E premte, 25.07.2025, 09:42 AM (GMT+1)

Kulturë

Kadri Tarelli: Shaban Murati, një zë i fuqishëm në diplomacinë shqiptare

E merkure, 02.07.2025, 06:54 PM


Kadri Tarelli shkruan:

Ai që vdes duke mbrojtur vatanin, mbetet dëshmor i kombit! - Mulla Zeka Berdyna.

SHABAN MURATI, NJË ZË I FUQISHËM NË DIPLOMACINË SHQIPTARE

Libri: “Antitabu”, përurohet në Durrës.

Fjala ime në takim:

Të nderuar pjesëmarrës, miq dhe krijues të Durrësit, që jemi mbledhur në këtë kuvend letrar, kushtuar durrsakut të ditur e të ndritur Shaban Murati, shkrimtar, poet, publicist, diplomat e kritik zë ndritur. Është vepra e tij më e fundit që na shtyu të bëhemi bashkë dhe të kujtojmë mikun tonë diplomat, i cili nuk është më mes nesh. Dikur kam shkruar dy vargje: “Mos numëro vitet që ke ngrënë,/ shiko veprat që ke lënë”.1. Dhe Shaban Murati na la trashëgim 24 libra, ku pjesa më e madhe i kushtohet politikës dhe diplomacisë.

Nuk them diçka të re, të panjohur: Janë veprat që e bëjnë të përjetshëm çdo krijues. Ndaj ata ndriçojnë si yje në përjetësi. Kështu u mblodhëm sot dhe kështu do të mblidhemi edhe në vite të tjerë, për të nderuar durrsakun tonë, “Misionar” të diplomacisë shqiptare.

Libri “Antitabu”. Si katarsis i mentalitetit shqiptar”, i autorit durrsak Shaban Murati, është libri që u botua pak kohë më parë, ku përfshihen shumë shkrime që i përkasin ditëve tona. Është autori që flet me zë të fuqishëm në mbrojtje të çështjes shqiptare në diplomaci, për më shumë se gjysmë shekulli. Por nuk përjashtohen edhe shkrime të shkurtra nga jeta, si ndalesa për pak pushim dhe qetësi fizike dhe shpirtërore. Një lidhe apo ndërthurje e tillë e bën librin më tërheqës, më të ngrohtë.

Vetë titulli na ngacmon për të kuptuar se bëhet fjalë për tema të mprehta politike, shoqërore kombëtare, për të cilat flitet shumë pak ose aspak, duke u mbuluar nga pluhuri i harresës, në shumicën e herëve me dashje.

Shaban Murati, është një zë unik në diplomacinë kombëtare Shqiptare.

Nuk jam i pari që vlerësoj zotësinë dhe mençurinë e këtij diplomati të ditur e të urtë. Të tjerë para meje janë shprehur me nota të larta për këtë personalitet në fushën e diplomacisë, i cili nuk bën pajtim as me vetveten, kur është fjala për interesin e shtetit dhe kombit. E gjithë vepra shtrohet në analiza të qenësishme në rrafshin e qëndrimeve politike, si brenda vendit, ashtu edhe në trevat shqiptare që na rrethojnë me gardhin e kufirit që na ka ngritur Evropi. Nuk duhet të çuditemi, pasi ambasadori është i ndjeshëm, kur bëhet fjalë për marrëdhëniet mes vetë shqiptarëve, që ende s’i kanë mbyllur plagët, ashtu edhe në marrëdhënie me fqinjët të Ballkanit, pse jo edhe me shtete të Europës dhe të botës.

Si fillim kisha përshtypjen se do të ndeshesha me një libër dhe krijimtari që kërkon një lloj fjalori e kulture disi të veçantë, sepse në shumicën e herëve diplomatët politikanë i fshehin të vërteta mes lojës së fjalëve, herë-herë të ngarkuar me gjëra të ngatërruara, siç edhe janë në të vërtetë, por që diplomatët sikur i bëjnë më gërshet, më të vështira qëllimisht.

Vepra e Shaban Muratit është një mesazh, një shkollë diplomacie, një apel për intelektualët shqiptarë, për politikanët, historianët dhe studiuesit e rinj, që të rendin pas së vërtetës me guxim. Si e vetmja udhë e lartësimit të tyre dhe e mbarë kombit.

Ajo që bie në sy për çdo lexues është stili dhe gjuha e përdorur, tepër e thjeshtë për t’u kuptuar nga të gjithë, por shumë e ngjeshur dhe e ngarkuar me mendim  të thellë, pa ngjyrime e zbukurime. E gjitha kuptohet lehtë, pavarësisht arsimit apo kulturës politike e gjithsecilit nga ne. Kjo është një lloj vlere, si pasuri e librit, ashtu edhe meritë e kulturës letrare të autorit, që gjërat e mëdha e të ndërlikuara t’i bëjë të lehta, pa u ngarkuar me mendime të dyshimta apo të dyfishta.

Duke qenë i kursyer në analizë të librit, gjë që e bën çdo lexues, po shënoj disa tituj shkrimesh, që në vetvete kanë edhe pyetjen edhe përgjigjen:

Vuçiçi, tallet me iluzionet e Perëndimit, se Serbia do largohet nga Rusia. Faqe 41. S’besoj se e ha kush këtë proçkë........, të paktën shqiptarët jo!

Nuk e dimë me kë po tallet BE-ja, me shtetet e Ballkanit Perëndimor apo me veten. Rusët nuk po vijnë, siç paralajmëroja në librin tim me të njëjtin titull. Rusët kanë ardhur në Ballkan. Faqe 85.

Në Shqipëri dikush lejohet të tallet me ligjin dhe me organet gjyqësore, e kjo është parodi me ligjin, parodi me drejtësinë. Kështu shpikëm “Revolucionin personal”, si e drejtë ekskluzive për shkelje të ligjit, vetëm e prijësit, ..... e bajraktarit, e beut, feudalit, padrinos......etj. Faqe 73.

Nga urrejtja raciste anti-arabe, Netanjahu justifikon Hitlerin për holokaustin. Pyetje që bën autori, por që po e vazhdojmë edhe ne lexuesit: Si është e mundur që Evropi hesht ndaj një urrejtje raciste të kryeministrit të Izraelit, e cila njësoj si në kohën e holokausit hitlerian prodhon luftra e gjak. Faqe 63. Autori sikur i ka parashikuar ngjarjet që po ndodhin sot në konfliktin Izael, Palestin dhe Iran.

Ç’do flamuri kombëtar në protestat politike të partive? Faqe 109.

Kur do të hetohet tragjedia apo tradhtia e shkatërrimit të Makinës ushtarake të Shqipërisë. Faqe 96. Temë e njohur në faqet e shtypit tonë.

A po ndikon Rusia te diplomacia perëndimore? Faqe 174. Analizë e bukur dhe shumë konkrete.

Respekt për gazetarin rus Leon Trocki, i cili i ndodhur në Shkup, në frontin e luftës së Parë Botërore 1914, përshkruan hollësisht mizoritë e ushtrisë pushtuese serbe ndaj shqiptarëve. Faqe 151.

Fjalën time po e mbyll me një shaka të bukur, por me shumë zarar për kohën e komunizmit, (Vitet 1961-1963), me të cilën do të qeshnim së bashku me profesorin, i bindur se do të qeshni edhe ju. Profesori shkruan: - “Burhan Kaduku, ish profesori ynë i fizikës, në Gjimnazin “16 Shtatori”, më pas n/drejtor i gjimnazit “Nako Spiru”, këtu në Durrës, na këshilloi duke përdorur një proverb amerikan: - “Çuna, kini kujdes te makineritë. Në fabrikat amerikane, kudo është shkruar një parullë: “Zoti kur krijoi njeriun harroi të bëjë pjesë këmbimi për të”. Faqe 48. Sa mirë do të ishte të kishte menduar për pjesë këmbimi edhe për ne......!

Diku në faqet e fundit të librit ndesh me një thënie dëshpëruese, që më shtyn të mendoj se profesori ynë i nderuar iku me një merak të madh në shpirt, duke thënë: “O zot....! Çfarë populli jemi vallë, që u lëpijmë këmbët shtypësve dhe japim jetën për qeveritë Serbe dhe Maqedonase, që i kanë masakruar e përbuzur shqiptarët në shekuj?”. Faqe 160.

Unë si njohës i historisë, që nuk pajtohem me këtë thënie, do të shtoja, se skllevër, servilë dhe puthadorë ndaj pushtuesit, të fortit dhe të pasurit, gjenden kudo, në çdo kohë dhe në çdo popull. Por fatkeqësia është kur ata shtohen dhe bëhen të pushtetshëm, atëherë dëmi është i pallogaritshëm dhe gjëma është e madhe. Të huajt kurrë nuk e besojnë shërbëtorin dhe servilin. Ata bashkë me paratë, përqafimet dhe puthjet e pështira, poshtë emrit tënd vendosin e vulosin përbuzjen, që të ndjek si mallkim i brezave që vijnë. Ndërkohë që nderim, lavdi dhe përjetësi të jep vetëm vendi yt, atdheu yt dhe kombi yt, duke gdhendur emrin tënd në gur e flamur.

I bashkohem atdhetarizmit të profesorit të nderuar, kur them pa e tepruar, që do të merrja hua si mësim nga historia: - “Përmendore sa mali i Dajtit, në mes të Tiranës, do t’i ngrihet atij udhëheqësi apo burrë shteti, që do të shuajë përçarjen vrastare mes nesh, dhe do të bëjë pajtim e bashkim kombëtar.

Faleminderit dhe mirënjohje në përjetësi autorit durrsak Shaban Murati!

Kadri Tarelli

Durrës, më: 27. 06, 2025.

Shënim:

1.     Kadri Tarelli. Libri “Koha në Vargje”. Poezia “Plaku, vapa dhe gushti”.

2.    Fotografitë i punoi mjeshtri durrsak Luan Jaupi.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx