Kulturë
Albert Zholi: Ish-Vila e diktatorit, Mazoleumi i Leninit dhe arkeologu grek
E diele, 15.06.2025, 12:48 PM
Ish-Vila e Enverit, Mazoleumi i Leninit dhe arkeologu grek
Nga
Albert Z. Zholi
Pas
shumë vitesh, prita në Rinas një mikun tim, grek me profesion arkeolog. Një
mik, që kisha vite që s'e kisha takuar. Takimi i parë ishte në vitin 1994 në
zyrën e mikut të përbashkët, arvanitasit të madh, rilindësit të kohëve moderne,
Aristidh Kola. Miku grek, vinte për një vizitë pune rastësisht në Tiranë. Ishte
një pritje si mes miqsh, që takohen pas shumë vjetësh. Ishte vitit 2011! Pas
përqafimeve, bisedave të natyrshme, pyetje- përgjigjeve, e pyeta se çfarë donte
të vizitonte në Tiranë. Dhe ai m'u përgjigj pa u menduar fare. Shtëpinë e Enver
Hoxhës, Piramidën muze të ish -diktatorit dhe Pallatin e ish- Mbretit Zog. U
habita nga kërkesat e tij. Kjo për shumë arsye: pasi në Tiranë, sipas meje,
kishte shumë objekte të tjera më të bukura, të cilat mund t'i vizitonte. Por
shijet e njerëzve janë të ndryshme, po ashtu dhe kërkesat. Patjetër,- i thashë,
do mundohem t'ju shërbej sadopak. Duke biseduar nisemi për te ish- Blloku,
pikërisht në shtëpinë, ku kishte banuar për mëse 45 vjet Hoxha. U afruam tek
kangjellat dhe unë mundohesha t'i shpjegoja nga larg sa dija për rreth kësaj
shtëpie-vilë. Por ai tundte kokën në mënyrë të pakënaqur. Mos u kurse për
lekët,- më tha. Dua ta vizitoj nga brenda këtë shtëpi. Dua të shikoj dhomën,
bibliotekën, librin "Dy popuj miq", ku flinte, dhomën e ngrënies,
banjat, luksin si dëgjomë dhe pse nuk shoh luks në raport me pallatet për
rreth.... U meka. Shtanga! S'dija çfarë t'i thoshja. Ai më kishte ngulur sytë
fort dhe po më kundronte në mënyrë të habitshme. S'po e kapte hallin tim, pasi
goja m'u tha nga pështyma. I thashë se nuk mund ta vizitonte. Kjo shtëpi,
tashmë, nuk është muze, por shtëpi pritje qeveritare. U habit! S'po më jepte
arsye të zhbiroja habinë e tij. S'ka mundësi,- tha. Kjo shtëpi duhej kthyer në
muze. Me këtë shtëpi, ju duhet të thithni qindra mijëra vizitorë në botë. Të
gjithë duan të dinë se si kanë jetuar (si i thonë disa diktatorët) në atë
sistem. Pak kujt ju besohet ai regjim dhe duan ta prekin, ta kapin, ta
studiojnë, ta shkelin. Dhe kjo bëhet vetëm nëpërmjet objekteve, ku ata kanë
jetuar, punuar, apo me sendet, me të cilat kanë qenë pjesë e jetës së tyre.
Kështu funksionon në çdo vend të botës. Unë s'e kam jetuar komunizmin, mbase as
erën s'dua t'ja njoh. Pra s'ka të bëjë fare me ndonjë preferencë, as nostalgji
përderisa nuk e kam jetuar. Amerikanët, kur të vijnë këtu, as e çojnë në mend
të shikojnë gradaçiela, pasi janë velur me to. ...Duan gjëra
specifike....Ndërsa kur e çova te Piramida, ish- muzeu i Enverit (2011)... Ai
nuk u besonte syve. Shtangu! U befasua. Një objekt shkatërrues në zemër të
kryeqytetit. Gërmadhë. Dukej si një shtëpi e djegur në fund të Luftës së Dytë
Botërore. Kjo nuk ndodh as në vendin më të varfër të Afrikës,- më tha, -Pastaj
heshti. Heshti! Më shikonte në sy dhe nuk fliste. Pas disa minutash heshtje,
duke më futur krahun më thotë nën zë: Ju nuk e mendoni se çfarë keni humbur.
