Kulturë » Mehmeti
Hazir Mehmeti: Hilë Mosi, shkollimi dhe veprimtaria e tij në Austri
E marte, 31.12.2024, 07:01 PM
HILË MOSI, SHKOLLIMI DHE VEPRIMTARIA E TIJ NË AUSTRI
"I
vetmi shtet që ka mbajtur një politikë të mençur në Shqipëri ka qenë Austria
merhume e Habsburgëve. Austria e bazonte politikën e saj mi shqiptarët
nacionalistë dhe ngarkonte me punët e Shqipërisë ata njerëz që e dinin shqipen
më mirë se çdo arnaut" - Fan Stilian Noli
Nga
Hazir Mehmeti, Vjenë
Trevat shqiptare
nën robërinë osmani pësuan shkatërrim në të gjitha drejtimet; në gjuhë,
kulturë, religjion, në territor dhe në substancë kombëtare. Pas luftës së parë
Austro-Turke e vjetëve 1716-1718, ku pëson ushtria turke, ndikimi i Austrisë
rritet në tërë Ballkanin, kurse pas luftës së dytë Ruse-Austro-Turke, Austria
shtrihet akoma më në jug, deri në viset e Dalmacisë dhe pas rënies së
Venedikut, Austria i zotëroi territoret dhe bëhet fqinja i parë me tokat
shqiptare. Shqiptarët lidhën marrëdhënie të fuqishme tregtare e kulturore . Kjo
solli një erë të re në lëvizje dhe ndikimet e kulturave.
Njëra nga figurat
qendrore me ndikim që dha shumë për shoqërinë shqiptare dhe i cili u shkollua
dhe veproi në Austri, pa dyshim
është Hilë Mosi. Ai i përket gjeneratës
së artë të intelektualëve që u shkolluan dhe vepruan në Austri në fillim
shekullin e njëzet, krahas Dr. Gjergj
Pekmezi, Dr.Nush Bushati, Çatin Saraçi, Ndue Paluca, Kolë N.Rrota, Fuad Asllani, Remzi Baçe, Sokrat Dodbiba,
Xhevat Korça, Jakov Deliana, Irakli Buda, Rrok Gera, Ndoc Saraçi, Gjevalin
Gjadri, Jani Basho, Karl Gurakuqi, Hifzi Korça, Kristo Kristidhi etj.
Nga rrethina e
Shkodrës me veprimtarinë e tyre në funksionimin metodik, pedagogjik e
organizativ të arsimit shqiptar ishte Hilë Mosi me shkodranët tjerë Ndue
Paluçe, Karl Gurakuqi, Lec Çurçia, Kolë Kodheli, Gasper Beltoja, Gasper Mikeli, Kolë Rrota e mësues tjerë të njohur që vuan bazat
organizimit institucional të shkollave, bibliotekave, seminareve e projekteve
tjera arsimore dhe jo vetëm. Nga burimet
e kohës del, se në vitet njëzeta të shekullit të kaluar në Austri studionin 69
student shqiptarë. Kjo flet për përparësitë që i kishte dhënë qeveria Zogut
shkollimit të kuadrove nga të gjitha profilet aq të nevojshme për
Shqipërinë. I njohur në historinë e
hartimit të teksteve shkollore të kohës në fillimet e shtetit shqiptar është
Ndue Paluca me Abetaren e tij ndër të parat e vendit dhe të disa teksteve për
mësimin në klasat e larta të shkollës fillore. Mësimi në një pjesë të
madhe, zhvillohej sipas konspekteve dhe
metodave didaktike austriake të dhëna nga vet mësuesit.
Hilë Mosi “..të tilla libra nuk i pata këndue ndonjë herë, se unë për të ble nuk kisha të holla, pse unë jam i vobektë ashtu si Jobi, pra unë nuk di si t’ja shpërblej” (Hilë Mosi)
Hilë Mosi u lind
në Shkodër 1885 dhi ishte i biri i Mark Mosit, familje e njohur atdhetare që krahas pushkës në luftën për
liri kishin librin krahas flamurit kombëtar.
Liria nuk vjen vetëm me pushkë, por dije, shkencë e kulturë. Hilë Mosi
ishte poet, publicist i njohur i
cili jetoj në periudhën me rëndësi të jetësimit të ideve të rilindësve duke
vazhduar rrugën dhe porosinë e tyre për pavarësinë, lirinë e ndërtimin
institucional të vendit. Ai në vendlindjen e tij, Shkodrën e bukur, mbaroi
mësimet e mesme në shkollën
italiane dhe Kolegjin Saverjan Jezu
Në vazhdim ndoqi
studimet në Shkollën e Mësuesisë në
Klagenfurt të Austrisë. Austria me qendrat e saja për studime si në Vjenë,
Graz, Klagenfurt, Insbruk, Linc, ku studiuan shumë shqiptarë. Kjo i dha mundësi
Hilë Mosit për takime me shumë personalitete
austriake me ndikim të madh në ndërtimin e raporteve shqiptaro –
austriake. Njëri prej tyre ishte
konsulli austriak në Shkodër, August Von Karl me gradë gjenerali. Konsulli
kishte mbështetur, veç tjerash, botimin e librave në gjuhën shqipe dhe
përhapjen e tyre. Një kontingjent ia dërgon edhe Hilë Mosit. Në shenjë
falënderimi Hilë Mosi i dërgon letër falënderues dhe disa vargje të bukura.
Letra
Fort i ndërrueshmi z. Konsull!
“Mora kartën e Z. A. dhe të bëjë të fala
shumë. Sot mora dhe librat shqip nga Sofia dhe gëzimi jem a kaq i madh sa unë
këtu me ket letër nuk gjej fjalë me i-u falenderue Z. A. , veç nga zemra lëshoj gjithnjë mija
urime per zotrinë tënde. Edhe me të
vërtetë qi unë këtu të tilla libra nuk i pata këndue ndonjë herë, se unë për të
ble nuk kisha të holla, pse unë jam i vobektë ashtu si Jobi, pra unë nuk di si
t’ja shpërblej (revancher) Z.A., vetëm nga zemra dërgoj ket dritshkronja
(Photographie) t’mia, e Z e J. ta majnë si një kujtim t’vogel prej mejet!...Z.A.
KA Gjuha shqipe a tuei u shkrue
N’katër anët e Shqypnisë,
Vjen kadalë t’u begatue,
Za i jep gjithë djelmenisë,
Ju djelmosha sot t’gjithë çonji,
Gjhën tuaj ju ta këndoni
RL.
Së bashku me Dr. Gjergj Pekmezin, Hilë Mosi më 27 dhjetor 1904 themelojnë në Vjenë Shoqërinë
Shqiptare “Dija” ku Dr. Gjergj Pekmezi
zgjidhet kryetar i saj kurse Hilë Mosi
sekretar zgjidhet ndërsa Nikollë Ivanaj
kryetar i degës në Raguzë (Dubrovnik) . Arritje e madhe ishte themelimi i
Katedrës së Gjuhës Shqipe në Universitetin Oriental të Vjenë dhe zgjedhja e Dr.
Gjergj Pekmezit drejtues i saj në vitin 1003. Në Vjenë në fillim shekullin e njëzet,
studionin shumë të rinj shqiptarë dhe
kishte intelektualë që jetonin e
vepronin jo vetëm në kryeqytet por edhe në qytet tjera në Austri. Ata
fillimisht e fillojnë me formimin e
“Kolonisë Shqiptare të Austrisë” e cila pas një kohe të shkurtër
themelon “grupit nismëtar” për themelimin e shoqërisë “Liria”. Nga jeta e kësaj shoqate kemi pak shënim dhe
pas pak vitesh do ndërron emër në Shoqëri “Dija”, ditëlindja e së cilës është
27 dhjetori i vitit 1904. Sipas
deshifrimit të nënshkrimeve, pseudonimeve, inicialeve del se në takimin
themelues morën pjesë 15 anëtarë tjerë,
mes tyre: Dervish Hima, Gaspër Beltoja,
Gaspër Mikeli, Kristo A Dako, Kolë Kodheli, , Ndue Paluca (Batusha), Kolë
Rrota, Kolë Margjini, Lec Çurçia Simon Kadarja, dhe të tjerë emra të respektuar në letërsinë,
kulturën e historinë kombëtare. Kjo shoqëri e intelektualëve shqiptarë i kishte
vënë vetit qëllime patriotike.
Shoqëria e re
“Dija” për një kohë do jetë shoqëri gjysmë ilegale deri në krijimin e
rrethanave të favorshme shoqërore e juridike kur do veproj legalisht. Sipas letrës që Hilë Mosi dërguar Asdrenit në Bukuresht, regjistrimi i
“Dija”-së ishte bërë e mundur tek me 29 mars 1907.
Statuti i shoqërisë i ruajtur në Bibliotekën
Kombëtare të Austrisë (Österreichische National Bibliothek) i botuar në fletushkë i cili dallohet për nga rregullsia
e shkrimit dhe renditjes së neneve në shtrirjen e tyre sipas ligjeve
dhe strukturës përcaktuese funksionale e praktike. Neni i parë në statut shkruan: “Shoqëria “Dija” e ka selinë e saj në Vjenë
me degën e saj në Raguzë”. Pika dy: ”Qëllimi i Shoqatës është ngritja e
arsimimit të shqiptarëve duke e kultivuar gjuhën e letërsinë shqipe”. Nga këtu
shihet lidhja e intelektualëve të Vjenës me intelektual në Raguzë (Dubrovnik)
në krye me Nikollë Ivanaj, një veprimtar
i çështjes kombëtare i lindur në Triepsh të Grudës, i shkolluar një kohë në
Vjenë dhe mbrojtës i platformës së Rilindjes kombëtare për formim të shtetit
shqiptar.
Për kohë të
shkurtër nëndegët e Shoqatës “Dija” do formohen edhe në Prizren, Shkodër,
Tiranë krahas atyre në disa qytete brenda Austrisë ku vepronin aktivistë të
njohur për çështjen shqiptare, si në Grac, Kllagenfurt, Strebendorf. Çdo
vit shtohen degët e “Dija”-es. Asdreni nga Bukureshti i dërgon në Vjenë
procesverbalin e plotë mbi formimin e degës së “Dija” në Bukuresht më 16
dhjetor 1906 në përbërje prej njëzet anëtarëve. Dyvjetori i kësaj date
historike, 27 dhjetori i themelimit të “Dijes”, shënohet solemnisht në Shkup me
themelimin e degës së saj më 27 dhjetor
1906.
Do ishte
jetëshkurtër veprimtaria pa intelektualë të rinj e të shkolluar po të mos
sjellshin studentë të rinj nga trevat shqiptare për studime në universitetet austriake Vjenë, Grac,
Insbruk. Ky aktivitet u mbështet fuqishëm nga miqtë e shumtë
austriak dhe të personaliteteve të njohura shqiptare si Faik Konica, Hilë Mosi,
Aleks Drenova, Visar Dodoni, Nikollë Ivanaj, Petro Nini Luarasi, Luigj Gurakuqi
e të tjerë.
Nga
shkrimet e kohës shihen efektet e fuqishme të “Dija” në qendrat e tjera të kohës ku kishte shoqëri
të fuqishme shqiptare, si në Bukuresht, Stamboll, Raguzë, Boston, Kairo. Duke e
parë veprimin legal të “Dija”-së dhe përkrahjen e saj nga autoritetet austriake
kishte edhe propozime që shoqëritë shqiptare të shkriheshin në një të
përbashkët me emrin “Dija”.
Kështu
kryetari i shoqërisë “Djalëria Shqiptare” do propozonte në një mbledhje me
kryepleqësinë e “Dija”-së se do bëhet një degë e saj me qëllim unifikimi të
veprimtarisë kombëtare. Ose, letra e “Dija”-së dërguar shoqërisë patriotike
shqiptare “Bashkimit” të Bukureshtit me propozimin për bashkimin e tyre. Edhe
pse kjo nuk ndodhi ishte një ide e bashkimit të qëndrimeve dhe veprimeve me
interes kombëtar në atë periudhë.
Hilë Mosi
(sekretar i “Dijes”) shkrimet e tij i botonte nën pseudonimin Sokoli
ashtu siç bënin edhe shumë veprimtarë të tjerë për shkak të
përndjekjeve nga autoritet pushtuese turke të kohës në territoret shqiptare.
Nën përkujdesjen e “Dija”- së u botuan tekste në shqip për trevat shqiptare aq
të nevojshme. “Abetarja” me autor Ndue Palucen, kalendari “Shqiptari”, “Këndime
për shkollat e para shqipe”, “Gramatika...për përdorim t’femijve”, “Libri i
dytë i knoitorës shqype për shkollë në Shqypni” etj. Në vitet 1910 e 1911 në
drejtimin e Shoqërisë “Dija” kemi emra të rinj; Asdreni, Manek, Kolë Rrota, Zef
Harapi, Hessler, Kolë Kamesi. Do shënohen emra të rinj në donacione ndaj
“Dija”së, mes tyre Baron Nopça, Spiro Dine (Egjypt), Nikollë Ivanaj nga Amerika etj.
Kalendari Kombëtar, i shoknise "Dija", Wien 1906
Pa
dyshim botimi i kalendarit është me vlera të veçanta, krahas gjuhëve tjera që
botonin kalendar dhe në gjuhën shqipe ketë rol e marrin shoqëritë shqiptare në
Sofje, Vjenë dhe Stamboll. Në Vjenë Kalendari botohet në vitin 1906 me
alfabetin e shoqërisë “Bashkimi” ku përfshihen ndodhitë kryesore të vitit
1905.. Që në parathënie të kalendarit
mbi ngjarjet e vitit paraprak (1905) cekët vrasja në formë barbare e Papa
Kristo Negovanit:
“Moti 1905 ishte një vit i vështirë për ne
shqiptarët: Këtë vit u vra Negovani me 12 Fruer, i dashtuni prift shqiptar Papa
Kristo prej grekëve, vetëm pse i vlerti vëllau ynë mësonte shqip e shkruante
fort bukur libra të nevojshëm për shqiptarë”.
Sipas
korrespondencës mes dy kolosëve të kohës, Hilë Mosi në Vjenë dhe Aleks Drenova-Asdreni
në Bukuresht, del se me përpjekjet e kryetarit të Shoqërisë, Dr .Gjergj Pekmezi në vitin 1906 janë shtypur
dymijë ekzemplarë të kalendarit. Shqetësimi rreth formësimit të një alfabeti të
përbashkët ishte i madh në mesin e intelektualëve patriotë në Austri. Po
veçojmë artikullin “Alfabetet apo sëmundja e quajtur alfabetiti”, faqe 3 i 4.
Artikulli fillon: “ Si kundër që s’kemi
një gjuhë të përgjithshme, ashtu edhe që alfabet të njohur prej të gjithëve as
e kemi, as nuk e patëm as për shumë kohë si duket nuk do të mund ta kemi”. Më tutje në Kalendar në faqen 19-të lexojmë:
”Të mos gënjehemi me shpresa e
lajka, se duhet punë, dhe prapë punë. Me të punuar zgjohet kombësia, me punë do
të hapim sytë, do të lulëzojmë vendin, e do të çelim rrugët e parajsës e
lumturisë. Ngrihuni pra o vëllezër nga ky gjumë i rëndë...”
Pa
dyshim sukses i shoqërisë “Dija” ishte botimi i “Gramatikës”-Albanische
Gramatik, e cila edhe pse është shkruar në shpjegime e saj në gjermanisht, do
ketë një përdorim të gjerë në mësimin e shqipes në trevat shqiptare dhe jashtë
tyre. Kjo vepër historike e Dr. Gjergj Pekmezit ruhet në Bibliotekën Kombëtare
të Austrisë e botuara para alfabetit të Kongresit të Manastirit, në alfabetin e
shoqërisë “Bashkimi”.
Në fund të viteve 30 në kohën e mbretërisë ishte ministër
i arsimit. Botoi “Zani i atdheut“ në vitin 1913 dhe “Lotët e dashunisë“(1915).
Ne lirikat me tone romantike-elegjke i
këndon mallit për vendlindjen dhe dëshirës se flakte për ta parë atdheun e
lirë. Përveç gazetës “Vëllaznija” të Vjenës, ku ai studionte, Hilë Mosi,
bashkëpunoi me shumë gazeta të kohës në gjithë botën: “Drita”që botohej në
Sofie, “Kombi” e Bostonit, “Albania” e Beogradit, “Shpnesa e Shqypnis” e
Raguzës, “Lidhja Ortodoske” e Korçës, “Shqiptari” e Stambollitdhe ishte
redaktor i gazetës “Agimi” e Shkodrës.
Hilë Mosi solli ilegalisht “Himnin e Flamurit” në Shqipëri, të shkruar
nga Asdreni dhe muzikuar nga muzikanti rumun Jonescu. Me te ishe edhe
udhërrëfyesi korçar Tasho Lloja. Në oreografinë e tij Lasgush Poradeci mes
tjerash shkruan: “Dërgimi i Himnit në Shqipëri, ma anën e Hilë Mosit ka qenë
një fakt i rëndësishëm për Shoqërinë e Bukureshtit dhe një ngjarje fatmire për
çështjen kombëtare. Sepse Hilë Mosi që në atë kohë ishte patrioti më i shënjuar
që të plotësojë një detyrë aq të lartë, po edhe aq të mbushur me vështirësi, të
mbushur me njëqind vështirësi, siç ishte përhapja e Himnit”
Më 16 prill të vitit 2017 themelohet Biblioteka e Komisisë
Letrare me kuptimin Biblioteka e Shqipërisë, e njohur si Biblioteka Popullore
Shqipe të Lirë. Drejtor i saj emërohet
Karl Gurakuqi kurse sekretar i saj Hilë Mosi. Tri vite më vonë do njihet si Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë.
Hilë Mosi përveç
shkrimtar ishte edhe burrë shtetas patriot. Ishte pjesëmarrës i Kongresit të
Manstirit dhe anëtar i Komitetit Kryengritës të Malësisë së Veriut i cili
luftoi me armë në dorë. Ai zgjidhet senator në Kongresin e Lushnjës dhe
sekretar i Senatit të parë shqiptar. Me zgjedhje të para në vendin, Hilë Mosi,
zgjidhet deputet i Shkodrës i renditur në krahun demokratik ku ishin edhe Avni
Rrustemi, Luigj Gurakuqi, Fan Noli, S. Vinjau, Gjergj Fishta, H. Kadriu.
Që në vitin 1907,
një vit para Kongresit të Manastirit, Hilë Mosi botoi vjershën e tij të
fuqishme me titull “Gjuhës Shqipe”.
GJUHËS SHQYPE
Gjuh' e ambël, gjuh' amtare,
Je ambla gjuh' shqyptare!
Gjuh' e nalt' për Perëndi,
T'cilt ndër koh't që kahmot shkuene
Mbi Tomorr të përdoruene;
Gjuh' e ambël, plot dashtni!
Gjuh' e shejt' e kaq e moçme.
Gjuh' sakole der n'dit t'soçme,
Shoqen tande kund s'e gjenë!
Zoti ty këtu t'ka çuemun:
T'rrebt' e t'bukur e t'kulluemun;
Kshtu gjithmon' ti ke me qenë.
Gjuh' që t'foli Skendërbegu,
Dhe ndër t'par' qe Naim Begu,
Që me shkrim t'pat lartësue.
Ty t'kan' fol' shum' kapidana,
Burra t'rrebt si t'ishin zana;
Gjuh' e rrebt, ti qofsh nderue!
Gjuh' e bukur si pranvera
Ti s'do t'quhesh ma: e mjera;
Se na dona ty me t'rritë.
Bashk' me t'tjerat shoqe tueja,
Se ma s'dona zhele t'hueja
Veç duem ty me t'pa në dritë.
Wien (Vjenë) 14.I.1907