Kulturë » Mehmeti
Hazir Mehmeti: Vlerësimi i miqve të vërtetë, detyrim kombëtar
E marte, 13.12.2022, 08:58 PM
VLERËSIMI I MIQVE TË VËRTETË, DETYRIM KOMBËTAR
Miqësi shqiptaro-austriake shekujve
“Miqësia
e vërtetë është e drejtë dhe e guximshme” (Shiler)
Nga
Hazir MEHMETI, Vjenë
Në çdo fund viti sërish të
dalin para veprat e gjithë atyre që botën e bëjnë të dashur dhe të lirë, atyre
miqve me të cilët ndanë përditshmërinë në jetën e zakonshme. Kjo ka fuqi të
veçantë për mërgimtarin i cili jeton shpirtërisht në dy botë paralele
emocionale. Në një kryeqytet kulture evropiane siç është Vjena, detyrimisht
para të vijnë miqtë e mëdhenj të cilët nuk harrohen në historinë e vështirë të
shqiptarëve. Dhe nuk e thoshte kot poeti
e shkrimtari gjenial gjerman, Goethe: “Ai që nuk e sheh botën te miqtë e
tij nuk e meriton që bota të dijë për të”. Shumë figura të njohura kombesh
të ndryshme me origjinë shqiptare u bënë ura miqësie mes kombit shqiptar dhe
kombeve tjera. Në hapësirat gjermano
folëse, pa dyshim ishin Gjergj Basta,
Garl Gega, Aleksandër Moisiu. Këto
figura madhore e afirmuan kombin shqiptar edhe atëherë kur ishte shumë
vështirë. Atëherë, kur errësira aziatike kishte ngulfatur gjuhën, kulturën dhe
frymëmarrjen e shqiptarëve. Sulltani e donte vrasjen e arnautëve të pa fe, e
vrau shpirtërisht e fizikisht pa mëshirë. Njëra nga ato qytete ku vepruan shumë
miq të kombit shqiptar ishte Vjena e Norbert Jockli-t, themeluesit të studimeve albanologjike.
Tek ai studiuan albanologjinë shumë
shqiptarë, mes tyre Eqrem Çabej. Andaj, Jockli me të drejtë quhet At i
Albanologjisë. Duke qenë i lindur nga prindërit hebrenj Norber Jockli,
internohet me dhunë në kampet fashiste duke humbur çdo gjurmë rreth tij, por
duke lenë pas veprën e madhore të tij e cila mbeti themeli i miqësisë mes
kombeve austriak, hebre dhe atij shqiptar.
Në historinë e kulturën
shqiptare Vjena ishte dhe mbetet qendër e respektuar ku vepruan shumë figura të
njohura historike nga të gjitha drejtimet.
A mund të kalojmë pa përmendur këtu përveç Norbert Joklit edhe emra tjerë shumë të
respektuar si: Franz Baron-Nopsca. Leo Freundlich, Jakob Philipp Fallmaerayer,
Johanenes Gerog von Hahn, Gustav Mayer, Jan Urban Jarnik, etj të cilët vunë
themelet e njohjeve mbi gjuhësinë, kulturën, etnografinë e historinë e lashtë
shqiptare. Ata ndihmuan në hapjen e shtigjeve drejt njohjeve të shqiptarëve nga
popujt tjerë, të cilat u vazhduan të pasurohen edhe nga studiues shqiptarë në
Universitetin e Vjenës, Gracit e Insbrukut. Nga këtu shndritën dhjetëra emra
tani të njohur të kombit shqiptar: Eqrem Çabej, Aleks Buda, Dr. Gjergj Pekmezi,
Hil Mosi, Lasgush Poradeci etj.
Një shekull më parë studentët shqiptarë
themeluan shoqëri të fuqishme, gjurmët e veprimtarisë së të cilave mbetën të
ndritura në historinë e formësimit kombëtar. Shoqatat: “Liria” e cila më vonë u
quajt “Dija”, “Djalëria Shqiptare” e cila më vonë u quajt “Albania” të cilat
botuan revista e gazeta nga të cilat më të njohura ishin revista “Djalëria” dhe
gazetat “Ora e Shqipnisë”, “Vëllaznia”, “Minerva” ,,Albanische Corespondenze”,
“Bashkimi Kombëtar”, “La Fedration Balcanique”, etj. Aty botuan shkrimet e tyre
figura me peshë në historinë tonë kombëtare si: Hil Mosi, Dervish Hima, Dr.
Gjergj Pekmezi, Kolë Rrota, Jani Basho, Xhevat Korça, Fuad Asllani, Vasil
Laboviti, Lasgush Poradeci, Sokrat Dodbiba, Irakli Buda, Nush Bushati, Gjevalin
Gjadri, Kolë Mirdita (Helenau), Rrok Gera, Rrok Maliki, Rrok Kolaj, Filip
Papajani, Dr. Omer Hamiti, Sokol Sopoti, Rrok Stani, Terik Bekteshi, Hasan
Ceka, K. Hobdari, Gjon Temali, Krist Maloki, Kristo A. Dako, Ndoc Naraçi, Kolë
Kodheli, Krist Ndue Paluca, Gasper Mikeli, Kolë Margjini, Gasper Baltoja, Lec
Çurçia, Ndoc Krajni e të tjerë.
Përkrahja e organeve
austriake në shkollimin e studentëve shqiptarë, kulturës e gjuhësisë shqiptare
vazhdoi pa ndërprerë deri në ditët tona. Kjo u duk në veçanti gjatë viteve të
luftës në Kosovë, ku shteti austriak ndau bursa për të gjithë studentët nga
Kosova. Në momentet vendimtare Austria e mbështeti kauzën e drejtë shqiptare.
Nga këtu me bekimin e shtetit të Austro-Hungarisë u nis Ismail Qemali drejtë
Durrësit e Vlorës për të shpallë mëvetësinë e Shqipërisë në ato pak territore
të cilat akoma nuk ishin pushtuar nga forcat grabitqare të shteteve fqinjë. Nga
Vjena bisedimet shqiptaro-serbe rreth së ardhmes së Kosovës, doli përfundimi
logjik, se Kosova duhet marr rrugën e vet përmes Planit të Ahtisarit, Ky
bashkëpunim u vazhdua në hartimin e planit për pavarësinë e Kosovës, ku
diplomati austriak Albert Rohan u dallua me qëndrimin e tij konsekuentë, i cili
Plan, Kosovës i dha bazën fillestare të shtetit të pavarur.
Politika austriake e shprehur përmes emrave Alois Mock, Vicktor Klima,
pastaj Ulrike Lunack dhe publicistëve analitik të njohur mes të cilëve dallohej
Christne Von Kohl korrespondente e “Die Presse” në Beograd, përbejnë themelet e
respektit tonë, edhe për nesër.
Që para gjysmë shekulli është i njohur
miku tjetër, shkrimtari dhe fotografi i njohur jo vetëm në Austri Prof.Peter
Paul Wiplinger. Qysh herët ai kontaktoi shumë nga
figurat e njohura politike e letrare shqiptare, mes tyre poetin Ali Podrimja
dhe Dr. Ibrahim. Ai ruan respektin për ta, të cilëve u kushtoi edhe poezi.
Pjesë nga letra e Prof. Peter Paul Wipliner dërguar Mag. Hazir Mehmetit. Datë,
1 janar 2019. “Këtu po dërgoj edhe një bashkëngjitje, të
cilën po ia dërgoj edhe ambasadorit Sami Ukellit. Është mirë të dish se në
cilën anë isha atëherë, 30 vjet më parë tani, dhe për çfarë isha angazhuar; dhe
sa e gjatë ka qenë marrëdhënia ime me Kosovën; që nga viti 1961. Kur shkova për
herë të parë atje. Ibrahim Rugova dhe shokët e tij dinin gjithashtu se me kë të
kontaktonin kur kërkuan që dosja e rëndësishme e burgut t'i dorëzohej ministrit
të Jashtëm të atëhershëm austriak, Dr. Alois Mock, duke më kërkuar këtë shërbim, të cilin edhe
unë e mora përsipër dhe e realizova. Besoj se kjo nuk ishte krejtësisht e
parëndësishme për shumë një proces vendimmarrjeje politike, veçanërisht në atë
kohë”. Në gjermanisht. ”Ich sende hier auch ein Attachment, das
ich auch dem Herrn Botschafter Dr. Sami Ukelli geschickt habe. Man darf ruhig
wissen, auf welcher Seite ich schon damals, also jetzt vor 30 Jahren, gestanden
bin und wofür ich mich engagiert habe; und seit wie langer Zeites meine
Beziehung zum Kosovo gibt; seit 1961. Als ich zum ersten Mal dort war. Ibrahim
Rugova und seine Freunde wußten auch, an wen sie sich mit ihrer Bitte um
Überbringung des wichtigen Gefängnis-Dossiers an den damaligen österreichischen
Außenminister, Dr. Alois Mock, wenden konnten, was sie auch taten, indem sie
mich um diesen Dienst baten, den ich auch übernahm und ausführte. Ich glaube,
daß dies-für manche politische Weichenstellung-besonders zur damaligen Zeit
nicht ganz unwichtig war“.
Do ishte shumë simbolike dhe vlerësuese
që Prof. Peter Paul Wiplinger të dekorohej nga Institucionet tona po me çmimin
e njejtë që u dekorua Dr.Alois Mock. Kjo ishte kërkesë e imja si krytar i
Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë “Aleksandër Moisiu” para dy
muajve drejtuar Presidences së Republikës së Kosovës në 85 vjetorin e lindjes.
Emrat e miqve tanë të vërtetë në Austri në kohën tonë pasurohen me emrin Mag. Lukas Mandl – Eurodeputet, një zë i fuqishëm në Parlamentin Europian në mbështetje të drejtësisë për kauzën shqiptare në përgjithësi dhe asaj kosovare në veçanti. Ai së bashku me Arbër Markun, themeluan Shoqatën e Miqësisë Austriake-Kosovare në vitin 2015. I ndërlidhur me rrethanat e Kosovës, sfidat e saj në rrugën drejt integrimeve evropiane, Mandl nxori librin “Kosova dhe BE: Situata aktuale dhe perspektivat për të ardhmen”. Një libër ku fjalën e tyre rreth Kosovës, rrethanat aktuale të ndërlidhura me të kaluarën e saj e dhanë disa figura politike drejtuese në Austri, studiues e politolog të njohur. Mes tyre: Lukas Mandl, Sebastian Kurz, Oliver Varhelyi, Meliza Haradinaj-Stublla, Arbër Marku, Franz Schausberger, Elisabeth Campestrini, Tanja Fajon, Fridhelm Frischenschager, Irena Joveva, Kevin Kaiser, Andrey Kovatchev, David Mcallister, Andreas Schieder, Colli Marboe, Lulzim Pllana, Vladimir Bilcik, Wolfgang Sobotka, Patrick Voler, Manfred Brandner, Anton Quni, Erhard Busek, Dedë Gjergji, Ulrike Lunacek, Arta Sejdiu, Mimoza Ahmetaj, Johanes Hahn etj. “Pema e miqësisë kërkon të ujitet vazhdimisht” (R.Bimo), këtë nuk e harroi aktivisti dhe politikani ynë Arbër Marku. Ai duke qenë personalisht aktiv në jetën politike në vend, pa se Austria ka potencial të madh politike për ta ndihmuar Kosovën, e mbështeti idenë e Eurodeputetit Lukas Mandl, për themelimin e Shoqatës së Miqësisë Austriako – Kosovare, sekretar i së cilës është që nga themelimi i saj. Kjo shoqatë ka bërë punë me vlerë në afirmimin e çështjes së Kosovës dhe afrimin e saj me Bashkimin Evropian qysh nga viti 2015. Në veçanti Arbëri është i njohur tek komuniteti shqiptar si mbështetës i projekteve me rëndësi për shqiptarët. Nga kjo duhet veçuar ndihma e tij në ngritjen e marrëdhënieve shqiptaro-austriake gjatë dhjetëvjetëshit të fundit.