Kulturë
Prend Buzhala: Të bashkuar te kënga dhe tradita si një familje e madhe
E diele, 08.06.2025, 06:56 PM
TË BASHKUAR TE KËNGA DHE TRADITA SI NJË FAMILJE E MADHE
(Në
Çabiq të Klinës hapet festivali folklorik “I KËNDOJMË LIRISË”)
Nga Prend
BUZHALA
Është
i njëzetetreti edicion me radhë i festivalit “I KËNDOJMË LIRISË”, i cili mbahet në shenjë të ditëlindjes së
rapsodit dëshmor e komandant lufte, Mujë Krasniqit. Në fakt, prej vitit 2005,
festivali hapet në fshatn Çabiqi të
Klinës, vendlindjen e Mujë Krasniqit, me moton SOFRA E ÇABIQIT. Kështu për herë
të 20-të, fshati Çabiq, sot e pati dasmën e vet kombëtare.
Në
oborrin e Kullës së Mujë Krasniqit, në Çabiq të Klinës — aty ku gurët ende
ligjërojnë, aty ku flamuri kuqezi nuk ndalet së valëvituri — u hap me
solemnitet Festivali Folklorik “I Këndojmë Lirisë”. Drejtor i festivalit është
regjisori Alban Gashi.
Në
këtë vend të shenjtë të historisë sonë, ku kujtesa dhe nderimi për heronjtë e
luftës çlirimtare janë të gjalla, u mblodhën qytetarë, artistë, këngëtarë e
valltarë për të sjellë zërin e një populli që nuk harron. U mblodhën edhe miq
të çmuar. Kulla, me themele të gurta si vetë qëndresa shqiptare, i priti fjalët
përkujtimore, këngët për heronjtë dhe ritmet e lashta që ngjallin shpirtin e
Kosovës.
1.
Ambientet
skenës në oborrin e Kullës memoriale të Mujë Krasniqit, memorial i qëndresës
dhe i sakrificës, ashtu si dikur, arenë qëndrese e lufte, sot ishte arenë ku
fjala, kënga dhe vallja shqiptare morën jetë për t'i nderuar heronjtë e luftës
çlirimtare dhe për ta përkujtuar rrugën e gjatë drejt lirisë.
Prandaj
edhe pati mysafirë të rrallë e të veçantë: veteranë të UÇK-së, gjeneralë e
komandantë lufte e paqeje, kryetari i AAK-së e mik i madh i familjes së Mujës,
Ramush Haradinaj, përfaqësuesi i OVL Xhavit Jashari, deputetë të Parlamentit të
Republikës së Kosovës Nait Hasani e Lahi Ibrahimaj, përfaqësues të
institucioneve të tëra shëtitore...
Në
hijen e Kullës së Mujë Krasniqit, në Çabiq të Klinës, hapet me solemnitet, me
intonime himnesh shtetërore e kombëtare dhe me përjetime të bukura Festivali
Folklorik “I Këndojmë Lirisë”.
Para
të pranishmëve Fjalën e Hapjes së festivalit, e paraqiti kryetari i Komunës së
Klinës Zenun Elezaj, pastaj Ramush Haradinaj që lartësoi kujtesën e luftës, por
edhe mesazhet për të sotmen: se edhe në prceset e sotme gjyqësore do të
dëshmohet pafajësia: "Është e
vërtetë që kurrë s'do ta harrojmë ndihmën e aleatëve tanë... Kurdo që
bashkohemi, në Prekaz e Çabiq e kudo tjetër, nuk do t'i harrojmë luftëtarët e
dëshmorët, ashtru si nuk do t'i harrojmë edhe ata që përballen me procese të
padrejta, Nuk është në nderin tonë të bëjmë ndarje, sepse të gjithë ata ishin
luftëtarë për lirinë e popullit tonë... do ta ruajmë Kosovën edhe në këtë kohë
ngërçesh politike... do ta gjejmë rrugën për të ecur përpara..."
(Personalisht,
kisha rastin, edhe kësaj radhe, ta paraqes një Fjalë timen të Mirëseardhjes e
për fshatin Çabiq, traditat e për këtë hapje të Festivalit që po bëhet qe dy
dekada rresht).
2.
Në
këtë hapësirë legjendare të kujtesës, dolën në skenën e amfiteatrit këngëtarët
e rinj, si Sefë Ibrahim Gashi me këngën kushtuar Ali Krasniqit, Drinor e
Valentin Gashi, pastaj Yllka Tërdevaj, Halil e Dren Gashi me këngën “Zani i
Beqës e pushka e MUjës”, pastaj valltarët dhe valltaret, përmes ritmeve të
çiftelisë, sollën në dritë këngët e brezave që nuk u përkulën. Në secilën këngë
përmenden emra, histori, amanete. Valltarët e valltaret e Ansamblit
"Jehona e Dukagjinit, interpretuan një valle tradicionale shqiptare me
motive matjane. Dolën, me lëvizje dinamike, valltarë dhe valltare të rinj e të
reja, me veshje karakteristike shqiptare — femrat me fustan të bardhë,
përparëse të zeza, shamia të kuqe në kokë dhe elementë folklorikë në duar;
burrat me tirq të bardhë, jelekë të kuq e të zinj dhe plis të bardhë. Dekori i
këtij ambienti stolisej me flamuj kombëtarë shqiptarë dhe pankarta
përkujtimore, që i kushtohet historisë dhe sakrificës për lirinë, Mujë e Al
Krasniqit e Beqir Gashit. Ky aktivitet është dëshmi e ruajtjes së trashëgimisë
kulturore shqiptare dhe e ndjenjës së fortë patriotike, që përcillet brez pas
brezi përmes këngës dhe valles popullore.
Në
fund, si rëndom, të pranishmit shijuan mikpritjen me ushqime tradicionale e
pije freskuese. Festivali vazhdon sonte në orën 20, para pallatit të Kulturës
“Jehona e Dukagjinit» në Klinë, për tri net me radhë.
3.
Pjesë
nga Fjala ime:
“Tashmë
Festivali I KËDOJMË LIRISË është pjesë e festave të Klinë dhe Çabiqit, pjesë e
kalendarit kombëtar kulturor. Për çdo vit nga këtu është përcjellë mesazhi i
madh për ruajtjen e vlerave të shenjta të kombit tonë. Ky Festival është festë
që përsëritet nga brezat e pas luftës, në Kosovën e lirë, gjithmonë duke
ruajtur thelbin e tij – siç janë traditat, heroizmi, mikpritja dhe uniteti. Ky
fshat, ndër festivale i pret me moton “Mirë se ju ka pru Zoti. Shpia asht e
mikut dhe e Zotit”, ashtu siç është shtruar kjo sofër te kjo Kullë, nga e cila,
dikur dëgjohej Kënga e Mujës dhe fluturonin Pëllumbat e Bardhë të Mujës,
simbole paqeje, pastërtie dhe vigjilence. Nëpër festivale rrugëve të këtij
fshati kanë defiluar e vallëzuar valltarë nga të gjitha trojet etnike. Qe dy
dekada ende do të jehojnë vargjet e një kënge:
Kreshtat
e Kosovës kanë marrë ngjyrë të kuqe,
Krushqit
e Dardanit janë nisë me marrë nuse,
Po
u prin përpara shqipja e Kastriotit,
lulëbozhure
çelin nëpër flakë baroti.
Çabiqi
është një vendbanim i lashtë, ndërsa dokumentet flasin për një vendbanim dikur
mjaft të madh e i shtrirë në shumë zona përreth. Këtë e dëshmojnë edhe gjetjet
arkeologjike përreth, si enë, gjëra nga jeta shtëpiake, tunele të nëndheshme,
gur të mokrës, mbetje që dëshmojnë ekzistencën e kishave iliro-shqiptare. Në
krisobulën e manastirit të Deçanit të vitit 1330, përmendet edhe emri i fshatit
Çabiq, me 182 familje.
Në
periudhën deri në luftën e fundit, Çabiqi kishte 151 familje me mbi 1100
banorë, kurse lufta dogji mbi 98 për qind të objekteve të banimit, të ekonomive
familjare, shkatërroi blegtorinë e bujqësinë, dëboi banorët që jetuan nëpër
male në të dy ofensiva të egra, më 1998 e 1999, vrau 24 burra, gra, pleq e
fëmijë, Çabiqi dha tre dëshmorë, komandantin Mujë Krasniqin dhe të vëllaun e
Mujës, Ali Krasniqin, si dhe Muhamet Gashin, ndërkohë që sivjet varrosëm një
profesor që u zhduk gjatë luftës, Adem Buzhalën, kurse vëllau i tij Ismeti ende
është i zhdukur. Çabiqi gjithnjë ka reflektuar kulturë, gatishmëri për
sakrifica, ka dhënë njerëz të artit e të krijimtarisë popullore e folklorike;
gjithnjë e ka reflektuar tolerancën ndërvëllazërore fetare, e ardhur si traditë
nga të parët e nga pleqtë tanë fisnikë e të fisëm, sepse ende ruhen lidhjet e
gjakut me rrënjë të përbashkëta familjare.
Këtu
qe dy dekada jehojnë kënga e vallja.
Ka
diçka të shenjtë në tingullin e çiftelisë.
Në
festivalin “I këndojmë lirisë”, këndohet e vallëzohet me shpirt. Me zemrën që mban
brenda historinë e gjyshërve tanë.
Ky
festival është rikthim tek vetvetja. Një përkulje ndaj atyre që, përmes këngës,
ruajtën identitetin tonë, kur gjuha jonë ndalohej, kur fjala jonë shtypej, kur
u përpoqën ta shuanin edhe këngën tonë. Ky festival na tubon si në një familje të madhe, ku secili vjen me historinë e vet de me
plagët e veta. Kënga folklorike është
zemra e lirisë sonë. Ajo është ajo që na mban të bashkuar kur gjithçka duket se
po ndahet. Ajo është gjuha e shpirtit tonë, që nuk harron kurrë se kush jemi
dhe nga vijmë. Le të qëndrojmë pranë njëri-tjetrit, si familje e madhe, e
bashkuar nga kënga dhe tradita, edhe në festat e sotme folklorike e fetare.
Të
ndajmë jo vetëm bukën, por edhe zemrën dhe ëndrrat tona.
Festojmë
sot lirinë, por edhe rrugën që kemi bërë për ta arritur.
Festojmë
kujtimet që na lidhin, dhe shpresën që na forcon për të nesërmen.
Të
dashur miq,
Mirë
se erdhët!
Sot
jemi një familje, njësoj si dikur, kur gjyshërit na mblidhshin rreth sofrës, ku
shija e bukës është shija e dashurisë.
Në
këtë sofër, nuk ka të huaj. Ka vetëm miq. Sofra na lidh. Na bën një.
Sofra
është dritarja e zemrës. Pas çdo secilës copë të bukës, ka një buzëqeshje. Pas
secilës pije, një përshëndetje.
Liria
është dashuria që ndajmë si copën e bukës.
Është kënga që nuk shuhet kurrë.
Le
të festojmë së bashku, me zemër, me këngë, me shpresë.
Mirë
se erdhët në Sofrën e Çabiqit!
(6 qershor 2025)