Kulturë
Ramiz Selimi: Arti i dy botëve, mes mërgimit dhe kujtesës
E marte, 10.06.2025, 06:56 PM
Arti i dy botëve, mes mërgimit dhe kujtesës
Shkruan
Ramiz Selimi
Në
qytezën piktoreske të Voitsbergut, në zemër të Steiermarkut austriak, jeton një
piktor që i përket dy botëve, dy kulturave dhe një trashëgimie të thellë shpirtërore.
Fjala është për Haxhi Fejzullahun, i cili jeton në Austri që nga viti 1991,
atëherë kur si shumë të rinj u detyrua të largohej nga vendlindja për shkak
represionit serb. Sot Haxhiu është njëri nga zërat më të veçantë të artit pamor
në mërgatën shqiptare dhe një shembull frymëzues i rezistencës kulturore përmes
penelit.
Kur
Haxhiu mbërriti në Austri, nuk mbante vetëm valixhen me pak rroba, por edhe një
shpirt të trazuar artisti dhe një pasion të heshtur që përkulte kohën e tij të
lirë në pikturë. Si shumë të tjerë, vitet e para të jetës së tij në mërgim
kaluan duke punuar punë të ndryshme, larg asaj që i diktonin ndjenjat dhe
shpirti krijues. Por arti nuk u zhduk, ai ziente në heshtje dhe ishte gati të
shpërthente çdo moment.
Sot,
pas më shumë se tri dekadash në Austri, arti i Haxhi Fejzullahut përfaqëson një
bashkëjetesë të rrallë mes dy botëve, atdheut që e rriti dhe vendit që i hapi
dyert për ta strehuar. Kjo ndarje e brendshme, por edhe ky bashkim i thellë
emocional mes dy kulturave, është boshti që i mban gjallë pikturat e tij.
Jeta mes dy kulturave
Veprat
e Haxhiut flasin me zë të qartë, janë rrëfime për dhimbjen dhe krenarinë
shqiptare, për sakrificën e mërgatës, për plagët e luftës dhe për bukurinë e
maleve që lanë pas. Por njëkohësisht, ai e paraqet me dashuri të sinqertë
natyrën e rajonit të Voitsbergut, jetën austriake, respektin për mikpritjen dhe
rendin që gjeti këtu.
Arti
i tij nuk është thjeshtë një dialog artistik, por një bashkëjetesë shpirtërore
që i buron nga përvoja personale. Haxhiu nuk e sheh veten si të ndarë, por si
pjesë e dy realiteteve që bashkë-formojnë identitetin e tij. Kjo përthyerje e
dyfishtë reflektohet fuqishëm në peizazhet që pikturon, nga malet e Kosovës
deri tek fushat dhe pyjet e Steiermarkut
Një
temë e përsëritur në veprat e tij është identiteti i refugjatit, jeta mes dy
realiteteve dhe përpjekja për të ruajtur rrënjët pa humbur degët. Ky dualitet i
pasqyruar në art është bërë shenjë dalluese e Haxhiut.
Teknika e tij e veçantë,
mes natyrës dhe shpirtit
Haxhiu
përdor një spektër teknikash, nga pikturat që i realizon me thëngjill, tek
akuarelet e lehta dhe deri tek ato me akril ekspresiv. Por, ajo që e bën veprën
e tij unike është përdorimi i teknikës së "ngjyrave bio", një qasje
krejt personale dhe ekologjike. Ai krijon pigmentet nga rrëshirë bredhi dhe nga
dheu që e merr në rajonin e Voitsbergut për të krijuar një strukturë dhe paletë
ngjyrash që flet për ndjeshmërinë e tij ndaj mjedisit dhe përkushtimin ndaj
natyrës si pjesë e qenies njerëzore.
Këto
ngjyra i përdor për të krijuar portrete dhe peizazhe të mbushura përplot
emocione që duken si kujtime të skalitura në kohë. Pastaj peizazhet shpeshherë
përshkruajnë me mall vendlindjen, si dhe motive që ngrenë pyetje për fatin e
refugjatëve dhe rrënjët e tyre që zbuten në dhe të huaj.
Asimilimi, mërgata dhe
kujtesa kolektive
Përtej
bukurisë estetike, vepra e Haxhi Fejzullahut është edhe një formë aktivizmi. Ai
nuk është thjesht piktor, por është zë. Një zë që kujton terrorin serb ndaj
shqiptarëve, që flet për përpjekjet e diasporës për të ruajtur gjuhën dhe
identitetin, dhe që me penel e zemër tregon se arti mund të jetë urë, mburojë
dhe shpëtim.
Një
pjesë e rëndësishme e pikturave të Haxhiut merren me temën e asimilimit dhe
identitetit në mërgatë. Ai e përshkruan shpesh ndjenjën e të qenit “në mes”, as
këtu, as atje, një gjendje që shumë shqiptarë të diasporës e ndiejnë, por
rrallë e artikulojnë me kaq shumë ndjeshmëri.
Pikturat
e tij janë edhe dëshmi, një lloj arkive që ruan sakrificën e mërgatës shqiptare,
dhimbjen e atdheut të braktisur dhe përpjekjen për t’u ndjerë si në shtëpi në
vend të huaj.
Haxhi
Fejzullahu nuk është vetëm një artist i nderuar nga komuniteti shqiptarë dhe ai
austriak, por ai është dëshmi e gjallë se arti nuk njeh kufij, nuk trembet nga
mërgimi dhe nuk hesht para dhimbjes. Ai vazhdon të vizatojë me thëngjillin e
kujtesës dhe ngjyrat bio të jetës, duke na kujtuar se rrënjët shpirtërore nuk
thahen kurrë, vetëm gdhenden ndryshe, në telajon e përjetësisë.
Ekspozitat
e tij janë një përjetim emocional dhe një ftesë për reflektim, për rolin e
artit si kujtesë dhe për artistin si mbartës i së vërtetës.