Kulturë » Mehmeti
Hazir Mehmeti: 'Dija' e Vjenës 120 vjet në altarin e progresit kombëtar
E diele, 15.09.2024, 07:32 PM
“DIJA“ E VJENËS 120 VJET NË ALTARIN E PROGRESIT KOMBËTAR
.“
I vetmi shtet që ka mbajtur një politikë të mençur në Shqipëri ka qenë
Austria merhume e Habsburgëve. Austria e bazonte politikën e saj mi shqiptarët
nacionalistë dhe ngarkonte me punët e Shqipërisë ata njerëz që e dinin shqipen
më mirë se çdo arnaut” Fan Stilian Noli
Nga
Hazir MEHMETI, Vjenë
Sundimi
i gjatë turk e kishte dëmtuar çdo gjë shqiptare, në radhë të parë gjuhën,
trashëgiminë kulturore, fetare, zakonet. Pa ndërprerë në trevat shqiptare
filloi të ndihet rritja në kërkim të identitetit kombëtar për çka duhej liria
dhe shteti i lirë. Idetë e tyre natyrshëm i shkruan e rishkruan gjithandej shtypit të kohës duke
ndikuar në ngritjen e ndërgjegjes kombëtare. Shqiptarët kudo që u gjendeshin
jashtë territoreve etnike; në Evropë, Amerikë e Azi, në fillim shekullin e
njëzet kishin përqendruar veprimtarinë në jetësimin e idealeve të rilindësve
për hartimin e alfabetit dhe shtetit shqiptar.
... në Vjenë,
Vjena
duke qenë vendqëndrimi i perandorëve e mbretërve që sunduan Evropën apo pjesët kryesore të
saj ishte po ashtu qendër me ndikim të
madh në kulturën evropiane. Këtu duhet veçuar Dinastia e Habsburgëve e kohës së Austro-Hungarisë si monarki me një
histori disa shekullore e cila kishte një qëndrim përparimtar ndaj kulturave të
kombeve të ndryshme përfshirë këtu edhe
kulturën shqiptare. Qe nga kohë të lashta hasim në dokumente ku shihen lidhjet
e kulturave në lëmin gjuhësor, kulturo-artistik dhe shkencor. Në fillim
shekullin e njëzet, studionin shumë të
rinj shqiptarë dhe kishte intelektualë
që jetonin e vepronin jo vetëm në kryeqytet por edhe në qytet tjera në Austri.
Ata fillimisht e fillojnë me formimin e
“Kolonisë Shqiptare të Austrisë” e cila pas një kohe të shkurtër
themelon “grupit nismëtar” për themelimin e shoqërisë “Liria”. Vet emri i saj ishte synonim qëllimi. Nga jeta e kësaj shoqate kemi pak shënim dhe
pas pak vitesh do ndërron emër në Shoqëri “Dija”, ditëlindja e së cilës është
27 dhjetori i vitit 1904. Nga
bashkëthemeluesit, kryetar i saj zgjidhet Dr. Gjergj Pekmezi, kurse Hilë Mosi, sekretar, kurse Nikollë
Ivanaj i degës në Raguzë. . Sipas deshifrimit të nënshkrimeve, pseudonimeve,
inicialeve del se në takimin themelues morën pjesë 15 anëtarë tjerë, mes tyre: Dervish Hima, Gaspër Beltoja, Gaspër Mikeli,
Kristo A Dako, Kolë Kodheli, , Ndue Paluca (Batusha), Kolë Rrota, Kolë
Margjini, Lec Çurçia Simon Kadarja, dhe
të tjerë emra të respektuar në letërsinë, kulturën e historinë
kombëtare. Shoqëria e intelektualëve shqiptarë i kishte vënë vetit qëllime
patriotike.
Shoqëria
e re “Dija” për një kohë do jetë shoqëri gjysmë ilegale deri në krijimin e
rrethanave të favorshme shoqërore e juridike kur do veproj legalisht. Sipas letrës që Hilë Mosi dërguar Asdrenit në Bukuresht, regjistrimi i
“Dija”-së ishte bërë e mundur tek pas katër vjetëve, me 29 mars 1907.
...
statuti,
i
shoqërisë i ruajtur në Bibliotekën Kombëtare të Austrisë (Österreichische
National Bibliothek) i botuar në
fletushkë i cili dallohet për nga rregullsia e
shkrimit dhe renditjes së neneve në shtrirjen e tyre sipas ligjeve dhe
strukturës përcaktuese funksionale e praktike.
Neni i parë në statut shkruan:
“Shoqëria “Dija” e ka selinë e saj në Vjenë me degën e saj në Raguzë”.