Objekte të tilla kanë jo vetëm vlera historike që ndërgjegjësojnë kombet të mos
gabojnë, por dhe vlera turistike. Me këto objekte të tilla Tirana do të mbahej
në këmbë nga turistët,- më thotë. Më fliste me çiltërsi. Kjo nuk është
nostalgji! A e dini sa janë të ardhurat e Bashkisë së Moskës nga Mauzoleumi i
Leninit?! Pyesni dhe më thoni. Bileta kushton 15 euro dhe aty gjen gjithmonë
njerëz në radhë pa fund. Pra ai që themeloi komunizmin është më i vizituari, më
i shikuari! Pse është keq amerikani të shikojë gradaçiela apo ndërtesa
moderne?! Kjo deklaratë e tij më kujtoi një bisedë me një kameraman të RTSH-së,
i cili para disa vitesh kishte vizituar Mauzoleumin Lenin në Moskë së bashku me
mjekun Flamur Topi, drejtuesin e emisionit shëndetësor në TVSH. Kameramani më
thotë se, Flamur Topi u fut tre herë në Mauzoleumi, duke harxhuar 45 euro vetëm
për të shuar kureshtjen se si mbahej në gjendje normale të padekompozuar, trupi
i Leninit i balsamosur. Aty radhët ishin të pafundme,- më tha. Biseda solli
bisedën dhe unë nuk mund ta çoja, tashmë, as në ish -Pallatin Mbretëror, e cila
është kthyer thjesht në një shtëpi, ku banon Presidenti i Shqipërisë, në një ambient
prej mijëra metër katrorë, kur ai ambient do të ishte objekti muzeal më i
dëshiruar nga turistët. Për të mos e lodhur deri lart u mundova t'i shpjegoja
realitetin për ish -Pallatin Mbretëror. Mund të themi se Pallati Mbretëror,
Ish-Pallati i Brigadave është një nga ndërtesat më specifike në Tiranë, me
arkitekturë krejt të veçantë, me ambiente nga më befasueset, nga më
piktoresket, në një vend karakteristik, ku çdo turist me axhendë të përcaktuar
jo vetëm do të mund të vizitonte diçka ndryshe, por edhe do të pushonte duke
pirë një kafe në ambientet gjelbëruese të atij objekti. Pra, resurset turistike
të Tiranës janë të pafundme, specifike, të veçanta, tepër sinjifikative, por ne
ato nuk po i vëmë në shfrytëzim, nuk po i bëjmë funksionale, nuk po i bëjmë
transparente për kohën, nuk po i vëmë në shërbim të buxhetit, të popullit, të
turizmit, por të individëve të veshur me pushtet. Gjithë ajo hapësirë e ish-
Pallatit Mbretëror shijohet dhe mbahet e konservuar për familjen me katër
persona të Presidentit, duke mos u shfrytëzuar aspak, në vend që të bëhej një
objekt turistik i rëndësisë të veçantë. Ndërsa, kur u ndal përpara hotel
"Dajtit", miku im grek, s'po u besonte syve. Diku kam lexuar se ky
hotel ishte mrekullia e Tiranës për mëse 40 vjet. Si ka mundësi që është
katandisur kështu?! Më erdhi rëndë t'i thoja se ky ish- hotel ka përbrenda aq
ngjarje sa dhe vetë shteti i sotëm do të tronditej pa diskutuar për ish
-regjimin komunist. Në mbi 290 dosierë që kam botuar në gazetën
"Telegraf", me ish- sigurimsa, me ish -oficerë, me ish -Sekretarë të
Parë, me ish- shkrimtarë, me ish- gazetarë, me ish -inxhinierë, me ish
-diplomatë, me ish- kamerierë, me ish -berberë, me ish pastrues, hotel
"Dajti" sot do të ishte në qendër të vëmendjes të çdo pushteti postkomunist.
Po sot çfarë është ky hotel dikur aq luksoz që ka përbrenda pjesën më të
rëndësishme të historisë shqiptare?! Çfarë humbjesh do të kishte shteti
shqiptar n.q.s objektet, ku ka jetuar ish -diktatori do t'i kthente në objekte
muzeale? Pse "Dajti" ka 10 vjet i lënë si një shkretëtirë në mes të
Tiranës, kur historitë dhe bëmat e tij janë të pafundme? Kujt i intereson kjo?
N.q.s do ishte restauruar, sa fitime do të kishte sjellë hotel
"Dajti" i famshëm?!....