Kulturë » Mehmeti
Hazir Mehmeti: Lamtumirë Mendjendrituri, At Antonio Bellusci!
E enjte, 27.06.2024, 06:59 PM
LAMTUMIRË
MENDJNDRITURI, AT ANTONIO BELLUSCI!
Nga Hazir Mehmeti,
Vjenë
Në Frasnitë (Frascineto)
flamujt në gjysmështizë.
Ndërron jetë biri i saj At Antonio Bellusci. Ai i cili i dha
kuptim e krenari Frasnitës, Kalabrisë, Arbërisë, shqiptarisë. At Antonio, nuk merr frymë më, nuk do ta
shohim me flamurin kombëtar në ballkonin e tij, as në foltore, as në Kongresin
Amerikan, as në kullën e tij shekullore. Atë do ta takojmë kudo aty ku flitet
mbi arbëreshët, Arbërinë, Morenë e arvanitaset, shqiptarë e shqiptari.
Ai tani, bashkoi flamurin me De Radën, Veqilharxhin, Naimin,
Samiun, Fan Nolin, Koliqin, Aristidh
Kola, Vangjel Lljapi, Jorgo Mihas Marugas, Rugovën, Ademin në altarin e historisë kombëtare, në arkivat
e bibliotekat anë e kënd botës.
Vepra e tij, aty ku është fryma shqiptare.
Ai dha nga vetja e tij shumë, jo për inate, jo për grada, jo
për shpërblime, por për njerëzoren, lirinë dhe jetën e kombit.
Nëntëmbëdhjetë qershori do shënohet në heshtje.
Lartë fluturon një pëllumb
bardhësie, shumë lartë mbi Frasnitë, mbi Pollin, mbi gjithë Arbërinë,
edhe përtej detit mbi More e Epirin e Ri, mbi Iliri.
AT NDON BELLUSCI- frymon shpirtrave shqiptarë, frymon
bibliotekave, arkivave, fjalëve e porosive në ritin arbëresh. Ai kishte shumë mall për Morenë, arvanitasit
e tij të gjakut e të vuajtur.
AT Antonio është me ne kudo në bashkimin tonë rreth
flamurit, rreth fjalës arbëreshe në familje e shkollë.
Ai është me ne me zërin e tij, këngën e tij “Japim dorën orë
vëllezër”
Në Ballkonin e tij historik sërish do valëzojnë flamujt me
koloritin e tyre shkëlqyes në rrezet e Agimit Arbëresh. Sërish do jehon kënga
arbëreshe. Aty, Ornela, Rina (Katarina),
Tomaso. Aty Michele, Maria, Ana, Katapano.
Aty e gjithë Arbëria!
Prehu i qetë Ati Ynë!