E shtune, 26.07.2025, 04:20 AM (GMT+1)

Kulturë

Sevdail Hyseni: Ortakllëku

E diele, 29.06.2025, 11:39 AM


Sevdail Hyseni

Satirike

Ortakllëku

Diku në Malësi, njëherë me një zaman,

Vunë bashkëpunim Maloku me Shejtan.

U përqafuan fort, me lidhjen shoqërore,

Tu hyjnë punëve, që u shkojnë për dore.

- Do bëjmë bujqësi,- tha Shejtani krenar,

Të punojmë mirë me shat e lopatë në arë.

Zgjedh unë i pari, me përvojë  në financë,

Ti mbrapa më ndjek si partner në aleancë.

- Çka mbin mbi tokë, krejt është për mua,

Nën tokë me kësmet, është për ty, si thua?

- Pajtohem! - tha Maloku, me buzë në gaz,

Sepse e dinte, çfarë mund të pjell më pas!

Mbollën patate, të cilat çelën sikur kurorë,

Shejtani me gëzim i numëronte kungullorë.

Mendonte në vjeshtë do ta gëzonte bereqeti,

Por, mbi tokë ka lule, nuk e dinte i shkreti.

Kur erdhi vjeshta, çfarë shohin sytë në kokë,

Lulet u vyshkën u thanë, gjethet ranë në tokë.

Maloku nën tokë, mbushte thasët pa pushim,

Patate sa koka, i mblidhte me plot ngazëllim.

Shejtani nga inati u skuq sikur speci në skarë,

Malok! - Me këtë mashtrim s’mbaron kjo garë!

Vitin e ardhshëm, do të mbjellim lakra shumë,

- Në rregull! - tha Maloku, vetëm të ketë punë.

Kësaj radhe Shejtani, zgjodhi nën tokë fitimin,

Por, Maloku përsëri me hile i nguli mashtrimin.

Kur e pa se kështu, nuk po i shkon partneriteti,

Vendosi t’i kërkoj mejdan si burrat nga vilajeti.

Në dhomën me dy shkopinj: i gjatë e i shkurtë,

Shejtani të gjatin e merr, si me qenë burrë i urtë.

Por, kur ngre shkopin lart, në tavan i zë për dreq,

Nuk gjuan dot Malokun, vetëm vetes i bën keq.

- Nuk mjafton kjo!” - tha Shejtani, “Dalim n’oborr,

Ku liria është n’horizont e s’ka as tavan, as korridor”

- Do të marrë shkopin e shkurtër!-  tha Shejtani sot,

Por, Maloku nga larg e godiste, si me raketë pa pilot.

Në fund, u ul Shejtani dhe u bë si pulë e lagur në shi,

Kuptoi me Malokun, s’e ka lehtë të merret me tregti.

Se ku ka mend e rrënjë, s’mbijnë dot hilet siç thonë,

E hileqarit, nuk i shkon kungulli, mbi ujë gjithmonë!

Ata që luajnë me dredhi, shkon e u del boja në shesh,

U varet humbja e turpit kalavesh, sikur vathi në vesh.

Me Malokun nuk ka hajgare dhe as dredhi me taktikë,

Se të vjen pas shpine, me nder jush, shkopi si kamxhik!

(Karikatura marrë nga interneti)



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx