Kulturë » Mehmeti
Hazir Mehmeti: Shënohet shekulli i revistës ''Djalëria'' në Vjenë
E enjte, 18.02.2021, 07:10 PM
SHËNOHET SHEKULLI I REVISTËS “DJALËRIA” NË VJENË
Lidhja
e Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë “Aleksandër Moisiu” në Austri, shënon
shekullin e gazetës “Djalëria” me botim të numrit festiv të saj. Përgatitur për
botim nga Hazir Mehmeti, redaktim e lekturë nga Violeta Allmuça.
Nga
Hazir MEHMETI, Vjenë
Para
një shekulli Shoqëria Studentore e Shqiptarëve “Albania” në Vjenë, nxori në
dritë revistën e saj “Djalëria” e cila tani mbushi një shekull. Ajo ishe vepër
e figurave madhore kombëtare të kohës
Jani Basho, Xhevat Korça, Fuad Asllani, Nush Bushati, Kolë Mirëdia
(Helenau), Raku Buda, Gjovalin Gjadri e shumë tjerë. Në rrugën e progresit
kombëtar “Djalëria” e Vjenës, ka peshën
e saj historike e cila u bë strehë e mendimit shqiptar në përpjekjen për të
ndihmuar nxjerrjen e kombit nga gjendja e rëndë e pushtimit pesëshekullor turk
me moton e saj, S.K.S.K ( Sa Kam Shpirt,
Kam Shpresë). Ajo frymoi krahas simotrave të saja siç ishin revistat
“Shqiptari” e Nikolla Naços e vitit 1888 e pasuar nga revista e Faik Konicës “Albania”
e vitit 1897; revista “Drita” e më vonë “Dituria” e Stambollit; revista
“Dielli” në Boston, revista “Drita” e Sofjes etj.
Vjena
si qendër e kulturës dhe politikës evropiane, u bë vendstrehim për shqiptarët
të cilët kishin nevojë të madhe për
shkollim në universitetet austriake të
njohura në Evropë e botë. Ndjenja e
miqësisë e shprehur nga vendorët ndaj kulturës e historisë shqiptare bëri që
Austria të jetë një qendër e preferuar shekuj më parë për shqiptarët. Qe në
vitin 1914 themeluesi i studimeve albanologjike Norber Jokl bëri incizimin në
pllakë gramafoni tingëllimet e fjalëve në shqip, e para gjuhë e incizuar e cila
ruhet në fonotekën e Vjenës. Pak vite më vonë Shoqëria Studentore “Albania” e Vjenës mori rol me rëndësi në
ecje drejtë aspiratave kombëtare. Studentët shqiptarë në Austri jetonin me
hallet e Atdheut të tyre të copëtuar nga pushtuesit fqinj dhe nisur nga këto
rrethana ata nga Vjena i shkruan letër në shqip dhe anglisht presidentit
amerikan Z. Woodrow WILSON, të nënshkruar nga
Remzi Baçe, Jani Basho, H. Hifzi, Nush Bushati, Xhevat Korça, Luigj
Kakarriqi, Gjovalin Gjadri, Raku Buda dhe Fuad Asllani ku i luteshin atij që ta
marrë në mbrojtje Shqipërinë nga zhdukja në Konferencën e Paqes në Paris. Kjo
letër është e botuar në versionin shqip në “Djalërinë” festive. Pak rreshta nga
letra: “Vërtet Konferenca e Londrës më 22 Janar 1913 njohu si shtet më vete
Shqipërinë, por po thuaj se dy të tretat e vendeve që sipas drejtësisë duhej të
njiheshin si Shqipëri, u lanë të vuajnë nën zgjedhën e huaj. Serbët morën
gjithë Kosovën shqiptare dhe u munduan me çdo mënyrë të shuajnë në ato vende të
gjithë njerëzit jo-serbë. Mali i Zi u rrit edhe dy herë më shumë se ç’qe, vetëm
me shqiptarë e me toka shqiptare, ku malazezët nuk numëronin 1/1000 të
vendësve”, thuhet mes të tjerash në letrën e studentëve shqiptarë nga Vjena.
Nga njohësit e rrethanave të asaj kohe kjo letër u quajte “Letra e cila shpëtoi
Shqipërinë”.
Pa
dyshim revista “Djalëria” u bë tribunë e shkrimeve të botuara nga studiues
shqiptarë, por edhe e të tjerëve. Pas një shekulli po shkëpusim disa thënie
nga numri i parë i revistës me titull: “Me rastin e lindjes së
“Djalërisë”: “Dëshira më e madhe e çdo shqiptari të vërtetë duhet të jetë
lumturia e Shqipërisë. Gjithë ajo lumturi është edhe e studentëve shqiptarë. Djalëria
shqiptare e sotshme nuk është në gjendjen e këndshme të asaj te kombeve të
tjerë dhe nuk e ka trashëguar prej të parëve të saj bashkimin e plotë të kombit
të vet, as lirinë e tërë tokave shqiptare... Zgjedha e rëndë dhe robëria e
gjatë na bënë të mbetemi aq prapa, sa në ditë kritike kur ndahesh fati i kombit
tonë nuk u dëftuam të zotët e kohës. Popujt e tjerë fqinjë në kondita të
ngjashme, po edhe më të dobët se ne, por të ndihmuar prej fatit, na shkelën e
këputën prej trupit të gjallë të kombit tonë pjesë, të cilat edhe sot i mbajnë
ndër thonjtë e rëndë”. Veçojmë shkrimet
tjera: nga Kolë Mirëdita (Helenau) novela ”Burbuqet e trëndafilit”; Xhevat Korça me shkrimin “Skënder Beu” dhe
shkrimi nga redaktori i revistës, Nush Bushati, “Populli ner teorina e trajta
shtetnor”.
Numri
i parë i “Djalërisë” mbyllet me fjalimin nga Jani Basho: “Pse është
karakteristike për ne, si shqiptarë, dita e themelimit të shoqërisë, se në atë
duket një pjesë e psikologjisë së shqiptarit, i cili është gati kurdoherë për
punë që kanë për qëllim të mirën e përgjithshme...”
Padyshim
“Djalëria” mbetet një shkëndijë në historinë e kulturës sonë. Shumë nga
bashkëpunëtorët e saj aty e provuan artin e të shkruarit dhe parashtrimin e
problemeve të shumta që e rëndonin shoqërinë shqiptare e cila i vuante pasojat e një robërie të gjatë. Ky
grup i studentëve shqiptarë që studionin në gjendje të vështirë ekonomike
pjesërisht u përkrah nga qeveria shqiptare e drejtuar nga Ahmet Zogu dhe nga
veprimtarë tjerë siç ishin Hasan Prishtina e Bajram Curri. Në vitin 1919, kur “Albania” bënte aktivitete
me rëndësi, Hasan Prishtina “kishte gjetur në studime një grup shqiptarësh të
rinj, të cilët kishin mbetur në gjendje të keqe nga pamundësia për t`i mbuluar
shpenzimet e shkollimit. Atyre ua heq shpenzimet dhe ishte i interesuar
për t`ua zgjidhur problemin e shkollimit në tërësi”. Shekulli i “Djalërisë” së Shoqërisë “Albania”
erdhi me lajmin e mirë të riformimit të Shoqatës Studentore “Societas Albania”
në Austri e drejtuar na kryesia e saj me kryetar studentin e dalluar Franc
Jakova.
Nga
Lidhja e Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë “Aleksandër Mosiu” në Austri kjo
ngjarje me rëndësi u shënua duke botuar numrin shënjues të revistës “Djalëria”
në rrethana të renduara pandemie. Në përmbajtjen e saj gjejmë tema nga botimet
e numrit të parë dhe shkrime tjera. Prej tyre shkrimi nga Dr. Kurt
Gostentschnigg, albanolog dhe studiues i njohur me temën: “Shoqëria Studentore
“Albania” në Vjenë dhe revista e saj “Djalëria”. Shkrime nga: Pjetër Logoreci,
Violeta Allmuça, Reshat Sahitaj, Anton Marku, Shpresa Musaj, Frnc Jakova, Hazir
Mehmti, Shkrimi nga miku i madh i
shqiptarëve të asaj kohe Leo Freundlich: “ Si përfunduan përkrenarja dhe shpata
e Gjergj Kastriotit –Skënderbeu në Vjenë”.
Pas një shekulli zbulohet letra e studentëve shqiptarë në Austri dërguar
Presidentit Amerika Wilson, në versionin shqip.
Materiale tjera interesante janë fotografi të figurave madhore kombëtare
që studiuan në Austri. biografia e shkurtër e themeluesve të “Djalërisë” Jani
Basho, Nush Bushati, Fuad Asllani, Xhevat Korça. Në faqet e fundit botohen
poezi nga disa numra të “Djalërisë” të shkruara nga Gjergj Fishta, Hilë Mosi,
Helenau (Kolë Mirëdita) dhe Lasgush Poradeci. Krejt në faqen e fundit poezi aktuale nga disa
autore/ë që krijojnë aktualisht në Austri.
Sot kemi arsye të ligjshme që të vlerësojmë me krenari veprën e tyre të
madhe e brumosur në themelet e kombit dhe shtetit shqiptar.