Kulturë
Nuhi Veselaj: Mohimi i historisë së përbashkët e fqinjësore shqiptaro-serbe, fobi e pravosllaves serbe (17)
E hene, 26.05.2025, 06:58 PM
Kreu XVIII
Mohimi
i historisë së përbashkët dhe fqinjësisë shqiptaro-serbe, fobi e pravosllavës
serbe
Raporti
shqiptaro-serb nën ekspansionizmin politiko-fetar të serbo-pravosllavës gjatë
shekujve, me theks Kosova
(Qasje
historiko-fetare dhe gjuhësore)
XVIII.
SHQETËSIM – Përjetimet tona nga provokimet serbe gjatë bombardimeve të caqeve
të ushtri-qeverisë serbo-jugosllave nga NATO për çlirimin e Kosovës, 1999 (III)
NGA
DR. NUHI VESELAJ
c) DITËDITARI 17 (1-17
qershor 1999)
1 qershor
E martë. Në mesnatë (O.30) na
zgjoi sirena e alarmit. Pas pak dëgjuam dy deponime shumë të fuqishme në
periferi të qytetit. U dëgjuan pas menatje (paramengjesi) edhe të shtëna të
tjera, por mëngjesi gdhiu i qetë dhe trëndafili pranë shkallëve të oborrët
ka çelë për bukuri. Sot dita e pare e qershorit, Dita e fëmijëve,
të cilët po i kam mallë. Baci Ramë e Shpresa erdhën e na thane se u paska
treguar Besimi që Muharremi, Rrahmani, Jupi, nipa nga fshati,
qenkan në kamp refugjatësh (Maqedoni). Deri tash paskan jetuar maleve. Dulla e
Afrimi qenkan ndalë në UÇK. Bacin Ramë e Shpresën i ndalëm për drekë pasi patëm
tavë mish e oriz. Pas drekës e kafes sade shkuan.
2 qershor
E mërkurë. Edhe sonte nga gjysma e
natës na nxori gjumin sirena e alarmit. Përsëri dëgjuam krisma por të veçanta.
Po i quaj të veçanta, se ishin bomba ndriçuese, nuk
di si t'i quaj ndryshe. Bombat e tilla nuk ranë në tokë, qëndronin në hava, në
ajr-hapësirë dhe zbritnin ngadalë. E bënë natën më të ndriçme se ditën. Ne nuk
dinin kush i ka qitë. Por paramilitarët serbë, sipas nesh, mund të shfrytëzonin
këtë ndriçim për plaçkitje dhe vrasje, prandaj për një kohë, unë e Sherifja u
futëm në Strehimoren tonë. Pasi bombat ndriçuese u harxhuan, na ramë me fjetë.
Në mëngjes nga Fushë Kosova nga lagjet: Lakrishte e Dardani dukej
një mjegull shumë e dendur. Po në atë anë dëgjoheshin rafale detonime. Mbease
tymë-errësimi ishte bërë si përgjigje ndaj bombave ndriçuese, që kundërshtari
mos me mujtë me pa e fotografue githçka?! Nga gjysma e ditës dola në
qytet.Telefonat në posta punonin. shfrytëzova rastin fola me Florien. Përshëndeta
gjymash Ukën e lodhur nga rruga e gjatë.
3 qershor
E enjte. Po flitet që
Millosheviçit po i vijnë mendët, do ta pranojë paqen sipas kushteve të NATO-s,
përndyshe do t'i shuhet Armata. Sidoqoftë, edhe sot po dëgjohen rafale
dëshprimi, jo vetëm te Hotel- Parku, por edhe gjetiu. Si duket edhe gjeneralët
nuk po mund ta mbajnë disiplinën në Ushtri të rregullt e jo më te
paramilitarët e formacionet e tjera speciale. Shkova i mora 20 bona për
benzinë, Bleva një kilogram tranguj. Kërkova nga posta adresën e
drejtorisë dhe bëra një ankesë-kërkesë me shkrim për zhbllokimin e
telefonit.
4 qershor
E premte. Erdhi Baci Ramë tregoi fjalët
e Besimit se edhe Ylberi i Baftisë qenka në Maqedoni, po fjetka te Xheva.
Ujë nuk kemi 2 ditë, po fundi i fundit, na e kemi bunarin. Ndërkohë erdhi
uji e rryma dhe na u lamë.
5 qershor
E shtunë. Sot bleva 20 litra benzinë,
10 në rezervuar e dhjetë në kantë/ Erdhi fqinja Kumria që po banon në shpi të
Faikut. Më falenderoi për miellin dhe për librat që ua paskam dhënë me lexue.
6 qershor
E djel. Koha shumë e mirë. Bojleri i
madh ka punue. U dha sirena alarmit. Aeroplanat e Natos, po lëvizin si të ishin
në ushtrime, hiq pa drojë. Ja sa poshtë ka ra forca kundërajrore e Serbo-Jugosllavisë.
Pasi u lamë shkuam te Baci Ramë. Shpresa gjithnjë më e disponuar. Tani asjëra
as Sherifja nuk po na kritikojnë mua e Bacin Ramë pse guximtarisht u kthyem nga
Maqedonia.
7 qershor
E hënë. Tre police po vjedhin te shpia
e më varfanjakut të Prishtinës, Shaban Gashit (Xhezidës). Vodhën edhe shtëpinë
e Nexhit. Ora 19,30 morën gepekun nga vetura e Enverit. Vetura e tyre
(vjedhësve) kishte targën Pr 149-502, Mbase kjo do të jetë plaçka e fundit.
8 qershor
E martë. Lajmet po na gëzojnë: Në
Pashtrik e Junik UÇK po sulmon. Kuptohet ai që sulmon tregon fuqinë e vet
edhe moralin e lartë ushtarako kombtar. Me këto lajme knaqësie shpirtnore dola
në oborr me u rrezitë e me lexue. Kah mesdita u vra moti, dhe filloi me
ra shi. Pasi mejti riga e shiut shkova te shpia e Nexhit. Dikush ia kish
çel derën e oborrit, Ia mbylla dhe e lidha me tel. Sherifja po i lan
teshat që i nxorëm nga podrumi. Unë pas të lamit rashë u kota pak, pastaj e
vesha një këmishë të re të bardhë.
9 qershor
E mërkurë. Erdhën Baci Ramë, Shpresa e
Safetja na treguan se Liria paska njoftuar se e paska marrë edhe letër-dërgesën
e tretë prej nesh me dokumentat e Ukës. Pasi shkuan, hyra nga dritarja në
shtëpinë e Elhamisë. Kuzhinës i vinte erë e padurueshme nga turshitë e gjërat e
tjera të kalbura. E luta Sherifen t'ia pastrojmë kuzhinën. Ajo më dëgjoi. Ia
pastruam, ia hoqëm erën e keqe nga shpia fqinjit tonë të nderuar.
10 qershor
E enjte. U lajmërua se sot rreth orës
11.00 u nënshkrua paqja Serbi–NATO. Këtu po festohet në mënyrë serbjane me
shprazje armësh në hava dhe kjo ndodhi deri në gjysmë të natës, po njëherazi
krizma e vjedhje po vazhdojnë. Sot e vodhën veturën e Nexhit.
11 qershor
E premte. Sherifja për qejf sot
filloi me i la ambuliat! Edhe pse kjo ditë shpallet Dita e Çlirimit të Kosovës
për ne në Prishtinë është dita e hajnave të armatosure të paarmatosur.
Musa po fle në shtëpinë e vet, po e ruan nga plaçkitësit e paarmatosur. Serbët
kanë filluar të largohen nga Kosova, por ata kanë fillua me plaçkitë me
shumicë, me kamiona. Po ngarkojnë në kamiona mobilje, aparate elektrike
deri edhe shtrojë-mbuloja. Sa iku një "fap" plot i ngarkuan e
me plaçka e pajisje nga shtëpiat e bullatocëve dhe të Vesel e Shefki Sopit.
Pasi dëgjuam disa zera para shtëpisë së Hajdinit, Sherifja nga kërshëria
me dijtë se çka u fol nga Strehimorja jonë doli drejtpërdrejt se hkoi me pyetë
te Selmani. Selmani i strukur me familje në një dhomë në katin e dytë, as që i
kishte dëgjuar. Paska qenë bisedë hajnash. Tashti, meqë Sherifja u kthye
në shtëpi nga rruga krysesore dola me ia çelë derën e oborrit. Pashë një grua
që linte kartona para dyerve të shpive që kishitn në plan me i plakitë, po kur
na pa ne largoi kartonat dhe shkoi ma naltë e e priste kamioni. Kështu Sherifja
sebep që shpëtuar pa u plaçkitë krejt mobiljet, kauçatë qilimat, veshë e
mbathë si dhe aparatet elektrike nga shtëpitë e kësaj pjesë ltëagjes sonë
deri te udhëkryqi, ku tash është busti i Isa Kastratit.
12 qershor
E shtunë. Natë shumë e trishtueshme. Po
dëgjohen shumë të shtena dhe të lloj-llojshme.nga serbët. Sherifja është shumë
e shqetësuar. Nuk e dinim se festohej ardhja e ushtrisë ruse nga Bosnja.
Gjithashtu, po vëmë re se nga gjysma e natës po dëgjohen ushtima aeroplanash në
lartësi të ulët që me shpejtësi po shkojnë drejt Serbisë. Si duket nga Goleshi
po ikin aeroplanat e mbetur. Kjo ishte arsyeja që rusët okupuan para anglezëve
aeroportin e Prishtinës. Në mëngjes në rrugën tonë pashë vetëm një grup
ushtarësh jevgë. Por ne nuk ishim pa rrezik. Pikërisht mbrëmë Hajrushin e
paskan marrë peng disa policë hajdutë dezertorë. Fillimisht i kanë kërkuar
çelësat e veturave që ai nuk i kishte. Më në fund edhe më trishtuese e nxjerrin
prej familjes dhe e dërgojnë në shpinë e fqinjit. Ne ndëgjuam një të shtënë
arme atë mbrëmje. Po ata nuk e vrasin. E mëshirojnë i kërkojnë
para. Ky u thotë më ktheni në familje po jap aq para sa kam. Kështu e kthejnë
në familje dhe pasi marrin paratë nga ai dhe motra e tij ikin hajdutët, Po atë
ditë Baci Ramë ishte ngatërruar me një djalë oficeri fqinj, i cili vidhte
antenat tv,. Ky ishte shkaku për me i ikë rrezikur erdhi bujti te na. Tregoi se
gjendja është shumë delikate dhe aq më shqetësuese, ngase
vazhdimisht po dëgjohen krisma automatikësh. Madje na tregoi se situate në
rrugë e kudo nuk është e sigurt. Serbë civilë e ushtarët të armatosur e të
parmatosur, por të gjithë të inatosur po sillen pa kontrollë. Po këqyrin me
vjedhë sa ku mujnden.
13 qershor
E djelë. Të shtëna ka pasur po
nata mund të themi kaloi e qetë, Baci Ramë shkoi e erdhi me na tregue se qenka
marrë vesh me Ademin që prej orës 12-13 eshte caktua termini me
pasë telefon me Blerimin e me Lirien. Unë dola në qytet para orës 11 dhe
ora 12 shkuam te Baci Ramë, përkatësisht te Ademi, Folëm me telefon së
pari me Blerimin e pastaj me Lirien dhe morëm vesh që Baftiu qenka bërë
operacion po tash po ndihej më mire. Shumë po më dhimbet. Mësuam gjithashtu që
Shkëlqimi ishte lidhur me Bashkimin, nipin e nderuar, dhe ishte në ushtrime.
Pas telefonatave mësuam se pak ma parë në rrugën kryesore para
banesës së Bacit Ramë paskan parakaluar tanksat e NATO-s. Shpresa e
gëzuar dhe e enteziuazmuar vrap del me i përshëndetë. Ollga fqinja serbe që
mendonte që atë e çikat e Ademit i kishte nën ndikim patronazhi, ia sheh për të
madhe, pse del me i pëshëndet tanket okupuese (!). Kështu
Shpresa prish raportet me Ollgën, e cila ende pyetej, sepse pushteti ishte në
dorën e serbëve. Para se me u kthye këtu shkova te shpia e Rabitit. Trëndafilat
kishin zënë rrugët e hyrjes. Unë shkela mbi ta, verifikova dyert e shpisë e
dritare ishin të mbyllura. Disa fëmijë nga pallatet përball bërtitnin: Hajni,
Hajni! Kështu, unë Hajni këputa disa degëza si kurora
trandofilash dhe i futa në veturë. Kur u ktheva në shtëpi: Befasi e
këndshme, marramandëse. Ushtarët britanikë të NATO-s kishin bllokuar
rrugën pikërisht mbi shtëpinë time dhe kthyen disa vetura të serbëve që shkonin
drejt Matiçanit. Pamë sesi zbritnin nga helikopterat ushtarë të tjerë në Parkun
e Përmedores e afër shpisë sime. E futa veturën në oborr dhe:
Së pari, me trëndafilat e Rabitit në
dorë u afrova te ushtarët e parë me një përshëndetje qalamane anglisht e
frengjishst, po me të madhe shqip: Mirëse erdhët, çliruesit tanë,
faleminderit!, të gjithëve me radhë u jepja nga një trëndafil, më
drejt u hedhja derisa mbaruan. sepse ata nuk i hiqnin duart nga
arma
Së dyti, m'u kujtua Hajrushi. familja e
tij që ende qëndronin mbyllur nën ankth zavallin e mbrëmshëm. Unë tue thirrë O
Hajrush, O Hajrush! E teprova: Trokita fort në derë. Doli plaku me drojë.
Më pa tue qeshë Edhe atij i erdhi buzëqeshja. Bërtita: Dilni se erdhën
ushtarët e çlirimit. Shpëtuam! Nuk mund ta përshkruaj atë moment
te gjindja e asaj familjeje se si nga nga ankthi trishtimit e frikës kaloi në
ankthin e gëzimit dhe lirimit. Thonë që një vajze gati i kishte rënë si
të fikët, por e zgjoi nëna e vet me të puthura e miklime, duke i treguar
se serbët jan largue prej Kosove me ditën e sotme. Momente këtu që nuk
mund të shprehen dot me fjalë.
Së treti. menjëherë më shkoi mendja te
Shpresa. Shkova e mora, thash eja shmallu tue folë anglisht, me
çliruesit e me plot gazetarë e korrespondent të huaj, të shteteve të ndryshme.
Rrugës deri këtu ia mbusha mendjen asaj që sonte me bujtë te na dhe
kështu i ikëm acarimin me Ollgën.
Së katërti, e përqafova Sherifen dhe ia
urova fitoren e popullit shqiptar dhe fitoren e betejës somë falë
fatit e idealit tonë dhe shpreh bindjen se do kemi fitore të tjera që
mund të jenë më të zorshme se kjo, por nuk rrezikojnë sakrifica me
gjak-viktima, siç është rikthimi i ripërtëritja e familjes në
Kosovë, madje edhe më vështirë ruajtja e gjuhës shqipe nga bezat e
familjeve që mbesin jashtë Kosove apo Shqiprisë etnike/
Sido që të bëhet, për ditën e
sotme nuk di me shpjegue sa shkallë gëzimi ndjen e përjeton njeriu
?
14 qershor
E hënë. Baci Ramë sot erdhi më herët e
Sherifja e Shpresa secila më e gëzuar se tjetra përgatitin kaftjallin, Edhe Unë
e Baci Ramë u kënaqëm me kafen e parë në liri. Nga tavani e zbrita kompjuterin.
Sot, vërtet mund të themi se jemi të lirë.
15 qershor
E martë. Këmbeva 30 DM me 310
din. Në treg bleva tranguj, vezë . E montova kompjuterin. Shkova në zyrën e UÇK
në rrugën e Matiçanit karshi pikes së karburantit. Aty ndesha aktivistin
përgjegjës Haki Reçica, e përshëndeta për sukseset e UÇK-së që
na solli Lirinë, bashkë me NATO-n, veç fjalëve me zemër e shpirt i dhurova atë
që pata mundësi: disa letrashkrimi dhe ndonjerën nga librat e mia origjinale.
Në orën 12.30 erdhi Baci Ramë dhe ma solli gazetën Koha ditore. Ai
paska qenë në Topliçan. Dada Ajshe na paska bërë të fala. Si meritë e Zonjës
Sherife sot kush po vjen e po kalon këndej po lavdon kopshtin në oborrin tonë.
16 qershor
E mërkurë erdhi Baci Ramë. Pimë kafe
shoqëruar me lëng hoshafi. Sherifja ka qitë pite zvicërane??? Tani po e fshin
oborrin. Unë i rregullova, e mbylla me bllokat e hequr të biruçkës në
dhomën e vogël prej kah dilnim në Strehimore, siç e patëm
emërtuar hapësirën mes dy mureve të shpive të Sadrisë dhe tonës. Le
të mbetet kujtim sa herë, për siguri e humbje gjurme kam dalë e kam hy këndej -
mahalla e maxhupëve- qytet e anasjelltas pa hy në oborrin tim dhe as pa hapur
derën e hajatit.
17 qershor
E enjte. Me që kjo ditë është ditë
ditari e fundit në këtë punim, për hir përmase ndodhjet tona po i
shprehim në disa pika:
E para, sot drojë se do të ketë vjedhje
ditën nuk do të kemi, pasi erdhi Faiku e Hajrushi do të ketë përkujdesje.
Dhe kështu pasi u lamë, i thash Sherifes.Tash edhe familjet tona në Reçan e
Korishë pritet të kthehen ose dikush ndoshta duhet të jetë kthyer. Është mire
mire me shkue me i vizitue, kur po shkojme vendos ti. Duhet të jemi të
përgatitur për ndonjë ndodhje të pakandshme, por edhe për gëzime që e tejkaluam
luftën. Kemi ndëgjue se familjen në Korishë e kanë goditur dy dy
fatkeqësi edhe ushtria serbe në njerën anë edhe NATO në anën tjetër me
bombaedimin gabim. Ajo më tha: Menjëherë po shkojmë.
E dyta, ashtu edhe bëmë. Rrugës
nuk kishim pengesa, por shihej se disa familje serbe po tërhiqeshin për Serbi.
Serbët që tërhiqeshin shihej se ishin të mllefosur, por edhe të armatosur,
prandaj m'u duk shumë naïve që në mal-shpatin e Carralevës, pashë një vajzë
adoleshente, e cila kishte problem me ndalë qerren thatë me kie vetëm, pse
ishte e pa përvojë. Me krye teposhtë mezi e ndalnin kiet me brina
qerren thatë. Duhet që ta kthente qerren anash. Vajza në ballë të shamisë së
kuqe të lidhur në fyt, e kishte vendosur bukur të madhe emblemën UÇK me
shkonja të zezë e me shqiponjë Flamuri Kështu Shami-flamuri mund
të provokonte ikësit e armatosur, madje u çudita që mes çubës afër një trup
lisi hetohej lehtë burri, i cili shikonte rrugën e jo qerren me qe.
Gjithsesi veprim shumë naiv, apo jo?!
E treta, në Suharekë në rrugën e
Reçanit pashë Arbenin me djalin e Veselit veshur me uniformën uçkëiste. Kishin
pasur kohë me i pastrue rrobat e luftës, apo jo?! Sa bukur u rrinte uniforma,
por më bukur më kujtohet buzëqeshja e tyre tash pas lufte në liri. Tutje u
ballafaqova me realitetin e dy realitete vetë fshatit tim të
lindjes: me Reçanin shqiptar, dyherë djegur, tash shkrumb pa tym, dhe me
Reçan e disa shpive serbe, në të cilat ende kishte tym e gaca. Për këtë
sinqerisht më erdhi keq që ortodoksët e serbizuar të Reçanit me fajin e
millosheviçëve e kishin bërë punën me humbë besimin te fqinjtë që nuk kanë
guxuar me i pritë e me e gëzue bashkë lirinë, me të cilët me shekuj kishin
bashkëjetuar në harmoni. Andaj vërtet më vjen keq që kishin ikur edhe të
pafajshmit, të cilët si t'i ndeshja isha i vendosurr që me tërë autoritetin tim
me i mbrojtë mos të ikin nga shtëpitë e tyre.
E treta, serbët para se të largoheshin
në murin e xhami-mesxhidës së fshatit kishin lënë të shkruara me shbkronja shumë
të mëdha qirilicë: Rugova je dobar a Taçi je govno. (Rugova
është i mire Thaçi është fëlliq!).
E katërta, u ndala në oborrin tonë.
Edhe shtëpia ime e vogël e pa kryer ishte shkrumue bashkë me do libra e
dorëshkrime që mendoja që aty do të ruhen më mire se në Prishtinë. Aty
ndesha Afrimin e Bacit Ali. Kryembështjellë të armatosur me pushkë, në dorë,
sepse ishte plagosur në ballë në Luftën e Budakovës, ai na tha se po
ruante të pesë shpigërmadhat nga vjedhësit eventual.. për mos me i vjedhë dikush
ndonjë nga mjetet e veglat që kishin mbetur në gërmadha. Tregoi që ende
kurrkush prej familjeve tona nuk ishte kthyer, pos pjesëmarrësve në UÇK, por që
ishin preokupuar si me gjetë ndonjë vendstrehim për familjet që pritej të
kthehen.
E pesta, Afrimi i shprehi keqardhje
Sherifes për fatkeqësinë familjes së saj në Korishë që kishte ngjarë nga
bombadimi gabim i NATO-s, po nuk dinte ka të vdekur apo vetëm të plagosur dhe
njëherazi qëlloi i pari që e ngushëlloi Sherifen për dy vëllezëzit Veselin e
Musën të vrarë nga ushtria serbe para 3 muajsh, pikërisht ditën kur filluan
bombadimet nga NATO kundër caqeve të ushtrisë e qeverisë serbo-jugopsllave.
Me që ky ishte kumti i parë për Sherifen, ansaj i dolën lotët, andaj së
andejmi menjëherë vazhduam rrugën për Korishë,
E gjashta, në Suharekë vërejta që po
valonte flamuri gjerman në një traktor të shqiptarit. Mesa mora vesh kjo
ka ndodhur sepse nga Kukësi Shqipëria në Kosovë paskan hyrë
forcat gjermane dhe franceze, kurse nga Shkupi Maqedonia forcat e shumta
anleze, italiane e të tjera. Në të dalë të Suharekës te Shkolla fillore pash
një UÇK-istë veshur me të zeza qëndronte gatitu që në shpinë i shkruante
KIT(rat) paska qenë pjesëtar njësisë speciale të
UÇK-së që jolumnisht UÇKsë nuk lejohet me u paraqitë si formacion ushtarak
në mënyrë solemne që me luftë e gjak ka fituar trë drejtën me festue
fitoren!!
E shtata, edhe në Korishë gjetëm shtëpi
të djegura. Te shpija e Veselit nuk ndeshëm pothuaj askend, pos Leutrimit, çunit
të Osmanit, te shpia e Selajdinit i cili na tregoi se
Osmani kishte shkuar në Prizren, ngase nëna e tij e paska një dorë shumë keq
nga bormbardimi i NATO-s, por edhe më keq ishte Islami, agja i tij hendikep, i
plagosur rëndë në këmbën e shëndoshë, të cilën ia paskan amputuar, Na tregoi se
mbi dhjetë vetë ishin të plagosur nga familja e gjerë Ahmetaj, por
në spital ishte edhe Asllani/m vëllai i madh i Sherifes., Leutrimi
ia pa për të madhe pse po qan Sherifja për Veselin e Musën, të vuajtjet e
mëvonshme të familjes ia kishin kaluar asaj dhimbjeje. Pas fjalëve
të këtij çuni zbritem te shpia e Musës, ku ndeshëm rejat e tij me fëmijë
që sapo ishin kthyer nga strehimi në male. Për fat u kishte shpëtuar pa u
djegë. vetëm një pjesë e shtëpisë, ku ishin vendosur aktualisht. Na
shpjeguan në detaje vuajtjet e tyre nga ushtria serbe, sa nga bombardimi gabim
i NATO-s e sa nga mungesa e ushqimit dhe e fjetes dhe patërtisë mbi tre mujore.
E teta, në të kthyer sa dolëm në xhaden
kryesore Prizren-Prishtinë, filloi me pikëlue shi. Në rrugën karshi Gjinocit më
la përshtypje, një traktor mbulue me najllon me plot gjin brenda që po
ktheheshin, Së andejmi një vajzë adoleshente largoi nga fundi mbulojen sipër
dhe me qëllim doli në shi, shtriu krahët kënaqej duke u lagur, mbase në
atë mënyrë i gëzohej jetës me fat që tashti i po i afrohej shtëpisë pas
vuajtjeve mujore nëpër male. Kjo ishte për mua fort njerëzore, sesi njeriu në
raste të tilla ndryshe-ndryshe e shpreh atë që ndjen.
E nënta, sa hymë në rrugën
Shtimje-Lipjan forcat ndërkombëtare na ndalen. Duhej pritur, që sipas asaj që
mësuam, ende disa forca serbe nuk ishin larguar krejtësisht, Madje disa
serbë vendas, kishin kërkuar mbrojtje nga NATO, ngase u dronin
forcave të UÇK-së, të cilat tentonin ta gëzonin çlirimin, por i ndalnin
forcat ndërkombëtare.
E dhjeta në këtë situate pasi na u
ngadalsua kalimi, andaj u detyruam të kthehemi nga Ferizaj. Kur arritëm
atje , shfrytëzuam rastin që me u interesue për banesën e Avdiu, djalit të
Bacit Ramë, Porosita fqiun e tij ta ruante atë banesë nga vjedhja e uzurpimi.
Dolëm në rrugën për Prishtrinë, ku nuk patëm pengesa deri në Çagllavicë.
E njëmbëdhjeta, këtu në Çagllavicë
rruga ishte e bllokuar plotësisht nga vendasit serbë që nga droja e UÇK-së, më
herët kishin bërë përgatitjet për shpërngulje. Kishin ngarkuar e palosur
plaçkat në kamiona, traktora, kombi e vetura me rimorkio dhe i kishin e
radhitur në rrugën kryesore për ikje, mirëpo mesa pashë, udheqësi politikan
Momçillo alarmoi te anglezë dhe kështu ndali shpërnguljen e masës së pafajshme,
por megjithatë u caktua pika e verifikimit nga personi autoritativ anlez, ku
lejohej shpërngulja mbetëm me uniforma ushtarake e milicore të implikuar në
penale gjatë luftës. Unë prisja në radhë. Më shkoi mendja: në kamionat në radhë
para meje mos kishte plaçka që kishin marrë nga fqinjtë tanë!, prandaj
insistonin aq shumë për shpërngulje, kur tani nuk ishin të rrezikuar, ngase
forcat ndërkombëtare ushtarake tashmë i kishin nën pëkujdesje. Sidoqoftë,
pak pa mbërri te pika e verifikimit na u afrue një nënëgjyshe serbe, kur e pa
Sherifen tue qa e ngushëlloi: Ne plaçi, ne plaçi, brzo çemo se vratiti. (Mos
qaj, mos qaj, shpejt do të kthehemi. Që unë e kuptova si shprehje
ngushëllimi pa sherr.
E dymbëdhjeta, kur u afrova te pika e
verifikimit m'u desh me u arsyetue se unë nuk isha serb-ikës, po shqiptar që
shkoja në shtëpinë time, prandaj më lejuan me kalue. Edhe kur erdha në
shtëpi gjastin e asaj plakes sidomos të Momçillos e quaj tipike pozitive
kosovare që njerëzit duhet ndihmuar në raste të tilla të jashtëzakonshme të
përmjegullta
Këtu po këpusim trajtimin e ditëditarëve kushtuar bombardimeve
të NATO-s kundër caqeve ushtarake të Serbio-Jugosllavisë, sepse prej kësaj date
fillon një jetë tjetër në Kosovë e përgjithësisht për shqiptarët, por edhe për
ortodoksët e serbizuar e të tjerë paqedashës të Kosovës. Të gjithë do të jenë
të lirë të bashkëjetojnë, madje edhe të punojnë të bashkuar si komunitete
përkatëse pra edhe serbët po edhe shqiptarët andej e këndej mund të hapërojnë
drejt përbashkimit të të mirave të përbashkëta materiale e shpirtnore me vendet
amë në liri, pavarësi e krijimtari pa vizë të zezë kufindarëse.