E shtune, 27.07.2024, 06:13 AM (GMT+1)

Kulturë » Mehmeti

Hazir Mehmeti: Nisi xhirimi i dokumentarit kushtuar aktorit e regjisorit Bilall Koci

E diele, 27.08.2023, 07:56 PM


Nisi xhirimi i dokumentarit  kushtuar aktorit e regjisorit Bilall Koci

Nga Hazir Mehmeti

Në Skenderaj fillon xhirimi i filmit  dokumentar kushtuar aktorit dhe regjisorit Bilall Koci i cili para disa vitesh u shkëput nga jeta.  Regjisor dhe skenarist është Shaqir Bejta tani e gjysmë shekulli i njohur në Kosovë për regji dhe aktrim.

Bilall Koci, qysh si nxënës gjimnazi, iu bashkua trupës teatrale të shkollës në realizimin e disa dramave nga autorët e njohur shqiptarë. Mes tyre shquhen dramat: Kashta e Kumrit,  Halili e Hajria, Toka jonë, Hakmrrja  të cilat ishin jo vetëm kënaqësi aktori por kishin porosi të qartë në detyrat që duhej ndjekur drejtë progresit kombëtar. Kritika dhe demaskimi i dukurive negative në shoqërinë shqiptare, siç ishte hakmarrja, spiunimi,  vrasjet etj.

Dramat e para ku luajti aktori u realizuan nga grupi dramatik i gjimnazit i drejtuar nga Profesori Beqir Beqiri i cili u dallua me organizim të shkëlqyer. Shfaqjet jepeshin në shkollë dhe sallën e shfaqjeve në Skenderaj dhe qendra tjera të vendit. Kjo kohë u dallua me aktoret e talentuar të teatrit ku dalloheshin me lojën e tyre brilante Bilall Koci dhe Shaqir Bejta. Me kalimin e kohës shumica e aktoreve dhe aktorëve bëhen pjesë e projekteve filmi me skenar interesant bazuar në ngjarje kur vendi ishte në robëri.  Ndërmarrja serioze ishte realizimi i filmit “Dalja nga errësira” sipas veprës dramatikë “Hakmarrje” e autorit të njohur Jusuf Kelmendi. Ky film shpalosi talentin e aktorëve, mes tyre dallohet roli i Bilall Kocit i cili e realizon me sukses duke e bërë aktorin jo vetëm aktor, por edhe personazh me forcë shprehëse e ngulfatur në kujtesën e publikut. Tani Bilall Koci do shpalos talentin e tij edhe në regjinë e filmit së bashku me Ismajl Tahirin.  Pas dhjetëra roleve në dramë dhe dhjetëra role në film, Bilall Koci sëmurët rënd duke u ndarë nga jeta në moshën e pjekurisë profesionale kur priteshin realizime të reja prej tij. Përvoja e tij prej aktori do ndërpritet, kur gjeneratat e reja do pasuronin profesionin e tyre me përvojën e shkëlqyer të aktorit. Ai nuk pushoi as në kohën e luftës ku ishte pjesë e teatrit të luftës duke realizuar projekte dramatike në kohën e luftës. Bilall Koci ishte pjesë njësitit ushtarak “Hamzë Jashari” të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës deri në mbarimin e luftës.

Projektin dokumentarit e drejton aktori i njohur Shaqir Bejta me stafin e tij. Ky projekt me rëndësi për kulturën jo vetëm në komunën e Skenderajt, duhet mbështetur gjerësisht nga shoqëria shqiptare; komuna, bizneset dhe në veçanti nga mërgimtarët.

Rikujtimi i figurave që tërë jetën punuan me një kore buke për ngritjen e kulturës kombëtare është detyrimi ynë. Aktori Bilall Koci me artin e tij me aq përkushtim u bë pjesë e zërit të ndërgjegjes kombëtare drejtë lirisë. Ata pasuruan vlerat shpirtërore të shoqërisë shqiptare e cila hynte në rrjedhat e lëvizjes së fuqishme kombëtare edhe në gjuhën e armëve.

Bilallin e kisha shok gjenerate me të cilin ndamë shumë momente të vështira rinie. Udhëtonim mbi tri kilometra në këmbë rrugicave të përbaltura shpesh zbathur dhe me pak bukë misri në janxhik (çantë nga bëzi e lidhur me tojë krahu) në borë e në shi. Shpesh të lagur hynim në shkollë dhe dilnim prej saj deri në shtëpi ku mezi tereshim pranë oxhakut.        Në shpirtin e Bilallit ishte dashuria e madhe për artin dhe mbi të gjitha për gjuhën dhe kulturën kombëtare.  Sytë e tij ndrinin sapo fillonte të flitej për tregime, drama dhe pa hezitim bëhej pjesë aktive e bisedës duke shprehur mirëkuptimin dhe respekt.

Është nevojë urgjente që nga Institucionet tona të marrin masa për të ndryshuar gjendjen kaq të keqe në arsim e kulturë.  Populli që investon në arsim e kulturë e ka të ardhmen e ndritur.  Arti si pjesë e pasurimit shpirtëror e një kombi nuk guxon më tutje të mbetet vetëm si aktivitet privat, por të jetë fuqishëm i mbështetur nga organet përgjegjëse.                 Sa projekte filmi financohen brenda viti nga komuna? Sa nga Kosova?  Dhe, ato që mbështeten a kalojnë përmes komisioneve transparente?   Dramat, filmat, koncertet, festivalet, promovime veprash letrare, orë letrare, konkurse letrare, grupet e shoqatat sportive krijojnë koloritin shpirtëror të shoqërisë. Tani kur jemi zot në shtëpinë tonë, do duhej një qasje krejt tjetër financiare dhe organizative.    Lumturia e qytetarit është e shkruar në ushqimin shpirtëror nga jeta e tij e lidhur fuqishëm me kulturën.  Kosova e ka rininë, ajo çka pak vende e kanë sot, por sa është ajo e lidhur me aktivitete të mirëfillta prodhuese në kulturë është pyetje shqetësuese.    Sot Kosova si shoqëri e hapur mund të merr shembuj vendet tjera se si e financojnë dhe organizojnë aktivitet e formësimit shpirtëror të gjeneratës se re.   Ta lësh rininë jashtë shkollave, jashtë rrjedhave sportive e kulturore, do thotë ta humbash rininë, ashtu siç po ndodhë në Kosovë.  Agjenturat dogmatike fetare janë shumë aktive në Kosovë të financuara fuqishëm nga qarqet armiqësore në vrasjen shpirtërore të rinisë. Një rini e lidhur me shkollën dhe aktivitetet sportive e kulturore do jetë e shëndoshë shpirtërisht, e edukuar dhe do mbetet në Kosovë.

Bilall Koci dha shumë për një kulturë arti në shërbim të vetëdijes kombëtare. Ai e meriton respektin tonë gjeneratave. Suksese projektit!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora