Kulturë » Mehmeti
Hazir Mehmeti: Ndikimi austriak në çështjen shqiptare
E enjte, 12.12.2024, 06:59 PM
NDIKIMI AUSTRIAK NË ÇËSHTJEN SHQIPTARE
"I
vetmi shtet që ka mbajtur një politikë të mençur në Shqipëri ka qenë Austria
merhume e Habsburgëve. Austria e bazonte politikën e saj mi shqiptarët
nacionalistë dhe ngarkonte me punët e Shqipërisë ata njerëz që e dinin shqipen
më mirë se çdo arnaut" - Fan Stilian Noli
Nga
Hazir Mehmeti, Vjenë
Dihet
që shekuj më parë u krijuan lidhje mes dy popujve tanë. Qe nga koha ilire dy popujt ishin
fqinjë. Ata morën njëri nga tjetri elemente nga kultura, gjuha e tradita.
Shtrirja e elementeve ilire në territorin e sotëm austriak ishte evidente dhe e
fuqishme në disa pika gjeografike. Akoma jemi larg studimeve të mirëfillta
rreth elementeve gjuhësore e të traditave mes dy popujve, por dihet se
gjuhëtarët albanolog më të njohur vijnë nga gjermano-folësit në përgjithësi dhe
së fundit austriakëve në veçanti. Prezencën ilire në territoret e sotme
austriake e vërtetojnë krahas të tjerave prezenca e kështjellave ilire apo me
elemente nga kultura ilire. Dihet se ata ishin projektues e ndërtues të
spikatur kështjellash. Njëra nga ato e ruajtur relativisht mirë është
kështjella ilire jo larg nga Vjena.
Pas
luftës së parë Austro-Turke e vjetëve 1716-1718, ku pëson ushtria turke,
ndikimi i Austrisë rritet në tërë Ballkanin. Pas luftës së dytë
Ruse-Austro-Turke, Austria shtrihet akoma më në jug, deri në viset e Dalmacisë.
Pas rënies së Venedikut dhe Paqes së Vjenës, më 1815, zotërimet venedikase
kaluan në zotërimet austriake. Kështu, Austria bëhet fqinja i parë me tokat
shqiptare. Austria ishte që atëherë e interesuar për popullsinë katolike e cila
nuk kishte asgjë të përbashkët as me sllavët e as me turqit.
Pas këtyre luftërave Porta e Lartë dobësohet edhe në territoret shqiptare. Disa familje feudale shqiptare u fuqizuan dhe krijuan pashallëqet e mëdha, e të cilat kishin ndikim të fuqishëm në zonat e vendit. Pashallëku i Bushatllinjve në Shkodër dhe më vonë ai i Janinës. Ndikimi austriak duke qenë i fuqishëm tani në Evropë, pas reformave të marra nga Maria Theresa dhe Josefi II, shtriu ndikim të fuqishëm edhe në viset shqiptare. Tregtia e fuqishme shkodrane duke shfrytëzuar flotën e fuqishme ulqinake , depërton thellë në territoret e zotëruara nga austriakët deri në Trieste. Kështu trevat shqiptar tregtinë e tyre, në vend të parë e kryenin me Austrinë, kurse në vend të dytë me Italinë. Kjo solli një erë të re në lëvizje dhe ndikimet e kulturave. Austria e fitoi të drejtën e mbrojtjes së popullsisë katolike, e shoqëruar kjo me kthimin e Urdhrit Jezuit, i cili ishte prezent më 1842. Kjo mundësoi edhe lejimin e seminarit jezuit, të kolegjit Saverian.
Shkollimi
Edhe
pas shpalljes së pavarësisë roli i intelektualëve që u shkolluan në Austri
ishte domethënës. Librat mësimore si, abetare, matematika, libra mbi dituritë
natyrore kryesisht ishin të hartuara nga autorë të shkolluar në Austri. I
njohur në historinë e hartimit të teksteve shkollore të kohës në fillimet e
shtetit shqiptar është Ndue Paluca me Abetaren e tij ndër të parat e vendit dhe
të disa teksteve tjera mësimore dhe për mësimin në klasat e larta të shkollës
fillore. Mësimi në një pjesë të madhe,
zhvillohej sipas konspekteve dhe metodave didaktike austriake të dhëna
nga vet mësuesit.. Qeveria e Ismail Qemalit qe në hapat e parë i kushtoi
rëndësi shkollimit. Ajo trashëgoi një gjendje katastrofe në arsim.
Luigj
Gurakuqi kishte arritur mirëkuptimin me austriakët që të shtohet numri i
bursistëve shqiptarë që do studiojnë në Austri. Nga Elbasani dërgohet
kontingjenti i parë i studentëve në vitet 1917/18, i cili do pasohet edhe në
disa vite më vonë. Kontribut në dërgimin e studentë në Austri dhanë Sali Butka
dhe Hajdar Kolonja. Këta student pas shkollimit u kthyen në atdhe dhe u dalluan
si mësues të devotshëm të Shqipërisë. Deri në Kongresin e Lushnjës sistemi
arsimor në Shqipëri është mbështetur tërësisht në sistemin arsimor
austro-hungarez.
Menjëherë
pas hyrjes së trupave Austor-Hungareze
në Shqipëri në vitin 1916, duke e parë gjendjen katastrofe në fushën e
shkollimit dhe në kulturë, në bashkëpunim me figura të njohura kombëtare, organizuan hapjen e shkollave për
të luftuar analfabetizmin dhe ngritur kulturën e arsimin. Në ndërkohë, me
urdhër të Krye komandës austriake Nr. 1106 me 16 prill të vitit 2017 themelohet
Biblioteka e Komisisë Letrare me kuptimin Biblioteka e Shqipërisë, e njohur si
Biblioteka Popullore Shqipe të Lirë. Si bibliotekist zgjidhet Hilë Mosi.
Bibilioteka e Komisisë dhe shoqërisë “Vëllaznija” ishin bërthamat e Bibliotekës
Kombëtare e themeluar në vitin 1920
drejtor i së cilës emërohet Karl
Gurakuqi. Karl Gurakuqi ishte redaktor i revistave 'Atdheu'', “Agimi”, ”Revista
Pedagogjike”, “Mësuesi”, “Illyria” dhe “Shkolla Kombëtare”. Përktheu disa
vëllime të “Visarët e kombit” etj
Ministër
i Arsimit ishte Sotir Peci i pasuar nga Hilë Mosi i cili për shkak të
rrethanave nuk e mori këtë detyrë. Më 7 dhjetor 1921 caktohet Kristo Dako i
cili kishte kryer veprimtari patriotike
e kulturore në Vjenë në vitet 1906 - 1910. Me ndërrimet e shpeshta të qeverisë
ndërrohen edhe ministrat. Kështu Kristo Dako pas një jave zëvendësohet nga
Aleksandër Xhuvani i cili pa u mbushur dy javë zëvendësohet nga Rexhep
Mitrovica i cili gjatë Luftës së Parë Botërore qëndroi në Vjenë dhe kishte
ndihmuar materialisht studentët shqiptarë.
Qeveria
Shqiptare ndau bursa studentëve shqiptar pas vitit 1920 dhe caktonte
përgjegjës rreth rrjedhës së studimeve
nga bursistët. Këtë funksion e kreu Dr. Gjergj Pekmezi deri më 1924 pastaj
Dr.Nush Bushati, Çatin Saraçi, Ndue Paluca, Kolë N.Rrota, dhe në vitet e Luftës
së Dytë Botërore ishte Filip Llupi. Me
këto bursa studiuan në Austri këto
personalitete: Nush Bushati, Fuad Asllani, Remzi Baçe, Sokrat Dodbiba, Xhevat
Korça, Jakov Deliana, Irakli Buda, Rrok Gera, Ndoc Saraçi, Gjevalin Gjadri,
Jani Basho, Karl Gurakuqi, Hifzi Korça, Kristo Kristidhi etj. Arsimtarët e
rrethit të Shkodrës të shkolluar në Austri, me veprimtarinë e tye kishin vlera
përcaktuese në funksionimin metodik, pedagogjik e organizativ të arsimit
shqip. Këtu mund të përmendim disa nga
figurat më meritore të kohës: Hilë Mosi, Ndue Paluçe, Lec Çurçia, Kolë Kodheli,
Gasper Beltoja, Gasper Mikeli, Kolë Rrota, Karl Gurakuqi por edhe mësues e
figura të tjera patriotike me rëndësi kombëtare. Nga diskutimet në Parlamentin
Shqiptar del se në vitin 1924 në Austri studionin 69 student shqiptarë. Kjo
flet për përparësitë që i kishte dhënë shkollimit të kuadrove nga të gjitha
profilet aq të nevojshme për Shqipërinë.
Më
23 mars të vitit 1917 austriakët duke e parë nevojën e madhe për mësues,
vendosin hapjen e Shkollës Normale në Shkodër, ku për drejtor emrohet Gasper
Baltoja, i cili kishte mbaruar studimet në Shkollën për Mësues në Klagenfurt të
Austrisë. Austri pati një rol pozitiv në
fillimet e mësimit shqip në trevat shqiptare i mohuar shekujve nga pushtimi
turk. Tradita e përkrahjes vazhdon akoma deri në ditët tona, kur dihet gjendja
e rëndë e arsimit në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni. Austro Hungaria mbështeti interesat kombëtare
të shqiptarëve para se gjithash në fushën politike.
Që
në hapat e parë të jetës së Shqipërisë si shtet i pavarur u dërguan të rinj për
studime në universitet austriake: Vjenë, Klagenfurt, Graz, Linz, Villah. (pjesa 1)
Një ndihmë të madhe për kombin shqiptarë dhanë shumë figura të njohura
austriake dhe hapësirat gjermano folëse. Shkencëtari i njohur Miklosich
(Miklosiç) në veprën "Albanische Forschungen" (Kërkime shqiptare),
botuar në Vjenë, më 1870, në faqen 10, shënon një fakt interesant, që tregon
vendosjen e shqiptarëve intelektuale, në Austri,
qysh
ne fillim të shekullit XIX. Ai shkruan se "dijetari slloven Kopitar” me
1829, boton një studim mbi marrëdhëniet midis shqipes, rumanishtes e
bullgarishtes, brenda të cilit gjendet përkthimi në shqip i Shen Llukas, "Djali plëngprishës", hartuar nga
te dy veI1ezerit gjirokastrite, Anastas dhe Spiridhon Çelo.
Në
ekzistencën e popullit shqiptar i përballur me gjenocidin e ushtruar kundër tij
nga serbet pas rënies së Perandorisë
Osmane, u dallua politikani dhe shkrimtare i njohur i kohës Leo Freundlich. Ai
shkroi librin e tij domethënës “Albanische Golgota” (Golgota Shqiptare) duke
argumentuar një pjesë të krimit serb, gjenocidin i pa paparë për nga barbari
mbi popullsinë shqiptare. Ai mblodhi lajme gazetash nga Shqipëria dhe shtypi i
huaj rreth Shqipërisë dhe i shpërndau në adresa të caktuar, para se gjithash në
qarqet qeveritare. Ishte kjo koha tragjike e kombit shqiptar.
Hazir Mehmeti
Vjenë, 10 dhjetor 2024.