Kulturë » Mehmeti
Hazir Mehmeti: Lamtumirë këngë e krenarisë, Rizah Izbica!
E enjte, 15.02.2024, 09:11 PM
Lamtumirë këngë e krenarisë, Rizah Izbica!
Nga
Hazir MEHMETI
Kënga
buron nga shpirti, e pastër, e shkruar me ngjyrat e natyrës, ngjyrat e jetës.
Ajo këndohet vetëm nga ata që e kuptojnë këtë, jo të gjithë. Dardania ishte gjithmonë e tillë, e bukur me
dragoi e zana mali, heronjtë e legjendave, legjendare e legjendarë. Vepra e tyre nuk e la të pushon lahuta
asnjëherë moteve shqiptare. Zaten, Dardania ishte dhe mbeti vend i dragonjve,
vend i zanave të malit, vend i partiturave jetë legjendash, vend i këngëtareve
e këngëtarëve që nuk vdesin.
A
nuk flasin shekujve Gurët në Morinë,
legjendave shqiptare pranë oxhakut të kullave të qëndresës e lavdisë. Ato janë
e mbetën frymëzim brezave në Dardaninë e Hasan Prishtinës, Azem e Shotë
Galicës, Adem Jasharit e Hamzë Jasharit.
Po, cila zanë mali krahasohet me Shotë Galicën, me Xhevë Lladrovcin! Po
cili dragua krahasohet me Azem Bejtën e Adem Jasharin! Ku gjen tjetër, vetëm në
zemrën e Dardanisë, në Dreninë e lashtë e të re.
Aty
ku ka legjenda, ka legjendarë, aty ku ka legjendarë ka këngëtarë. Këto shkojnë
së bashku në sofrën e lavdisë gjeneratave.
Dhe, ne kishim legjendare dhe këngëtarë, ne jemi të veçantë.
Sot
u shua një tel, por u lind një këngë. Izbica e sakrificës, e dhembjes së madhe,
sot u nda nga biri i saj Rizah Osmani, por jo nga kënga dhe kujtimi për
Te. Këngëtarët e Izbicës janë biografi
në vete. Hasan e Rizah Izbica bënë dhe mbeten histori në artin folklorik
shqiptar. Kënga e tyre atdhetare ishte
vigjilencë, respekt, ishte thirrje qëndrese.
Nuk ishte e lehtë kënga në robëri, ishte më shumë, ishte sakrificë
për ditën e re, për liri. Kënga ishte e shpirtit, dhe shpirti s’mund të
ndalet ani pse në robëri, kënga ishte e dënueshme, edhe shpirti i lirisë. Këtë
e provuan Këngëtarët e Izbices, Hasan Osmani, Rizah Osmani, Ismet Osmani e
shumë tjerë. Kënga thërret
këngën, Izbica ishte dhe mbetet shembulli më i mirë në Dardaninë e vjetër e të
re. Kur këndonin këngën e Azem Galicës,
zëri shkonte larg, larg përtej fushave e maleve. Ajo fluturonte ashtu siç
fluturonte heroi i këngës dhe armiku dridhej, helmohej, çartej, donte ta mbyste
këngën. Po, ku mbytej kënga ore vëlla, ku burgosej shpirti mori motër! Hasani e
Riza edhe në çeli këndonin, edhe në qeli lindte liria.
Ai
që i këndonte dëshmorëve dje, ai sot këndohet dëshmor i kombit. Ai që mbillte pavdekësinë dje, sot u bë i
pavdekshëm. Dëshmori i Kombit Ismet Osmani kështu e kishte gatuar shpirtin e
tij jetës me të atin dhe axhën e tij në kulla e llogore. I mençuri sërish
kujton: kënga dhe gjaku bashkë në rrugën
e lavdisë. Izbica e dhembjes së madhe,
e kujtesës kombëtare me njëqind e dyzetë e tre lapidar.
Izbica
e kthjelltësive të saj sot dëgjohet larg në kontinent me trion e saj bashkë me
krenarinë shqiptare. Trio muzikore nga Izbica shpirtmadhe në auditorët e mëdha:
Berlin, Vjenë, Paris..
Rizah
Osmani i qetë shikonte të vëllain, porosinë e tij, shikonte nipin dhe ia kriste
këngës së jetës deri në qiell ku sot
pushon i qetë.
Lamtumirë
këngëtari i krenarisë, Rizah Osmani!