Kulturë
Bardhosh Gaçe: 'Ikja e madhe', një rrëfim i tronditës për emigracionin shqiptar
E marte, 03.06.2025, 06:55 PM
"Ikja e madhe", një rrëfim i tronditës për emigracionin shqiptar
Nga
Prof. Dr. Bardhosh Gaçe
Publicisti
i njohur, Albert Z. Zholi, është autori i mbi njëzet librave që nga poezia,
proza, romani, monografia, publicistika etj. Në jetën e një krijuesi një numër
i tillë nuk është pak, për më tepër që autori është i një moshe të re dhe në
kulmin e krijimtarisë së tij. Libri publicistik "Ikja e madhe" është
ribotuar në vitin 2017, si nevojë e lexuesit shqiptar për të. Albert Z. Zholi
shquhet për gjetjet artistike dhe natyrën depërtuese në dukuri dhe fenomene, në
kapjen psikologjike të njerëzve dhe personazheve të tij, në aftësinë për të
krijuar imazhe dhe përfytyrime të rëndësishme, që lexuesi të ketë një
marrëdhënie më korrekte dhe më funksionale, me atë që publicisti shkruan.
Përgjithësisht ky tipar, i cili nuk është i zakonshëm, por është element i
rëndësishëm i talentit dhe aftësisë, i intelektit dhe kulturës shkrimore të
autorit, e bën atë një shkrimtar interesant, intrigues dhe me një prodhimtari të
konsiderueshme.
Albert
Z. Zholi është një krijues dhe publicist pasionant, është i pajisur me një
kulturë të qëndrueshme, me një "sportivitet" të admirueshëm, që në
këto njëzet e ca vite është pasqyruar në disa lloje zhanresh që autori i ka
ofruar lexuesit librat e tij. Në ritmet e zhvillimit të kohës sonë ky është
tipari i krijuesit dhe publicistit modern, i cili duhet ta nisë çdo ditë me një
dije të re, me një angazhim të ri dhe bashkëkohor. Albert Z. Zholin e shquajnë
dy tipare, që zakonisht përbashkojnë krijuesin dhe publicistin, analiza e
dukurive dhe fenomeneve sociale, përmes dukurive dhe fenomeneve të veçanta
etnopsikologjike edhe sinteza, të cilat janë rezultante të nevojshme në
krijimtari dhe në publicistikë. Kjo e fundit është akoma më e vështirë për
shkak të numrit më të shumtë të lexuesit që ajo kërkon dhe duhet të ketë. Zholi
duket se e ka kuptuar mirë këtë çështje.
Libri
"Ikja e madhe" i autorit është ndoshta njëri nga librat më
interesantë të botuar për emigracionin shqiptar që nga viti 1990 e deri sot.
Duke u marrë kryesisht me emigracionin shqiptar në shtetin fqinj grek, Zholi
njëherësh na ka ofruar një promemorie të stilit diplomatik, një kronikë të
gjerë dhe autentike të stilit gazetaresk, një poezi apo një baladë të
trishtuar, e cila është shkruar shekuj më parë, por është rikënduar kohë pas
kohe dhe epokë pas epoke, një roman interesant, të veçantë, me kaq shumë
personazhe pa emra dhe pa vazhdues linjash të subjektit, por që janë kudo, nga
fillimi e deri në mbarimin e librit, duke na shpërfaqur një epokë mbijetese në
kuptimin më përfaqësues të fjalës.
Libri
i kësaj natyre nuk mund të shkruhet nga kushdo dhe kurdo për shkakun e
autenticitetit që ai ka, për shkakun e profilitetit të autorit dhe për arsyen e
njohjes deri në inde të dukurisë dhe fenomenit të emigracionit, të
"angazhuar" në pasqyrimin e tij në rrethanat të gjera, të raporteve
socio-ekonomike, socio-politike të vendit.
Në
harkun kohor të njëzetë e ca viteve janë shkruar shumë libra për emigracionin.
Kanë shkruar emigrantët, publicistët, shkrimtarët, poetët, gazetarët, kanë
shkruar reporterët e vendit dhe të huaj për shkak të emocioneve që krijon kjo
kategori e shoqërisë, e cila bashkë me emigrimin pleks rreth vetes, familjes
dhe shoqërisë probleme të natyrave të ndryshme. Përgjithësisht kjo lloj
"letërsie", pasi më së shumti librat për emigrimin anojnë nga
letërsia, ka qenë interesante dhe e lexuar, sepse në të flitet për personazhe
të njohur, madje në të shumtën e rasteve të identifikuar. Por shpejt tregu i
leximit me libra të kësaj natyre u ngop, sepse librat e kësaj teme kanë një
"sekret" të çuditshëm, ato vuajnë nga shabllonet dhe stereotipet e
përshkrimeve, ngjarjeve, mbushen me ngjarje të të njëjtës natyrë, por
ndryshojnë vetëm personazhet realë, që në fund të fundit për lexuesin janë
vetëm personazhe dhe jo individë.
