Kulturë
Mihal Gjergji: Murgesha
E enjte, 22.05.2025, 06:53 PM
M
U R G E SH A
Nga
Mihal Gjergji
Ushtria
e Kralit të Serbisë sulmoi Toplicën, Nishin e Pirotin. S’ishte hera e parë.
Rënkonin bjeshkët e Krahvajës, Gryka e Tejakës u shkretua, Trebija përcillte
muhaxhirët. Ardhacakët pa atdhe, barabarët e Uraleve, masakronin shqiptarët dhe
u zaptonin trojet. Toka mbytej nga gjaku. Pleq, gra dhe fëmijë ishin nën
mëshirën e bajonetave sllave. Ata s’kursenin askënd, i thernin si berrat, i
dhunonin e hidhnin rrëpirave. Të gjorët shqiptarë mbeteshin pa vend varri në
dheun e tyre. Luftëtarët e Dardanisë s’qendronin duarlidhur, bënin sa mundnin,
po armët i kishin të pakta e një pjesë e tyre ishin nizamë të Turqisë.
Perandoria Osmane e mbyllte një sy e një vesh për dhimbjet e arrnautëve, sepse
bënte marrëveshje me Carin e Rusisë. Serbia ishte pjella e Ortodoksisë ruse. Në
këto kushte serbët trimëroheshin. Vajzat e reja të Dradanisë i rrëmbenin, i
bënin robina të tyre. Kështu i ndodhi edhe Lidias 15 vjeçare. E rrëmbyen
militarët serbë, e martuan me një burrë që i kishte kaluar të gjashtëdhjetat.
Gjuhën e tij s’e kuptonte. E vjehrra e urrente sepse ishte shqiptare. Emrin ia
ndrruan, e quajtën Zaga. Mbeti shtatzanë dhe lindi një djalë. E quajti Radomir.
Edhe gjarpër të lindë, nëna e ushqen me qumështin e gjirit. Pas dy vjet
martese, burri i vdiq. Donte të qante shqip, të fliste gjuhën e saj, të
thërriste në kupë të qiellit, po s’mundej. U detyrua të shkonte në manastirin
sipër kodrave, atje ku ndahej kufiri shqiptaro-serb. Atje e rriti dhe djalin.
Në fund të luginës ishte fshati i saj i lindjes. E shikonte karshi. Digjej nga
malli e dhimbja, po s’mund të kthehej sërish, nga turpi dhe frika. Ja kishin
përdhosur krenarinë. Kishte patur emër drite, ishte si dielli e bukur, e tashmë
ishte veshur me ngjyrën e natës. Arriti të bëhej kryemurgeshë. Të gjithë e
nderonin. Kaluan 20 vjet. Radomiri u shkollua, u bë oficer. I erdhi radha të
drejtonte masakrat ndaj shqiptarëve. E ëma mësoi lajmin e hidhur. Me vonesë u
nis nga manastiri. Kur mbriti në vendlindje gjeti flakët dhe tymin, gërmadha
dhe njerëz që jepnin shpirt. Vajti te shtëpia e prindërve. Asnjë shenjë jete,
vetëm rrënoja. Lidian e dinin të vdekur, qyshkur. Vajti te shtëpia e vëllait.
Edhe atje e njëjta gjëmë. U nis për te shtëpia e motrës. Bagëti të therura në
oborr, një kalë i zi që hingëllinte dhe qenin që ulërinte si grua. Te pragu i
shtëpisë, motra e saj e vdekur me foshnjën në gji. U fut brenda. Dëgjoi një të
qarë fëmije në tavan. U ngjit ngadalë dhe e mori vajzën 10-vjeçare të tmerruar
nga ato që kish parë. E pyeti për emrin. Nëna e saj, për të kujtuar motrën e
humbur e kishte quajtur Lidia. E mbyti ngashërimi...Eh, dramat shqiptare
s’rrëfehen me fjalë. E rriti si fëmijën e vet, pa i treguar asgjë. Pikëllimin e
mbajti për vete. Kur takoi të birin i tha se do jetonin te kjo shtëpi, i tregoi
dhe për vajzën. Do ta mbajmë ne këtë vajzë, do e pagëzoj e kujdesem për të.
Vetëm kaq. Kaluan 5 vjet. Lidia u rrit e u zbukurua. Radomiri u dashurua me të
dhe kërkoi lejen e nënës së tij. Zaga mendohej. Serbët do kthehen përsëri,
sepse janë barbarë. Kjo vajzë duhet të jetojë patjetër, është gjaku im...Pastaj
iu drejtua të birit: -Nëse shikoj lotë në sytë e kësaj vajze, t’a bëj haram
qumështin e gjirit...E përqafoi Lidian dhe ndjeu rënkimin e motrës së vdekur
nga bajonetat serbe.
Tiranë, Maj 2020