Pika dy: ”Qëllimi i Shoqatës është ngritja e arsimimit të shqiptarëve duke e
kultivuar gjuhën e letërsinë shqipe”. Nga këtu shihet lidhja e intelektualëve
të Vjenës me intelektual në Raguzë (Dubrovnik) në krye me Nikollë Ivanaj, një veprimtar i çështjes
kombëtare i lindur në Triepsh të Grudës, i shkolluar një kohë në Vjenë dhe
mbrojtës i platformës së Rilindjes kombëtare për formim të shtetit shqiptar. (Stuten des Vereines “Dija”, Nr:455.360-A
f.1,2/ -1904 Wien)
Për
kohë të shkurtër nëndegët e Shoqatës “Dija” do formohen edhe në Prizren,
Shkodër, Tiranë krahas atyre në disa qytete brenda Austrisë ku vepronin
aktivistë të njohur për çështjen shqiptare, si në Grac, Kllagenfurt,
Strebendorf. Çdo vit shtohen degët e “Dija”-es ku dy vjet më pas, mbas një letërkëmbimi intensiv mes Vjenës dhe
Bukureshtit. Asdreni i dërgon Vjenës procesverbalin e plotë mbi formimin e
degës së “Dija”-es në Bukuresht më 16 dhjetor 1906 në përbërje prej njëzet
anëtarëve. Dyvjetori i kësaj date historike, 27 dhjetori i themelimit të
“Dijes”, shënohet solemnisht në Shkup ku formohet dega së saj më 27 dhjetor 1906.
Do
ishte jetëshkurtër veprimtaria pa intelektualë të rinj e të shkolluar po të mos
sjellshin studentë të rinj nga trevat shqiptare për studime në universitetet austriake Vjenë, Grac,
Insbruk. Ky aktivitet u mbështet
fuqishëm nga miqtë e shumtë austriak dhe të personaliteteve të njohura
shqiptare si Faik Konica, Hilë Mosi, Aleks Drenova, Visar Dodoni, Nikollë
Ivanaj, Petro Nini Luarasi, Luigj Gurakuqi e të tjerë.
Nga
shkrimet e kohës shihen efektet e fuqishme të “Dija” es në qendrat e tjera të
kohës ku kishte shoqëri të fuqishme shqiptare, si në Bukuresht, Stamboll,
Raguzë, Boston, Kairo. Duke e parë veprimin legal të “Dija”-së dhe përkrahjen e
saj nga autoritetet austriake kishte edhe propozime që shoqëritë shqiptare të
shkriheshin në një të përbashkët me emrin “Dija”.
Kështu
kryetari i shoqërisë “Djalëria Shqiptare” do propozonte në një mbledhje me
kryepleqësinë e “Dija”-së se do bëhet një degë e saj me qëllim unifikimi të
veprimtarisë kombëtare. Ose, letra e “Dija”-së dërguar shoqërisë patriotike
shqiptare “Bashkimit” të Bukureshtit me propozimin për bashkimin e tyre. Edhe
pse kjo nuk ndodhi ishte një ide e bashkimit të qëndrimeve dhe veprimeve me
interes kombëtar në atë periudhë.
Hilë
Mosi (sekretar i “Dijes”) shkrimet e tij i botonte nën pseudonimin Sokoli ashtu
siç bënin edhe shumë veprimtarë të tjerë për shkak të përndjekjeve nga
autoritet pushtuese turke të kohës në territoret shqiptare. Nën përkujdesjen e
“Dija”- së u botuan tekste në shqip për trevat shqiptare aq të nevojshme.
Ndër
të parat “Abetarja” me autor Ndue Palucen, kalendari “Shqiptari”, “Këndime për
shkollat e para shqipe”, “Gramatika...për përdorim t’femijve”, “Libri i dytë i
knoitorës shqype për shkollë në Shqypni” etj.
Në vitet 1910 e 1911 në drejtimin e Shoqërisë “Dija” kemi emra të rinj;
Asdreni, Manek, Kolë Rrota, Zef Harapi, Hessler, Kolë Kamesi. Do shënohen emra
të rinj në donacione ndaj “Dijes”, mes tyre Baron Nopça, Spiro Dine (Egjypt),
Nikollë Ivanaj (ShBA), etj.
Shoqëritë
shqiptare në Austri dhanë kontribut të madh në ngritjen e vetëdijes kombëtare
shqiptare. Ato gjetën ambient të volitshëm miqësor ku vepruan duke lënë gjurmë
të fuqishme në ndërtimin e urës së mirëkuptimit mes kombit shqiptar dhe atij
austriak.
Asnjë
përpjekje e forcave të errëta ideologjike, pa marrë parasysh nga vjen, nuk do
ta luhatin frymën e miqësisë mes dy popujve tanë e nderuar shekujve.
Burimi:
Statuten des Vereines,
Dija Nr.455.360-A, f.1,2, 1904, Wien
Gazeta, Vellaznija,
nr.1, Kallënuer 2016, Vjenë.
”Studiues austriakë e
shqiptarë në Austri”, Prishtinë, 2021
Gazeta,Vellaznija,
nr.59, Maj 1917, Vjenë.
Uran Asllani, Studentët
shqiptar të Austrisë dhe veprimtaria e tyre, 2000, Tiranë, f.111.
Kalendar i Shoqnisë,
Dija, 1906, f.18,19.
Shoqëria, Dija, Wien, 1906,
Kalendar, Manastir, 1910. Kalendar, 1910, f. 26,27.
Statuten des Vereines,
Dija, nr.455.360-A f.1,2, 1904, Wien.
Akademia e .Shkencave e
Shqipërisë, Fjalori Enciklopedik Shqiptar-2” f.1055/1056, -2008, Tiranë.
Akademia e .Shkencave e
Shqipërisë, Fjalori Enciklopedik Shqiptar 3,
f.1976/1977,f.1804, 2009, Tiranë
Hazir MEHMETI, Vjenë
Vjenë, 8 gusht 2024