Kulturë
Xheladin Çeka: Libri i Albert Zholit për Polifoninë vërteton rrënjët shqiptare!
E hene, 23.06.2025, 06:56 PM
Libri i Albert Zholit për Polifoninë vërteton rrënjët shqiptare!
Nga
Prof. Xheladin Çeka
Kam
vite që ndjek debatin e madh për këngën Polifonike: Isopolifoni apo Polifoni?
Rrjedh nga kori Bizantin apo është këngë me rrënjë tërësisht shqiptare, që e ka
shoqëruar shqiptarin që në djep? Dhe këto mendime të turbullta i kristalizova
me librin e shkrimtarit dhe publicistit të mirënjohur Albert Zholi. Libri me titull "Historia dhe madhëstia
e Polifonisë Shqiptare" është një libër unik, me fakte, intervista,
reportazhe, kronika, opinione që nxjerrin në pah nga rrjedh dhe si emërtohet
kjo këngë e rrralla që shumë herë e shprehim dhe me termin kënga labe. Në këtë
libër me rreth 300 faqe autori sjell që nga prehistoria shembuj konkret se ku i
ka rrënjët kjo këngë kaq e bukur. Në këtë libër lexon të madhin Eqerem Çabej,
Ramadan Sokoli, Zhani Ciko, Aleksandër Peçi, por lexon edhe akademikun e shquar Rexhep Qosja apo sheh
edhe firmën e gjeniut Ismail Kadare. Këtë libër e lexon me etje, e lexon me
shumë dëshirë parsi personazhet e përfshirë në të janë emra të mëdhenj në
muzikologjinë apo në këngën e pastër shqiptare. Aty gjen Golik Jaupin, Paro
Ziflajn, Irini Qirjakon, Petrit Lulon, Ylli Bakën, Tomorr Lelajn, Dashuri Hysaj, e shumë e shumë të tjerë. Kur i lexon
thëniet e tyre për këngën labe befasohesh por njëherazi dhe krenohesh. Gjithë
skenat e botës janë tronditur nga Polifonia Shqiptare. Jo vetëm janë tronditur
por Konservatori i Parisit ngriti një grup prej pesë këngëtarësh për të
intepretuar këngën legjendë "Janino ç'të panë sytë"! Vendimi i
UNESCO-s, i marrë më 25 nëntor 2005, duke evidentuar vlerën e papërsëritshme të
saj, ka treguar modernitetin, origjinalitetin, përkatësinë, vendlindjen e
Polifonisë dhe pazëvendësueshmërinë e saj. Kënga labe, është nga rastet e
veçanta, për të mos thënë e veçantë në botë, e cila në vend të veglave ka vetë
njeriun dhe frymën e tij, të dalë nga shpirti, që në çastin e këngës është i
mbushur me dhimbje apo gëzim, me dashuri apo urrejtje. Në përgjithësi atyre që
nuk e njohin mirë këngën labe dhe mesazhin e saj, u krijohet përshtypja se, të
gjitha këngët janë njëlloj, sikur zërat janë të njëjtë, sikur tingulli del i
standardizuar. Por nuk është kështu. Kënga labe është një mozaik ngjyrash
zëror, shprehjesh shpirtërore, zërash të harmonizuar të akorduar veç e veç si
në një orkestër simfonike, ku çdo vegël luan rolin e saj, dhe plotëson një
hapësirë në botën e madhe të këngës, sipas tematikës dhe zërave. Është krejt e
thjeshtë të dallosh dhe të marrësh mesazhin që ajo dërgon. Ndarja e specifikuar
e tyre sipas qëllimit që ka, është e dukshme. Një këngë kurbeti, udhëton mbi
nota minore monotone, me një thirrje të mbytur e të dhimbshme, shoqëruar me
tekstin prekës e melankolik. Një këngë dashurie i ngjan flladit dhe isoja
dridhjes së petaleve të trëndafilit në çastin e hapjes për lulëzim të plotë. Në
një këngë trimërie ritmi dhe pesha e fjalës është një kushtrim i vërtetë,
bukurinë e së cilës vetëm kënga labe mund ta shprehë. Pra, kënga labe është
bota shpirtërore, politike dhe ekonomike e ngritur në art, apo dhe në humor, në
mënyrën më të specializuar dhe konkrete. Këngët janë nga më të ndryshmet, herë
të qeta, herë të serta, herë të ëmbla, herë të rrëmbyeshme, herë të mugëta,
herë të shpejta, herë këngë dashurie, herë trimërie, herë heroizmi e herë
patriotike, herë të rrëmbyera e herë të ngadalta. Në raste të veçanta ato janë
si vetëtima të ëmbla, por dhe si një lëndinë mes bukurisë së luleve të
porsaçelura. Por, nuk mund të mos i përmendim këngët e vajit, që kullojnë
dhimbje, apo këngët gazmore dhe harmonike. Gjithfarëllojesh mund të jenë këngët
e grupeve, por Polifonia është vetëm një, hijerëndë dhe madhështore, si vetë
qielli,që mban shqiponjën dykrenore, një këngë që fluturon dhe gjëmon si qielli
në shtrëngatë dhe deti në murrlan. Por, një gjë është e vërtetë. Polifoninë, jo
kushdo e këndon dhe iso jo kushdo mund të mbajë. Ajo ka lindur bashkë me tokën,
me qumështin e saj, në trevën e Labërisë dhe të Toskërisë shqiptare. Ka dy mijë
vjet e më shumë që valëvitet ky flamur-këngë. Pra shumë shekuj më parë, në
truallin e Labërisë e Toskërisë shqiptare, krahas monofonisë, dalngadalë po
kristalizohej një formë tjetër e ndërgjegjes artistike muzikore të banorëve të
saj, Polifonia. Duke shfletuar librin lexojmë të gjithë studiuesit e folklorit
shqiptar të cilët theksojnë: "Nocioni «Polifoni» vjen nga greqishtja
"poli" (shumë), "foni" (zë), tingull, d.m.th, shumë zëra,
shumë tinguj, shumë melodi. Ndërsa e shqipëruar qysh kur lindi, kjo këngë do të
thotë vënçe. Shqiptare! Ky libër vendos përfundimisht në vendin që i takon dhe
me emrin që i takon Polifonisë Shqiptare!