Kulturë
Lekë Mrijaj: Dresniku i Klinës është toka jonë Dardane
E diele, 06.07.2025, 02:55 PM
“Po,
Dresniku i Klinës është toka jonë Dardane, me një histori dhe kulturë të lasht?
shumëdimensionale e kombëtare!”
Shkruan:
Lekë Mrijaj
Më
shumë se tre katër herë e kam vizituar këtë zonë të lashtë të Dresnikut të
Klinës dhe çdo herë zona në fjalë më është rishfaqur ndryshe para syve të mi,
duke më dhënë gjurmë të reja të historisë sonë të lavdishme. Kjo zonë
arkeologjike nuk është thjesht një tokë e braktisur, por është një libër i
thellë, një libër “biblik” i Besëlidhjes së Re, që ruan dhe rrëfen rrënjët tona
të hershme shqiptare.
Për
rëndësinë e këtij vendi të zbuluar dhe të çmuar qysh në fillim vitet '70-ta ka
folur me kompetencë edhe prof. dr. Zef Mirdita, duke theksuar rolin e tij të
veçantë për këtë trashëgimi të lashtë historike.
Sipas
ekspertëve të fushës, ky lokalitet arkeologjik, i vendosur rreth 1.5 kilometra
në lindje të Klinës, është një nga pasuritë më të çmuara të trashëgimisë
kulturore të Kosovës dhe më gjerë. Arkeologu ynë i njohur, prof. Masar Valla
nga Instituti Arkeologjik i Kosovës, ka theksuar disa herë në mediat e shkruara
dhe elektronike se vlera e Dresnikut Dardan nuk i përket vetëm trashëgimisë
sonë kombëtare, por edhe asaj evropiane dhe botërore.
Zbulimet
e deritanishme dëshmojnë për një qytet të zhvilluar në periudhën romake, në
shekujt II–III pas Krishtit. Aty janë evidentuar rezidenca luksoze të
zbukuruara me mozaike shumëngjyrëshe dhe figura gjeometrike të punuara me
mjeshtëri të jashtëzakonshme. Nga viti 2012 deri më 2015, gjatë fushatave të
gërmimeve arkeologjike, janë zbuluar struktura që tregojnë një nivel të lartë
organizimi dhe jetese urbane të kohës.
Njëkohësisht
më mbresëlënëse është një sallë e gjerë ceremoniale brenda një ndërtese
luksoze, qoftë pallat, vilë romake apo banesë aristokratike, me dysheme të
mbuluar me mozaik të pasur dhe shumëngjyrësh. Këto mozaike nuk janë vetëm
dekore apo zbukurime, por janë dëshmi të artit, kulturës dhe pasurisë së banorëve
të dikurshëm të aristokratëve. Të tilla vepra i takonin vetëm ndërtesave të
Konstantinit të Madh, elitës së tij, si edhe rezidencave të pasura dhe
pallateve të fuqishme të botës emancipuese.
Në
këtë lokalitet ndodhet gjithashtu edhe një Kishë e vjetër paleokristiane,
dëshmi e vazhdimësisë shpirtërore dhe kulturore të kësaj treve qysh në fillesat
e krishterimit. Kjo e pasuron edhe më tej karakterin historik të vendit, duke
treguar se Dresniku yn? Dardan ka qenë jo vetëm një qendër e zhvilluar urbane,
por edhe një vatër e hershme e jetës shpirtërore dhe kombëtare në Dardanin
Shqiptare. Po ashtu, në qendër të këtij
qyteti të lashtë është identifikuar një mur rrethues me gjerësi rreth 3.7
metra, i pajisur me tri kulla të mëdha mbrojtëse. Këto struktura të fuqishme
tregojnë qartë se kemi të bëjmë me një kala të mirëfilltë, një qendër të
fortifikuar urbane dhe jo thjesht një vendbanim të braktisur. Brenda mureve
janë zbuluar banesa të shumta me mure të pikturuara dhe sisteme hipokauste
(sisteme të hershme të ngrohjes qendrore), që dëshmojnë një nivel të lartë
komoditeti dhe dije teknike për kohën.
Pikërisht
janë gjetur një numër i madh monedhash romake të shekujve III dhe IV, si dhe
fragmente skulpturash prej mermeri, të cilat e shtojnë më tej hijeshinë dhe rëndësinë
e këtij lokaliteti. Të gjitha këto dëshmi tregojnë qartë se Dresniku ka qenë
një Municipium, pra një qytet tejet i organizuar romak me funksione të
zhvilluara administrative, tregtare dhe shoqërore.
Duke
kuptuar rëndësinë e kësaj pasurie të jashtëzakonshme kulturore, në vitin 2016
Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore e shpalli këtë lokalitet zonë me
mbrojtje të përhershme. Dresniku nuk është thjesht një fragment i së kaluarës
për t’u ruajtur në libra, por një pjesë e gjallë e identitetit tonë kombëtar,
që dëshmon për kulturën, artin dhe qytetërimin e lashtë të popullit tonë.
Për
këtë arsye, edhe pas kaq vizitash që kam bërë, them me plot kuptim se nuk
lodhem kurrë duke e parë dhe përjetuar. Sepse vende të tilla nuk janë vetëm
trashëgimi për brezat që vijnë – ato janë dëshmi të gjalla që u japin forcë,
besim dhe krenari fëmijëve tanë, nipërve e mbesave, që të mbajnë kokën lart dhe
të thonë me plot gojën: “Po, Dresniku i Klinës është toka jonë Dardane, me një
histori dhe kulturë të lasht? shumëdimensionale e kombëtare”...