E diele, 01.06.2025, 08:07 AM (GMT+1)

Kulturë

Hamza Halabaku: Të shtunën me bashkatdhetarët

E premte, 30.05.2025, 06:55 PM


TË SHTUNËN ME BASHKATDHETARËT

Nga Hamza Halabaku

Në qytetin ku jetoj, qe tridhjetë e pesë vjet, bëj jetë mërgimtari. Besoj që nuk është problem vetëm imi jeta, jo edhe e lehtë, e mërgimtarit, por kjo  jetë është e rëndë për secilin nga ne shqiptarët e mërguar, pavarësisht  nga cilat troje tona etnike vijmë. Besoj se asnjëri nga ne nuk erdhi këtu për turizëm, por këtu e sollën hallet që secili i dinë ato të tijat. Jemi ndarë nga më të dashurit e familjeve tona. Një  pjesë e familjes jemi nëpër Evropë, në tre-katër shtete, ndërsa një tjetër ka mbetur në vendlindje ose më mirë me thënë në atdhe.

Gjendja emocionale e çdo mërgimtari në fillim ishte shumë e rëndë. Bëheshe me luajt mëndësh kur na kujtohej se si i kishim lënë anëtarët tjerë të familjes. Nga një herë them me vete, vërtetë jemi shumë të fortë...

Këtë që e shkrova në fillim, e dinë gati çdo lexues i këtij shkrimi. Besoj që nuk ka mbetur familje kosovare, e edhe më gjerë,  pa e prekur kjo ndarje apo më mirë me thënë kjo dhembje e ndarjes...

Një të shtune, më konkretisht të shtunën e dytë të muajit prill 2025, ishim tubuar në ambientet e një kafiterie, në qytetin e Nurembergut, katër vendës kosovarë, të Anamoravës, një nga Podrima. Bashkë me neve ishte edhe një nga Maqedonia e Veriut. Kishim filluar muhabetin. Ishte një bisedë spontane dhe e ngrohtë. Flisnim për gjendjen në familjet tona për mirëqenien në familje e më gjerë, duke mos harruar asnjëherë që të flisnim edhe për gjendjen në Kosovën tonë të mirë. Deri sa po bisedonim qetë e ngadalë, kamerierja ishte ofruar për të na pyetur çfarë donim të pinim? Shumica nga ne porositëm nga një birrë, nga ato më të mirat që prodhohen në Bavari ose që neve na dukeshin ashtu. Vetëm njëri nga ne kishte porositur akullore dhe njërën sferë të akullores e donte nga luleshtrydhja e tjetrën me ngjyrë dhe shije të bananes.

Pa e vërejtur fare, kamerierja i kishte sjellë birrat edhe akulloren e porositur nga “dosti” im. I them kështu për arsye se me të më së shumti e kam kaluar kohën që nga tetori i vitit 1990 të shekullit që shkoi. Atë kohë “dosti” sa herë kishte pasur kohë të lirë më merrte me vete dhe më njoftonte me njerëzit e vendit tonë po më së shumti kisha takime me ata të Anamoravës prej nga vijë edhe unë. Unë kam lindur e jam rritur dhe edukuar në njërin nga fshatrat më të njohura e më të mira të Anamoravës. Atë botë kisha takuar njerëz me të cilët kam kujtime që nuk harrohen lehtë. Gati secili prej tyre ishte përpjekur të më ndihmonte ashtu si dinte. Ndihma ishte më shumë morale, por kishte edhe ndihma materiale. Përherë u jam mirënjohës të gjithë atyre sot e gjithherë!

Atë kohë, vjeshta e vitit 1990, ishte aktuale Deklarata Kushtetues e 2 korriku të vitit 1990 dhe data e 7 shtatorit të të njëjtit vit, kur ishte miratuar Kushtetuta e Republikës së Kosovës, që në popull njihet si Kushtetuta e Kaçanikut. Këto dy akte të rëndësishme për historinë dhe shtetësinë e Kosovës u kushtëzuan nga dhuna e shfrenuar serbe e regjimit gjenocidal të Milosheviqit që çoi te suprimimi i të gjitha institucioneve të Kosovës.

Gati në çdo fundjavë, atëherë në vjeshtën e vitit që e përmenda më lartë, tuboheshin plotë bashkëkombës në njërën nga banesat që i mbanim, zakonisht aty ku kishte vend më shumë. Pinim çaj Cejloni e bënim muhabete nga më të ndryshmet. Por kishte edhe nga ata që u interesonte shumë dita e 2 korrikut si dhe ajo e 7 shtatorit të vitit 1990. Për dy korrikun me që isha njëri nga aktorët që isha bërë pjesë e asaj mbledhje që ishte mbajtur para hyrjes, në platonë e Kuvendit, për arsye se policia serbe nuk lejonte as delegatët e askënd të hynte e as të dilte nga ndërtesa e Kuvendit të atëhershëm të Kosovës. Kjo tani më, nuk ka rëndësi me që gjendjen e asaj dite e kam shpjeguar në librin tim modest me titull “Një ditë midis dy epokash” që është botuar në vitin 2012.