E
shkrova gjithë këtë parantezë për një arsye të thjeshtë, që lidhet me librin
"Ikja e madhe" e Albert Z. Zholit, duke e konsideruar një libër të
mirë e të veçantë për arsyet e qasjes që autori ka zgjedhur të sjellë te
lexuesi. Libra të kësaj natyre janë të vështirë për t'u shkruar, aq më tepër
pasi ka kaluar kaq shumë kohë për një fenomen të tillë. Çështjet e emigrimit,
të natyrës shqiptare dhe të natyrave të ndryshme kanë specifikat e veta, kanë
arsyetimet e veta. Ato janë të mbushura me befasi, me iluzione, me ankthe, me
dhimbje, vështirësi, me zhgënjime, me pritje dhe të papritura. Kështu ka
ndodhur gjithmonë me emigrimin, i çdo forme dhe natyre qoftë. Shqiptarët madje
kanë balada të pavdekshme për këtë plagë të përjetshme. Albert Z. Zholi është i
njohur mjaft për këtë plagë shekullore shqiptare.
Më
ka bërë përshtypje intuita e autorit, i cili dhjetë vite të shkuara, d.m.th që
në vitin 1997 e ka ndërtuar librin "Ikja e madhe" mbi një platformë
moderne, të veçantë dhe të qëndrueshme. Pavarësisht disa specifikave, të cilat
koha i bjerr dhe i bën të parëndësishme me kalimin e saj, libri i Zholit është
jashtë çdo klisheje të librave të botuara në atë kohë dhe sot. Dikur largimin
biblik të shqiptarëve e shkaktoi vdekja e Skënderbeut, në raste të tjera
luftërat, ndërsa në rastin e fundit e shkaktoi ndryshimi i rendit politik,
shoqëror dhe ekonomik të vendit. Ky është thelbi i librit dhe analiza e
emigracionit të pasviteve '90-të. Emigrimi është një koncept universal në historinë
e njerëzimit dhe specifikat kombëtare dhe të popujve për të, burojnë nga
marrëdhënia dhe raporti që popujt vendosin me zhvillimin dhe pragmatizmin e
tij. Ky perceptim është prezent në librin publicistik gjithllojësh të Zholit.
Duke
qenë dhe vetë emigrant, duke njohur çdo ind të lëvizjes në shtetin fqinj përmes
një super sakrifice të fillimviteve '90-të dhe në vazhdim me batica dhe zbatica
epike të vazhdueshme, autori ka pasur mundësinë të krijojë një lloj hierarkie
ngjarjesh, të cilat nuk serviren në mënyrë tradicionale, por specifikisht. Me
kalimin e kohës, raportimi i këtyre ngjarjeve krijon terrenin e vet të
perceptimit te lexuesi dhe vendi që zë në historinë e letrave të një vendi të
caktuar. Për këtë arsye të rëndësishme dhe për shkakun e një shqise të mprehtë
dhe përfytyruese, librin e tij "Ikja e madhe" Zholi e ka shndërruar
në një libër fenomenesh dhe jo ngjarjesh edhe pse aty këtu ka ngjarje, por që
kthehen në një lloj referencialiteti të nevojshëm dhe funksional. Duke u bërë
një libër fenomenesh, i cili është produkt i emigracionit, në vendin e
emigrimit, por dhe në vendin nga ku nis ky emigrim, libri fiton peshën e indeve
kohore, të marrëdhënieve dhe raporteve të brendshme dhe të jashtme, prandaj me
të drejtë mund të thuhet se këtë libër e mbajnë këto elemente racional.
I
ndërtuar në dhjetë kapituj interesantë të pjesës së dytë veçmas nën titujt e
drejtpërdrejtë si: "Athina", "Tregu i madh i punës për
shqiptarët", "Një copë shtëpi për të futur kokën", "Fëmijët
dhe drama e gjuhës së shkruar shqipe", "Vorbulla të reja në
marrëdhëniet shqiptaro-greke", "Mikrobota e krimit", "Hotel
SEMIRAMIS dhe rrugica të tjera të errëta", "Truri i kombit në
mërgim", mendoj se përveç intelektit të shkrimtarit për të komunikuar me
lexuesin përmes një raporti të thjeshtë dialogues, për shkakun e kapjes pas
çështjeve fondamentale të emigrimi në përgjithësi dhe atij shqiptar në Greqi në
veçanti, autori ka arritur të kapë gati të gjithë problematikën, të cilën e
shtjellon përmes fenomeneve.
Emigrimi
shqiptar, veçmas ai në Greqi, ka pasur problematikat e tij për arsyen e
masivitetit që ai ka pasur dhe vijon të ketë, duke u përthyer në familjen,
mjedisin shoqëror dhe atë ekonomik në një çështje madhore dhe tepër të
rëndësishme. Dhe ashtu siç ka pasur rrugëtimin e tij historik dhe në të gjithë
kohët dhe emigracioni shqiptar kishte fytyrën e vet, vështirësitë e veta, duke
nxjerrë në dritë pasigurinë në vendin e huaj, vështirësitë e vendit të punës,
abuzimi i elementit kriminal siç ndodh në këto raste, çështjet e shkollimit të
fëmijëve të emigrantëve në gjuhën dhe shkollën e tyre amtare, pastaj
kriminaliteti i natyrave të ndryshme, prostitucioni dhe abuzimi me të po nga
elementët kriminelë, gjejnë një pasqyrim dhe një analizë të thellë në librin
"Ikja e madhe" të Albert Z. Zholit.
Autori
ka sjellë prerjet kohore dhe analitike të gjithë këtyre dukurive dhe
fenomeneve, duke zbuluar mjaft mirë burimet e së keqes, të cilat kanë pasur një
varësi të çuditshme nga marrëdhëniet ndërshtetërore, si në këtë rast mes Shqipërisë
dhe Greqisë. Emigracioni i këtyre përmasave nga shqiptarët drejt tokës helene
erdhi si pasojë e një shfrimi ideologjik dhe një përvoje të hidhur izolimi të
shqiptarëve në përgjithësi. Autori e kupton mirë këtë dhe arrin ta shpërshfaqë
në mekanizmin e njohur dhe më vonë të sofistikuar që shqiptarët praktikuan për
të ikur nga vendi drejt Greqisë.
Po
ashtu në libër bien në sy dhe referencat politike dhe amplitudat ekstreme të
politikës, veçmas asaj të Tiranës, e cila në opinionin e autorit nuk e luajti
rolin e duhur lidhur me problemet fondamentale të emigracionit shqiptar në
Greqi, por nuk duhet harruar, pavarësisht paaftësisë së qeverisë së Tiranës në
këtë kohë, veçmas deri në vitin 1996-1997, diplomacia shqiptare po ecte në
shtigje të pashkelura. Këto qëndrime autori i ka referuar në raport me ngjarje
që i ka përjetuar vetë, prandaj ai i quan të rëndësishme në këtë kohe, duke i
rikonfirmuar edhe në ribotimin e librit të tij në vitin 2017.
Libri
"Ikja e madhe", duke qenë një libër me temë të mprehtë kombëtare dhe
shoqërore, me një temë të përditshmërisë shqiptare, ka shtruar çështje të
prekshme sociale dhe institucionale të shtetit për emigracionin, për të cilat
duhet të ketë angazhime dhe studime strategjike në mënyrë që emigrantët të kenë
kujdesin e vendit të tyre të përhershëm. Autori nuk harron të përmendë dhe të
interpretojë mjaft mirë ndihmën që emigracioni i ka dhënë vendit në ditët e tij
më të vështira, duke i lehtësuar atij situata katastrofale ekonomike, kështu që
marrëdhënia e shtetit me emigracionin duhet të jetë e ndërsjellë dhe
bashkëpunuese. Zholi e njeh mirë emigracionin, problemet e fëmijëve dhe të
arsimimit të tyre në kushte jashtë vendit të tyre, kështu që ai prek
shqetësimin sindikalist për çështje të tilla.
E
gjithë kjo lëvizje, gati kaotike, që në fillimin e viteve '90-të, ka qenë një
"diamant" për racën e krijuesve dhe publicistëve, të cilët kanë
arritur të nxjerrin në dritë ngjarje, sakrifica, premisa të zhvillimit,
analiza, profilitete shoqërore dhe individë, një pjesë e të cilave zbulohen me
një natyrshmëri të nevojshme dhe në këtë libër. Sado që Zholi merret me një
temë të mprehtë, e cila ka një ngarkesë të madhe shoqërore, në librin e tij
"Ikja e madhe" shpirti poetik dhe shqisa krijuese e tij është e
pranishme fakt pas fakti, faqe pas faqeje dhe rast pas rasti. Është një shpirt
poetik që e mbush me një ndjeshmëri të mirë të gjithë anën rrëfyese të kësaj
periudhe të vështirë. Po ashtu, autori nuk mund t'i shmangej përshkrimeve të
imta të mjediseve në tokën helene, veçmas të Athinës, një qytetërim botëror dhe
ndër më të rëndësishmit, pa anashkaluar bashkëjetesën emblematike të
shqiptarëve me grekët që në diellin më të vjetër të historisë.
Në
maratonën e ngjarjeve, pashmangshmërinë e analizave dhe opinionit, studimit dhe
interpretimin e fenomeneve të shumta që autori ka arritur t'i zbulojë në faqet
e librit të tij, duke pasur në vëmendje këto dekada të emigracionit shqiptar në
Greqi, të mrekullueshme janë momentet me njerëzit e shquar, shqiptarë të cilët
e mbushin me diell historinë dhe sakrificën njerëzore. Takimet, pritjet dhe
përcjelljet, bisedat dhe gjykimet që vijnë nga arvanitasi i madh Aristidh Kolja
në ditët e errëta të këtij emigracioni janë prekëse, sjellin shpresë dhe
krijojnë ekuilibra. Pastaj pritja dhe bisedat, deri dhe me emigrantët e poetit
të njohur shqiptar Dritëro Agolli, e bëjnë shpirtin emigrant të mbushur me
dritë dhe shpresë. Në fillim të viteve '90, duke qenë edhe vetë emigrant në
Athinë, përjetoja thellë bashkëbisedimet e Aristidh Kolias me Albert Zholin, Kolec
Traboinin, Dionis Qirixhiun, Novruz Abilekën, Arben Lallën, Kastriot Kaçupajn,
Mihallaq Qillerin, Miho Gjinin etj. Albert Z. Zholi është mjeshtër i krijimit
të situatave emocionale, përdorimi i ngjarjeve në funksion të përgjithësimeve
të nevojshme që zakonisht zotërojnë temat në libër.
Shtegtimi
i shqiptarëve në tërë vendet e Evropës dhe veçanërisht në Greqi shpërfaqi edhe
një tipar tjetër bashkëkohor, integrimin e tyre në jetën dhe kulturën e këtyre
vendeve. Marrëdhëniet e shqiptarëve me kulturën helene janë të hershme. Mjaft
intelektualë grekë habiteshin kur dëgjonin emigrantët shqiptarë tek flisnin për
Homerin, Eskilin, Aristotelin, Sokratin dhe dijetarë të tjerë. Në Panteonin e
revolucionit grek 1821-1829 një pjesë e madhe e heronjve ishin shqiptarë: Bubulina,
Boçari, Karaiskaqi, Griva, Kollokotroni, Andruci, Xhavella, Kanari, Miauli.
Në
këtë integrim të tyre me kulturën dhe jetën në Greqi, emigrantët shqiptarë
kuptuan edhe më mirë botën arvanitase, fshatrat dhe krahinat ku ata jetonin dhe
kishin lënë gjurmët e tyre. Shoqata kulturore "Marko Boçari" dhe
mjaft botime arvanite si: "Veshjet popullore arvanitase", ato të
Antonio Bellushit "Kërkime ndër arvanitasit e Greqisë", si dhe
botimet e Aristidh Kolias: "Arvanitasit dhe origjina e grekëve",
"Gjuha e perëndive", "Greqia në grackën e serbëve të
Millosheviçit" dhe Jani Sharrës, Vangjelis Lapis, Niko Stillos, u çelën
dritare të reja në jetën e tyre emigrantëve shqiptarë.
Në
faqet e këtij libri, shkrimtari Albert Zholi i lë një vend të veçantë edhe
veprimtarisë së larmishme të shoqatës "Vllazërimi" të emigrantëve
shqiptarë, në mbrojtje të të drejtave të tyre, si dhe zhvillimit të mjaft
aktiviteteve artistike e kulturore për t'i mbajtur gjallë traditat, zakonet,
folklorin dhe kulturën bashkëkohore, në të cilat përfshiheshin edhe mjaft
intelektualë grekë e arvanitas.
Libri
publicistiko-analitik, artistiko-psikologjik, thuajse poetiko-prozaik
"Ikja e madhe" vijon të ketë një aktualitet të rëndësishëm për shkak
të ngjarjeve që sjell në vëmendje, për arsye të problemeve që ngre dhe bën
thirrje për një angazhim institucionesh lidhur mbi çështjet e emigracionit
shqiptar, një nga veprimtaritë më të rëndësishme të zhvillimit ekonomik të
vendit, në dekadat e fundit të integrimit europian të shqiptarëve.