Kulturë » Mehmeti
Hazir Mehmeti: Libri i cili solli mes nesh trimin Halit (Azem) Çuka
E marte, 16.08.2022, 07:25 PM
LIBRI I CILI SOLLI MES NESH TRIMIN HALIT (AZEM) ÇUKA
“Ai
që nuk njeh të kaluarën nuk do ta kuptojë as të ardhmen”
(Eco)
Nga
Hazir MEHMETI
Promovimi
i librit HALIT (AZEM) ÇUKA, me autor
Qazim Azemi në Shtëpinë e Kulturës “Hasan Prishtina” në Vushtrri,
vlerë historike kombëtare.
Në
ambientet e bukura të sallës së Shtëpisë së Kulturës “Hasan Prishtina” u
rikujtua njëri nga personalitet e historisë sonë të lavdishme, Halit Çuka, i
cili tërë jetën ia kushtoi luftës për
liri kundër pushtuesve serb në kohët e rënda për kombin shqiptar. Emri i tij
ishte halë në sy për pushtuesit deri në çlirimin e Kosovës. Familja e tij ishin
në shënjestër dhe ishte e vështirë jeta e secilit anëtar në sistemin komunist i
cili ua konfiskoi pasurinë deri në trohën e fundit nga magjja. Por, mendja e ndritur e familjes e brumosur
me ide përparimtare stërgjyshore u pasurua me shkollimin e shumë prej tyre edhe
autori i librit, Prof.Qazim Azemi.
Shkollimi hapi shtigje të reja në luftën për çlirimin e kombit dhe sot
jemi të lirë të përkujtojmë lirshëm trimat që dhanë jetën e tyre për liri. Vushtrriasit përjetuan dhe mësuan për
figurën e Halit Çukës si asnjëherë më parë.
Nderim i veçantë ishte prania e të parit të komunës Ferit Idrizi i cili
mbajti fjalë rasti në respekt të veprës së trimit Halit Çuka. Ai përgëzoi
autorin e librit për veprën e re monografike me rëndësi për historinë
kombëtare.
Redaktori...
Prof.
Bedri Tahiri, shkrun: “Personalitetin e
Halit Çukës e përplotësojnë dhe veprës i japin karakter shumëdimensional, duke
kapërcyer atë familjar, jetëshkrimet për bashkëluftëtarët dhe bashkëveprimtarët
e tij të shumtë, të cilat autori asnjëherë nuk i lë anash dhe u jep vendin e
merituar. Të gjithë ata: vëllezër, miq, kushërinj, bashkëveprimtarë, dashamirë
e atdhetarë të njohur, përherë janë krahë përkrahë me të, në beteja e në
kuvende, në organizime e në veprime. Halit Çuka ishte kryetar i Komitetit për
mbrojtjen e Kosovës në Komunën e atëhershme të Samadrexhës.”
Recensenti...
“Halit
Çuka e ndoqi rrugën e shumë patriotëve të shquar të kombit tonë, të cilët
angazhoheshin për avancimin e çështjes kombëtare, të nuk kursyen as gjënë më të
shtrenjtë pasurinë, jetën e vet dhe djemve të tij, ku tërë pasurinë që kishte e
shkriu për çështjen kombëtare.” (Hysen Azemi, recensent).
Autori...
Në
fjalën e tij autori i librit Qazim Azemi para publikut që mbushte sallën mes
tjerash tha: “Ka qenë periudhë e vështirë kur njeriu s’ka mundur t’a përmend
emrin e babait, të gjyshit, me pretekst se ata kinse qenë “armiq” të popullit.
Por, kujtesa e popullit mbajti të gjallë veprën e tij, emrin e tij. U tregua, u
këndua dhe bisedua për atdhetarin dhe dëshmorin e kombit Halit Çuka, i cili dha
jetën për liri. Gjatë hulumtimeve të mia në Arkivin Historik të Kosovës, edhe
aty mungojnë materialet me të dhëna lidhur me konfiskimin e pasurisë dhe
personave të likuiduar gjatë viteve 1945/46, janë të zhdukura nga dora
gjakatare serbe. I falënderoj të gjithë miqtë dhe bashkëpunëtorët, të cilët më
kanë ndihmuar në çfarëdo forme deri në realizimin e librit”.
Qazim
Azemi lindi në vitin 1946 në Dumnicën e Poshtme. Shkollimin fillor e mbaroi në
vendlindje, të mesmen në Vushtrri dhe Fakultetin Filozofik drejtimi i Gjuhës në Universitetin e Prishtinës. Punoi
profesor i gjuhës dhe letërsisë shqipe në shkollat e mesme të Vushtrrisë ku
ishte edhe drejtor shkolle. Është nipi i Halit Çukut, i cili lind gjashtë muaj
pasi pushtuesit komunisti serb ia pushkatojnë të atin. Ai rritet nën
përkujdesjen e nënës në rrethana ekstreme shtypëse ndaj familjes patriotike
Çuka.
Prof.
Qazim Azemin, e kisha kolegë në Qendrën Shkollore të Vushtrrisë e cila përjetoj
sulme të vazhdueshme nga pushtuesit serb. Ai ishte sypatrembur në mbrojtjen e
shkollës shqipe. Duke pasur një kolektiv nga intelektual punëtor e patriot
Qendra Shkollore e Vushtrrisë, ishte halë në sy të armikut, andaj u bë cak i
sulmeve të vazhdueshme. Kjo qendër shkollore përjetoj diferencimin nga i cili
pësuan disa mësimdhënës, mes tyre edhe Qazim Azemi. Shkolla përjetoj helmimin e
nxënësve nga agjentët policor e ushtarak serb në vitin 1990, një krim për të
cilin nuk foli drejtësia, përjetoj mbylljen e shkollës dhe dëbimin me dhunë nga
lokalet shkollore. Por, kolektivi nuk u gjunjëzua, vazhdoi punën mësimore në
shtëpitë shkolla të popullit arsimdashës gjithandej Vushtrrisë deri në çlirimin
e vendit. Halit Çuka dhe trimat e kombit
ishin frymëzim në luftën për liri për secilin deri në realizimin e idealeve të
tij dhe dëshmorëve tjerë të kombit.
Sot
Halit (Azem) Çuka kthehet krenar në Vushtrrinë dhe Kosovën e tij të lirë për të
cilën dha jetën, dha bijtë dhe pasurinë e tij.
Biblioteka e Vushtrrisë u pasurua me veprën e re e cila do flet brezave
që vijnë.
Autorit,
Prof. Qazim Azemi, i dëshirojmë shëndet dhe shumë vepra tjera.