Një natë të atyre ndejave, njëri nga bashkatdhetarët, më pyeti për Kushtetutën e Kaçanikut? U përpoqa tu shpjegoja diçka si ishte organizuar tubimi i delegatëve të asaj legjislature për tu tubuar në Kaçanik, edhe pse atë kohë, ç’ është e vërteta dija shumë pak, por shpejt e shpejt, kalova te përmbajtja e asaj Kushtetute me që nga shërbimi i Kuvendit dhe qytetarët e Republikës së Kosovës e kisha pasur në dorë i pari unë. Këtë mund ta dëshmoj, si e ka dëshmuar edhe gazetari veteran i gazetës “Rilindja”, Zenun Çelaj, që kishte marrë pjesë në atë mbledhje historike dhe ishte porositur që një kopje të asaj Kushtetute të miratuar në Kaçanik të ma sjellë mua.

Kur fillova shpjegimin, aç sa dija, për Kushtetutën e Kaçanikut, njëri nga ata që ishte më llafazani më ndërpreu disa herë. Nuk e njihja as karakterin e tij e as të atyre të tjerëve. Nuk e dija as shkallën e shkollimit të asnjërit nga ata që ishin prezent. Unë flisja apo më mirë shpjegoja përmbajtjen e Kushtetutës së Kaçanikut sikur të isha para profesorit tim të lëndës së të Drejtës Kushtetuese! Po, si thash edhe më parë,  ky ishte më llafazani. Dikur, me pyetjet që i shtronte dhe me përgjigjet që po ashtu i bënte vet, e që “nuk ia qëllonte fare”, më “mbështeti për muri”, si thuhet një fjalë, dhe u detyrova ta pyesja se mos e kishte lexuar ai Kushtetutën.

-         Jo, jo! Unë nuk e kam lexuar as abetaren, ama Kushtetutën dhe politikën e di më mirë se ti, - tha ai. Më mbeti vetëm ta falënderoja që ishte pjesë e këtij bashkëbi¬sedimi dhe nuk vazhdova më tutje. Të tjerët heshtën...

U habita dhe në mesin e gjithë atyre burrave që ishin prezent i thashë: “atëherë unë tërhiqem dhe e pranoj se nuk mund të bisedoj më gjatë për këtë temë”.

*

Mu kujtua se një herë tjetër isha takuar me një bashkëvendës tonin, “Plaku”, e quanin atë. Ashtu si tuboheshin, zakonisht në fund të javës, takimi rastisi mu në  ato ditë kur shkrimtari ynë i madh. Ismail Kadare, shkrimtarit shqiptar me renome botërore, gjeniu i letrave shqipe, “Homeri shqiptar“, kishte migruar në Francë.  Ai më pyeti se a e kisha dëgjuar lajmin për Ismail Kadarenë?

Po iu përgjigja. E kam dëgjuar.

- E paske marrë vesh për Ismail Kadarenë? Çka jua merr mendja juve për veprimin e tij?

- Uroj që ky hap i Ismail Kadaresë të jetë një hap drejt demokratizimit të Shqipërisë, - i thashë. E me demokratizimin e saj, i lutem të Madhit Zot që ajo, Shqipëria pra, të hapet drejt Evropës! Shpresoj që Ismail Kadare ka mundësi që nga Parisi të shkruajë edhe më shumë dhe nëpërmjet tij e krijimtarisë së tij bota do të na njohë edhe më mirë ne shqiptarëve ku¬do që jetojmë në tokat tona etnike. Shpresoj se vepra e Ismail Kadaresë të bëhet shprehje më e fuqishme e vlerave gjuhësore dhe kombëtare, - i thashë “Plakut” dhe po mendoja t’i vazhdoja edhe dy-tri fjali të tjera, por ai më ndërpreu.

- More, ai na e mori fytyrën me ikjen e tij nga Shqipëria! - tha “Plaku” duke mos i kursyer edhe disa fjalë fyese, që unë nuk mund t’i kapërdija.

E luta të mos nxitohej, duke theksuar se Ismail Kadare është një njeri i madh dhe ne shqiptarët nuk kemi shumë njerëz si ai. Por, nuk u durova pa e pye-tur se a ka lexuar ndonjë vepër të Kadaresë. Përgji¬gjja e tij ishte e shkurtër: - Jo. Hiç.

Mendova t’i përmend veprat, por nuk e vazh¬dova më tej.

Ai vazhdoi:

- Po si t’i lexosh veprat e një shkrimtari që ikën nga atdheu i tij!?

Dukej se “Plaku” ishte mbushur mllef ndaj shkri¬m¬tarit, nga i cili nuk kishte lexuar ama asnjë rresht të vetëm!

I habitur, mbeta pas fjalëve të “plakut”!...

*

Njëri nga ata që ishte në tavolinën tonë, që e njohim të gjithë, se është punëtor i mrekullueshëm, na ka ndihmuar të gjithëve qoftë për rregullimin e punëve elektrike, qoftë për ato të ujësjellësit, qoftë për të na rregulluar ndonjë biçikletë, apo çfarëdo pune teknike në banesat apo shtëpitë tona. Është mjeshtër “jo shumë i mirë”, por është mjeshtër i shkëlqyeshëm. Po e ka edhe një të mirë tjetër, që pak mjeshtër tjerë nuk e kanë, edhe pse shumë sish nuk i ofrohen as te thembrat, si thuhet një fjalë. Mirëpo ata mjeshtër të sosin me çmimet e tyre kur na riparojnë diçka, duke na marrë shumë euro.

Ky personazhi im, asnjë herë nuk na merr asnjë centë për çfarëdo pune që bënë në banesat apo shtëpitë tona. E ka një ves tjetër. Flet pa u ndalë fare, për cilën do fushë, madje “me kompetencë”, edhe pse duket që nuk ia qëllon fare!

Kësaj radhe unë u nevrikosa shumë me te. Gjatë bisedës, e përmenda, Amsterdamin, kryeqytetin e Holandës, nuk më kujtohet për se e përmenda! Ai ndërhyri dhe tha se nuk i thonë Holandë, po “Niederlande”!

Ke të drejtë i thash, po ne po flasim në gjuhën shqipe. Në cilën gjuhë qoftë, tha ai, duhet të thuhet “Niederlande” e jo Holandë. More djalë, i thash, unë për fat të mirë e kam Fjalorin Drejtshkrimor të Gjuhës Shqipe dhe, ja këtu në pjesën, “Emra gjeografikë”, në faqen 741 shkruan “Holand-ë, - a f.”.

Po mirë, vazhdoi ai, kush e ka shkruar atë fjalor?

Akademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, Tiranë, 1976, i thash ngadalë e me qetësi pa i trazuar të tjerët. Të tjerët e përcillnin dialogun tonë dhe më shikonin të habitur.

Po kush janë ata të Akademisë së Shkencave të RPS të Shqipërisë, çka dinë ata, tha ai me një përbuzje! U habita dhe u bëra nevrik. Një elektricist po flet fjalë përbuzëse për një Akademi të shkencave të shtetit tim amë. O Zot i madh, thash me vete, ma ruaj durimin! More i uruar, i thash, unë po flas në gjuhën tonë shqipe. Ai vazhdoi:  Emrat duhet të thuhen e të shkruhen përherë në origjinal. Po e vërtet është, po ne po flasim për emrin e një vendi Gjeografik. Mora pak frymë thellë. I shikova të tjerët. Ata çile gur gojën! Në qetësi mu kujtua ta pyes se ku jetonim ne apo ku “Jemi ne tani për tani” : në “Nuremberg”, më tha ai. Po në cilin shtet është Nurembergu? Në Gjermani, u përgjigj. E shef pra, se ne i themi Gjermani, këta veten  e quajnë  “Deutsch” e vendin e vet e quajnë “Deutschland” kurse në gjuhën angleze Gjermanisë i thonë “Germany”!

*

Me të njëjtin person, me personazhin këtij rrëfimi pra, para pak ditësh rastësisht në bisedë e kisha përmendur Gjykatën Supreme të Kosovës që funksiononte në kohën e sistemit të kaluar sipas Kushtetutës së vitit 1974. Jo tha ai! Pse po e përmend Gjykatën Supreme të Kosovës kur kësi gjykate nuk ka pasur fare. Gjykatë supreme ka pasur vetëm në Beograd ka pasur Gjykatë Supreme të Jugosllavisë! Po i thash, ka pasur, edhe mirë bile. Njoh edhe emra të gjyqtarëve të asaj gjykate. Kemi pasur edhe Gjykatë Kushtetuese. Pastaj, secila republikë në federatën Jugosllave ka pasur gjykatë supreme e po ashtu gjykatë supreme ka pasur edhe Vojvodina.

Nuk besonte se nuk besonte personazhi i kësaj bisede, kur bisedonim të shtunën e dytë të muajit prill 2025! Të nesërmen e mora Kushtetutën e Kosovës, atë të vitit 1974 dhe i tregova se këtu në Kreun XVI të Kushtetutës, në faqen, 198, është GJYKATA SUPREME E KOSOVËS, ... neni 390, pika l, 2, 3, 4, 5 dhe 6 tregojnë çka vendos, çka përcakton, çka zgjidh dhe cilat punë të tjera i kryen Gjykata Supreme e Kosovës.

Cufa, nuk e pranoi edhe atë që shkruante në Kushtetutën e Kosovës të vitit 1974...

*

Edhe një herë mora frymë thellë, pushova pak dhe i pyeta të tjerët a u bë mjaftë me ndejën e sotme. A ikim tani se na zuri dreka? Të gjithë u pajtuan se erdhi koha që të shpërndahemi. Secili të ik në punët e veta apo në shtëpinë e vet!

Unë i besoj të Madhit Zot, po nuk shkoj as në xhami e as në kishë, po ama shpesh herë i lutem Zotit që neve të na mbushë mend!



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx