inicialeve del se në takimin themelues morën
pjesë 15 anëtarë tjerë, mes tyre: Dervish Hima, Gaspër Beltoja, Gaspër Mikeli,
Kristo A Dako, Kolë Kodheli, , Ndue Paluca (Batusha), Kolë Rrota, Kolë
Margjini, Lec Çurçia Simon Kadarja, dhe
të tjerë emra të respektuar në letërsinë, kulturën e historinë
kombëtare. Shoqëria e intelektualëve shqiptarë i kishte vënë vetit qëllime
patriotike.
Shoqëria e re
“Dija” për një kohë do jetë shoqëri gjysmë ilegale deri në krijimin e rrethanave
të favorshme shoqërore e juridike kur do veproj legalisht. Sipas letrës që Hilë Mosi dërguar Asdrenit në Bukuresht, regjistrimi i
“Dija”-së ishte bërë e mundur tek pas katër vjetëve, me 29 mars 1907.
Statuti i shoqërisë i ruajtur në Bibliotekën
Kombëtare të Austrisë (Österreichische National Bibliothek) i botuar në fletushkë i cili dallohet për nga rregullsia
e shkrimit dhe renditjes së neneve në shtrirjen e tyre sipas ligjeve
dhe strukturës përcaktuese funksionale e praktike. Neni i parë në statut shkruan: “Shoqëria “Dija” e ka selinë e saj në Vjenë
me degën e saj në Raguzë”. Pika dy: ”Qëllimi i Shoqatës është ngritja e
arsimimit të shqiptarëve duke e kultivuar gjuhën e letërsinë shqipe”. Nga këtu
shihet lidhja e intelektualëve të Vjenës me intelektual në Raguzë (Dubrovnik)
në krye me Nikollë Ivanaj, një veprimtar
i çështjes kombëtare i lindur në Triepsh të Grudës, i shkolluar një kohë në
Vjenë dhe mbrojtës i platformës së Rilindjes kombëtare për formim të shtetit
shqiptar.
Në Vjenë qysh në
vitin 1904 do botohet libri “Këndime për shkollën e parë të Shqipënisë”, një
formë e veçantë e tekstit për mësim fillestar të fëmijëve në Shqipëri. Nuk
ishte i lehtë botimi i teksteve në rrethanat e rënduara në vendin e pushtuar,
andaj qendrat e mëdha ku vepronin intelektual të dalluar u bënë burim i
rrjedhave kulturore, letrare e shkencore. Vështirësi tjetër ishte jo unifikimi
i alfabetit të shqipes, kështu tekstet, ne mesin e tyre edhe gramatikat do
shkruhen sipas alfabeteve të Shoqërive të mëdha shqiptare ndër të cilat ishte
Shoqëria “Bashkimi” dhe “Agimi” etj. Vlera e veprimtarisë në arsim, letërsi e
politikë është e pazëvendësueshëm. Botohen: Shkronjëtoren shqip për
gjermanët”-“Albanische Gramatik” nga Dr.
Gjergj Pekmezi, Kalendarët e viteve 1906/7/8/ , të 1910-ës e shtyp në
Manastir, “Këndime për shkollat e para të Shqypnisë”. Këto tekste pas Kongresit
të Manastirit botohen me alfabetin e miratuar nga Kongresi si bie fjala
”Këndime për të rritshmit”, “
Gramatika ia
folmaria shqyptare e permbledhme me pak fjalë per përdorim t’fmive”, “Libri i
dytë i knoitorës shqype për shkollë në Shqypni”, “Libri i tretë i knoitorës
shqype për shkollë në Shqypni”, “Abetare” e Ndue Paluces e folmja e shqipes”.
Gazeta “Albanisch
Corespondenze“ u botua në Austri nga viti 1912 deri në vitin 1918. Gazeta e
parë u botua nga Leo Freundlish dhe Alfred Rappaporti. Kjo gazetë periodike
botonte artikuj rreth çeshtjes shqiptare, kryesisht të përmbledhur nga gazetat
e kohës në gjuhën gjermane siç ishin gazetat e njohuara “Neu Freie Presse”,
“Neues Wiener Tageblat”, Neues Wiener Journal”.
Shoqëria “Dija” më
12 Janar të vitit 1916 e fillon botimin e gazetës “Vëllazënija” e dyjavëshe
fillimisht e pastaj javore. Kryeredaktor ishte Leo Freundlich, i njohur me
veprën e tij “Albaniens Golgotha” ku zbulon gjenocidin e ushtrisë serbe mbi
popullin shqiptar të Kosovës. Për gjatë tri vjetëve u botuan 110 numra të
“Vëllaznija”-së me shumë materiale nga lufta, arsimi e kultura, analiza e
shkrime mbi hapjen e shkollave shqipe. Kjo gazetë dallohet me shkrimin e saj të
shoqëruar me fotografi që nuk i hasim në gazetat tjera të kohës. Pa dyshim
veprimtaria e shoqërisë “Dija” të Vjenës është një gurë i çmuar në themelet e
shtetit dhe kombit shqiptar. Veprimtarët patriot që përbënë këtë shoqëri, janë
sot emra që shkëlqejnë në historinë e kulturën kombëtare. Adresa e saj ishte:
Josefstätestrasse 54, Wien. Artikulli i
parë me temë nga lufta në numrin e parë me titull: “U mor Lovçeni” i kushtohet
sukseseve të ushtrisë Austro-Hungareze.
Nga tema e
shkollës dhe mësimit në gjuhën shqipe, nfë numrin e dytë, të datës 28 janar
1916, në rubrikën letrare “Për Shqypëni
e Shqiypëtarë” gjejmë artikullin me titull “Amaneti i shenjt-Gjuha”, artikull
porositës për çdo shqiptar kudo që “... një gjë është që nuk mund të blihet,
të shitet, të ndërrohet, është një gjë që do tër ruhet, është dhunti dhe shenjë
e parë i cili na dallon prej kombeve tjera. Është gjuha jonë”... “Sa
mund të mendohet dielli pa dritë, aq mund të mendohet kombi pa gjuhë”,
citat nga “Agimi i Gjytetnisë”
“Vëllazënija” e dyjavëshe fillimisht e pastaj kalon për një
periudhë si gazetë javore. Kryeredaktor i saj ishte miku i madh i shqiptarëve Leo Freundlich, i cili kujdesej për botimin e
gazetës me grupin e tij si redaktor dhe bashkëpunëtor i zellshëm. Nuk ishte e
lehtë boimi i një gazeta në gjuhën shqip në kohën kur sapo kishte filluar
shtrirja e përdorimit të alfabetit të gjuhës shqipe i dalë nga Kongresi i
Alfabetit të Shqipes në Manastir.
Vjersha nga Gjergj
Fishta e botua në “Vëllazënija”
GJUHA SHQYPE
Porsi kanga e
zogut t'verës,
Qi vallzon
n'blerim të prillit;
Porsi i ambli
flladi i erës,
Qi lmon gjit e
drandofillit;
Porsi vala e
bregut t'detit,
Porsi gjâma e
rrfès zhgjetare,
Porsi ushtima e nji
tërmetit,
Ngjashtu â' gjuha
e jonë shqyptare.
Ah! po; â' e ambël
fjala e sajë,
Porsi gjumi m'nji
kërthi,
Porsi drita plot
uzdajë,
Porsi gazi i
pamashtri;
Edhè ndihet tue
kumbue;
Porsi fleta e
Kerubinit,
Ka'i bien qiellvet
tue flutrue
N't'zjarrtat valle
t'amëshimit.
Pra, mallkue njai
bir Shqyptari,
Qi këtë gjuhë të
Perëndis',
Trashigim, që na
la i Pari,
trashigim s'ia len
ai fmis;
dhe atij iu
thaftë, po, goja,
që përbuzë këtë
gjuhë hyjnore;
qi n'gjuhë t'huej,
kur s'asht nevoja,
flet e t'veten e
lèn mbas dore.
Në gjuhë shqype
nanat tona
qi prej djepit na
kanë thânun,
se asht një Zot,
qi do ta dona;
njatë, qi jetën na
ka dhânun;
edhe shqyp na
thanë se Zoti
për shqyptarë
Shqypninë e fali,
se sa t'enden
stina e moti,
do ta gzojn kta
djalë mbas djali.
Vëllazënija, në
çdo numër, përveç lajmeve, analizave, kishte edhe shkrime nga arti letrar;
poezi, tregime, anekdota. Poezia e bukur
e Dom Ndre Mjedës botuar në rubrikën letrare “Për Shqypëni e për shqyptarë”
numri i 10 i saj i datës 30 prill 1916. (Vazhdon)
Burime:
Ndue
Paluca-Kolë Kamesi-Ernest Koliq, “Shkollë e jetë” botuar në Austri për nevoja
të shkollave në Shqipëri, nga shoqëria studentore “ALBANIA”, 1935
Max Lambertz, Gjergj Pekmezi, Lehr-und Lesebuch des Albanischen , Wien, 1912. Gazeta,Vëllazënija, Nr. 1, 12 Janar 1916.
Gazeta, Vëllazënija, Për Shqypëni e Shqiypëtarë, 28 Janar
1916.
Gazeta, Vëllazënija, Nr.3, Vjenë, 17
Fruer 1916. Gjegj Fishta, Gjuha Shqype.
Dom Ndre Meda, Për Shqypëni e për shqyptarë,
30 prill 1916, Wien.
Hazir
Mehmeti,“Studiues austriakë e shqiptarë në Austri” Prishtinë, 2021.