Kulturë
Kadri Tarelli: Libri 'Çami, tek guri polar' vjen në Durrës
E enjte, 19.06.2025, 06:55 PM
Koha do t’u thotë gjithçka brezave të ardhshëm.
Ajo
flet edhe kur s’e pyesim.
Euripidi
LIBRI
“ÇAMI, TEK GURI POLAR”, VJEN NË DURRËS
Hamit Gurguri përuron librin e tij
Nga
Kadri Tarelli
Ditën
e hënë, më: 16. 06. 2025, në mjediset e librarisë “Redon”, në Durrës, u përurua
libri “Çami, tek guri polar”, i shkrimtarit Hamit Gurguri, i njohur në mjedisin
letrar në Suedi dhe në Dardani.
Falënderoj
shkrimtarin Hamit Gurguri, i cili nëpërmjet recensës sime, më bëri pjesë të
këtij libri të magjishëm e të çuditshëm, “Çami, tek guri polar”. Një libër i
bukur letrarisht në formë, por i rëndë për kumtin që përcjell te të gjithë
shqiptarët, të vjetër e të rinj, kudo që ndodhen.
Falënderoj
edhe fondacionin Çamëria, “Hoxha Tasin”, që u bë pjesë e përbashkët e këtij
kuvendi, ku nëpërmjet këtij romani historik, përkujtohet 100-vjetori dhe
80-vjetori i shpërnguljes me dhunë, i mijëra shqiptarëve çam, sa në Turqi ashtu
edhe në Shqipëri. Ngjarje që na kujtojnë një plagë që nuk mbyllet kurrë, jo 80
apo 100-vite, por edhe pas 800 dhe 1000 vjetësh do të dhembi po njësoj, mjafton
ta prekësh sado pak. Është dhimbja e kombit që nuk gjen prehje.
Ju
pjesëmarrës të ndërruar, jeni njerëz të letrave dhe e dini po aq mirë sa unë,
se historia dhe romani historik japin e marrin mes tyre, por nuk janë njësoj.
Gatuajnë të njëjtin brumë, por shija, aroma, forma dhe vlerat dallohen që larg.
Historia dhe dokumentet e saj fiksojnë kohën si dëshmi, ndërkohë janë të
ftohta. Ka emra heronjsh e personazhesh, vende dhe data, ku përshkruhen
ngjarje, vendime e përfundime, pa thënë asgjë se ç’pasoja, ç’gjurmë e përjetime
ka sjellë dhe ka lënë te njerëzit dhe popujt. Historianët nëpërmjet librave të
historisë, i japin dritë letrave apo gjetjeve, për të njohur të vërtetën qoftë
e hidhur apo e gëzueshme, për t’u mburrur, gëzuar, lotuar apo trishtuar, duke
thënë kështu pareshtur, se ngjarje të tilla mësohen për të mos u përsëritur
kurrë. Kjo është gjysma e të vërtetës, ose një gënjeshtër e madhe, si përrallë për
të na vënë në gjumë, sepse udhëheqësit e vendeve të mëdha, ose më mirë
diktatorët, duke njohur historinë përsosin armët dhe strategjitë e luftës ndaj
popujve të tjerë për t’i pushtuar e sunduar, pa u merakosur për vuajtjet dhe
viktimat që pasojnë. Historia e
mijëvjeçarëve dhe e ditëve të sotme, nuk lë vend për të menduar ndryshe. Veçanërisht historia
tragjike e trojeve shqiptare, të copëtuara mizorisht dhe banorët autoktonë të
shkulur tragjikisht, nuk mund të kemi dyshime dhe dy mendime.
Ndryshe
ndodh me romani historik, siç është edhe ky libër, për të cilin jemi mbledhur
në këtë kuvend, për të cilin u deshën tridhjetë e ca vitesh për ta shkruar e
përfunduar. Romani i jep jetë ngjarjeve, i jep gjak për veprim, energji për
lëvizje dhe ndjesi njerëzore, pse jo edhe frymëzim për të parë dhe pranuar
kohën në hapësirat e vërteta. Romani ka edhe një të mirë tjetër, sepse lexuesi
bëhet pjesë e ngjarjeve, udhëton me ngarkesën e kohës, duke i përjetuar ato me
të gjithë fuqinë e shpirtit dhe të mendimit, të ndajë të mirën, të bukurën nga
e keqja dhe e shëmtuara, të drejtën nga e padrejta, të dashurojë apo të urrejë,
të rrëmbehet apo trimërohet, duke u bërë bashkudhëtar me heroin e librit. Këtu
qëndron edhe bukuria dhe vlera e tij si libër, që s’të lëshon nga dora deri në
faqen e fundit. Kur ta lexoni do të më jepni të drejtë. Është merita e autorit,
që i shtrydh ngjarjet aq realisht, sikur ato ndodhin sot dhe në oborrin e
shtëpisë, në rrugicën e lagjes, në udhët e qytetit, më tej në bregun e detit,
në frontin e luftës apo në horizontet pa kufi. E gjitha përmblidhet me pak
fjalë: historia jetohet me njerëzit dhe për njerëzit.
Jam
i bindur se kështu si unë, çdo lexues që ka pak apo shumë njohje për historinë,
do të përfshihet mrekullisht në vorbullën e kohëve tragjike të atyre viteve,
duke adhuruar znj. Irena për zotësinë dhe guximin për ta thënë të vërtetën,
duke e ditur se nuk do ta dëgjojë askush. Më tej, për të ndjerë zhgënjim ndaj
nëpunësve të Evropit, që i shikojmë në dritë të syrit si bijtë e Zeusit apo si
të dërguarit Zotit, por që pas buzëqeshjes së tyre, dhe nën kostumin që mbajnë,
bëjnë punën e djallit. Nuk është e vështirë të kuptohet se përfundimet e
bisedimeve të paravendosura në tavolinat e kancelarive, na vlejnë edhe sot si
mësime, kur fatet e shqiptarëve nuk janë zgjidhur përfundimisht. Kjo është
pjesa e dytë e të vërtetës që dhemb, sepse popujt e vegjël, kam parasysh edhe
popullin tonë, nuk nxorën mësime nga fatkeqësitë dhe pësimet, pabesitë dhe
grindjet mes tyre. Dikur Zot të Gadishullit Ilirik, u rrudhën aq shumë, sa sot
shqiptarët e shtetit shqiptar kufizohen plotësisht me shqiptarë në shteteve të
tjerë. Një ndër çuditë e mëdha për t’u futur në historinë botërore, si rast i
rrallë.
Nuk
nguroj të them se çdo faqe e këtij libri ka brenda historisë të vërtetën dhe
dhimbjen, e cila na dhemb sot e mot, kur gjykojmë këto pak fjalë si profeci
orakujsh: - “Vallë ku gabuan të parët tanë...!? Po ne ku po gabojmë.....!? Dhe
a mbajmë përgjegjësi para vetes, historisë dhe kombit....!?”. Autori e lëshon
kumtin dhe alarmin, por duhet ta dëgjojnë drejtuesit e vendit dhe kombit. Kjo
si vlerë e shtuar e librit dhe autorit.
Unë
e ndaj librin në dy pjesë, sepse dallojnë shumë nga njëra-tjetra: Pjesa e parë
ngjarjet vendosen në Epir, në Çamëri, ndërsa pjesa e dytë në Norvegji dhe Suedi
me personazh Naumin. Megjithëse duhet pranuar se lidhja dhe vazhdimi mes tyre
është harmonik dhe i pëlqyeshëm. Duke nënvizuar në fund, se, Naumi nuk mundi ta
shohë as Çamërinë dhe as Shqipërinë. Besoj se kjo është shprehja më tragjike e
gjithë librit.
I
mbetet lexuesit të japë vlerësimet e tij, kur të ketë mbyllur faqen e fundit të
këtij libri tragjik. Mbase, pasi të ketë rilexuar pjesët që i pëlqejnë më
shumë, duke i përjetuar ato, sepse në rrëfimet e çdo faqeje rrjedh lëng jete.
Ky
libër mund të lexohet këndshëm nga të gjithë, më së shumti nga të rinjtë, jo
thjesht për letërsi dhe kulturë, por për të nxjerrë mësime për kohën që po
jetojmë dhe për të ardhmen. Besoj nuk është pak......!
Urime
bir i Drenicës, shkrimtar Hamit Gurguri! Jetë dhe shëndet të mirë, për libra të
tjerë me vlera letrare dhe atdhetare.
Me
mirënjohje!
Kadri Tarelli
Durrës, më: 16, të qershorit, 2025.
Shënim: Takim u organizua nga
“Lidhja e shkrimtarëve dhe artistëve të Durrësit”, në bashkëpunim me
Fondacionin Çamëria “Hoxha Tasin” në Tiranë. Pjesëmarrja ishte mjafte
pëlqyeshme me intelektualë durrsak, ku nuk munguan edhe miq nga Mitrovica,
Fush-Kosova, Gilani, Tirana, etj.